Albspirit

Media/News/Publishing

Tri vajza të arta nderojnë Shqipërinë në SHBA

Aplikacioni “GjejZâ”, i krijuar nga Dea, Arla dhe Jonada, fiton vendin e parë në konkursin ndërkombëtar të teknologjisë. Si lindi ideja për programin që mbron dhe u jep zë femrave të dhunuara. Vajzat ndajnë emocionet për “Shekulli”-n

Enida Vërça

“GjejZâ” ose gjej zërin, është aplikacioni i grupit “D3c0ders”, i cili fitoi çmimin e parë ditën e djeshme në konkursin ndërkombëtarë teknologjik, Technovation Challenge, në Silicon Valley, të San Franciscos. Dea Rrozhani, Arla Hoxha dhe Jonada Shukarasi do të arrinin të merrnin vendin e parë, duke lënë pas konkurrente nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Spanja dhe India, Kazakistani e Brazili. Pas fitores, vajzat e grupit “D3c0ders”, shprehin për “Shekulli”-n emocionet dhe se si u lindi ideja e krijimit të një aplikacioni të tillë. Dea Rrozhani thotë se emocionet nuk mund të përshkruhen, e po ashtu bën me dije se kjo është hera e parë që Shqipëria kualifikohet në fazën finale.

“Fitorja na erdhi e papritur dhe për disa momente nuk patëm asnjë reagim. Sytë na u mbushën me lot gëzimi. Për ne kjo fitore do të thotë shumë më shumë se një medalje. Kjo ishte hera e parë që Shqipëria kualifikohej në fazën finale dhe hera parë që një vend nga Ballkani fiton çmimin e parë. Ne tashmë u kemi provuar vajzave shqiptare se edhe pse Shqipëria është një vend i vogël dhe ende në zhvillim, mund të gjesh zgjidhje për probleme të mëdha. Tashmë ne u kemi hapur rrugën shumë vajzave të tjera dhe u kemi treguar se me pasion dhe punë mund të arrish gjithçka”, u shpreh Dea. Më tej, ajo shton se misioni i grupit të tyre është për të edukuar brezin e ri, duke e çuar sa më para shoqërinë shqiptare. “Ne jemi entuziaste që së shpejti të lançojmë aplikacionin tonë, “GjejZâ”,dhe ta shohim atë duke përmbushur misionin e saj dhe për të edukuar një brez të ri që do të çojë përpara shoqërinë tonë”.

Ideja

Por si lindi ideja e aplikacionit “GjejZâ”? Arla Hoxha, thotë për “Shekulli”-n se frymëzimi për këtë aplikacion ka qenë kudo, duke qenë se gratë shqiptare janë përballur gjithmonë me probleme të dhunës fizike dhe psikologjike. Trajtimi i gruas si pronë e burrit, i ka bërë vajzat të mendojnë për krijimin e një aplikacioni të tillë, ku gratë mund të kenë mundësi për të ngritur zërin e tyre dhe nëpërmjet kësaj platforme të ndihen të sigurta.” Frymëzimi për app-in ishte gjithandej. Të gjithë mund të njohin një person që ka vuajtur nga dhuna me bazë gjinore apo të kenë dëgjuar ndonjë histori në lajme. Rrënja e problemit është kultura që i trajton gratë si prona të burrave dhe i mëson që në rini që dhuna është diçka normale e për të cilën nuk duhet ngritur zëri. Ne donim ta zgjidhnim këtë problem me GjejZâ-n. Të krijonim një platformë ku gratë të ndihen të sigurta, të gjejnë suportin që meritojnë dhe “të gjejnë zërin” për të ndryshuar situatën ku ndodhen”-, u shpreh ajo.

Përmbajtja

Në fjalën e tyre, vajzat shpjegojnë edhe se si funksionon kjo platformë teknologjike dhe shërbimet që mund të gjendet te ky aplikacion. Jonada Shukarasi, thotë se në “GjejZâ”, një grua mund të gjejë çdo gjë që i nevojitet. “E veçanta e GjejZa-s është që mund të gjesh çdo shërbim që i nevojitet një gruaje të dhunuar brenda një aplikacioni të vetëm. Menuja SOS përfshin gjithë kontaktet e emergjencës që mund t’u vijnë atyre në ndihme dhe mund t’i telefonosh direkt nga aplikacioni. Ka një menu shërbimesh që bën mundur lidhjen me psikologë, avokatë, mjekë etj, dhe menunë e informacionit që përmban kontakte të koordinatorëve të bashkive dhe organizatave jofitimprurëse që angazhohen në çështjet e grave të dhunuara. “GjejZâ” ofron edhe një program 30-ditor ku çdo ditë thyhet një besim i gabuar që gratë kanë për dhunën, jepen ushtrime frymëmarrjeje dhe histori suksesi nga gra në situata të ngjashme si dhe menunë e mundësive që synon t’i fuqizojë gratë ekonomikisht, ku ato mund të gjejnë oferta pune, trajnime dhe kupona”, deklaroi ajo për “Shekulli”-n. Vajzat e grupit  D3c0ders, u shprehen gjithashtu se një kontribut të madh në këtë aplikacion ka dhënë drejtuesja e tyre Matilda Vangjeli dhe Ambasada Amerikane në Tiranë. “Pas një prezantimi dinjitoz dhe shumë korrekt të vajzave shqiptare, të cilat konkurruan me grupe nga Shtetet e Bashkuara, India, Kazakistani, Spanja dhe Brazili, D3c0ders  sollën kupën në Shqipëri.” -tha Matilda Vangjeli, drejtore e Zyrës së Burimit të Informacionit në Ambasadën Amerikane në Tiranë, duke u shprehur se D3c0ders, është tashmë një shembull për vajzat që angazhohen në fushat STEM.”

Koço Kokëdhima: Urime vajzave shqiptare kampione të teknologjisë!

Tri vajza nga Shqipëria fituan vendin e parë në një konkurs teknologjie, duke lënë pas SHBA-të, Indinë, apo Spanjën e kjo ndodh për herë të parë! Dea Rrozhani, Arla Hoxha dhe Jonada Shukarasi, tri gjimnazistet tona të talentuara, me aplikacionin e tyre ‘GjejZa’ rrëmbyen zemrat dhe votat e jurisë profesioniste të Technovation Challenge që u mbajt dje në Silicon Valley, në Kaliforni. Vajzat e ekipit ‘D3C0ders’, falë përkushtimit të tyre dhe mbështetjes të Ambasadës Amerikane, shënuan kështu arritjen më të madhe të Shqipërisë së vogël në fushën e teknologjisë. I falënderoj përzemërsisht këto vajza të talentuara për arritjen e tyre të madhe. Shqipëria ka nevojë emergjente për njerëz të ditur. Është detyrë e shtetit, qeverisë dhe shoqërisë sonë që t’i mbështesim, motivojmë, nderojmë e shpërblejmë talentet që me punën, aftësitë, ambiciet dhe ëndrrat e mëdha t’i japin vetes dhe vendit tonë zhvillim e nder!

Kush janë vajzat që fituan vendin e parë

Ato janë 16 vjeç me ëndrra dhe vizione të qarta për jetën. Më një dëshirë të madhe për t’i ardhur në ndihmë shoqërisë, nëpërmjet teknologjisë. Dikur shoqe të një klase në shkollën “E kuqe” sot, gjimnaziste. Dea Rrozhani, dhe Arla Hoxha në gjimnazin “Qemal Stafa” ndërsa Jonada Shukarasi studion në gjimnazin “Partizani”.  Të treja nxënëse të shkëlqyera dhe me pasione të ndryshme.

Dea Rrozhani garon në Technovation prej 4 vitesh që  kur filloi të organizohej në Shqipëri. Drejton vullnetarisht klubin “Robotech” ku u mëson vajzave ne American Corner Tirana elementet e parë të kodimit dhe të robotikës. Ajo është  pjesë e ekipit kombëtar të Robotikës që këtë vit do të jenë në Dubai në garat olimpike të First Global.

Arla Hoxha shquhet për pasionin e saj për teatrin. Përveç teknologjisë dhe biznesit ka pasion leximin dhe aktrimin.Ajo është një ambasdore studente e  Technovation Challenge ndërsa këtë vit do të ketë një përvojë të re si nxënëse në në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jonada Shukarasi,e pasionuar pas librit dhe debatit duke organizuar  takime të ndryshme me shkrimtarë apo gazetarë në shkollë. Ajo ka qenë pjesë e fushatave të bëra në shkollë në kuadër të programit Speak Up. Jashtë botës së teknologjisë dhe biznesit ka pasion drejtësinë dhe kriminalistikën.

Konkursi

Mundësia për t’u bërë lidere nëpërmjet teknologjisë

Çdo vit, Technovation Challenge fton grupe vajzash nga e gjithë bota që të përdorin aftësitë e tyre për të zgjidhur probleme të komunitetit ku jetojnë nëpërmjet teknologjisë. Technovation u ofron vajzave në mbarë botën mundësinë për të mësuar dhe fituar aftësi për t’u bërë lidere të së ardhmes në fushën e teknologjisë. Çdo vit vajzat organizohen në ekipe, identifikojnë një problem në komunitetin e tyre dhe përpiqen që ta zgjidhin. Ato punojnë bashkë në grup për të ndërtuar një aplikacion mobile dhe një plan biznesi për të lançuar aplikacionin. Këto grupe duhet të plotësojnë disa detyra: një prototip aplikacioni, planin e biznesit, video dhe të tjera detaje teknike brenda një afati të caktuar. Ekipet që arrijnë të plotësojnë të gjitha kërkesat hyjnë në garë dhe projektet e tyre vlerësohen nga gjyqtarë të huaj. Kështu përzgjidhen ekipet gjysmëfinaliste dhe më pas edhe ato finaliste. Gara është e ndarë në dy divizione, për moshat 10-14 vjeç dhe 15-18 vjeç.

Në finale kalojnë 6 ekipe për secilin divizion dhe në fund ndahen 3 çmime për secilën grupmoshë. Në këtë rrugëtim ka kaluar edhe projekti GjejZa, që për herë të parë arriti të çojë Shqipërinë në finale. Këtë vit morën pjesë mbi 7200 vajza nga e gjithë bota. Nga Shqipëria arritën të hynin në garë 9 ekipe. 3 ekipe kaluan në gjysmëfinale. Ndërsa D3c0ders u kualifikua në finale bashkë me 5 ekipe të tjera ndër 169 aplikacione që garonin në gjysmëfinale. Numri i vajzave dhe i grupeve është 5-fishuar që nga viti i parë kur Technovation filloi të organizohej për herë të parë edhe në Tiranë. Tema për mjedisin, vullnetarizmin, punësimin, turizmin apo shëndetësinë e arsimin janë zhvilluar gjatë këtyre 4 viteve nga grupet shqiptare të mbledhura në American Corner Tirana nën drejtimin e mentorëve Meredith Hiemstra, Adrian Horner,Jona e Bruna Rizvanolli. Është pikërisht kjo hapësirë tek Biblioteka Kombëtare e financuar nga Ambasada Amerikane në partneritet me Bibliotekën Kombëtare që është shndërruar në këndin më të mirë të teknologjisë për vajzat./shekulli/

Please follow and like us: