Shaban Murati: Nismë zyrtare serbe për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane
Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, është dalluar për shumë absurditete gjatë mandatit tij në krye të diplomacisë serbe, por shpallja prej tij e një nisme diplomatike për ndërhyrje zyrtare të Serbisë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, la me gojë hapur shumë qarqe diplomatike ballkanike, europiane dhe ndërkombëtare. Në datën 6 gusht shefi i diplomacisë serbe deklaroi tekstualisht: “Specifikisht si ministër i jashtëm unë do të organizoj zyrtarizimin e mbështetjes për Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme presidenciale”. Sipas gazetës serbe “Srpski telegraf” të datës 6 gusht, kjo nismë është pjesë e ofensivës diplomatike, që do të ndërmarrë Serbia në vjeshtë në SHBA për çështjen e Kosovës.
Ajo, që e bën anormale deklaratën e ministrit të jashtëm serb, nuk është opinioni i tij për të mbështetur këtë apo atë kandidat të ardhshëm presidencial në Amerikë, por është shpallja e një nisme zyrtare të shtetit tij dhe konkretisht nga ministria e jashtme serbe, për të organizuar në territorin amerikan mbështetjen zyrtare për presidentin aktual amerikan në përpjekjen për një mandat të dytë.
Nuk ka ndodhur kurrë në historinë diplomatike, as ballkanike e as afrikane, që një ministri e jashtme të afishojë nismë zyrtare për të ndërhyrë në procesin e zgjedhjeve në një shtet tjetër. Natyrisht ka shtete, që ndërhyjnë në zgjedhjet parlamentare apo presidenciale të shteteve të tjera, por e bëjnë fshehtas dhe kurrë me nisma zyrtare për ndërhyrje nga ministria e jashtme. Zgjedhjet dhe proceset zgjedhore janë pjesë e rëndësishme e sovranitetit dhe e pavarësisë së çdo shteti, dhe nëse një ministri e jashtme apo një qeveri e një shteti tjetër ndërhyn në proceset zgjedhore, cilësohet ndërhyrje flagrante në punët e brendshme.
Ndaj tingëllon aq e habitshme nisma zyrtare e ministrit të jashtëm serb, që shpall se Serbia do të ndërhyjë në procesin zgjedhor amerikan, duke organizuar shteti serb në territorin amerikan mbështetjen e kandidaturës së Trumpit nga qytetarët amerikanë me origjinë serbe. Natyrisht qytetarët amerikanë me origjinë serbe kanë të drejtën si gjithë qytetarët e tjerë amerikanë të votojnë për kë të duan. Ministria e jashtme e Serbisë mund të thërrasë në Beograd krerët e shoqatave serbe apo filoserbe, që jetojnë në Amerikë, dhe t’u sugjerojë të votojnë për këtë apo atë kandidat amerikan. Por që ministria e jashtme serbe të pretendoje se ajo do të organizojë në Amerikë mbështetjen e saj zyrtare për kandidatin presidencial Trump, sikur Amerika të ishte ”Serpska republika”, këtë vetëm një fantazi ballkanike mund ta ëndërrojë. Ndaj në datën 7 gusht Michael Carpenter, drejtor i “Pen Biden Center” dhe ish këshilltar i nënpresidentit amerikan Joe Biden, iu përgjigj direkt nismës së mësipërme të Serbisë me deklaratën: “Ministri i jashtëm i Serbisë planifikon të ndërhyjë në politikat e brendshme të SHBA, duke mbledhur amerikanët serbë në mbështetje të Trumpit në 2020. Daçiç po bën një gabim të madh”.
Argumenti, që dha ministri i jashtëm serb për përligjjen e nismës së tij diplomatike, është se Serbia duhet të ndjekë shembullin e shqiptarëve në Amerikë, të cilët janë bashkuar dhe kanë votuar për Eliot Engelin, dhe serbët duhet të bëjnë të njëjtën gjë të votojnë njerëz që mbështesin interesat serbe. Përveç shprehjes së smirës folklorike ballkanike për komshiun, ministri i jashtëm serb bën një ngatërrim të madh të çështjes. Nëse diaspora shqiptare në Amerikë ka qenë e suksesshme dhe ka formuluar politika të drejta për të mbështetur njërin apo tjetrin kandidat për Kongres apo për president, kjo nuk ka qenë produkt i ndonjë nisme zyrtare nga Shqipëria. Ministria e jashtme e Shqipërisë nuk ka ndërmarrë kurrë nisma diplomatike për të organizuar ajo në territorin e SHBA diasporën shqiptare dhe t’u caktojë kandidatin,që duhet të mbështesin. Shpjegimi është i thjeshtë, sepse alfa e diplomacisë mëson që një Ministri e jashtme dhe një qeveri e një shteti nuk mund të lejohen të shkelin sovranitetin e një shteti tjetër, duke ndërhyrë në territorin e shtetit tjetër për zgjedhjet dhe proceset zgjedhore të shtetit tjetër.
Ministri i jashtëm serb me këtë rast manifeston edhe një naivitet të pafalshëm diplomatik. Ai nuk kupton që politika e jashtme amerikane nëpër botë apo në Ballkan nuk është varësi vetëm e një njeriu apo e një partie të vetme amerikane. Politika e jashtme amerikane në të gjitha presidencat dhe në gjithë zonat e botës është politikë bipartizane dhe kjo ka përbërë boshtin kurrizor të fuqisë së politikës së jashtme amerikane në të gjitha kohërat. Është komike të mendohet se Shtëpia e Bardhë do ta rrotullojë politikën e saj të jashtme sipas votave të dhjetëra grupeve etnike, që kanë ardhur në Amerikë. Udhëheqësit serbë, si shumë udhëheqës e politikanë ballkanikë, bëjnë gabimin foshnjor që e kuadrojnë Amerikën sipas parafabrikateve ideologjike të vendeve të tyre apo të historisë së tyre, duke i parë dy partitë politike kryesore në Amerikë, Republikane dhe Demokrate, sikur janë parti ballkanike të krahut të majtë dhe të djathtë, dhe më keq akoma, sikur ndahen në komunistë dhe antikomunistë. Kjo i shtyn politikanët ballkanikë te idiotizmat ideologjike për të shpallur familje ideologjike me njërën apo me tjetrën parti në SHBA. Ndaj në datën 10 gusht eksperti i mirënjohur amerikan i çështjeve ballkanike, Daniel Serëer, i paralajmëronte ministrit të jashtëm serb dështimin e nismës së tij: “Ajo, që Daçiç ka arritur të sigurojë, është që kushdo të jetë presidenti tjetër nga Demokratët, ta konsiderojë një armik Daçiçin, dhe ndoshta Serbinë”.
Interesi strategjik amerikan në Ballkan përcaktohet nga interesat e mëdha të shtetit amerikan në rajon. Ka një interes konstant të SHBA për prani të përhershme dhe për zgjerimin e Aleancës Atlantike në gadishullin ballkanik. Beogradi nuk duhet të harrojë se gjatë mandatit të presidentit Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, NATO zgjerohet me dy shtete anëtarë të rij nga rajoni, dhe duhet theksuar se janë dy shtete ish republika jugosllave, Mali i Zi dhe Maqedonia. SHBA ndërhyri në Kosovë jo se iu tek presidentit Klinton, por sepse vlerat që mbron Amerika në botë dhe në Ballkan kërkonin këtë ndërhyrje. Nëse administrata e Trumpit ka demostruar një aktivizim të madh për të zgjidhur dialogun Serbi-Kosovë dhe presidenti Trump u ka bërë thirrje presidentëve të Serbisë dhe të Kosovës të vijnë në Shtëpinë e Bardhë për ta nënshkruar marrëveshjen përfundimtare, kjo ka ardhur se SHBA gjykojnë të zbresin në fushë, sepse BE dhe Europa pas shtatë vjet bisedimesh në Bruksel dështuan të realizojnë marrëveshjen përfundimtare Serbi-Kosovë. Uashingtoni mendon se ka ardhur koha të mbyllet konflikti dhe marrëveshja. Është iluzore shpresa e Beogradit se Amerika mund të bëjnë “kthesën e madhe”, që do të mohonte si ndërhyrjen e saj në 1999 në Serbi, si bazën e madhe të Bondstillit, ashtu dhe interesin strategjik për ta parë edhe Kosovën nesër një shtet anëtar të NATO-s.
Analiza e kësaj nisme të re diplomatike të Serbisë të çon te pikëpyetja përse Beogradi shpall këtë lëvizje absurde diplomatike të ndërhyrjes së tij zyrtare në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Amerikë. Një gjykim realist të çon te përfundimi se kjo nuk ka të bëjë me Kosovën. Beogradi është i ndërgjegjshëm se efekti i diasporës serbe në politikën e jashtme amerikane është një atom në oqeanin e vendimmarrjes institucionale amerikane. Sipas regjistrimit zyrtar të vitit 2012 janë më pak se 200 mijë qytetarë amerikanë, që kanë deklaruar një origjinë serbe, pavarësisht hiperbolës së Daçiçit, që pretendoi për 650 mijë serbë në SHBA. Dyshimi shtrohet se cila është realisht nxitja e kësaj nisme zyrtare serbe për të ndërhyrë në territorin e SHBA për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Burime të besuara diplomatike, që mbështeten në informacione të institucioneve të specializuara, shprehen se nisma serbe duhet të jetë një nxitje e Rusisë për të gjetur një kanal kamuflimi të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e ardhshme amerikane. Prej disa kohësh ka qarkulluar informacioni se Rusia, pas komprometimit të ndërhyrjes së saj në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 dhe në proceset zgjedhore të disa shteteve të tjera europiano perëndimore, po ndërron taktikë dhe për ndërhyrjen e saj mund të përdorë disa qeveri, të cilat dallohen për lidhjet specifike me Moskën si Serbia, Hungaria, Sllovakia,Qipro,etj. Nëpërmjet qeverive pro ruse të këtyre vendeve, Moska mund të manipulojë përdorimin e diasporës së këtyre vendeve në SHBA në drejtimet që do të donte Rusia. Nisma e re diplomatike e Serbisë për ndërhyrje zyrtare në zgjedhjet amerikane mendohet si praktika e parë ruse në strategjinë e re të ndërhyrjes në politikën e brendshme të SHBA. Në datën 9 korrik në sesione të posaçme të Kongresit dhe të senatit amerikan drejtori i inteligjencës kombëtare Dan Coats dhe drejtori i FBI Christopher Ëray tërhoqën vëmendjen se ka kërcënime aktive për ndërhyrje të huaj në zgjedhjet e vitit 2020.
Ndaj besohet se nisma zyrtare e Serbisë për të zyrtarizuar ndërhyrjen e diplomacisë serbe në procesin zgjedhor dhe në jetën e brendshme të SHBA është një përgatitje për hapjen e një shtegu për ndërhyrje ruse. Serbia është prova e parë e këtij lloj përdorimi rus. Nuk është zgjedhur rastësisht ministri i jashtëm për ta organizuar këtë nismë diplomatike, sepse dihet që ai është ndër pionët më të bindur të Rusisë në Serbi, i cili i detyrohet Kremlinit, që i diktoi dy herë presidentit serb ta përfshinte Daçiçin në kabinetet qeveritare serbe. Me nismën e re diplomatike ministri i jashtëm serb i bën shërbimin e radhës tutorit rus./gazeta dita/