Reshat Kripa: Lufta patriotike e Vlorës
Kujtime nga një ngjarje e madhe
3 shtator 2019, nëntëdhjetenëntë vjetori i luftës së madhe patriotike të Vlorës, asaj lufte të madhe në krye të së cilës ishin tre figurat më të shquara të historisë së këtij kombi, Shahin Nuredini, Qazim Koculi dhe Qazim Kokoshi dhe që përfundoi me hedhjen në det të pushtuesve italianë që kishin zaptuar Vlorën e flamurit të 1912-ës
Në këtë ditë historike para syve të mi më del një ngjarje e ndodhur gjashtëdhjetekatër vite më parë në kampin e të burgosurve politikë të Bulqizës.
Ishte 3 shtatori i vitit 1955, tridhjetepesë vjetori i kësaj lufte të madhe. Me nismën e doktor Isuf Hysenbegasit, kishim përgatitur një mbrëmje përkujtimore në infermierinë e kampit. Në atë mbrëmje nuk kishte darka dhe kokteje. Në vend të darkës ishte luga e supës me qepë dhe në vend të koktejit fixhani me çaj të ftohtë që na servirnin Në atë mbrëmje u recituan poezi nga Kudret Kokoshi, një poet i burgosur, kushtuar kësaj ngjarje. Mua më ishte caktuar të recitoja poezinë “Një ditë vjeshte”. Akoma i kam parasysh vargjet e asaj poezie:
Unë pashë një ditë vjeshte, një flamur bërë çika çika,
Një flamur me shkab të zezë, që qe prerë me njëmijë thika,
Një flamur me bojë gjaku, që valonte papushuar,
I përcjell nga disa burra, që të gjithë duke kënduar.
E përcillnin njëmijë trima, me shkopinj e krrabë në dorë,
Kryet lidhur, gjokset thyer, unë i pashë një ditë në Vlorë.
Ata luftëtar legjende, ata lajmëtar lirie,
Që i dhanë fluturim shqiponjës, pas pesë shekuj robërie!
Oh, thanë zemrat, oh, sa bukur mbi Vlorë shkaba valon!
Unë pashë një ditë vjeshte, epopen e vendit tonë!
Duke e recituar atë poezi, nuk e di se si prej syve filluan të më rrjedhin lotë. Ishin lotët e dhimbjes për lirinë. Ishin lotët e dhimbjes për Vlorën time. Nuk e kisha përfunduar ende recitimin kur ia behi krimineli i kampit, operativi i sigurimit toger Ademi.
– Çfarë po ndodh këtu? – klithi me nje zë egërsire.
Doktor Isufi, me gjakftohtësine që e karakterizonte iu përgjigj:
– Është tridhjetepesë vjetori i luftës së Vlorës dhe ne jemi mbledhur për ta kremtuar.
Krimineli nuk priti që doktori të mbaronte fjalën. I shoqëruar nga një grup policësh që i pruri me vete, filloi të na godiste me çfarë të mundte dhe na mbylli në birucën e ngritur për këtë qëllim. Për këtë u dënuam me një javë mbyllur në birucë me vetëm një vakt lëng qepe dhe tre muaj pa të drejtë takimi me prindërit.
Kjo ishte mënyra se si e kremtonte krimineli këtë ngjarje të madhe historike.