Albspirit

Media/News/Publishing

Reshat Kripa: Cikël poezish kushtuar familjes

Image result for reshat kripa

 

 

Prindërve të mi

 

 

Kur  i vogël isha, kur isha fëmi,

Isha djalë çapkën, një i ri rebel.

Dhimbje u shkaktova prindërve të mi,

Dhimbje shpirtërore, peng seç  më ka ngel.

 

Si nuk u mërzitën, si nuk më qortuan,

Për ç’ka bëra unë, ndezur nga furitë?

Prapa seç më ndoqën, veten s’e lëshuan,

Deri sa më kthyen,  përsëri në dritë.

 

Dhe tani i rritur, tani si dikur,

Ndiej  një  respekt,  sikur t’i kem pranë,

Një  dashuri ndiej, s’do t‘i harroj kurrë,

S’do t’i harroj kurrë, nënën dhe babanë.

 

Prindërit e mi, o prindër të rrallë,

Nuk e di në botë, mund të ketë të tjerë,

Sot në pleqëri, unë ndiej shumë  mall.

Përjetësisht pranë dua që t’u kem.

 

Vlorë, qershor 1991.

 

Letra e pajtimit

 

Letra vinte që nga larg, prej andej ku kish mërguar,

Mbushur plot me lot e vaj, nga një zemër  copëtuar.

Zemër copëtuar vajze, vajze vjeç gjashtëmbëdhjetë,

Ende nuk kish lulëzuar, ende nuk kish hyrë në jetë.

 

Ti je babi më i mirë, si ty nuk gjejmë në botë,

Kam një mall e një dëshirë, nga syt më rrëshqasin lot

Ti me motrën rri i vetëm, unë me mamin dhe vëllanë,

Pesëmbëdhjet vjet kaluam, të ndarë edhe mënjanë.

 

Eja babi, fale mamin, dhe ajo të fali ty,

Që të mbajmë kokat lart, të mos na qeshë njeri.

Ne e dimë sa na do, edhe ne shumë të duam

Eja, eja të jetojmë, në familje të bashkuar.

 

Unë ende jam e vogël, s’i kuptoj hallet e jetës,

Po kërkoj si nëpër tym, që të gjejë të vërtetën,

Mamin, babin edhe mua, bashkë  motrën e vëllanë,

Po të lutet zemër-vogla, eja që të rrimë pranë!

 

Babi letrën e lexoi, goja nuk i fliste dot,

Hodhi syt nga vajz’e madhe, syt ishin mbushur me  lot

Hodhi poshtë paragjykimet, të kaluarën harroi,

Hodhi poshtë thashethemet, tok  me vajzën fluturoi

 

Dhe një jetë të re filluan, të bashkuar si dikur,

Prindër bashkë me fëmijë,  për të mos u ndarë  kurrë!

Të mos kemi më në jetë, kurrë mos pafshim në botë,

Një familje ndarë dysh, një familje mbytur lot!

 

Vlorë, tetor 1993.

 

Ildës

 

Çfarë ka deti që gjëmon,

Çfarë ka mali që ushton?

Përse fushat fëshfërijnë?

Përse pyjet uturijnë?

 

Nuk është deti që gjëmon,

Nuk është mali që ushton,

As dhe fushat fëshfërijnë,

As dhe pyjet uturijnë.

 

Është zemra ime dëlirë,

Është mosha e rinisë,

Është zjarri im i lirë,

Është koha  dashurisë.

 

Dashurova plot pasion,

Me një zjarr, zjarr të pashuar,

Zemra puth dhe fluturon,

Lart në qiellin e amshuar

 

S’e harroj puthjen e parë,

Thellë në zemër  regjistruar,

Goja jote plot nektarë,

Brenda meje e paharruar.

 

Plot tre vjet  u dashuruam,

Plot pasion dhe plot furi,

Jetën tonë e kaluam,

Herë me brengë, herë dashuri.

 

Do bërtas dhe brohoras

Të dëgjohet gjer në qiell,

Plas, moj zemra ime, plas!

Ida, ti më je Venerë!

 

Tiranë, maj  2001.

 

 

Nina nana

 

Nina nana shkruaj, në moshë të kaluar,

Zogjtë e mi të shtrenjtë, oh, sa fort i dua!

S’janë më vocërrakë, janë të martuar,

Rreth e rreth fëmijë, plot gëzim për mua.

 

Nina nana Tani, djali im i parë,

Zbrite si një engjëll për të na gëzuar,

Ishe dritë e syve me këmbë të mbarë,

Bashkë me Dorinën jetë lumturuar!

 

Nina nana Dina, ty po të këndoj,

Fëminia jote shumë e trazuar,

Atje larg ku ndodhesh ty po të kujtoj,

Unë këtu ku gjendem zemër copëtuar.

 

Nina nana Cela, ylli im i artë,

Imja trimëreshë si vullkan shpërtheve,

Fluturon krenare në qiellin e lartë,

Majat më të larta me vrrull i rrëmbeve.

 

Nina nana sot unë do të thërras,

Sa të tundet mali, sa të dridhet toka,

Sa të çmenden valët thërras e bërtas,

Bashkë me fëmijtë imja është bota!

 

Tiranë, gusht 2006.

 

Nikit dhe Noelit

 

Kushtuar  mbesave të mia të bukura

 

Lindët ju  si rreze dielli, rreze drite plot shkëlqim,

Për çdo ditë vezulloni, si yje në shpirtin tim.

Oh, sa herë ju shikoj, oh sa herë ju përgëzoj,

Zemra më gufon përpjetë, lart në qiell fluturoj.

 

Niki, yll i bukurisë,  perëndesh e lumturisë,

Me atë zërin e ëmbël, cicërim e ëmbëlsisë.

Zëri yt zë kanarine, rrjedh në vargje ngazëllim,

Lumturove jetën time,  zemrën mbushe me gëzim.

 

O Noel, vashëz e bukur, eja bashkë të lodrojmë,

Dhe me ty në krah o flutur,  brengat tona t’i harrojmë.

Ti je drita  jetës sime, je simbol i pastërtisë,

Ti je yll zbritur nga qielli,  je gëzimi i shtëpisë.

 

Rrituni zemrat e mia, rrituni si burrëreshë,

Cicëroni si zogj mali,  gjersa zëri juaj të ndeshë,

Të përplaset nëpër male, nëpër dete oqeane,

Të shpërthejë botën mbarë, të buçasë si zë zane!

 

Tiranë, shtator 2008.

 

Rafit dhe Gabit

 

Kushtuar nipërve të mi që i kam larg.

 

Jeni larg  të dy , në një tjetër  botë,

Botë e re e madhe, shumë e ëndërruar,

Unë  rri këtu, zemra pikon lot,

zemra ime lodhur, zemër dëshpëruar.

 

Vështroj lart në mur, dy portrete pranë,

Si dy zogj parajse, me fytyrë gëzuar,

Rafi edhe Gabi, të dy aty janë,

I kundroj me ëndje, mall e brengë trazuar.

 

Rrinë e më vështrojnë, sytë xixa plot,

Duket sikur thonë: Eja gjysh i mirë,

Që të luajmë bashkë, ne të duam fort,

Por unë rri i heshtur, duke psherëtirë.

 

Ju vështroj nga larg, vocrakët e mi,

Duket  sikur rrini, m’u në prehrin tim,

Lumturia juaj, gaz dhe dashuri,

Atëherë dhe unë, mbushem me gëzim!

 

Tiranë,  shtator 2008.

 

 

Vëllait  

 

Kushtuar vëllait tim, Besnikut.

 

Çfarë të të kujtoj, i dashur vëlla,

Jetën që kaluam, tmerr dhe brenga plot,

Bashkë e përshkuam, bashkë të pandarë,

Mendja s’e kupton, pena s’e shkruan dot.

 

Nuk përshkruaj dot, dhimbjen e pamasë,

Për rininë e humbur, burgjeve të shkretë,

Burrërinë e vjedhur, zemrën në lëngatë,

Shpirtin copëtuar, rrjedhave në jetë.

 

Kurrë nuk u theve, kurrë nuk u mposhte,

Trimërisht qëndrove, në dallgë e stuhi,

Me fëmijtë gëzove, jetën e ndërtove,

Me vaj e mundime, por me dashuri.

 

Dhe tani që jeta, filloi të lulzonte,

Dhimbja  mëkatare, ishte flakur tutje,

Tani që dhe zemra, filloi të gëzonte,

Përse u largove? Përse më nuk duke?

 

Oh, ky fat i hidhur, në shtrat të mbërtheu,

Por ti prapë qëndrove, si titan legjende,

Kokën nuk e ule, dhimbja nuk të theu,

I përhershëm mbete, simbol rezistence!

 

Tiranë, dhjetor  2006.

 

Motrës

 

Kushtuar motrës sime, Fatushes.

 

Fëmininë kur mohova,

Kur në burg unë përfundova,

Kur gjithçka u shkatërrua,

Shpirti veç u ngushëllua.

 

Sepse ti më ndejte pranë,

Dhe në jetë dhe në hapsanë,

Në hapsanë kudo që isha,

Ty gjithmonë pranë të kisha..

 

 

Fjala jote, fjalë e urtë,

Fjalë e mirë, fjalë e butë,

Zemrën time qetësonte,

Shpirtin tim e ledhatonte.

 

Më dhemb zemra, më dhemb shpirti,

Dua që ky yll të ndriti,

Vit pas viti të ndriçojë

Përgjithmonë të rrezatojë!

 

Tiranë, janar  2007.

 

 

Please follow and like us: