Pëllumb Kulla: Petrit Ruka, poeti i dashurive të mëdha
Në vend të një urimi për 65-vjetorin e lindjes.
Ditlindja jote, një ditë e zakonshme gushti. Nuk ka ajo asnjë ndryshim nga dita para saj…
Në ditën e lindjes tënde, Petrit, nuk do të zhurmërojnë vizitorë me shumicë, nuk do të buçasin radjot dhe televizionet… Mbase do ta kujtojë ditën tënde ndonjë gazetë por nuk do të ketë fishekzarë. Dhe nuk ka sepse të pëlcasin ata. Ti për shumë e shumë të njohur, për shumë e shumë bashkëkohës, je një njeri i zakonshëm. Një i lënë papunë që mbushi 65 vjet dhe që do të nisë të marrë rrogën e brishtë shqiptare të pleqërisë.
Po për mua, Petrit, nuk je ashtu…
Unë ta uroj Ditlindjen, i dashur dhe e kam ditë feste sot. Se kjo ditë dhe jo ajo para kësaj më uli të të bëj urimin e përzemërt. Më jep rastin më shumë se sa të pij një gotë plot me verë të kuqe, të bëj një meditim të thellë mbi vlerat e tua, poeti im i dashur.
Ti, i shtrenjti miku im, je një nga zbulimet e fundit dhe nga zbulimet e bukura që bën njeriu gjatë jetës së tij në pemishten e madhe të letërsisë. Kam bërë unë zbulime të panumërta, Lasgushin, Kutelin, Çehovin, Dodenë, Xhek Londonin, Dostojevskin, Somerset Momin, Buxatin dhe jam munduar t’i shijoj të gjithë, pothuaj të gjithë frutat e tyre. Koha dhe studjuesit do të të japin rangun që të takon, a mbase nuk do të jenë një mendje me mua dhe nuk do të kujtohen për ty.
Por unë ty të zbulova si poet, pastaj si mik e pastaj si vlerë shoqërore, që pasuron thesarin e poezisë kombëtare…
Ti më pasuron edhe mua, o miku im, e më bën shpirtërisht më të pasur, ditë për ditë. E kështu vite me radhë.
Mua më mahnit palca e shtatit tënd poetik. Ti je, si rrallëkush, poet i dashurisë, i një dashurie të gjerë, i një dashurie universale për gjithçka që ty të duket e bukur dhe hedh dritën tënde të mahnitshme mbi të. Ti dashuron femrën, tokën, Vjosën, malin, fshatin e lindjes, të vdekurit e tu të afërt dhe të vdekurit tanë të shquar. Dashuria jote shtrihet mbi krijimtarinë e pararendësve të tu të mëdhenj, mbi këngën kosovare, mbi vargjet e arbëreshëve. Unë nuk kam hasur dot deri më sot një njeri të dashuruar çmendurish pas folklorit, pas baladave, fustanellave, pas krijimtarisë së lashtë të popullit tonë. Ty përrallat të kanë trimëruar dhe të kanë pajisur me guximin e marrë të një figurshmërie, që e bën poezinë tënde sa rrënjësore aq edhe avangardiste.
Ti, Petrit, ke kënduar bukuritë, por nuk ka mbetur plagë shoqërore pa ndjerë dorën tënde të butë. Ke prekur papunësinë, emigracionin, hapat e mekura të përparimit shoqëror.
Po prapë unë do të kthehem te dashuria, dashuria, dashuria…
Ti i ke kënduar, Zhanit, gruas tënde të shtrenjtë dhe ne e citojmë e recitojmë atë himn. Dhe për një copë herë të marrim edhe inat, se na duket sikur gratë tona presin himne të tilla edhe nga ne, të pazotët. Por në atë himn ti, i bukuri mik, i ke kënduar edhe grave tona. Të gjitha grave tona të mira.
Për ta mbyllur unë këtë “himnin” tim rilexova një tufë nga poezitë e tua të zgjedhura dhe matesha të veçoj për citim tri katër vargje. Lëkundesha mes “Ëndrrës me nuse”, “Të thashë mos e fik dritën”… Pastaj nuk më linte rehat troku i kalit që vjen nga Spanja, nga balada “Nëntë vjet e nëntë ditë”. Për pak zgjodha vargje nga “Baba ne ikëm” me atë tregimin se “varrin ta futëm në video dhe çdo të dielë të takojmë në xhamin visual”.
Por iu ktheva përpjetë erosit e vendosa të ndalem aty. Se ndryshe do të më mallkojnë vajzat e bukura të hapësirave shqiptare, ngaqë i ke magjepsur me ato figurat plot finesë, të çifteve të zhveshur lakuriq që përqafen egërsisht përmbi dëborë dhe që me zjarrin e përqafimit shkrijnë dëborën e prekin truallin.
Tek tërheqja pas hireve femërore do të ndalem, por jo tek zjarre të tillë, si ky më sipër. Po sjell një dashuri adoleshentësh, magnetizimin e një djali 13-vjeçar
………………………………………………..
për malin më të lartë, pyeti mësuesi
dhe pret që unë t’i them: Himalaja.
As sot s’e di pse mbeta si guak,
pse mbeta si hu e s’munda që të flas,
pse kokën e ktheva “pa dashje” aspak
nga gjiri i shoqes së bankës, në klasë…
Le të ma marrin këtë urim, si shfaqje dashurie. Është dashuria ime këtë radhë. Më shumë se dithyramb kjo është një thirrje për vëmendje. Thirrje është fjalë e squllët. Klithmë është më e saktë. Një klithmë sado e vetmuar. Ty duhet të të hapin vend fletët e antologjive shkollore, Petrit. Parcelat mësimore duhet t’i bëjnë vend blerimit tënd.
Ti je farë, Petrit Ruka. Ti duhesh mbjellë!