Albspirit

Media/News/Publishing

21 shkurt 2006/Ismail Kadare: JULIEN GRACQ, NOSTALGJIA IME PËR BOTËN FRANCEZE

 

Fjala “nostalgji”, siç e tregon rrënja greke e saj, ‘nostos’, lidhet me një kthim pas. Por ka raste kur, falë një përdorimi në dukje të gabuar, fjala merr befas një tingëllim të kundërt me thelbin e saj: ajo vihet në raport me të ardhmen. Njä rast i tillë ndodh, për shembull, me njerëzit që ndonëse e njohin Parisin nga leximet, s’kanë qenë kurrë në Paris. Në këtë rast, prej dëshirës për ta parë Parisin, në mënyra të habitshme e shkuara dhe e ardhmja shkrihen dhe vetë nostalgjia pëson një zhvendosje: nga e shkuar bëhet e ardhme. Pra, mall për diçka që do të vijë.
Ndër dy nostalgjitë e mia për botën franceze, i pari ka qenë Parisi, i dyti Julien Gracq. Ishte vepra e tij, në radhë të parë, që e mistifikoi në sytë e mi, por ishte njëkohësisht ai vetë. Më saktë, vetmia e tij.
Në mënjanimin e tij kishte diçka madhështore, shenjë e përjetshme e të mëdhenjve. Ashtu si mjegulla në sytë e Homerit. Ashtu si ikja nga Roma e Ovidit. Ose si kërcënimi për internim në vendet totalitare. Në një vend të lirë si Franca, Julien Gracq, sikur të harronte në ç’epokë rronte, përjetonte drama të tjera, globale. Shumë kohë pas njohjes së Parisit kam pasur fatin e madh të njoh Julien Gracq-un. Kemi qenë gati një ditë të tërë mysafirë tek ai në Saint- Florent-le Vieil, bashkë me time shoqe dhe mikun e përbashkët Yves Mabin. Ndihem jashtëzakonisht i pasur që kam nëntë letra të shkruara me dorën e tij. Kurse brilanti i dhjetë, më i çmuari i të gjithëve, është vetë dita e kaluar me të. Pas asaj dite ai, duke u bërë më i afërt, u bë më i madh në sytë e mi.
Në 95-vjetorin e tij, do t’i drejtohesha me një formulë që, në një rast tjetër, ndoshta, nuk do t’i pëlqente: Mjeshtër i dashur, zotni Julien Gracq! Por fjala ‘zotni’ ka qenë e ndaluar për 40 vite në vendin tim komunist. Dhe, si e tillë, ajo ka fituar atë thelb të rrallë e të shenjtë që fitojnë shpesh fjalët e ndaluara. Ndaj po e mbyll urimin tim përsëri me fjalët: Julien Gracq, zotni i Francës.

Ismail Kadare, 21 shkurt 2006.

*Ese e shkurtër shkruar nga Ismail Kadare në botimin jubilar të 95 vjetorit të Julien Gracq, shkrimtar i madh Francës

Please follow and like us: