Sadik Bejko: Mbi librin ‘Sot ke qejf të vdesësh’ të Shpëtim Emirit
Shpëtim Emiri me profesion inxhinier arkitekt në vitet e fundit ka provuar të shkruajë libra. Dashuria për vendlindjen, në veçanti për të atin, Alizot Emirin, e nxitën si fillim të marrë penën. Më tej ai hodhi në letër kujtime, monografi. Tani, së fundi, po provon penën dhe prirjen e tij nga humori në vargje satirike.
I kam lexuar librat e tij, jo vetëm nga kërshëria për t’u kthyer te vende e njerëz që janë të afërt për mua, për t’u kthyer te Gjirokastra, te ati i Shpëtimit, Alizot Emiri, i cili ka qenë një njeri me mjaft personalitet dhe me një veçanti të njeriut të urtë që me ironi e mençuri di të ngrihet mbi mjedisin që e rrethon, të mposhtë të keqen përreth tij, madje në thjeshtësinë e tij si të gdhendur në gur, të jetë dhe pikë reference për njerëz që janë pranë tij.
Proza e Shpëtimit e skaliti Alizot Emirin, e riktheu të gjallë për brezat një njeri aq të spikatur. Bashkë me figurën e tij erdhën dhe tiparet e mjedisit ku ai jetoi, koloriti i fortë i Gjirokastrës dhe gjirokastritëve, në një kohë që ishte e vështirë të jetoje, të rrisje fëmijë, të kishe figurën tënde ndryshe nga të tjerët, të mos bjerreshe nga veçantitë që krijojnë tipare originale, aq të padëshiruara nga diktaturat që duan rrafshimin e individuales, duan kolektivizimin si psikologji e të të nështrruarve prej tyre, duan butakë pa kackë, pa cepa, pa nuanca, pa huqe e trillle që e bëjnë njeriun të dalluar nga të tjerët.
Vizatimet e Shpëtim Emirit janë me reliev, plot hollësi mbresëlënëse për t’u dhënë jetë situatave, mjediseve, karaktereve njerëzorë. Kjo veç një kujtese të mirë, veç aftësisë për të vërejtur, flet dhe për atë që tani e themi pa ndrojtje: Shpëtim Emiri ka penë, domethënë i jepet për të shkruar letërsi, memoaristikë.
E veçanta e kësaj proze është humori. Ky humor buronte nga vetë lënda, si të thuash. Librat rrëfenin ‘gazet fisnike’ të Alizot Emirit, i cili prodhoi humor, mbolli humor, hodhi e priti humor në jetën e tij, me familjen, me miqtë, me të dashurit dhe të padashurit. Humori është cilësi e njerëzve të shëndetshëm, e atyre që në vend që të qajnë, dinë të qeshin edhe kur punët nuk venë fort mirë në jetën e tyre si individë dhe më tej se jeta e tyre shkojnë keq për një shoqëri të tërë. Ta fokusosh jetën me optikën e humoristit është një mënyrë të vërejturi, një mënyrë të jetuari ndryshe nga të tjerët. Këtë Shpëtimi e ka mësuar që në fëmijëri.
Po të vijmë te vargjet, te librat në poezi humoristike dhe satirike të Shpëtim Emirit, këtu shpaloset prapë optika e vështrimit të jetës me lentet e komikes, por tashmë e përthyer në vargje, jo në prozë. Dikush do të thotë se Shpëtim Emiri ka guxim… dhe eksperimenton. Mendoj se nuk kemi të drejtë të gjykojmë kështu. Një inxhinier arkitekt e ka në thelbin e tij përbërësin artistik. Janë njerëz që dinë të modelojnë hapësirat, volume, largësitë … janë me sy të mprehtë artisti, me talentin për të prodhuar të bukurën. Përthyerja në fjalë, në prozë a në vargje është shprehja, ushtrimi i një dhuntie të sprovuar, por me mjete të tjera, me mjetet e gjuhës, të shkrimit. Shkurt, Shpëtim Emiri është në ujërat e tij, një arkitekt tashmë i shkrimit.
Ismail Kadareja ka shkruar se shkrimi i një libri është si ndërtimi i një qyteti. Një libër është i përbërë prej mikrostrukturash të harmonizuara, të mirëharmonizuara. Vargu është një strukturë e imtë, pastaj strofa, si një gur i gdhendur në katër anët vjen si një motiv me peshë e volum që duhet t’i gjesh vendin. Poezia, kapitujt, temat, blloqet, intermexot, lajtmotivet etj etj janë si katet e një pallati… shkallët ku do të ndalesh për të marrë frymë, dritaret dhe ndriçimi po ashtu duhet të të udhëheqin te ajo çfarë është me rëndësi etj etj. Një libër i mirë është një vepër e mirëkonturuar në thellësinë, sipërfaqen, në të pathënat, pra, deri te ato që lihen në undergraund për t’u nënkuptuar.
Ky tipar prej arkitekti që gdhend të imtën pa humbur balancat e raportet me të tërën, është tipar i gjithë librave të Shpëtim Emirit.
Humori ashtu si një vilë a si një grataçielë ka dy anët, balloren dhe anësoret. Humori i butë është pajtues me realitetin e vrazhdë. Kur e pyet “Si je nëno, si të venë punët” një gjyshe mbi të tetëdhjetat, ajo të përgjigjet: “Oh, … e pyetën njëherë klloçkën: si i ke zogjtë? Ajo u tha: Mirë, sa venë dhe po nxihen. Kështu dhe punët e mia”. Gjyshja në këtë rast ka dhënë përgjigje me dy kuptime. Zogjtë e klloçkës është e natyrshme të rriten, të vishen me pëndë, dmth të nxihen. Dhe punët e gjyshes është e natyrshme ‘të nxihen’. Ajo tashmë nuk pret të mirë. Është pajtuar me këtë fat. Hidhërimi është përzier e përcjellë me urtësi.
Ana tjetër e humorit është mospajtimi më të keqen. Në këtë rast kemi satirë.
Këto janë tiparet e dy librave me humor të Shpëtimi Emirit.
Në librin “Moj Gjirokastra pa vulë” mbizotëron humori i butë, me temat universale, me atë humor që raca njerëzore, e vetëdijshme si e pandreqshme nga cenet gjenetike, me shpoti e fshikull, vetëpastrohet, korrigjon vetveten.
Shpëtimi Emiri nga hambari i vetë artistik ka sjellë në këtë libër lëndë gjuhësore, modele të shprehuri, idioma, figuracion të vetin dhe të qëmtuar në libra, njëherësh të mbrujtura këto në magjen tradicionale të humorit shqiptar, të humorit të Jugut në vaçanti dhe, sa për kripë e ngjyrë, edhe të humorit lab në anekset e tij. Një debutim i mirë, për një të dashuruar me letërsinë.
Libri i dytë, ky që kemi në duar, “Sot ke qejf të vdesësh”, që me nëntitullin “libër me vargje satirike” sjell një vështrim satiric mbi sjelljen tonë të përditshme politike e shoqërore në këtë periudhë që e quajmë tranzicion. Madje, do të shtonim, na sjell vargje të satirës politike.është pak i mvrenjtur vështrimi i autorit, pse mos të themi se herë herë është pikë e helm me të ndodhurat tona. Duke bërë një sintezë të asaj që dhe njerëzve të urtë e punëtorë si Shpëtim Emiri u ka ardhur në majë të hundë sjellja e politikanëve tanë, ai shkruan:
Lëmsh hesapi!
Politikë horrash,
Me synime sorrash,
Ndjekur prej morrash,
Prite çfarë të korrash!
Libri merr në majën e mprehtë të satirës një shtrirje të gjatë kohore, nuk i kursen aktorët politikë nga ngjyrat dhe herë-herë ka prerjen e një kronike. Shumë ngjarje të shëmtuara dhe me pasoja të rënda për komunitetin, ngjarje që varrosen bashkë me gazetat e përditshme autori i rimerr në pendën e tij. Duke i trajtuar artistikisht të tilla ngjarje ai i ngre ato nga pluhuri i harresës, duke i dhënë librit të tij patentën e një dëshmie artistike për kohët që vijnë. Kjo, kur arrihet artistikisht, është një vlerë e librave…edhe ‘Komedinë hyjnore’ të Dantes e kanë quajtur gazetë fiorentine.
Interpretimi me gjuhën e artit i ngjarjeve të tilla i shkëput nga ato opinionet partizane bardhë-e-zi që shohim në ekrane për natë. Largësia kohore, ftohtësia e gjykimit, përbërësit artistik i bëjnë ngjarje të tilla të denja për shtyllën e përjetshme të turpit, atje ku e kanë vendin.
Shpëtim Emiri ka dëshiruar me librat e tij t’i shërbejë kujtesës dhe të vadisë pemët e virtutit dhe të moralit. Të ndëshkojmë duke qeshur, thotë një sentencë latine dhe ky ka qenë motivi i përhershëm i satirës dhe i humorit.
Qershor 2019.
Çerçiz Loloçi: Rrugëtim në vargjet satirike të Shpëtim A. Emirit