Natasha Lako: Në djall të mos shkojë kinematografia shqiptare, por vanitozët dhe analfabetët rreth saj
Natasha Lako
Në vend të një liturgjie për humbjen e kineastit Gjergj Xhuvani
Gjithë këto ditë kam mbajtur dorën për të mos shkruar për atë që kohët e fundit po i ndodh kinematografisë shqiptare, por që nuk e di kush.
Kam thënë le të iki vera. Sepse e di që shumica e të rinjve, në pamundësi për të ndërtuar shoqërine e tyre si një si motër me të gjithë europianët e tjera, e ka më të lehtë ta ndjejë veten të integruar me gjithë botën, vetëm kur vesh fustanet dhe xhaketat e sezonit, ose ndjek kinematografinë botërore. Ndoshta edhe kur sheh reklama të ndryshme që ndrojnë për ditë.
Dhe ka mundësi që edhe snobët e ditës, të thonë “Në djall të vejë edhe kinematografia shqiptare”.
Por vdekja nuk pyet për sezone dhe për ditë vere. Dhe kësaj kinematografia i ka humbur në një spital të Romës një nga regjisorët më me zë të saj të pas viteve ‘90, Gjergj Xhuvani. Kineasti që u formua si asistent-regjisor në brumin e Kinostudios dhe tregimtari i ri që talentin e tij të rrëfimit, ia dedikoi filmit shqiptar. Regjisori i filmit të ri klasik shqiptar.
Dhe kështu duhet thënë se u nda prej botës shqiptare dhe kinematografike, të cilën e konfiguroi, edhe triumfalisht edhe tragjikisht si me lamtumirën e sotme, njeriu që nuk la t’i krijohej boshllëku deri në humnerë, kinematografisë, të cilës i kushtoi jetën. Dhe që mund të thuhet që vijoi gjuhën kinematografike, jo vetëm për ta shpëtuar, por për t’i dhënë një nder të ri. Shfaqjen e njeriut, brenda rrethanave më të frustruara.
Të gjithë e dinë suksesin e filmit “Parrullat”, që sot citohet në të gjithë kritikën botërore dhe që flet për trusninë e dy mësuesve fshati në kohën e rrethuar prej gurëve të parrullave ideologjike të mbërthyera në faqe mali. “I dashur armik”, me trysninë e njerëzve të ngërthyer në një luftë ku nuk kanë vendosur ata vetë të jenë kundër njeri-tjetrit. E më pas “Lindje, perendim, lindje”, me trysninë e një grup sportistësh pas kolapsit të një regjimi, ku për herë të parë duhet të gjejnë rrugëzgjidhjet vetë. Kjo sa për të kujtuar disa filma të Xhuvanit, që ishte në proces postproduksioni me filmin e tij të fundit.
Rregullat e reja të vendosura arbitrarisht për filmin shqiptar, nuk do ta lejonin që Gjergj Xhuvani të bashkëpunonte me shkrimtarin e përvojave të hidhura mbi trup, shkrimtarin e tij Dhimitër Xhuvani, që mund të quhet edhe ati i tij natyral dhe shpirtëror, për një liri të re shprehjeje dhe frymë realiste.
Një rrugë krijuese që e lidhi edhe me aktoren e talentuar Luiza Xhuvani, e cila më tepër se asnjëherë tjetër, pas traumës së madhe brenda familjes dhe dënimit të të birit për krimet e kryera, ka luajtur me një thellësi dilemat hamletiane, kur njeriu papritur gjendet si në çark. Dhe drama është gracka, ku shpirti do të mbyllet si laraska.
Një trysni e re, kalon nga krijimtaria artistike në jetën e drejtpërdrejtë të Gjergj Xhuvanit, deri sa kthehet në botë tragjike. Punëtori i palodhur i kinematografisë, njeriu besnik i miqësive, ëndërrimtari i projekteve të vazhdueshme, i palëkunduri në formimin e tij dhe mbi të gjitha njeriu social që dha trysnitë dhe përpëlitjet njerëzore, pa asnjë melodramatizëm dhe shtirje, u nda nga jeta e tij kinematografike para kohe.
Në këtë botë kaq të hapur, ku producentë janë gati të vjelin nga bota aq sa u duhet, për ta kthyer edhe filmin në stilin e reklamave ose PPP që monitorojnë doganat, vetëm e vetëm se ndonjë njeri nuk di tjetër se ç’është filmi, në vend të një Xhuvani mund të kemi këtej e tutje të ftuar në kinematografinë shqiptare ndonjë skenarist të huaj, që do të na tregojë se si e koncepton ai realitetin shqiptar sot.
Dhe përsëri dhe përsëri “Në djall kinematografia shqiptare”.
Dhe iku një kineast, që filmin e dinte ta ndërtonte me duar e tij, që nga skenari, po të donte të shprehej, si e kërkon liria e krijimit.
Iku një bazament dhe një model, në kohën e rrezikut që kinematografinë shqiptare, ta trajtojnë sa për paret e një asistence sociale.
Iku një nga autorët që mbante një ekuilibër, në këtë kohë kur duket se ka më tepër rëndësi shërbimet dhe lehtësimet për xhirimet e të huajve në Shqipëri, se sa prodhimi serioz i filmit, si ai i Gjergj Xhuvanit, që e çoi metrazhin e filmit të gjatë në sesionet më inkurajues të festivalit të Kanës.
Iku regjisori, që duhet t’i mësonte edhe më drejtuesit e sotëm të prodhimit të filmit, se regjisori nuk është një rrogëtar i zakonshëm, por krijues i mirëfilltë që shkruan me gjuhën e imazhit, në një proces të pandashëm të filmit autor, që ndryshe nga gjithë bota synohet të nëpërkëmbet nga ata që nuk e arrinin dot.
Por jo një Gjegj Xhuvani.
A do të dinë miqtë e rinj të Qendrës Kombëtare Kinematografike, që mendohen të vlerësojnë filmat shqiptarë, duke ngatërruar juritë ndërkombëtare të festivalit të filmit dhe të ‘Miss Bukurive’, me këshillat miratues të krijimtarisë së mirëfilltë shqiptare, kur konkurimi ndërkombëtar, është i garantuar gjatë procesit të gjatë filmik, që në momentin kur ka të drejtën të paraqitet në Euroimazh, ose kur gjen bashkëproducentë të huaj.
Të konceptosh thjesht bisnes, ose punë rrogëtarësh, një kinematografi, në një vend si Shqipëria, i ngjan vertet Don Kishotit të Mançës. Në kohën që e gjithe agrokultura po mbështetet dhe zhvillohet nën regjimin financiar europian.
Gjergj Xhuvani e kishte fituar këtë frymë bashkëpunimi dhe e dinte që përpara se puna krijuese do të kishte shumë mund.
Pesha e krijimtarisë së tij ekuilibronte të gjithë aventurën a la asistencë sociale të rreth 170 filmave të metrazhit të shkurtër të prodhuar gjatë këtyre viteve.
Ata që kanë kërkuar ta mundin Gjergj Xhuvanin qoftë edhe me lajka e dinë se ai ka pas të rinjve që u ka qëndruar në kokë dhe iu ka falur eksperiencën dhe autoritetin e vet, për një kinematografi të qëndrueshme dhe solide. Por që vanitozët e këmbejnë me biseda dhe vendime kafenesh.
Gjergj Xhuvani na mëson se ai vetë formësoi kinematografinë shqiptare të pas viteve ‘90, me shumë pak të tjerë, disa prej të cilëve pareve u vënë më tepër rëndësi se krijimtarisë.
Ata që duan të kthejnë regjinë filmike dhe bashkëpunimet në një profesion argatësh le të thonë sa të duan “Në djall kinematografia shqiptare”.
Gjergj Xhuvani është një guri i rëndë kinematografik, kujtimi i të cilëve do të ndalojë shumë njerëz të bëjnë marrëzira dhe ekserimente me filmin shqiptar. Sepse një ekip filmi mund të ketë shumë bashkëpunëtorë të huaj.
Por një vepër quhet shqiptare, kur shpreh konstitucionin e vet shpirtëror dhe transmeton mesazhet e veta me të cilat pasurohet kinematografia botërore.
Sot për sot, i ka mbetur vetëm asaj të ketë nevojën të shprehet shqip me të gjithë kuptimin e fjalës, për çdo kinematografi kombëtare, në mbrojtje të diversitetit europian si pasuri. Dhe merre me mend sikur projektet shqiptare t’i miratojë një specialist i vërtetë nga nje vend ku priren dhe pasurojnë botën plot sukses prirjet e arteve marciale! Pastaj edhe një specialist nga Bollivudi, që i di se ku i rreh shqiptarëve. Se në një botë snobësh, me që nuk ka parfum shqiptar, fare lehtë mund të thuhej: “Në djall kjo kinematografi qe kemi” (!?)
Por ja që nuk na lë humbja e parakohshme e Gjergj Xhuvanit, që duhet të shkundë gjithë shoqërinë shqiptare, me qëllim që në kinematografinë e sotme të saj të mos krijohen humnera të reja. Dhe herë tjetër le të flasim për vendime gati tragjike, por që duhet të kemi sy dhe veshë për të vënë gishtin mbi plagë. Sepse çfarë nuk mund të ndodhë nga mendjelehtësia për të përsëritur pa e ditur as vetë “Në djall le të vejë kinematografia shqiptare”.
Por sot na ka humbur një kinest që na lë porosi me humbjen e tij të themi: Amen atij që i kushtoi jetën imazhit filmik dhe krijoi figurën e regjisorit shqiptar të pas ’90-ës; amen për konturimin e sotëm dhe transfigurimin e plotë të shoqërise shqiptare; amen kinematografisë që shfaq fytyrën që kemi ose zotërojmë; amen përjetësisë që lë ajo pas.