Albspirit

Media/News/Publishing

42 vjetori i pushkatimit të dy poetëve, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi

Rezultate imazhesh për bedri blloshmi

Bedri Blloshmi

 

E dielë 17 korrik 1977

Të dielën e 17 korrikut familja erdhi aty, për takim por nuk doja të dilja. E çfarë tu thosha? Gjatë 6 ditëve të “gjyqit” kur futesha në sallë e nuk pashë asnjë pjestar familjeje për të gjashta ditës, as nga familja Genc Lekës as nga familja ime. Gjyqi ishte me dyer të mbyllura dhe brenda futeshin të gjithë njerëzit e sigurimit dhe antarët e partisë, të gjithë me ftesa në dorë. Isha shumë i tronditur e kundërshtova policin duke i thënë se nuk dal në takim. Shokët e dhomës me detyruan në një farë mënyre të dilja e diçka t’iu shpjegoja ose të paktën t’i shikoja njëherë. Ishin 3 të dënuar të cilët kishin qënë më përpara në burg me babain dhe xhaxhin tim, e tani me mua të ridënuar përsëri. Familja ka nevojë për kurajo e ndaj dil takoi, mos i lër vetëm. E kështu dola desha apo sdesha në dhomën gjysëm të errët dhe mbrapa hekurave që ndanin dhomën e takimit përgjysëm me qëllim mospatjen e kontaktit me njerëzit e tu. Aty në gjysem dritë pashë fytyrën e mamasë dhe mbrapa këtyre ishte kryetari i degës Merdar Hasa, shefi i hetuesisë Selim Caka, hetuesit Lulo Ymeri dhe Nevruz Hamiti si dhe disa civile-rrozga të tjerë. Nga ana tjetër e hekurave mbas krahevë të mij ishin 3-4 policë. U afrova tek hekurat, përballë, mamasë dhe motrës. Këto vetëm qanin dhe përpiqeshin të futnin duart nëpër hekurat e dhomës, më fërkonin duart nëpër faqe e pastaj i puthnin. Më në fund u dëgjua zëri i mamasë i mbytur në lot: Ç’është kjo hata që na gjeti? Ne erdhëm në gjyq dhe na përzunë. Mbas ca ditësh dëgjuam në fshat se ishit dënuar të tre me vdekje pushkatim. Unë kërkova të takoj përpara Vilsonin meqë është më i madhi dhe doja t’i jepja sihariqin që është bërë me vajzë. Nërkohë fuste duart mes shufrave të hekurit, më pushtonte kokën mbas vetes por çe do. Fytyra ime haste hekurat e jo gjoksin e mamasë time. Aty ja kthej, mos u mërzisni dhe mos shpreso se do ta takosh Vilsonin mbasi ai qendron mbas kurrizit tim i lidhur kokë e këmbë e këta mbas jush shumë shpejt do ta shuajnë. Mjaft, mjaft lotove përpara këtyre se këta atë duan, të të shohin të lotuar e të kujtojnë se ja arritën qëllimit. Ikni shikoni hallet tuaja, mbani veten e qëndroni të fortë e tani filloni të jetoni me fatin tonë. Mamaja psherëtiu dhe më thoshte mos fol kështu. Ai s’ka bërë asgjë vetëm libra e libra lexonte, që u shofshin ata që i kanë shkruar. I thashë për të fundit herë; mama mbase prandaj është këtu ku është, se s’ka bërë asgjë. Në çast kryetari i degës ndërpreu takimin…

Në dhomën që isha unë, në kohën e kryerjes së nevojave personale në darkë vjen Selim Caka në dhomë (shefi i hetuesisë). Të gjithë  lëvizën vëndit kurse unë vazhdova të rrija ulur siç isha pa luajtur asnjë gisht. Ai mu drejtua “Ti “kulak” çke që s’ngrihesh në këmbë. Unë vazhdova të rri ulur. Ai ulëriti përsëri të njëjtën gjë e i thashë, në këmbë çohem kur të kem frikë … ose respekt për ty kështu asnjërën nuk kam. Mirë më tha, sa të erdhi përgjigja nga gjykata e lartë ti e ke aq sa ta lamë ne, 25 vjet njëher për njëherë. Këtu e vetmja gjë që s’më interesonte ishte vetja ime e prandaj e pyes për vendimin e Gencit dhe Vilsonit. Jo më tha për ta, asnjë ndryshim.

Më pas mori një të dënuar dhe ja coi Gencit në biruce. Mesa kuptova ai kishte treguar bisedën time me shefin e hetuesisë. Aty u dëgjua një zhurmë e vogël e disa çaste më vonë dëgjova oficerin që tha thërrisni urgjentisht mjekun, si duket i kish’ rënë të fikët nga lënia në fuqi e vendimit me vdekje.

Ndërkohë në dhomë, policët më ushqyen me forcë pasi kisha ditë që nuk ushqehesha nga tronditja e madhe. Këtu më zuri një gjumë i thellë e i rëndë. Të nesërmen në mëngjes hodha si gjithmonë sytë nga birucat e tyre ashu i rënduar siç isha mbase nga helmimi i djeshëm. Aty vura re polici që i ruante vazhdimisht, mungonte. Këpucët që i linin jashtë, mungonin. Dita e 35 e mundit e vuajtjtes së tyre në pritje të vendimit mori fund, ashtu si jeta e tyre. Zhurma e zinxhirëve prej 35 ditësh që tringëllonte nepër korridorin e errët nuk degjohej më, as kollitja e tyre tek dera e banjës saherë që vinin e iknin në birucë mori fund. Ata i morën përgjithmonë e mua më ra të fikët. Tani për ne mbeti ta varrosim dhimbjen tonë në zemër, pëgjithnjë.

 

18 korrik 1977 biruca nr.8 përballë halesë.

 

Duhet të ketë qënë orar dreke, megjithëse e kisha humbur nocionin e kohës. Koka më dhembte shumë, trupi ca më keq, në momentin që u përmenda hapa sytë me shumë vështirësi. Në krah pash Rustemin (Rustem Dashin). Rustemin e kisha nga fshati e ishim dënuar bashkë.

Me vështirësi u ngrita pak e u mbështeta pas murit. E dija se kishte qënë në birucë për 30 ditë me Vilsonin e kështu e pyeta të më thoshte diçka se çfarë mund t’i kishte thënë Vilsoni momentet e fundit kur e morën.

Bedri të rrish shtrirë 35 ditë lidhur kokë e këmbë është shumë e vështirë, trupi të bëhët plagë, duart më keq, koka nën helmet mbante erë po ashtu djersa i rridhte përmbi plagë prej vapës përvëluese. Dorën e majtë e kishtë gati të nxirë nga prangat qysh kur ishtë në hetuesinë e Tiranës. Këkronin ta çonin në Belgjikë te daja juaj me shërbim. Kishte ardhur vetë Kadri Hazbiu disa herë në birucë, por Vilsoni nuk pranoi asnjëherë.

Rustem këto i di unë se kam folur në mur me Vilsonin dhe Gencin por unë dua çastet e fundit kur e morën nga biruca.

Atë natë nuk hëngri darkë edhe pse e luta, pasi i erdhën dhe ushqimet e familjes. Ha pak Vili nga dora e mamasë tënde e mos u mërzit, s’dihet çfarë ka thënë Zoti. Ai ma preu dhe më tha do ha më vonë. E kështu e ktheva me kurriz nga dera, rrinte ashtu i heshtur, i mpirë. Pas ca orësh u dëgjua fishkëllima e hekurave të derës. Fillova të dremisja pak e sa dëgjoj zhurmën brofa në këmbë.

Korridori zhurmonte nga hapat e atyre që erdhën, hapën derën e Gencit u dëgjua zhurma e tringëllimit të prangave, mendova se ka ardhur falja e jetës dhe po e zgjidhin Gencin. U myll biruca e tij e u hap dera përballë dhe prej aty vetëm heshtje as fjalë as lëvizje, asgjë.

Pas pak prap lëvizën hapa në korridor, hapet biruca jonë e me vehte u binda se ka ardhur falja. Tek dera u shfaq shefi i hetuesisë Selimi, brenda u futën dy policë. Kryetari i degës Merdar Hasa qëndronte në këmbë, në korridor i shoqëruar nga disa civilë. U ngrita në këmbë pas murit. “Zgjoje” më thërret polici. Nuk po fle i thashë unë. Atëherë Vilsoni foli, “Rustem më kthe pak”. E mora vesh pse kanë ardhur, sot mbushen 35 ditë dhe kështu po sot mbarojnë torturat së qëndruari shtrirë i prangosur kokë e këmbë. Axhemi (përgjegjësi i policëve) me çelës në dorë ja hoqi prangat e këmbëve, ja hoqi dhe zinxhirin që bashkonte këmbët dhe duart. E ngritën në këmbë, i vendosën një litar tek prangat e duarve dhe ia kaluan rreth trupit. Unë vetëm dridhesha. Cepin tjetër të litarit e mbante dikush tjetër. “Hajde” thirri dikush. I mora xhaketën dhe ia hodha krahëve.

Vilsoni bëri një gjysëm hapi, u ndal e u kthye nga unë: Rystem, më thotë me një zë burrëror,  ma bëj hallall, më ke shërbyer kaq dite. Do të lë një amanet se ti do dalësh më shpejt nga burgu se Bedriu. Ti e pe gjyqin si u bë e si vajti. Unë nuk kam pranuar asgjë pasi nuk bëra asnjë krim. Thuaju në shtëpi se nuk i kam turpëruar, Diana me gocën të shikojnë punën e tyre. Ky që fati im, nuk e zgjodha unë. Lamtumirë Rustem. Unë shtanga i mbërthyer pas murit. Ikën. Kërciti përsëri dera e jashtme ndërsa veshët e mi gumëzhinin papushim: Rustem ma bëj hallall, thuaju në shtëpi që nuk i kam turpëruar, Diana të shohë punën e saj bashkë me vajzën. Kishte kaluar ca kohë me këto zhurma në veshë kur papritur hapet biruca për të marrë mëngjesin. Me qamet se më hahet. I them policit të lutëm më hiq nga kjo birucë nuk rri dot më. Më nxorën duke lënë pas Vilsonin bashkë me fjalët e tij, batanijen dhe tasin e supës në cepin e birucës.

Me njërën dorë Rustemi mbante cigaren e me tjetrën fshinte lotet që i rridhnin mbi faqe, e unë kisha dalldisur fare nga kjo botë.

Please follow and like us: