Auron Tare: Debati që na hapi Mihali i Qeparoit
Tani që gjakrat u qetësuan pas incidentit të Porto Palermos mendoj se ia vlen një debat profesionist larg politizimit mbi problematikat e mëdha që ka turizmi shqiptar.
Publiku në fakt pa dhe u tmerrua pjesën përjashta të furgoni por një debat i mirëfilltë profesional duhet të flasë edhe për pjesën e brendeshme të furgonit. Pra shërbimin turistik dhe vizitorët. Ky debat mendoj unë është edhe thelbi i problematikës së turizmit shqiptar.
Mihali e mori gjykimin publik, por profesionistët duhet të debatojnë dhe të nxjerrin përgjegjësinë paksa më thellë. Mbi cilësinë e guidave, licensimin e tyre profesional dhe jo fiktiv, licensimin e shoferëve që punojnë në sektorin e turizmit, përgatitjen e tyre profesionale. Kompania që organizonte këtë grup spanjollësh, çfarë licensimi ka psh?
Në Sarandë më thanë që kjo kompani e përdorte gjithmonë restorantin Pa Norma si pjesë e ndalesës turistike. Pra a kanë qenë guidat dhe shoferi të përgatitur për një shërbim turistik profesional apo ashtu alla shqiptarçe kanë filluar një sherr që përfundoi si një film aksionesh?
Duhet thënë se ata që punojnë me turizmin sot në Sarandë janë pjesa më e madhe të marrë nga rruga, me paga shumë të ulëta, të pa trajnuar dhe të pa përgatitur. Ky është realiteti i terrenit. Shikoni në Sarandë pleq dhe plakat të ulura anës rrugës me tabela në duar ku shkruhet ‘rooms for rent’. Imagjinoni se çfarë shërbimi turistik mund të afrojë ky kontigjent qytetarësh që kanë lënë kopshtin pa ujitur dhe dalin rrugëve për të peshkuar ndonjë hallexhi.
Vizitorët apo turistët.
Vërshimi i një numri të madh turistësh në Shqipëri e ka gjetur vendin të pa përgatitur si një aspektin e infrastrukturës së shërbimit, si në mentalitetin e vendit për të krijuar një industri sherbimi. Shqiptarët tradicionalisht nuk shquhen për shërbim. Imagjinoni se çfarë po ndodh në Sarandë përshembull kur dy herë në javë vjen një anije kruaziere ‘low cost’, e cila zbret në qytet 3 mijë turistë që bredhin rrugëve gjysëm të shveshur duke sjellë një impakt real në kulturën e këtij qyteti të vogël.
Imagjinoni fshatra të vogla, në përgjithësi tradicionale, që papritmas përballen me një numër të lartë të huajsh që sjellin edhe ata një kulturë të ndryshme. Të gjitha këto krijojnë një impakt si në kulturën e vendit, si në natyrën e tij. Çështje që as nuk i ka menduar kush t’i adresojë si një rrezik potencial në zhvillimin e turizmit
Mund të rendis edhe një mori pikash të ndryshme në këtë postim por do të doja me të vërtetë një bisedë profesionale mbi këto çështje.