KURTHET E POLITIKËS DHE NEVOJA E NJË PLATFORME PUBLIKE PËR PRESIDENTIN E KOMBIT
Dr. Astrit GJUNKSHI
Ndjek ndonjëherë copëza të shkëputura nga komentet politike që bëhen në emisionin “Zonë e lirë”, që transmetohet të premteve në TV Klan. Kështu, mbrëmë, ndoqa pjesërisht diskutimin e temës “Kandidatët e mundshëm për president të Shqipërisë së Madhe?”
Para se të hyj në diskutimin e përmbajtjes së temës, dua të bëj patjetër dy vërejtje thelbësore si për formulimin e saj, ashtu dhe për faktin nëse duhet të shtrohet kjo çështje në këtë moment.
Së pari, është i gabuar formulimi “president i Shqipërisë së Madhe” në një televizion të tillë kombëtar sepse i shërben pretendimeve të qarqeve të huaja që na akuzojnë prej kohësh se ne ëndërrojmë dhe punojmë për krijimin e Shqipërisë së Madhe! Ndërkohë, dihet fare mirë se ne kemi probleme me menaxhimin e kësaj Shqipërie të vogël që kemi, dhe as që ekziston një strategji apo aksion i organizuar për Shqipërinë e Madhe.
Së dyti, është fare e papërshtatshme dhe kundërproduktive që kjo temë shtrohet tani, kur Shqipëria ndodhet para problemeve shumë më të mprehta dhe urgjente. Të tilla janë: kriza politike midis mazhorancës qeverisëse dhe opozitës jashtë Kuvendit, e thelluar shumë pas zgjedhjeve të 30 Qershorit të këtij viti dhe ndërhyrjes së presidentit të vendit me dekretet që nuk i njohin ato zgjedhje; hapat që janë në proces për shkarkimin e këtij të fundit; hapat vendimtare që priten për finalizimin e reformës në drejtësi dhe për ngritjen e organeve kushtetuese që nuk funksionojnë; pritshmëria e pasigurt për dhënien pas pak muajsh të ftesës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, problemet e papunësisë dhe të varfërisë, etj, etj. Të ngresh këtë temë tani do të thotë të spostosh qëllimisht diskutimin për këto tema të nxehta drejt një teme që mund të presë shumë gjatë- pas njëzet apo më shumë vite.
Le të analizojmë tani për atë se si u diskutua kjo temë në emisionin e mbrëmshëm. E theksoj që në fillim se ky është qartësisht një emision i porositur nga politika, për disa arsye:
a) Lidhet me atë që e përmendëm më lart- politika është e interesuar që të spostojë vemendjen nga çështjet e mprehta aktuale;
b) Ka vërtet synime të qarta nga disa politikanë për të kapur pozicionin më të lartë dhe historik të presidentit të parë të të gjithë kombit shqiptar;
c) Synohet që të përgatitet terreni dhe të manipulohet opinioni publik si në Shqipëri edhe në Kosovë se, kandidatura më e mirë për një president të tillë, duhet të vijë nga politika, madje nga politikanët aktualë. Nuk spjegohet ndryshe fakti se, thuajse të gjithë kandidatët që u paraqitën, ishin figurat kryesore aktuale të politikës shqiptare!
d) Porositë për të lakuar emrat e këtyre politikanëve duket se janë përllogaritur që të shërbejnë si indulgjenca për të nxjerrë të pastra dhe me integritet figurat e tyre për të gjithë periudhën që kanë qenë dhe janë aktivë në politikë.
Por, mendoj se këto janë llogari që politikanët dhe sejmenët e tyre të medias i bëjnë pa hanxhinë. Dhe, me hanxhi nënkuptoj popullin, opinionin publik. Natyrisht, ka një pjesë të publikut që mund të ndjekë me pasion diskutimin e një teme të tillë, madje nuk vë në dyshim as faktin se disa mendojnë se pikërisht midis këtyre politikanëve duhet të gjendet kandidati për president të kombit shqiptar. Por, jam i bindur se pjesa dërmuese e publikut nuk mendon kështu tani dhe, aq më tepër, pas njëzet vitesh. Atij i kanë ardhur në majë të hundës bëmat e këtyre politikanëve që kanë secili pjesën e tyre të përgjegjësisë në performancën e dobët të politikanëve shqiptarë në këto vite, në dështimet e tyre, madje ka edhe mjaft pikëpyetje për integritetin e tyre.
Që të fillosh të diskutosh për pozicionin më të lartë politik të shtetit të ardhshëm të bashkuar shqiptar, duhet që diskutimi të fillojë për së mbari, pikërisht nga përcaktimi i kritereve që duhet të ketë ky president i ardhshëm. Këto kritere mund të përcaktohen fare saktë po të bazohemi në disa parime bazë që duhen mbajtur parasysh në përzgjedhjen e presidentit, parime që gjykoj se duhet të përfshijnë:
Pastërtinë e padiskutueshme morale, mirësinë njerëzore, ndjenjën e fortë atdhetare të kombinuar me mentalitetin qytetërues europian, mosvartësinë e tij të padiskutueshme nga partitë politike, formimin intelektual solid, përfshirë njohuri dhe përvojë në marrëdhëniet ndërkombëtare, aftësi komunikuese të spikatura me publikun dhe me partnerët e huaj, kurajo për t’u ndeshur me vështirësitë dhe aftësi krijuese në gjetjen e zgjidhjeve, vizion për të çuar përpara kombin dhe aspiratat kombëtare, aftësi për të negociuar me partitë politike dhe me grupet e interesit.
Bazuar në parimet e mësipërme, do të dilinin në mënyrë krejt logjike kriteret që vijojnë që duhet të përmbushë kandidati për president të kombit shqiptar:
- Pastërtia morale e provuar nga një veting i plotë i kandidatit;
- Dëshmi të veprimtarisë shoqërore, publikuese dhe intelektuale që provojnë ndjeshmërinë e tij atdhetare, progresive, demokratizuese dhe morale ndaj problemeve sociale e politike të kombit si dhe vlerësojnë aftësitë e tij krijuese;
- Kandidati nuk duhet të ketë qenë anëtar i asnjë partie politike dhe as simpatizant i deklaruar i njëanshëm i tyre;
- Prova të sigurta për moskompromentimin e tij në shërbim të vendeve të huaja;
- Prova e pastërtisë së tij nga veset dhe dëshmi për mirësinë e tij për njerëzit;
- Aftësi intelektuale të spikatura, përfshirë studime dhe botime; mundësisht të ketë kryer edhe studime në institucione arsimore të huaja prestigjioze dhe të ketë njohuri solide për marrëdhëniet kombëtare;
- Njohja e momenteve më të rëndësishme të historisë kombëtare, të sidave dhe të aleancave të shkuara dhe aktuale;
- Pjekuri për gjykim të shëndoshë, për të kryer analiza, përgjithësime, për të gjetur alternativa krijuese dhe konkluzione të sakta;
- Njohje e realitetit social e politik të vendit dhe e situatës në marrëdhëniet rajonale e ndërkombëtare;
- Përvojë pune në institucionet e administratës publike dhe në marrëdhëniet me institucionet ndërkombëtare;
- Karakter i fortë për t’u përballur me krizat dhe kurajua për t’u shkuar problemeve deri në fund;
- Aftësi komunikuese me publikun dhe për të negociuar me aktorët politik shqiptar si dhe me partnerë të huaj.
Në mënyrë që të garantohet përzgjedhja e presidentit sipas këtyre kritereve, duhen përcaktuar qartë modalitetet dhe mekanizmat e procesit se si duhet të zgjidhet ky president. Për të bërë këtë, opinion publik duhet të jetë një hap para politikës, në mënyrë që ajo të mos ia “vjedhë” këtë institucion garant për unitetin e kombit dhe pëmbrojtjen e interesave publike e kombëtare. Grupe intelektualësh të pavarur duhet të marrin iniciativën që tani për të vënë në rrugën e duhur këtë proces mbi bazën e një Platforme Kombëtare. Ajo duhet të propozojë ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit përmes referendumit nga populli; disa kompetenca shtesë me përgjegjësi e të drejta që do t’i jepnin atij mundësi të garantojë balancën e pushteteve; kriteret rigoroze që kandidatët duhet të plotësojnë, siç i rreshtuam më sipër; modalitetet e fushatës zgjedhore të kandidatëve me publikun- diçka e ngjashme me procesin e seleksionimit të presidentëve në SHBA; përbërjen e komisioneve të votimit dhe numrimit të votave nga intelektualë të pavarur nga politika, etj.
Populli duhet të organizohet që tani për këtë hap të rëndësishëm në historinë tonë kombëtare, për t’u bërë një komb ndryshe, më i përgjegjshëm dhe më i civilizuar, duke filluar nga zgjedhja e presidentit të parë të të gjithë kombit shqiptar. Po të veprojë kështu, do të arrijë të prishë planet dhe kurthet e politikës që është e prirë të mos heqë dorë nga ndikimi i saj mbi pushtetin e presidentit. Ndërkohë, nuk mund të mos nënvizoj se politikanët aktual po tregohen edhe shumë dritëshkurtër, bashkë me sejmenët e tyre të medias. Sepse do të fillojnë pa vonesë skartimet e mëdha në politikë nga një gjyqësor i reformuar. Kjo do të sjellë me siguri edhe zëvendësim të elitave politika me elita me një moral i ri. Akoma më shumë ujë do të ketë rrjedhur deri pas njëzet vjetësh dhe shpresoj që politikanët e artikuluar mbrëmë si “kandidatë për president” do të jenë zhdukur nga skena jonë politike.
Ky është një moment zgjimi për kombin tonë. Populli nuk duhet të bjerë pre e makinacioneve politike që duan ta manipulojnë që tani, ta ndajnë në dy kampe politike publikun. Sepse nga cilido kamp që do të zgjidhej presidenti, ai do t’i shërbente konservimit të politikës së vjetër. Një popull i zgjuar duhet të marrë në dorë fatin e zgjedhjes së përfaqësuesit më të lartë të unitetit kombëtar, si mburoja e tyre e parë në të ardhmen kundër të pabërave të politikës. Populli duhet t’i thotë “ndal” politikës që, duke kërkuar të bëjë pronë të vetën zgjedhjen e presidentit, kërkon “dokrra n’hi”, siç thonte dikur patrioti ynë i madh Gjergj Fishta.
Tiranë, më 13 Korrik 2019
Autori është Doktor i Shkencave për Siguri Globale, mban Master Sc për sigurinë nga Universiteti Cranfield i Britanisë së Madhe, diplomë universitare dhe pasuniversitare në matematikë, është autor librash, shkrimtar, publicist dhe përkthyes. Ka shërbyer si Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO.