Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Gjika: Takim me Dino Buxatin

 Tregim

 

Kur shkova për herë të parë në Itali Dino Buxati po mbushte dy dekada që kishte vdekur. Për koincidencë edhe unë udhëtoja në Janar, tamam në muajin që ai kishte ndërruar jetë. Për lexuesin shqiptar Buxati ishte i njohur se jo shumë kohë më parë i qe botuar një vëllim me tregime dhe vërtetë qe pritur mirë, për të mos thënë befasues siç kishte qenë në të vërtetë.

Po t’i lëmë koincidencat e të vijmë te takimi. Ai, jo se ndodhi në rrugë, kafene, me prezantime a më tha e i thashë… Ndodhi në një nga ato kolonitë artistike që organizoheshin me letrarë premtues nga vende të ndryshme. Me sa më kujtohet këta premtues (ne të atij grupimi), vinin vërdallë si teveqelë nëpër kopshtin e godinës duke pyetur veten me të drejtë se, cili djall i kishte shpënë atje? Dikush krekosej si gjel në kërkim të ndonjë dashnoreje të imagjinuar, të tjerë pozonin si talente dhe duke mos ditur përbërjen e grupeve të tjera mendoja se ishim turi më i dobët.

Anë kopshtit, tej rreshtit të portokalleve, Buxati shkonte heshtazi i menduar. E pashë që kur hyra. Kishte një veshje elegante, me një triko të hollë ngjyrë argjile hedhur krahëve dhe flokët e drejta ia merrte flladi i ditës. Rrezet e diellit ia bënin prerjet e fytyrës më të thella e më gjatoshe. Tek e pashë ashtu kalimthi, pikasa që nofullat i dilnin para dhe e bënin paksa turidalë. Zakonisht ulesha në një stol pas hyrjes së kopshtit, i fshehtë, buzë një grumbulli shkurresh. Nuk e di si u kishte vajtur mendja kopshtarëve të mbillnin ato lloje shkurresh bashkë, të cilat nuk rriteshin shumë dhe lulëzonin njëra pas tjetrës. Aty krijohej një lloji vetmie që sot e ndjej sa herë ulem para kompjuterit e përqendrohem. Më pëlqente se u shmangesha të tjerëve e kredhesha lirisht në kotësitë e paaftësinë time. Ulesha, thuajse çdo ditë, dhe lexoja ngeshëm ndonjë letër që më vinte, siç kontrollojmë sot postën elektronike. Ishin letra miqsh, shokësh të njohur e të pa njohur, ish nxënës. Pjesa më e madhe ishin kushërira të fisit, të cilat me mbiemrat e ndërruar pas martesës më dukeshin gati të panjohura…

Nejse, të njohur e të panjohur, rrëmoja mendime e fraza të goditura në ato letra. Herë më nxisnin e herë më pezmatonin, pavarësisht se nuk i besoja kurrë plotësisht. Atë ditë, befas, dëgjova një zë intim anash meje që më befasoi: “Çfarë bën… ke ditë kështu, i vetmuar.”

U stepa, pavarësisht se zëri i tij ishte i qetë, i thellë, kujdesës e hyjnorë…

“Lexoj letrat që më vijnë… nuk jam i zoti për gjë tjetër”, iu përgjigja dhe kur ktheva kokën pash prerjet e fytyrës së tij dhe mu kujtua babai. I gjithë fisi ynë i kishte karakteristike, krejt si ai, prerjet e fytyrës. E vetëtimthi më kaloi nëpër mend se “thua dhe unë do të isha i talentuar si ai”, por pastaj u turbullova e më erdhi turp nga vetja. Për fat të mirë këtë mendim e kisha ndërmendur vetëm unë.

“A më lejon t’i shoh?” tha e shtriu gishtat e gjatë e të hollë dhe tërhoqi aq sa i kapi dora. Ishte një gjest i sigurt dhe efikas që e kishte fituar me kohë si gazetar i “Corriere della sera–s”, ku kishte punuar. Më shkoi mendja si do ta kuptonte gjuhën, por në ëndrra ky shqetësim nuk ekziston. Ai qëndroi duke i shqyrtuar për disa çaste pastaj tha, si për vete:

“ Gjithnjë e njëjta gjë… Ka kohë që kam hequr dorë nga letrat, por a e di si klasifikohen ato?”

U stepa. Asnjëherë nuk kisha menduar e as kisha bërë dallime apo klasifikime letrash. Heshtja ime i la të kuptonte se prisja mendimin e tij.

“Ka letra të njerëzve që të duan e nuk e dinë pse të duan, ngaqë nuk e kanë aftësinë e të lexuarit. Ka nga ata që e kanë këtë aftësi, por nuk të duan dhe shprehen edhe ata me fjalë të përgjithshme që nuk thonë asgjë. Ka pastaj nga ata që të duan e me pak gjë ta thonë mendimin e tyre. Pavarësisht se duket pak edhe aq mjafton. Pjesa tjetër janë ata që nuk të duan e rrëmojnë gjithandej për të gjetur dobësi e futur yçkla, të cilat nuk t’i thonë drejtpërdrejt, por i fshehin keq e i stërhollojnë që t’i nënkuptojnë të tjerët për t’i mbledhur pas vetes.”

I vuri sërish ato letra mbi stol dhe u largua si hije, siç kishte ardhur. Për çudi germat e fjalëve të tij ishin ngulur së prapthi në tokë, siç kishin rënë, mu para meje dhe po frikesha sosh (prej tyre).

Kur hapa sytë nuk mund të thosha me siguri në ishte ëndërr apo çudi. Në të vërtetë atë e kisha ndjerë pranë dhe parë me shqisa në trup e hije, ato fjalë i shkëmbyem realisht dhe ishin gjëra që kurrë nuk i kisha shkuar nëpër mend.

Pa mbaruar ajo habi na mblodhën se kishte ardhur lektori që kishin planifikuar atë ditë për estetikën. Në shtjellimin që bëri ai përfshiu edhe ëndrrat, mbi kuptimin dhe rolin e tyre te krijuesit. “Në ëndrra ndodh shpesh të jemi njëkohësisht protagonistë dhe spektatorë. Duket e pamundur por ja që kështu ndodh, sepse ëndrra është teatri i marrëzive tona…”./mapo.al/

Mars 2018, Saint Louis.

Please follow and like us: