Asllan Bushati: Qeveria Rama dhe përgjegjësia kombëtare
Asllan Bushati
Në zhegun e këtij gushti, sikur të mos mjaftonin problemet e grumbulluara e të mbingarkuara nga Qeveria Rama, papritur, pa njoftuar e pa kujtuar na doli në Kodrat e Liqenit artificial si “fanti spathi”, (memoriali i viktimave të grushtit të shtetit të dështuar turk të 15 korrikut 2016) . Inaugurimi i të cilit qenkësh bërë më 15 korrik 2019, nën një heshtje të plotë mediatike, por me praninë e Bashkisë Tiranës, disa të “ashtuquajtur përfaqësues të shoqërisë civile” dhe të Ambasadës Turke në Tiranë. Për këtë problem tashmë kanë folur shumë intelektualë, një pjesë e masmedias, qytetarë të ndryshëm me komentet e tyre në rrjetet sociale, por këtu në SHBA janë pozicionuar fort dhe qartë: VOA (Zëri i Amerikës), Vatra, gazetari i mirënjohur Frank Shkreli dhe shumë analistë e intelektualë shqiptaro-amerikanë. Në këtë vazhdë do të dëshiroja edhe unë të shprehja disa mendime parë nga aspekti i përgjegjësisë së shtetarit për problemet kombëtare.
Në gjykimin tim, (por besoj se edhe për 99.99% të shqiptarëve), partnerë strategjik të Shqipërisë janë SHBA-ja dhe BE-ja. Ka qenë (dhe shpresoj të jetë kështu edhe tani në Dokumentin e Sigurisë Kombëtare), sepse ky përcaktim ka qenë boshti orientues strategjik i Shqipërisë pas rënies së shtetit totalitar. Shtoj këtu se edhe në dokumentet e Mbretërisë Shqiptare, madje edhe të shtetit totalitar, Turqia nuk ka qenë përcaktuar asnjëherë si partner strategjik. Mirpo Edi Rama në emër të Qeverisë së tij, që në prezantimin e parë të saj, çuditërisht deklaroi si partner strategjik edhe Turqinë?! Në këto kushte shumëkush filloi të pyeste: si, qysh, tek, nga ndodhi ky përcaktim i ri? A mundet që një njeri i vetëm (qoftë ky edhe kryeministër), apo një qeveri e veçantë, të ndryshojë synimet e drejtimet strategjike të vendit pa qenë në kohë lufte, situate e jashtëzakonshme, emergjence kombëtare, e aq më pak pa një diskutim të gjerë e vendim parlamenti?
Ky ridimensionim me drejtim nga Turqia i Edi Ramës e Qeverisë së tij (parë nga shumë kënd shikime): diplomatike, ekonomike, ushtarake, etike, morale, e mbi të gjitha historike), a bie ndesh me frymën, qëndrimet dhe vlerësimet amerikane? A është pro apo kundër Amerikës madje dhe BE-së? Pse Edi Rama për shembull nuk ngriti tek ish Kisha e Shënprokopit ( Kodrat e Liqeni) një memorial për viktimat e diktaturës komuniste në Shqipëri, për të rënët e Kombit Shqiptar në ish Jugosllavi ose më e pakta për dëshmoret e luftës për çlirimin e Kosovës (UCK-së)? Shkojmë më tutje. Në atë vend ,që është nga më të rëndësishmit e Tiranës, pse Edi Rama nuk ngriti fjala vjen, një memorial kushtuar të rënëve të Kombit Amerikan në Luftën e Dytë Botërore, Vietnam, Irak, Afganistan etj., por ngriti për viktimat e një “grushti shteti” në Turqinë e Erdoganit?
Po kush është më haxhiqamil ,me brekushe e deklarata për “Babë Sulltanin”, Erdogan se Edi Rama. Kush i ngre memorial atij në Tiranë dhe kush i shkon në dasma për fëmijët dhe për vizitë në pushimoret personale? Edi Rama apo kundërshtarët e tij politik. Kam një familjar timin që sa herë del në ekranin e TV-së Kryetari i Bashkisë së Tiranës thotë: “doli ky llapaqeni i Edi Ramës”. Por ky “llapaqeni” para disa ditësh u përpoq ta kalonte skandalin e memorialit turk duke thënë se: “Tirana është zemër madhe dhe ka vend për të gjithë…e mos i dëgjoni ata të lodhurit nga vapa”. Po për larje paresh të pista të veprimtarisë kriminale (që ti me shefin tënd e bën çdo ditë) a ka vend Tirana? Për ato PPP-të që gëlojnë korrupsion, për rrugët e pallatet shumë katesh me parat e drogës a ka vend Tirana? Po për ty llapaqen a ka ndonjë vend bosh tek 313-ta që ti bësh fresk Edi Ramës edhe prapa hekurave se s’mund të ndahesh prej tij? E kam thënë edhe në disa shkrime të tjera, por po e përsëris edhe sot se: nuk kam qenë e nuk jam dakord me ngritjen e varrezave greke të Luftës italo-greke në tokën shqiptare.
Eshtrat e të rënëve në këtë konflikt, duhet të prehen në vendet e tyre. Ashtu siç bënë italianët (edhe gjermanët) që i morën në vendet e tyre , duhet të bëjnë edhe grekët. E them këtë se ne si komb nuk i dhunojmë varret edhe të armiqve, por ata provokojnë situate të pa këndshme për të ardhmen. Këtë gjë mund ta provokojë edhe memoriali turk i ngritura asnjë arsye në Shqipëri. Për sa i përket zgjedhjes së Turqisë si partner strategjik i Shqipërisë, kjo është vetëm një iluzion në kokën e sëmurë të Edi Ramës, dhe s’mund të bëhet kurrë realitet. Shqiptarët janë me SHBA-në e BE-në, janë me perëndimin dhe qytetërimin perëndimor. Neootomanizmi nuk mund të gjej asnjë portë shqiptare të hapur(përveç asaj te Edi Ramës). Kush gabon strategjikisht e ka të sigurte humbjen. Ky është ligj lufte i provuar gati në pesëmijë vite qytetërim.