Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Për Elona Çasllin dhe jo vetëm

 

 

 

 

Fotografia e Cerciz Loloci

Një farë Elona Çaslli, që nuk di shumë gjëra për shkak të moshës po edhe për mos pasje shumë dijeni rreth karrierës së saj, ka bërë një status kritik e publik kundër Ismail Kadaresë meqënëse e ka parë në një foto miqësore mes tij, bashkëshortes së vet Helenës dhe ministres ndërinstitucionale, Elisa Spiropali si dhe pak kohë më parë me kryebashkiakun e Tiranës, Veliaj. Kjo e ka indinjuar zonjën që njihet vitin e mbramë gjithashtu  si e përfshirë me zë dhe figurë në mbrojtje të teatrit dhe shpesh del me aktorët apo regjizorët e njohur shqiptarë.

Mjaftojnë dy foto të Kadaresë me Spiropalin dhe Veliajn, që ajo të dallojë përqeshjen, rreshtimin në anën e kundërt të historisë dhe marrëzi të tjera që nuk i lejohen jo vetëm kësaj zonje po edhe një qëndrestari tjetër në mbrojtje të teatrit, kryekonservatorit mbarëkombëtar apo gjithë lëtyrave të tjera të opozitës së bashkuar që nuk u votuan nga populli në një sistem maxhoritar (çka mund të kishin të drejtë të dilnin nga vendimi i partisë për bojkot) po u përfshinë thjesht në listat e kryetarëve të partisë dhe fundurinisht gjenden, gati të eksituar e shkalafitur, në radhët e parlamentit.

Natyrisht, nëse nuk do të ishte pak sipërfaqësore, (këtë e them për ndjeshmërinë e madhe që ndjej së brendshmi për qënien e brishtë femërore dhe ruaj respekt të palëkundur për disa politikane të mençura dhe sharmante si Pampuri, Tabaku, Deda, Gjermeni, Malaj, Bregu a ndonjë tjetër), ajo do e kuptonte se takimin me shkrimtarin tonë të padiskutueshëm e ka kërkuar Spiropalja, siç kanë bërë herë tjetër edhe shumë ministra dhe deputetë të PD apo të PS (kam në ditarin tim personal një listë të gjatë me kësi vemjesh majtas-djathtas e në qendër), që vuajnë tmerrësisht nga kompleksi i inferioritetit, por nga ana tjetër janë gati të bëjnë gjithçka qoftë edhe për të marrë një autograf të shkrimtarit, një foto, apo një drekë jozyrtare, për ta pasur si dëshmi te shefat e tyre politikë që janë ose përfaqësojnë diçka dhe që duhet të kihen në konsideratë.

Zonja Spiropali, për shkak se ka edhe funksionin e zëdhënëses së Rilindjes (shpesh ndërthirret purteknajë politike) shkakton një irritim të gjithmbarshëm, por për këtë nuk është fajtor shkrimtari; ngjashëm ndodh edhe me të gjitha bibat e angazhuara veç e veç apo së bashku që i janë bashkuar politikës dhe që asnjëherë nuk vënë në punë arsyen… Një qenie humane me minimum njohurish e kupton fare qartë se shfaqja e Spiropalit me personalitete të shquara dhe daljet e saj publike politike kanë një hendek të madh, pra që ajo mund të shfaqet me më të spikaturit e botës, por e tradhton ndërkaq dalja publike që e nxjerr te thelbi i vet, një militante që tmerron dhe të vetët.

Personalisht, si një nga njohësit më të hershëm të Kadaresë, natyrisht nuk ndihem mirë kur Spiropali bën gjithçka per t’u shfaqur me të apo dallkaukë të tjerë që i janë jargavitur dhe i jargaviten edhe sot e kësaj dite, sidomos kam trishtim kur bolshevikët e sotëm në tri partitë kryesore e duan kapardisjen me të e dëshirojnë të fotografohen së bashku, pavarësisht se janë politikanët më të urryer brenda dhe jashtë kufijve amtare e megjithatë e di fort mirë se ata janë të shfaqurit e radhës që feksin e zhduken si gjethurinat e vjeshtës; me një urdhër partie ato janë gati të bëjnë të kundërtën, t’i bashkohen turmës së denigrimit për këdo e ndaj kujtdo!

Padurim dhe indinjatë kishte shprehur kohë më parë dhe ish-instruktori i komitetit të partisë (i pretenduar edhe si njohës i çështjeve krejtkombëtare, madje për fat të keq edhe profesor-doktor shtogu në një universitet shtetëror publik) që kishte bërë një status kundër Kadaresë thjesht dhe vetëm sepse e kishte parë të shfaqej me kryebashkiakun Veliaj, gjatë përurimit të shtëpisë së vet muze në Tiranë.

Pra, sipas instruktorit-pamfletist, Kadare duhet të shfaqet vetëm me demokratë dhe jo me demokratë në përgjithësi, por ato që do E.B. dhe që rreshtohen gjithmonë pranë liderit, në të kundërt nuk rri dot pa e denoncuar Ebu Qerimi dhe nuk mbetet asnjëherë pa një katakomb të zi për t’i hedhur diaretë e veta!

Ai s’do ta kuptojë apo ta pranojë se pavarësisht se kush bën një qendër kulturore, apo një investim në art (që gjithëherë bëhet me taksat e shqiptarëve) është për t’u përshëndetur, por në këtë rast nuk mund të bëhet fajtor artisti, por politikani apo zyrtari që e përdor për kapitalin e vet.

Kadare, duke e pasur si diçka hyjnore letërsinë, asnjëherë nuk ka tentuar apo tenton për të marrë një post politik, e megjithatë instruktori i komitetit të partisë, në vitet e para të demokracisë ishte përfshirë në skuadrën e shpifjes dhe të përbaltjes, mision që e kryente herë me pagesë, me shpërblim, por edhe shumë herë sepse e kishte si sëmundje, një farë majasllëku në pjesën e epërme trunore.

I njëjti kontestues arriti të sajonte shpifjen e madhe si agjent grek kundër të parit kryeministër të qeverisë demokratike, thjesht dhe vetëm se ai ishte ortodoks, por pa paraqitur asnjë dokument për këtë lajm të bujshëm.

Madje e vërteta ishte se babi i ish-kryeministrit kishte braktisur banesën dhe kushtet e jashtëzakonshme në shtetin fqinj për të kontribuar në atdheun e vet, madje ishte mësues i gjimnazit shtetëror në periudhën e Monarkisë; ndihmesën për Shqipërinë vijoi ta kryejë edhe në kushtet e vështira të diktaturës kur u cilësua i papërshtatshëm për regjimin, ‘i tepërt’ në tokën dhe pronën e vet dhe u përndoq deri në vitet nëntëdhjetë.

Rasti më paradoksal ka qenë me një ish të përndjekur politik që regjimi komunist dhe Enver Hoxha i kishin masakruar të atin me ngjarjen e ashtuquajtur të ambasadës sovjetike dhe pakënaqësinë nuk e shfaqi asnjëherë karshi tyre, por kundër Kadaresë duke shkruar fletërrufe në disa gazeta të majta të katundeve italiane!

Nuk është sekret të thuhet që partitë kryesore kanë në organikë skuadronet e veta të baltosjes, por kjo nuk është një dukuri vetëm shqiptare, militantët dhe të rreshtuarit pranë një force politike janë gati të bëjën gjithçka për të mbrojtur liderët e vet dhe të linçojnë pacipërisht kush është kundër tyre, kjo është një e vërtetë universale ç’prej kohëve që s’mbahen mend.

Një mendje erudite si Faik Konica thoshte shpesh për shpifësit: “Njerëzit që përhapin dhe ata që dëgjojnë të shpifurat, sikur të pëlqehej mendja ime, të gjithë duhej të vareshin; shpifarakët nga gjuha, dëgjonjësit nga veshët!…”.

Ka mijëra mënyra se si mund të shpërfytyrohet, tjetërsohet dhe përçudnohet një qënie njerëzore, por atë që të bën shpifja është nga më të rëndat dhe për këtë ndihem jashtëzakonisht keq! Dhe në këtë rast më vjen ndër mend ajo balada kretase e Manolit, përshtatur mjeshtërisht prej mikut tim, Arqile Garo!

 

Opinionin e Elona Çasllit e gjeni më poshtë:

http://infopressalbania.com/2019/07/17/nga-elona-caslli-mjaft-e-perqeshet-shqiperine-z-kadare/?fbclid=IëAR0A_-UuijXotg1B6gh0OiUvbE2q2xOniL0rYRzHyx9y72cYhmyëOlyPtRU

Fotografia e Cerciz Loloci

Baladën kretase të Manolit e gjeni në këtë link:

Balada e Manolit, këngë popullore kretase

 

Please follow and like us: