Albspirit

Media/News/Publishing

Reflektim mbi romanin “Tatuisti i Aushvicit”

Image result for mimoza koka

Mimoza Koka

 

 

 

 

Duke lexuar romanin “Tatuisti i Aushvicit” të autores Heather Morris, bazuar në një ngjarje të vërtetë, më lindën në mënyrë të natyrshme disa pyetje. Në kampet e përqëndrimit, gulagët, kampet e internimit etj., që u ndërtuan  gjatë shekullit të njëzetë, u përdorën të gjitha mjetet dhe metodat për të denatyruar qënien njerëzore. “Cili është kufiri i rezistencës fizike dhe morale të njeriut?”, “Si shpjegohet që ka raste që njerëz në dukje të fortë thyhen, dhe, ndërkohë, njerëz që paraqesin në pamje të parë brishtësi fizike dhe karakteriale, arrijnë të rezistojnë”?

Më erdhi ndërmend romani “Konti i Monte Kristos” i  Alexandre Dumas. Abati Faria i tregon në qeli Edmond Dantesit tunelin që kishte hapur për 20 vjet dhe mjetet që kishte përdorur për këtë. Dantes ngelet i habitur dhe e pyet: “Kushedi se ҫfarë gjërash të mrekullueshme mund të kishe krijuar po të mos ishe në burg?” Abat  Faria i përgjigjet; “Mundet asgjë, përqendrimi i madh i të qënit vetëm në një qeli, më nxiti të hapja këtë tunel”.

Le të japim shembuj realë. Shkrimtarja Helena Kadare, në librin e saj me kujtime “Kohë e Pamjaftueshme”, rrëfen rastin e burgosjes të një shoqeje të saj ruse. Ajo e përshkruan atë si qënien më të brishtë që kishte njohur. Rusja dënohet me 16 vjet burg. Helena e takon pas vitit 90-të. Natyrisht, shkruan ajo, “vitet në burg kishin lënë gjurmën e tyre në pamjen e saj, por ajo kishte mbetur po ajo qënie e brishtë, dhe pavarësisht kësaj kishte mbijetuar”.

Në librin e fundit të mjekut Isuf Kalo, “Blloku”, shkruhet për militantin Manush Alimani që shpesh  u thoshte shokëve t’i qëndronin larg dhe mos t’i jepnin informacione. Kjo, sepse ai nuk kishte besim se mund t’u rezistonte torturave.  Në fakt  kur u arrestua, vdiq gjatë tortura ve, pa treguar asgjë.

Fatos Lubonja, romanin e tij “Ploja e Mbrame”, e ka shkruar në letrat e cigareve dhe arriti ta nxjerrë nga burgu e ta botojë. Ky është ndër librat e tij më të rëndësishëm.

Njihet po kështu rezistenca e pashembullt e priftërinjëve katolikë në burgjet tona, rezistencë e cila frymëzohej nga besimi në fenë e tyre.

Duke lexuar për këto vënde të tmerrshme lind vetiu një tjetër pyetje: “A është e mundur që në këto kushte njeriu të rezistojë deri në atë pikë, sa te jetë i aftë t’i lindin ndjenja njerëzore, si dashuria, solidariteti, empatia etj”?

Romani “Tatuisti i Aushvicit” jep një përgjigje pohuese lidhur me këtë. Romani bazohet në një ngjarje të vërtetë, të cilën personazhi kryesor Lejli Sokolov, ia ka treguar pas shtatëdhjetë vjetësh shkrimtares Heather Morris. Ne fillim kjo histori ka ekzistuar në trajtën e një skenari. Më pas autorja gjykon se mund të shkruante një roman, i cili pati shumë sukses.

Lejli Sokolov, një hebre sllovak 24 vjeҫ, i kulturuar dhe njohës i disa gjuhëve të huaja, u dërgua në kampin e përqëndrimit, konkretisht “Aushvic 2-Birkenau”, i cili ishte kamp përqëndrimi dhe shfarosjeje. Krematoriumet punonin me kapacitet të plotë dhe në mënyrë të vazhdueshme. Ai del vullnetar për të shkuar në “kampet e punës”, sepse ju premtua se do të shpëtohej familja e tij. Në fakt prindërit e Lejlit u dërguan në Aushvic, në 20 mars 1942 dhe u vranë menjëherë sapo mbërritën atje.

Lejli, sapo kuptoi kushtet  dhe qëllimin e këtij kampi, i vuri objektiv vetes që të dilte gjallë në mënyrë që të dëshmonte se ҫ’ndodhte aty. Ai arrin të bëhet tatuisti i kampit, pra gdhendte në krah, në të gjallë, numrin që i takonte ҫdo të burgosuri  në këtë kamp. Shumica në kamp ishin hebrenj dhe romë. Duke shfrytëzuar këtë pozitë më të “privilegjuar”, ai siguronte më tepër ushqim, me të cilin  ndihmonte të burgosurit e bllokut numër 7,  ku flinte.

Në momentin që bënte numrat përmes tatuazhit, ai mundohej që t’u shkaktonte sa më pak dhimbje të burgosurve. Por, dhe të burgosurit nuk nxirrnin asnjë zë, sepse në rast të kundërt vriteshin në vënd. Lejli ishte në ҫdo moment i vëzhguar nga mjeku sadist i kampit Xhozef Mengele, i cili menaxhonte  përzgjedhjen e të burgosurve për në krematorium.

Në përgjithësi, Lejli kur bënte tatuazhet e të burgosurve të sapoardhur, mundohej të mos i shihte në sy, aq shumë vuante nga dhimbja që u shkaktonte atyre.  Por ja, në një moment,  priste radhën një vajzë e re, e cila dridhej nga frika. Ajo ishte Gita. Pasi vendos numrin, paprimtas ai ngre sytë dhe e shikon.  Sheh një vajzë me kokë të qethur dhe me rroba me vija të kampit dhe mrekullohet nga sytë e saj të mëdhenj me ngjyrë kafe. Tërheqja e tyre ishte e menjëhershme.  E vetmja gjë që Lejli mund të bënte ishte të kapte me butësi krahun në të cilin kishte gdhendur numrin.

I tërë romani tregon, episod pas episodi, se si të dy ndihmojnë njëri – tjetrin për të mbijetuar. Në ҫdo sekondë ata e dinin që rrezikonin jetën, por tërheqja dhe emocioni që u shkaktonte kjo lidhje,  ishte më e fortë se rreziku.

Lejli Solokov dhe  Gita Solokov, arritën të shpëtonin nga ky kamp i tmerrshëm. Ata krijojnë familje dhe bëhen me fëmijë, një djalë. Kurrë Lejli nuk kishte folur për këtë ngjarje, derisa sa vendos që në moshë të thyer t’ja tregojë autores  Heather Morris, nga Zelanda e Re,  që e ktheu në romanin me titullin “Tatuisti i Aushvicit”.

Kjo dashuri dhe mbijetesë më kujton shprehjen e Hannah Arend: “E mira është e thellë, e keqja është e cekët dhe banale.” Ndërkohë, Graeme Simson thotë; “Pa kurrfarë ngurrimi, këtë libër do t’ja rekomandoja kujtdo, edhe sikur të ketë lexuar njëqind  histori të tjera për Holokaustin, apo edhe sikur të mos ketë lexuar asnjë”.

Please follow and like us: