Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Isuf Musliu: ZVICRA DHE SHQIPTARËT (I)

 

 

PJESA E PARË

 

  1. Aktivitetet letrare të shqiptarëve në Zvicër

Aktiviteti letrar shqiptar në Zvicër ka filluar bukur moti. Këto aktivitete kanë fillua me emigrimin e shqiptarëve gjatë periudhave të ndryshme kohore. Shqiptarët emigruan në vende të ndryshme të botës. Sot nuk ka vend në botë, ku nuk ka shqiptarë. Ata i gjejmë anembanë botës – në rruzullin tokësor.

Zvicra përfaqëson një urë ndërlidhëse dhe mikpritëse si për emigracionet e tjera të botës, ashtu edhe për shqiptarët, që nga koha e Skënderbeut e deri më sot. Pra, mërgimtarët shqiptarë krahas punëve të ndryshme që ushtronin për ekzistencë jetësore, filluan të merren edhe me veprimtari letrare. Ata së pari u lidhën me shoqëritë e ndryshme letrare e kulturo-artistike në vend, në Evropë e në botë, siç ishin shoqëritë më të hershme në Bukuresht, e drejtuar nga Nikolla Naço, në Sofie, në SHBA, nga Fan. S. Noli, në Boston “Rreze dielli”, “Dituria”, “Drita” etj.

Shkrimtari i madh arbëresh Jeronim De Rada hapi kolegjin dhe shkollën e parë shqipe, në Itali ku si mësues dhe frymëzues i parë nxori nga ky kolegj shumë patriotë dhe shkrimtarë shqiptarë, që kontribuuan shumë në zgjidhjen e çështjes kombëtare dhe në çlirimin e atdheut të tyre. Figura të ndritura të historisë dhe kulturës shqiptare si: Avni Rrustemi, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Asdreni, Hil Mosi, Ndre Mjeda, Anton Zako Çajupi, Migjeni, Josip Rela, etj. marrin mësimet e para të Atdhedashurisë në auditorët e këtij kolegji.

Këtë hulli e ndoqën edhe shqiptarët e emigracionit të Zvicrës, të cilët sado pak me punën e tyre aktive e gjallëruan jetën kulturore, këtu në Zvicër.

Në Zvicër vepruan dhe veprojnë shumë klube letrare, si: “Faik Konica”, i udhëhequr nga Naim Këlmendi. Ky klub luajti një rol të rëndësishëm letrar dhe intelektual, sepse deri në vitin 1990 jeta letrare dhe kulturo-artistike më Zvicër ishte shumë e varfër. Mërgimtarëve shqiptarë u mungonte literatura dhe informacionet shkrimore-gazetare.

Në të vitit 1992 filloi ringjallja e jetës intelektuale, sepse filloi të dalë gazeta ditore RILINDJA. Rifillimin e daljes në dritë të gazetës në fjalë, në Zofingen të Zvicrës e organizuan: Nasuf Shaqiri, Shaip Latifi, Murtez Hafuzi nga Kumanova e shumë të tjerë. Ridalja në dritë e gazetës kulturore dhe krijuese të bashkatdhetarëve tanë në të gjitha anët e Zvicrës ndikoi drejtpërsëdrejti. në forcimin e ndjenjës kombëtare. Vlen të zëmë ngoje punën e palodhur të disa prej krijuesve më të njohur si: Vehbi Skënderi, Mustafë Xhernajli, Naim Këlmendi, Isa Dërmaku, Vaxhid Xhelili, Shefqet Dibrani, Shaip Latifi, Skënder Buçpapaj, Fatmire Kaçkini, Xhevrie Miftari, Fikrie Bylykbashi, Astrit Leka, Nerxhivane Berati etj, të cilët me shkrimet e tyre ngjallnin krijimtarinë letrare të shkrimtarëve e poetëve shqiptarë për atdheun e tyre dhe frymëzonin edhe të tjerët që lidhjet e degës (diasporës) me rrënjën (me atdheun) të mos këputen, por të vazhdojnë të frytëzojnë shqip e në frymën e atdheut, nga ana tjetër.

 

 

 

Shoqata e bashkimit të intelektualëve shqiptarë në Zvicër BIZHZ/së

 

Kjo shoqatë ka luajtur dhe edhe sot luan një rol të rëndësishëm në Zvicër dhe kudo gjetkë, për bashkimin e intelektualëve shqiptarë në shërbim të popullin dhe të atdheut. Prof. dr. Ahmet Xhigoli, kryetar, i bashkoi forcat intelektuale për interesa kombëtare, duke zhvilluar vazhdimisht aktivitete të ndryshme kulturore dhe letrare, por e gjallëron jetën artistike dhe bashkoi më tepër bashkëkombësit në Zvicër.

Qëllimi i kësaj shoqate është që t’i bashkojë intelektualët dhe potencialet e tyre profesionale për interesa kombëtare, ajo zhvillon një veprimtari të ngjeshur kulturore dhe letrare, të cilën e mirëpresim edhe në të ardhmen, e cila do të afirmojë vlerat tona kulturore, gjuhën, letërsinë e traditën kombëtare shqiptare edhe në diasporë.

 

Gjuha dhe kultura shqiptare në Zvicër

 

Shqiptarët kudo që shkojnë në botë, në radhë të parë janë shqiptarë dhe ndërmjetveti flasin ëmbël gjuhën e tyre amtare, gjuhën e atdheut, sepse ata nuk janë gjë tjetër por një plus dheu i gjallë dhe i vetëdijesuar i atdheut të tyre, ndaj kudo që shkojnë atdheun e bartin me veti: gjuhën, zakonet, doket e traditat e veta kombëtare. Këtë ua mundëson jeta e përbashkët familjare e shoqërore. Kështu nga kushtet e vështira ekonomike, nga papunësia e madhe në atdheun e robëruar nga okupatorët shekullorë serbë, veçanërisht pas vitit 1990 kur u dëbuan nga puna mbi 150.000 punëtorë shqiptarë, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare, kurse rinia shqiptare po kthehej në arkivole nga ushtria Jugosllave, ndaj tani e tutje rinia jonë refuzoi të shërbejë në ushtrinë, që i vriste ushtarët e vet, dhe nga kjo periudhë 1992 e tutje, numri i mërgimtarëve shqiptarë në Evropën perëndimore, pra edhe në Zvicër, u shtua në mënyrë shumë të shpejtë. Mijëra e mijëra të rinj nga trevat shqiptare kërkonin ekzil në shtetet e Evropës. Prandaj, nuk është çudi, që shqiptarët sot në Zvicër përbëjnë 8% të popullsisë vendore me identitet shqiptar nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe nga republika të tjera të ish-hapësirës së Jugosllavisë.

Rreth 200.000 (dyqindmijë) me identitet shqiptarë, ndërsa me origjinë shqiptare dhe dokumentacion të shteteve, ku jetojnë edhe ata sipas statistikave jozyrtare juridike kapin numrin edhe rreth 200.000 (dyqindmijë) të tjerë të ardhur në Zvicër për të punuar dhe për të siguruar një jetë më të mirë materiale e financiare. Kështu sot në Zvicër ndeshim edhe arbëreshë nga krahina të ndryshme të Italisë, arbëreshë të Greqisë dhe shumë shqiptarë nga Turqia, Bullgaria e Rumania e nga vende të tjera të botës. Këta shqiptarë edhe sot e kësaj dite flasin shqip në familje dhe me nostalgji të madhe vazhdojnë ta ruajnë, ta duan e ta përdorin gjuhën e tyre të ëmbël e të dashur amtare-shqipen.

Nga mërgimtarët shqiptarë në Zvicër, në frymën e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës (1968) dhe të Kongresit të Drejtshkrimit (1972) po bëhen përpjekje serioze që ta afirmojnë kulturën shqiptare me vëllezërit tanë nga shtete të ndryshme të botës, me qëllim që gjuha e sotme të jetë një gjuhë e përbashkët letrare kombëtare, një gjuhë e standardizuar kudo që ata ndodhen. Mirëpo, fatkeqësisht deri më tani nuk u tregua asnjë interesim nga pushtetarët e këtyre vendeve.

Sot në Zvicër në të gjitha familjet shqiptare, qoftë në shtëpi private, qoftë në institucione zyrtare arsimore, në shkolla flitet e shkruhet gjuha shqipe si e drejtë shtetërore dhe natyrore e çdo kombi. Është e drejtë e natyrshme (e Zotit) që njerëzit kudo që ndodhen ta flasin dhe ta ruajnë gjuhën e tyre kombëtare. Kjo vlen për të gjithë popujt e botës. Sepse gjuha ruhet atje, ku shkruhet e flitet. Sot, shqiptarët në Zvicër, zyrtarisht zënë vendin e tretë, sepse vijnë menjëherë pas gjermanishtfolësve dhe frëngjishtfolësve. Do të thotë shqipja zë vendin e tretë me shqipfolës në Zvicër.

Ndonëse, shqipja e folur në familje, në shoqëri, në punë në jetën e përditshme në ligjërimin e saj, ajo ruan karakteristikat dhe tiparet e të folmeve dialektore prej nga këtej këta shqipfolës e heqin zanafillën e tyre, për të cilat më vonë do të bëjmë fjalë në studimin tonë, megjithatë edhe në këto mjedise, veçanërisht në shkolla, në klube letrare e shoqata të ndryshme po bëhen përpjekje për kultivimin dhe përvetësimin e gjuhës së standardizuar kombëtare.

Zyrtarizimi i gjuhës së njësuar letrare kombëtare fillon me Konsultën Gjuhësore të Prishtinës (1968).

 

Konsulta gjuhësore e Prishtinës (1968) akt rëndësishëm i përvetësimit të normës së gjuhës së njësuar letrare kombëtare

 

Falë traditës së hershme të gjuhës së shkruar, veprimtarisë së palodhshme, që zhvilluan shoqëritë shqiptare, brenda dhe jashtë trojeve shqipfolëse, shqipja u përpunua, e u thellua si gjuhë e kulturës, shkencës e artit. Si gjuhë e shkruar, ajo kishte mjaft pika afruese, ndaj procesi i njësimit të një gjuhe letrare kombëtare qe një zhvillim i natyrshëm madje, ky njësim u bë një nevojë e natyrshme dhe e arsyeshme, u bë një imperativ i domosdoshëm aktualitetit jetësor. Këtë më së miri e dëshmoi fakti se një njësim i këtillë, u pranua pa ndonjë skepticizëm nga të gjithë institucionet shkencore e arsimore, informative dhe administrative, pa përjashtim në të gjitha trojet shqiptare, që kishin vazhdimësi tokësore me banim autokton, e që pastaj u zgjerua edhe në diasporë.


Konsulta gjuhësore e Prishtinës (1968)
E organizoi Instituti Albanologjik i Prishtinës, që zhvilloi punimet e veta më 22-23 prill të vitit 1968, ku u lexuan një numër i konsiderueshëm kumtesash, në të cilat u shqyrtuan mundësitë reale të njësimit të gjuhës letrare shqipe, që si rrjedhim i shpjegimeve në baza të shëndosha shkencore, u mor vendimi, që shqipfolësit që atë botë jetonin në Jugosllavi, tani e tutje të përdorin gjuhën e njësuar, të vendit amë. Ky ishte një akt historik shumë i rëndësishëm i zhvillimit të mëtejmë të gjuhës së standardizuar kombëtare, sepse njësimi i gjuhës i paraprin njësimit të kombit, kulturës e shkencës e artit të përbashkët kombëtar.

Rezultatet në përvetësimin e gjuhës së njësuar si normë të gjuhës së shkruar, që atëherë e deri më sot janë kolosale. Këto rezultate sot i shohim dhe i përjetojmë në çdo fushë të jetës e veprimtarisë sonë kombëtare: në shkollë, në procesin mësimor, në administratë, në shtyp në revista e në gazeta, në tekste shkollore e shkencore, në teatër, në radio e në televizion dhe në të gjitha hapësirat e veprimtarisë shoqërore ndër ne.

Frytet e një ndërmarrjeje kaherë të nevojshme, që tani është bërë një nevojë e përbashkët imperative përdorimi i gjuhës dhe shkrimit në variantin e standardizuar të gjuhës letrare kombëtare, i ndeshim në të gjitha fushat e jetës së shoqërisë sonë shqiptare. Pra, vendimet e Konsultës Gjuhësore, duke u treguar frytdhënëse, të drejta dhe të nevojshme, përfaqësojnë një akt të rëndësishëm në historinë e kulturës sonë gjuhësore, shkrimit dhe ligjërimit të saj, po vihen në jetë.

Konsulta gjuhësore hapi shtegun dhe lehtësoi shumë punën Kongresit Drejtshkrimor, që u mbajt në nëntor të vitit 1972, në Tiranë, do të thotë hapi mundësitë që kjo dëshirë e kahmotshme, ky synim e qëllim i inteligjencës shqiptare, marrë përmasa të shtrirjes edhe përtej kufijve të Shqipërisë zyrtare, të bëhet një vendim ndërkombëtar në fushën e zbatimit dhe kultivimit të një gjuhe të përbashkët të kulturës, shkencës e artit tonë kombëtar.

 

 

Kongresi drejtshkrimit të gjuhës shqipe (1972)

 
Kjo ngjarje e madhe historike në historinë e gjuhës sonë, u kurorëzua me sukses të plotë nga intelektualët shqiptarë të të gjitha trojeve shqiptare, që u mbajt më 20-22 nëntor 1972, së cilës i parapriu Konsulta Gjuhësore (1968), zë vendin e dytë në historinë e shkrimit dhe kulturës sonë gjuhësore pas Kongresit të Alfabetit shqip më 1908, që u mbajt në Manastir të Maqedonisë, në vigjilje të krijimit të shtetit dhe të shpalljes se Pavarësisë së tij më 1912.

Në historinë e popullit tonë ka shumë ngjarje. “Një vend të veçantë ndër to zënë përpjekjet për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe”[1]. Me gjuhën shqipe populli ynë ka shprehur identitetin e vet kombëtar. Kjo bie në sy që nga Buzuku e Bogdani e deri tek Kristoforidhi, Naimi, Samiu, Vretua, Pashko Vasa e De Rada, që nga Çajupi, Mjeda, Luigj Gurakuqi, Noli e Asdreni tek Migjeni e Xhuvani[2].

“Ashtu siç qëndrojnë flamurët në betejë si simbol i atdheut, që rreth tyre të mblidhen luftëtarët e përndarë, – thotë me ngashërim Gabriel Dara – po ashtu edhe këngët, ndër mote, janë drita ku ndizen zemrat e trimave, simbol kombit, flamur i nderit, testament i të parëve”[3].

  1. Veçoritë themelore të shqipes letrare në periudhën parakombëtare na paraqiten që nga “Formula e i pagëzimit”, “Ungjilli i pashkëve”, “Meshari i Buzukut” e nga veprat e të shekujve XVI-XVII, ndër të cilat gjejmë shqipen e shkruar e të dokumentuar në dy variante letrare kryesore, të ndërtuara mbi baza dialektore, që i takojnë periudhës parakombëtare të gjuhës letrare shqipe. “Le të hedhim farën e mirë – i drejtohej popullit N.Veqilharxhi – me siguri natyra do t’i jap asaj ngjallje, çelje e rritje dhe pa dyshim pemët e bukura e të ëmbla, brezat që do të vijnë sot e tutje do t’i vjelin, duke bekuar mbjellësit e mirë edhe farën”[4]. Vazhdën e kësaj ideje e gjejmë të pandërprere për disa dhjetëvjeçarë. Ndër të tjerë, atë e shpreh edhe Naimi, në lidhje të drejtpërdrejtë, me lulëzimin e gjuhës:

“Si lum kush zë të mbjellë,

Lum kush vë këtë pemë,

Se kjo ka për të pjellë,

S’,bulohet me remë”[5].

 

  1. Veçoritë themelore të shqipes letrare në periudhën kombëtare i ndeshim të rilindësit shqiptarë, të cilët mbollën një farë shumë të mirë, që mbiu shpejt në tokën pjellore. Prej saj u rrit një pemë e shëndetshme dhe e fuqishme. Ata jo që vetëm mbollën por edhe “korrën”. Frytet e tre brezave të rilindësve ne shohim sot, me të drejtë, si vlera klasike të letërsisë e të gjuhës sonë letrare, të kulturës sonë kombëtare. Gjuha u zhvillua në etapa, që dallohen me tiparet e veta dalluese. Gjuha letrare shqipe, duke u mbështetur në trashëgiminë më të mirë të traditës së kaluar, pa u shkëputur nga kjo traditë e njëkohësisht, duke u ushqyer gjerësisht nga gurra e gjallë e gjuhës popullore, ku ishin ngjizur edhe disa koine ndërkrahinore të mishëruara sidomos në folklor, arriti të krijonte trajta mjaft të përgjithësuara e të njësuara në vijën e thelbit iluminist e çlirimtar të programit gjuhësor të Rilindjes: shkrimet shqipe t’i shërbenin “të ndrituarit të kombit”, “Të ngjallturit të gjuhës shqipe e të bashkuarit të dialekteve të saj”[6].

Sepse siç theksonte Sami Frashëri: “shumë gjuhë e dialekta sjellin ndarje e mërgim”[7]. Kristoforidhi ishte shkrimtari dhe gjuhëtari, i cili nga vitet 60-të e shekullit të XIX, vuri themelet e periudhës kombëtare të historisë së gjuhës sonë letrare, e cila arriti shkallën më të lartë në kohën tonë. Duke u mbështetur në ë rruge më se njëshekullore, këtë periudhë mund ta ndajmë tri etapa:

  1. a) Etapa e parë që prej viteve 60 të shekullit XIX e deri në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar (1912).
  2. b) Prej vitit 1912 e deri 1944, kjo do të thotë etapa e dytë dhe
  3. c) Prej vitit 1944 e deri në ditët e sotme. Këto tri etapa të zhvillimit evolutiv të gjuhës sonë letrare karakterizohen nga lëvrimi dhe studimi i gjuhës letrare, duke u konvertuar në një vijë të vetme zhvillimi – në vijën e konvergjencës gjuhësore gjithnjë në rritje e pa kthime prapa, e cila ka pasur e ka mbështetje konvergjencën kombëtare ekonomiko-shoqërore, politike e kulturore. Për çdo etapë ka edhe tiparet e veta dalluese, frytet e saj gjuhësore e letrare[8].

Derisa në etapën e parë u krijuan dy variante letrare të mozaikut shumë të copëtuar të shkrimeve të së kaluarës, që mbështeteshin në të folme krahinore e nëndialektore, u krijuan dy variante letrare mbi dy baza kryesore dialektore:

Varianti letrar jugor dhe varianti letrar verior, ndërsa etapa e dytë shquhej me përpunimin e gjuhës letrare brenda atdheut e trojeve shqiptare.

Në ç’raporte është sistemi i gjuhës sonë letrare kombëtare me ish-variantet letrare dhe me dialektet përkatëse?

 

 

K = Gjuha letrare kombëtare e normalizuar

V = Varianti letrar verior dhe dialekti verior

J = Varianti letrar jugor dhe dialekti jugor

A, A1 = elemente të varianteve letrare dialektore, që nuk janë përfshirë në gjuhën letrare kombëtare.

B, B1 = elemente që janë krijuar në jetën e mëvetësishme të gjuhës letrare, si sistem mbidialektor.

Mirëpo me gjithë konsolidimin e gjuhës letrare kombëtare, nuk mund të themi se “Gjuha jonë letrare, ashtu si edhe çdo gjuhë tjetër, nuk është një sistem me vija të drejta, por përbën një tërësi komplekse të ormuar historikisht e gjithnjë në zhvillim, një sistem sistemesh, që bashkëjetojnë dhe evoluojnë në marrëdhënie dialektike. Gjuha jonë letrare, sado e kristalizuar që të jetë, nuk ka dhe as ka për të pasur vetëm rregullsi, analogji, por ka dhe do të ketë edhe, “parregullsi”, anomali, të cilat janë rrjedhim i veprimit historik të ligjeve të caktuara gjuhësore e të faktorëve shoqërorë. Në nja aspekt të veçantë, vijat e drejta, janë në thelb, edhe vija dialektore, sepse përjashtojnë pasojat e bashkëveprimit ndërdialektor në shqipen letrare, Prandaj, po te duam të qëndrojmë në truall me të vërtetë objektiv, jo krahinor, por kombëtar në trajtimin e problemeve të drejtshkrimit të gjuhës sonë letrare, duhet ta kërkojmë zgjidhjen e tyre në tërë sistemin drejtshkrimor, e para së në bashkëveprimin e parimit fonetik me atë morfologjik”[9], duke mos i vënë kurrë në një plan drejtshkrimin e drejtshqiptimin, sepse kristalizimi i normës e më parë bëhet në trajtën e saj të shkruar e shumë në atë drejtshqiptimore, e cila për një kohë të gjatë nuancat fonetike e fonologjike dialektore. (Vazhdon)

 

 

 

(Pjesë e punimit të Magjistraturës të botuar nga Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare”, Tiranë, 2007)

[1] Prof. Androkli Kostallari, Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa problem themelore të drejtshkrimit të saj, Tiranë, 1973, fq. 5.

[2] Prof. Androkli Kostallari, Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa problem themelore të drejtshkrimit të saj, Tiranë, 1973, fq. 5.

[3] Gabriel Dara, Kënga e sprame e Balës, Catanzaro, 1906, fq. 54.

[4] Shih në “Kalendari Kombiar”, Sofje, 1906, fq. 52.

[5] N. Frashëri, Gjuha jonë “Lulet e verës”, 1980.

[6] Prof. Androkli Kostallari, Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa problem themelore të drejtshkrimit të saj, Tiranë, 1973, fq. 21.

[7] Shih një letër e Sami Frashërit mbi Lidhjen e Prizrenit, “Buletin për shkencat shoqërore”, Tiranë, 1954, II. fq. 114-116 (Botuar nga Dh.S. Shuteriqi)

[8] Prof. Androkli Kostallari, Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa problem themelore të drejtshkrimit të saj, Tiranë, 1973, fq. 21.

[9] Prof. Androkli Kostallari, Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa problem themelore të drejtshkrimit të saj, Tiranë, 1973, fq. 70.

Please follow and like us: