Piktori e politikani shkodran që jetoi e punoi në Londër
Të dëgjosh sot për shqiptarë të suksesshëm në Evropë nuk është diçka e rrallë, pasi me liberalizimin e sistemeve politike, gjithçka mund të ndodhë. Por, kur bëhet fjalë për fillimin e shekullit të kaluar, ndryshon puna.
Ishte viti 1974 kur në Galerinë “Pride” në Londër u organizua ekspozita e artistëve bashkëkohorë britanik. Një pjesë e saj i qe kushtuar një njeriu jo shumë të njohur, me emër e mbiemër që shqiptohej vështirësisht nga anglezët. Ky ishte piktori shkodran Çatin Saraçi i cili për plot 40 vjet jetoi dhe punoi në Londër.
Të dhënat biografike për të janë të pakta, por studiuesi Aurel Plasari në gazetën “55”, datë 12 qershor 2006, marrë dhe botuar nga Marian Shestani në librin “Shkodra”, na paraqet atë çfarë ai ja ka dalë të mësojë nëpërmjet hulumtimeve të tij:
Çatin Saraçi Lindi në Shkodër, në një familje borgjeze në za të qytetit. Qysh dhjetë vjeç u rrit në Evropë. U shkollue në Austri dhe, me marrjen e pushtetit nga Ahmet Zogu në Shqipni, Saraçi bëri pjesë në administratën e lartë të tij si funksionar diplomatik. Ishte njeri me kulturë, me sqimë, aristokrat i saloneve evropiane, i cili, në Legatën shqiptare që drejtonte në Vjenë, kish krijue një mjedis luksoz aristokratik.
Bashkëkohësi emënmadh, Paul Getty përshkruen salonet e Legatës së tij mbushë me sixhade persiane, argjendurina ballkanike, salone që kundërmojshin dyllë, temian e obst schnaps, sidomos në sallën e pritjes, me mure veshë me kadife ngjyrë vishnje dhe ai vetë ulë mbi pianoforte me kryet përkulë mbi tastierën, rrëmbye nga muzika Rahmaninov që luente.
Nisur nga ky përshkrim, shohim se sa i evropianizuar ishte shkodrani Saraçi, për pikturën e të cilit flitet pak. Gjithashtu, punimet e tij janë shumë pak të njohura në Shqipëri dhe ato ruhen në Galeritë angleze apo në galeritë personale të familjeve atje. Gjiathashtu, ka informacione se të tjerë anëtarë të Legatës kanë piktura të tij. /konica.al/