Luan Rama: Mrekullia e ikonave dhe mungesa shqiptare
Kur Shqipëria jeton kaq shumë me këtë politikë aktuale të mbrapshtë, mes thirrjeve të urrejtjes, atmosferën e vrasjeve, kriminelëve, burgimeve, është e kuptueshme që jo rrallë vlerat e trashëgimisë shqiptare harrohen dhe lihen tutje, pasi institucionet e kulturës, me oshilacionet e tronditjet partiake, me një buxhet të vogël apo të papërfillshëm, studiuesit i ka lënë pa mbështetje, duke mos bërë të mundur botimin e studimeve të tyre në gjuhë të huaja, digjitalizimin dhe krijimin e hapësirave mbarëshqiptare, për tu integruar pastaj fuqishëm në hapësirat e mëdha kulturore, ballkanike dhe europiane. Kam parasysh një botim të mrekullueshëm nga serbët në gjuhët frënge dhe angleze, ku ikonat e tyre mesjetare vendosen mes ikonave më të bukura botërore, duke përfshirë dhe veprat e famshme të piktorit rus Andrei Rublev. Në të kishte ikona dhe nga Maqedonia, Mali i Zi apo dhe nga manastiri i Deçanit me tri ikona, por nga Shqipëria, asnjë ikonë. Piktura mesjetare shqiptare mungonte, po jo vetëm në atë botim serb, por dhe në botime të tjera ndërkombëtare ku shkruhet për artin e mesjetës dhe në zonat ballkanike.
S’ka shumë kohë që në sallat e muzeut të “Petit Palais”, në zemër të Parisit, është hapur një ekspozitë mjaft interesante: “Ikonat e artit të krishterë të Orientit”, me portrete dhe kompozime nga jeta biblike dhe veçanërisht portretet e Shën Gjergjit, Shën Marisë, Shën Baptistit dhe ndonjë shenjtori lokal, të cilat janë sjellë nga Greqia (shumë prej tyre nga Kreta), nga Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, por më kot të kërkosh të shohësh në këtë ekspozitë ikona të piktorëve tanë të famshëm si Onufri, i biri Nikolla, David Selenicasi, Shpataraku, Zografi, etj. Janë ikona të shekujve XVII-XVIII që shquhen për mjeshtrinë dhe origjinalitetin e tyre edhe në kuadrin botëror. E megjithatë, në këto lloj ekspozitash, jo rrallë, arti shqiptar mbetet jashtë, jo për vlerat që ka, por për pamundësinë e komunikimit me organizatorët, specialistët dhe studjuesit ndërkombëtarë dhe kjo si shkak i një njohje të kufizuar të artit mesjetar shqiptar në botën e sotme. Dhe sigurisht, nuk është faji i studjuesve tanë, prej të cilëve ka një punë të lavdërueshme në studimin dhe restaurimin e tyre, por ne sduhet të kënaqemi apo të mburremi me atë çka bëhet brenda hapësirës sonë kulturore shqiptare. Institucionet, duhet tu bëjnë të mundur studjuesve që ata të jenë të pranishëm në organizatat apo forumet ndërkombëtare. Nëse “Arti Mesjetar shqiptar” u prezantua së fundi në një nga sallat e Unescos, kjo ishte diçka e kënaqshme, por ne duam që kur flitet më gjerë për vlera të mirëfillta të kulturës, trashëgimisë dhe identitetit tonë, që Shqipëria të jetë pjesë e këtyre ekspozitave përfaqësuese. Mesazhet në ekspozicionet kolektive ndërkombëtare janë më të fuqishme dhe përcjellin më fortë mesazhin që duam e që lidhet me përkatësinë shqiptare.
Le të shpresojmë që me një politikë të re dhe një klasë tjetër politike, Shqipëria të jetë më e pranishme në ngjarje të tilla ndërkombëtare, ku të dalë në pah dhe gjenia e popullit tonë.
(Gazeta shqiptare -17 korrik 2019)