Shaban Murati: Ndërkombëtarët e zënë lepurin me qerre
Dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në 22 korrik u dërgoi zyrtarisht institucioneve kryesore të Kosovës letrën e tij të dorëheqjes, nuk ka qenë e beftë për qarqet diplomatike europiane.
Që do të shkohej në këtë pikë, nuk vihej në dyshim. E vetmja gjë, që nuk dihej, ishte koha. Madje zgjatja e këtij momenti u dha shkas teorive konspirative ballkanike në Beograd, ku ministri i jashtëm serb Daçiç fantazonte se pas taksës së Kosovës ndaj Serbisë qendronin SHBA.
Sinjalet ndërkombëtare se diçka duhej ndryshuar në Prishtinë ishin dhënë prej kohësh. Në janar të këtij viti Uashingtoni i refuzoi kryeministrit Haradinaj vizën e hyrjes në SHBA. Në 29 prill 2019 në samitin e Berlinit presidenti i Francës në një moment shpërthimi në konfliktin verbal me kryeministrin Haradinaj iu drejtua atij me fjalët: “Ti je në një pozicion, që nuk mund të kërkosh asgjë”.
Dështimi i samitit të planifikuar nga kancelarja Merkel dhe presidenti Makron për dialogun Serbi-Kosovë në Paris në 1 korrik i vuri kapakun me një lëvizje të detyruar për të ardhur tek formula e famshme diplomatike e kohës së luftës së Vietnamit “Hiqni ujin rreth peshkut”.
Në qarqet diplomatike pranohet se thirrja për intervistë nga prokuroria speciale është një pretekst diplomatik dhe jo juridik, sepse asnjë ekspert penal nuk mund të pranojë që një person mund të akuzohet tre herë për të njëjtin faj, në një kohë që Ramush Haradinaj është shpallur i pafajshëm dy herë nga Tribunali i OKB, Gjykata për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.
Është për t’u habitur që nga deklarata e dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj nuk lexohet shpjegimi i qartë dhe i thjeshtë, që i bën vetë kryeministri shkaqeve reale të dorëheqjes së tij: “Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik republika janë të papërballueshme për Kosovën”.
Kryeministri e jep qartë adresën e detyrimit për të dhënë dorëheqjen, që kuptohet se është diplomatik dhe jo juridik.
Në situatën e re të krijuar, përtej debatit për gjykatën speciale dhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, është e nevojshme të përqendrohet në thelbin dhe në dinamikën diplomatike të kësaj rrethane të re. Duhet pranuar se qeveria e Kosovës nuk e zhvilloi siç duhet lojën diplomatike në arenën ndërkombëtare në përshtatje me rrethanat e reja, që u krijuan pas vendosjes së taksës së drejtë, por të vonuar dhe të vetmuar ndaj Serbisë.
Në kampin e aleatëve perëndimorë të Kosovës, siç dihet u krijuan dallime midis dy grupe shtetesh perëndimore lidhur me mënyrat e arritjes së dialogut dhe të marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës. Grupi i parë i aleatëve atlantikë, me SHBA dhe Francën, ishin dakord që të pranonin një marrëveshje të dakorduar midis vetë Serbisë dhe Kosovës, qoftë dhe me ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve, nëse vetë dy shtetet binin dakord.
Grupi i dytë i aleatëve atlantikë, me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, ishin për një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës, e cila të mos prekë statusin e kufijve midis dy shteteve, sepse do të krijonte një precedent të rrezikshëm pastabiliteti në Ballkanin e paqendrueshëm.
Sa kohë që heqjen e taksës apo pezullimin e saj e kërkonte vetëm grupi i parë i shteteve aleate, mund të pranohet se Prishtina mund të vazhdonte me qendrimin e saj për mbajtjen e taksës. Por kur me kërkesën për pezullimin e saj u bashkua edhe Gjermania dhe Britania e Madhe, kjo ndryshonte analizën e hartës diplomatike të çështjes dhe qeveria e Kosovës duhet të kishte reflektuar. Për shtetet e vogla dhe të mesme koha e qendrimeve singulare në marrëdhëniete ndërkombëtare ka përfunduar në mesjetë.
Nëse në kampin e shteteve aleate të NATO-s kanë arritur në një qendrim unik për pezullimin e taksës, kjo do të thotë që në planin diplomatik Prishtina duhej të kishte marrë kthesën dhe ta kishte pranuar sugjerimin e përbashkët të aleatëve.
Ka një praktikë ndërkombëtare të konfirmuar nga historia moderne e Ballkanit dhe e rajoneve të tjera të botës. Ndërkombëtarët e fuqive të mëdha e kapin lepurin me qerre. Ata kanë një mijë e një instrumente për të detyruar shtetet e vegjël dhe të mesëm që të respektojne interesat gjeopolitike të fuqive të mëdha. Në rastin e aleatëve të NATO-s, falë të cilëve kemi edhe çlirimin, edhe pavarësinë e Kosovës, Prishtina nuk duhet të kishte mbërritur deri në sfidimin kategorik të të gjithë aleatëve atlantikë për pezullimin e taksës.
Me pezullimin e përkohshëm të taksës i hiqej Serbisë preteksti për bllokimin e dialogut dhe në tavolinën e bisedimeve mbahej qendrimi i vendosur i konfirmimit të njohjes reciproke si kushti i parë i arritjes së marrëveshjes përfundimtare.
Është vërtetë e habitshme që bashkësia ndërkombëtare e bëri të vetin pretekstin e Serbisë për bllokimin e dialogut nga taksa ndaj mallrave serbe si shkak kryesor të ndërprerjes së dialogut. Është absurde, sepse gjatë tetë vjetëve para taksës janë zhvilluar bisedimet zyrtare në Bruksel midis Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësimin e BE dhe ato për shkak të qëndrimit bllokues të Beogradit nuk çuan aspak në marrëveshjen përfundimtare të njohjes reciproke.
Pra nuk është faji i taksës. Faji kryesor qendron tek BE, e cila nuk u dha objektiv të caktuar dhe kalendar politik të caktuar këtyre bisedimeve. Bisedimet e Brukselit shërbyen si alibi e Serbisë për të fituar statusin e shtetit kandidat në BE dhe hapjen e bisedimeve të pranimit në BE. Më e keqja është se gjatë kësaj periudhe të bisedimeve dypalëshe në vend-numëro në Bruksel, Serbia arriti me ndihmën e diplomacisë së përçarë europiane të përmbyste raportet reale dhe të merrte iniciativën diplomatike në shkallë ndërkombëtare dhe të sanksionojë pozën e viktimës.
Është rasti i parë në historinë diplomatike europiane që shteti agresor, që ka ndërmarrë gjenocid dhe spastrim etnik ndaj një populli, të fitojë jo vetëm “simetrinë e fajit”, (teoria idiote e diplomacisë europiane për fajin e njejtë të të gjithëve në luftrat në ish Jugosllavi), por edhe të pretendojë veten si viktimë e popullit, që sulmoi.
Natyrisht ky paradoks diplomatik është bashkëfajësi e diplomacisë europiane, por edhe bashkëfajësi e diplomacisë dhe e qeverisë së Kosovës. Nuk kishte asnjë arsye që Prishtina të ndërmerrte taksën aq vonë në vitin 2018, në një kohë që mund ta kishte ndërmarrë që në vitin 2013, kur Serbia nuk zbatoi marrëveshjen e njohur të 19 prillit 2013, ku pranonte anëtarësimin e Kosovës në BE.
Prishtina mund ta kishte ndërprerë bisedimet, qysh kur Serbia bllokoi anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, apo kur Serbia bllokoi anëtarësimin e Kosovës herën e parë në Interpol, apo kur Serbia nisi fushatën idiote ndërkombëtare të tërheqjes së njohjeve të shtetit të pavarur të Kosovës. Prishtina mund të kishte bllokuar bisedimet me kushtin e çfuqizimit nga Serbia të fletë-arresteve për udhëheqësit kryesorë të Kosovës, në zbatim të të cilave Franca në janar të vitit 2017 arrestoi kryeministrin Ramush Haradinaj.
Prishtina duhet të kishte vepruar në mënyrë energjike në planin e brendshëm dhe të jashtëm për të mbajtur të kryqëzuar si shtet agresor Serbinë dhe kjo rrethanë duhet të ishte themeli i bisedimeve dhe i trajtimit ndërkombëtar të Serbisë.
Prishtina bëri gabimin e madh që pas pavarësisë nuk zhvilloi një gjyq për krimet dhe për kriminelët serbë, që ndërmorën gjenocidin dhe spastrimin etnik në territorin e Kosovës. Dhe është arritur në një pozitë sureale, ku drejtuesit e UÇK, që mbrojtën popullin nga agresorët serbë, shkojnë nëpër gjyqe të sajuara ndërkombëtare, kurse udhëheqësit e tanishëm të Serbisë, që kanë qenë ministra të qeverisë së kriminelit të madh ndërkombëtar Millosheviç si presidenti Vuçiç dhe ministri i tij i jashtëm Daçiç, mbajnë leksione morali në OKB dhe në forumet diplomatike ndërkombëtare.
Duke qenë se Prishtina u kujtua shumë vonë t’i vinte kushte Serbisë në fund të vitit të kaluar, ajo nuk u mobilizua në frontin diplomatik ndërkombëtar, por u përqendrua në frontin e brendshëm partiak dhe elektoral, duke mos mundur të krijojë as kohezionin shtetëror dhe as kohezionin kombëtar për një politikë të re kombëtare në rrethanat e reja.
Në këtë ngatërrim prioritetesh Prishtina sanksionoi çarjen e palejueshme për çeshtjen kombëtare midis institucioneve të presidentit dhe të kryeministrit, gjë që e dobësoi shumë pozitën diplomatike biseduese të Kosovës. Prishtina nuk arriti të krjojë sintoni shtetërore dhe kombëtare as me Shqipërinë lidhur me rrethanat e reja të dialogut me Serbinë, në një çarje që Prishtina dhe Tirana pa pikën e përgjegjësisë shtetërore dhe në mungesë të plotë të vetëpërmbajtjes diplomatike ia lejuan vetes ta afishonin publikisht në samitin e Berlinit në 29 prill 2019.
Punët ndërkombëtare dhe diplomacia kanë dhe duhet të kenë kufij të ndarë qartë nga interesat e ngushta partiake dhe elektorale. Në Kosovë ta kenë të qartë rendin e parë të prioriteteve kombëtare dhe shtetërore dhe pastaj të shkojnë te prioritetet elektorale dhe partiake. Cilado që të jetë dinamika politike pas dorëheqjes së kryeministrit, me qeveri të përkohshme apo me zgjedhje të parakohshme parlamentare, të gjitha palët që pretendojnë të udhëheqin Kosovën duhet të kenë parasysh një gjë. Ka ardhur koha që të pranohet sugjerimi unik atlantik për pezullimin e përkohshëm, qoftë dhe tremujor i taksës ndaj Serbisë.
Së pari, për të rakorduar veprimtarinë diplomatike me aleatët e NATO-s, dhe së dyti, për të vënë Serbinë përpara provës së dialogut. Ndërkombëtarët kanë dhe gurin, edhe arrën, dhe kurrrë në politikën jashtme nuk duhen bërë armiq të gjithë. Ndërkombëtarët e kapin lepurin me qerre.
Krerët e politikës në Prishtinë dhe në Tiranë nuk duhet të gënjejnë veten me botën virtuale të luftës me mullinjtë ndërkombëtarë të erës. Pyetini po të doni Sllobodan Milosheviçin, Sadam Hysenin, Hosni Mubarakun, Muamer Gadafin, etj., të cilët do të ishin gjallë, nëse do të ishin të bindur se koha e kalorësve të mesjetës, që luftojnë kundër të gjithëve, ka mbaruar qysh kur Servantesi shkroi Don Kishotin. “Vetëm të ha ujku”, thotë një proverb i vjetër shqiptar./gazeta dita/