Albspirit

Media/News/Publishing

Matteo Mandalà: Kadare dhe të tjerët – në gostinë e shenjtë dhe mistike të krijimit letrar

Image result for mateo mandala

Matteo Mandala

1.

Ky vëllim përmbledh tri ese të famshme të Ismail Kadaresë që u kushtohen po aq kryeveprave të pavdekshme të letërsisë së të gjitha epokave, nga ajo antike (Eskili), në atë mesjetare (Dante), deri te ajo moderne (Shekspiri). Në këtë antologji, për mendimin tim, mund të përfshiheshin edhe të tjera tekste, si për shembull shkrimet për bashkatdhetarët e tij të ndritur, nga De Rada te Lasgush Poradeci, te Migjeni, apo disa faqe kushtuar Homerit, Ovidit, Servantesit, Gogolit, Pushkinit, Kafkës, Folknerit etj., të shpërndara nëpër korpusin e veprave “eseistike” të autorit që tek e fundit dëshmojnë ballafaqimin e tij intim me pararendësit në kërkim të përsosmërisë artistike. Gjithsesi, arsyeja kryesore e përfshirjes së vetëm këtyre tri eseve kushtuar tragjedive të Eskilit, Komedisë Hyjnore dhe Hamletit, nuk është diktuar nga zgjedhje apo interesa editoriale, por nga dëshira për të nderuar qëndrimin kritik dhe idetë e vetë autorit: liria e përgatitësit të vëllimit për ta “zgjeruar” vëllimin i ka lënë vendin – sikurse është e natyrshme të bëhet, të paktën në këtë rrethanë – vullnetit të autorit.

Kadare, në fakt, në një intervistë që i ka dhënë Jorina Shkreta-Kryeziut, jo vetëm që deklaron hapur se “janë tri ese […] më të rëndësishmet: Eskili, ky humbës i madhHamleti, princ i vështirë dhe Dantja i pashmangshëm”, por, duke u rrekur të shpjegojë arsyet e kësaj zgjedhjeje, na ofron njëherazi disa të dhëna paraprake me interes kritik që do t’i rimarrim shkurt më poshtë, sepse na ndihmojnë të krijojmë një vizion më organik rreth poetikës së autorit të tij. Kjo jo vetëm na detyron të pranojmë se para këtyre të dhënave do të ishte e pavend, madje arbitrare, të ndiqej një tjetër rrugë editoriale, por na bën gjithashtu të vëmë në dukje vlerën e vëzhgimeve të Floresha Dados me të cilat pajtohemi plotësisht edhe nga këndvështrimi metodologjik, ku studiuesja e nderuar thekson rolin qendror të eseistikës në lëmin e studimeve kadareane, duke e konsideruar me të drejtë këtë si një gjini strategjike, me kusht që të zhvishet nga përdorimet dhe shpërdorimet e sofizmit post hoc, propter hoc, për t’ia lënë vendin vetëm atyre interpretimeve hermeneutike që mund të shpjegojnë natyrën komplekse të veprës së njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj bashkëkohorë.

2.

Kadare, portret nga Ina Lajthia

Vlera e “leximit” të librave të mirë nuk mund të thjeshtëzohet në konceptin banal të metaforës bajate të dialogut didaktik, të përdorur nga John Ruskin, koncept me të cilin debatoi Prusti duke u mbështetur te Kartezi. Autori i Recherche nuk pajtohej me idenë që leximi të ishte “një bashkëbisedim me njerëzit më të nderuar të shekujve të shkuar që kanë qenë shkrimtarët”, pasi kjo do të thoshte rrafshim i forcës frymëzuese të veprës, pra cenim i asaj aftësie subjektive të lexuesit që i “përpunon” pareshtur veprat që lexon, në funksion të aftësisë krijuese vetjake. Për këtë arsye Prusti mendonte se “Leximi, ndryshe nga bashkëbisedimi, për secilin prej nesh qëndron në njohjen e mendimit të tjetrit, duke mbetur gjithnjë vetëm, pra duke gëzuar forcën intelektuale që na jep vetmia dhe që biseda e prish, duke mbetur të frymëzuar, me shpirtin dhe mendjen në aktivitet të plotë”. Do nënvizuar këtu se edhe Kadare do të ndalet në të njëjtat koncepte të trajtuara prej Prustit. Do ta bëjë thuajse në të gjitha shkrimet e tij me gjykime letrare dhe do ta përsërisë çdo herë që do të ndiejë nevojën për të theksuar karakterin unik të natyrës vetmitare ku mbështetet si shkrimi ashtu dhe leximi, për të theksuar forcën intelektuale që ngjall frymëzimi, deri edhe për të pohuar të drejtën e rastësisë së zgjedhjes së librit që lexohet, pa harruar të drejtën e pranimit të sfidës së madhe dialektike me të cilën të përball vepra letrare “duke të ftuar” të zhvillosh këndvështrimin tënd dhe të përmbledhësh idetë e tua. Këndvështrim dhe ide të cilat, të përpunuara nën prizmin e botëkuptimit vetjak, jo rastësisht i gjejmë të ndërfutura në veprat në prozë që i japin poetikës kadareane vulën e patjetërsueshme dhe tipike të letërsisë së madhe.

Për “leximet autoriale” të Kadaresë nuk është shkruar shumë, ndoshta sepse – siç u tha – shumë prej tyre janë shpërndarë nëpër vepra të ndryshme, ku shpesh nuk bien fort në sy. Kjo nuk ka penguar, gjithsesi, që vëzhgimet e thukëta të disa studiuesve të shquar nga vende të ndryshme të mundësonin ndër vite përvijimin e një profili të qartë të kontributit kritik që ka dhënë autori ynë në zbërthimin e disa kryeveprave botërore siç janë ato të Eskilit, Dantes, Shekspirit, por edhe të klasikëve të tjerë si Homeri, Servantesi apo Kafka. Këta studiues kanë vënë në dukje së kombinimi i dhuntisë narrative me intuitën e një lexuesi të jashtëzakonshëm siç është Kadare nga njëra anë na ndihmon të zbulojmë disa aspekte të fshehta të kryeveprave letrare, nga ana tjetër, duke rrafshuar dallimet kohore dhe hapësinore mes veprave dhe autorëve të tyre, na fton edhe ne, lexuesit e thjeshtë, në gostinë e shenjtë dhe mistike të krijimit letrar. Nga ky këndvështrim për specialistët e fushës “leximet autoriale” të Kadaresë nuk vijnë si një risi. Shpesh shkrimtarët e mëdhenj u kanë dhuruar interpretime të jashtëzakonshme veprave të kolegëve të tyre: Elioti që lexon Euripidin, Danten dhe Shekspirin, apo Kafka që përzgjedh Floberin, Pound që lartëson Joyce-n dhe ky i fundit që nxit mikun  e tij italian Italo Svevo-n, për t’u përmbajtur në shembuj të epokës moderne, janë vetëm episode të famshme të cilat, megjithëse të shkëputura njëra prej tjetrës, përvijojnë përmasën e përafrisë së pashpjegueshme të ideve që tërheqin misionarët e letërsisë duke i shndërruar njërin në bashkëbiseduesin e parapëlqyer të tjetrit. Në vizionin madhështor që Kadare ka përjetësuar metaforikisht te novela Ëndërr mashtruese, parafrazohet, ndoshta pavetëdijshëm, parimi spekulativ mbi të cilin bazohet sistemi filozofik i Hegelit: ashtu si në progresin e njohjes shkencore vlejnë konceptet dhe jo emrat e tyre që i kanë formuluar, ashtu dhe zbulimet në letërsi u përkasin veprave dhe jo autorëve të tyre. Gjithashtu, nuk mendoj se zbuloj ndonjë të re nëse shtoj se në këtë ndërtekstorësi të shoqishoqme, në këtë lojë të pafund gjurmësh që veprat letrare ndërtojnë midis tyre, në këtë kuvend gjithëpërfshirës mes artistësh të të gjitha kohëve, qëndron sekreti i ruajtjes së krijimtarisë letrare, të përmasës së saj kontradiktore johistorike dhe të perceptimit subjektiv që ndjekësit e saj vërejnë në forcën thuajse metafizike të shkrimit.

3.

Eskili

Qëllimi kryesor i këtyre faqeve përjashton mundësinë e ndërmarrjes së një hetimi të dyfishtë: nga njëra anë të një shqyrtimi shterues të stilemave të shumta që Kadare thotë se i ka rikuperuar nga leximet vetjake të veprave të Eskilit, Dantes, Shekspirit dhe kolegëve të tij të shumtë, nga ana tjetër, të vendosjes së tyre përgjatë lakores së ndjekur nga poetika e tij më se pesëdhjetëvjeçare. Të gjithë lexojmë të njëjtat faqe, por nuk i “asimilojmë” në të njëjtën mënyrë dhe, për pasojë, nuk krijojmë të njëjtin vizion, siç mund të bëjnë në fakt vetëm ata që bashkëndajnë misterin e krijimit letrar, perceptojnë sekretin dhe ambiguitetin e tij, njohin zhvillimin e dhimbshëm, dramat dhe madhështitë e fjalës së shkruar artistike, kodet sekrete që e ngrenë, – siç vëren me të drejtë Kadare në lidhje me “gjuhën italiane” të Dantes, – nga kusht komunikimi të zakonshëm në një mjet të fuqishëm përmes të cilit shfaqet sublimja, hyjnorja. Prandaj shkrimtarët janë të veçantë, të gjithë pa përjashtim: mënyra e tyre e “leximit” të historisë së letërsisë nuk është e zakonshme dhe sidomos nuk përkon me po atë kënaqësi leximi që bashkon lexuesit e tjerë, të zakonshëm apo me përvojë qofshin. Shkrimtarët mësojnë nga kolegët e tyre, dhe kur binden se janë gati, përkthejnë në gjuhët e tyre vetjake simbolet universale të letërsisë. I tillë ka qenë edhe rrugëtimi i Kadaresë qysh në moshë të re, qysh kur mbeti i mrekulluar nga leximi i Makbethit dhe nga fantazmat që gjeti aty. Më vonë ato shfaqje joracionale gjetën një shëmbëllim emotiv edhe më të mprehtë, por këtë herë energjia e ndërsyer që buronte nga leximi, hasi në përpjekjen kryeneçe të shkrimtarit për ta shtruar dhe për ta mbrujtur atë sipas mënyrës së vet.

Këtë e dëshmon ky fragment i veprës Pesha e kryqit, ku Kadare duke folur për periudhën rinore kur sapo kishte filluar të merrej me letërsi, përshkruan “përvojën” e vet si lexues i veçantë dhe ia beson pasionet e veta letrare së njëjtës botë që ushqente vitalitetin e tij krijues:

“Nuk ishin vetëm gjetjet që më gëzonin, më shumë se ato ishte natyrshmëria me të cilat iu ngjiteshin subjekteve. Si një thirrje instinktive ato ndillnin format, dhe format shfaqeshin qysh në thirrjen e parë. Kishte edhe raste që më mundonin, më ngatërronin, ma bënin mendjen lëmsh, por kjo ishte një torturë e mrekullueshme. Përpiqesha, për shembull, të gjeja një truall të ri, që bashkë me hapësirën të kishte brenda kohën. Tragjikët qenë përpjekur t’i shkrinin por s’kishin mundur, ndaj në pamundësi të kësaj, si një zgjidhje të përkohshme kishin lënë ligjin e tri uniteteve. Dantja i qe afruar më shumë kurse Shekspiri më pas i qe larguar përsëri. Shekspiri kishte bërë zbulesa të tjera. Zot, ky laborator ishte me mundësi të pafundme dhe ty të vinte të thërrisje si i dehur: unë jam i lumtur, unë kuptoj…”.

Dante

4.

Ky “rrëfim” është i rëndësishëm për disa arsye që po i renditim më poshtë: arsyeja e parë është e natyrës historike, pasi ka të bëjë me shqetësimet, jo medoemos intime, të gjysmës së dytë të viteve ’60, mu në kulmin e krizës që fillimisht përfshiu Kadarenë pas ndalimit të Përbindëshit, ndërsa fill më pas i hapi rrugën ringjalljes së tij intelektuale me përpunimin e romaneve të mëdha që shënuan kufirin pa kthim të vizionit të tij të ri poetik. Qysh atëherë – dhe është kjo arsyeja e dytë, do të thosha, e rrafshit estetik – tragjikët grekëme Eskilin në krye, pastaj Dante i ndjekur nga Shekspiri, u bënë frymëzuesit kryesorë të procesit krijues që do të ripërtërijë laboratorin e shkrimtarit. Aty do të ngjizen tekstet komplekse të romaneve kryesore, të gjithë pjella të një mendjeje përpunuese që prodhonte pa pushim forma, struktura, modele duke i shkëputur nga mishi i vet. Pa iu referuar këtyre tri majave të letërsisë së madhe botërore, nuk kuptohet mrekullia tërheqëse dhe konkretësia stilistike, veçantia gjuhësore e mendimit dhe përmasa ontologjike e realitetit që do ta veshin fjalën estetike të Kadaresë me një forcë narrative unike dhe të patjetërsueshme.

5.

Një arsye tjetër që meriton të merret në konsideratë është ajo që ka të bëjë me botimin, pra me aspektin filologjik. Pikërisht kjo arsye përligj edhe më mirë zgjedhjen e përfshirjes në këtë vëllim të vetëm tri eseve në fjalë. Me shumë gjasa shkrimet e tjera do të na e kishin larguar vëmendjen nga ndikimi që ushtruan mbi prodhimin letrar të Kadaresë autorë si Eskili, Dante dhe Shekspiri në momentet e veçanta kur esetë përkatëse u konceptuan dhe u botuan, çka do të ndryshonte ndjeshëm perspektivën kritike mbi veprat e shkruara përgjatë gjysmës së shekullit që na ndan nga viti 1965. Në fund të fundit, nëse Kadare e ka ndjerë të nevojshme t’ia dorëzojë shkrimit vlerësimet për veprat që kanë ndikuar më tepër në formimin e tij, jo vetëm jemi të detyruar të ndjekim projektin e tij spekulativpor dhe ta dekodifikojmë atë në dritën e rrugëtimit të artit të tij. Vetëm duke i lexuar veprat sipas kritereve sinoptike mund të rrokim plotësisht simbiozën e ndërtekstorësisë për të cilën flasin Bachtin dhe Kristeva: edhe tekstet kanë një histori marrëdhëniesh mes tyre, që duhet respektuar në mënyrën më absolute. Për pasojë, nga këndvështrimi i historisë së shkrimit të eseve do thënë se ato u përkasin periudhave të ndryshme, pra pasqyrojnë një prirje shpirtërore të veçantë të autorit në çastin kur ka vendosur t’i shkruajë ato.

Shkrimi i esesë për tragjeditë e Eskilit, për shembull, i përket vitit 1985; u botua për herë të parë si hyrje e vëllimit të tragjedive që Kadare i përktheu vetë në shqipe, ashtu siç kishte bërë Pier Paolo Pasolini me italishten. Ndërsa pesë vjet më vonë, në 1990, teksti i esesë u botua si vëllim më vete. Nga viti 1990 deri më sot kanë dalë botime të tjera me variante jo pa rëndësi që kanë meritën të dokumentojnë evolucionin e mendimit kadarean si dhe punën e pareshtur kritike që i ka lejuar shkrimtarit shqiptar të rishohë fragmentet më të rëndësishme të variantit të parë dhe, ndonjëherë, të bëjë plotësime me vlerë shpjeguese. Ndër to do përmendur leximi kritik i Homerit, me të cilin më 1999 studiuesi francez i historisë greke antike Pierre Carlier ka komentuar shfaqen e parë ekfrastike në mbarë historinë e letërsisë me vargjet e pavdekshme të këngës XVIII të Iliadës ku përshkruhet parzmorja e Akilit. Pikërisht te ky interpretim i Carlier Kadare ka gjetur një dëshmi të jashtëzakonshme të ritit të gjakmarrjes, e prej këtej ka forcuar bindjen se ligjet zakonore shqiptare mund ta kenë prejardhjen nga lashtësia greke.

Ndryshe qëndron puna me dy esetë e tjera, të cilat pavarësisht varianteve tekstore që hasen në botimet e shumta, ruajnë të paprekur të njëjtën arkitekturë, përmbajtje dhe stil, si për të pohuar ndikimin pozitiv të ushtruar nga kushtet e reja politike të Shqipërisë.

6.

Nga këndvështrimi tematologjik gjatë leximit të këtyre eseve bien në sy referimet e vazhdueshme kadareane për raportin e ndërlikuar mes artit dhe realitetit siç na paraqitet ai te veprat e Eskilit, Dantes dhe Shekspirit, duke respektuar kulturat përkatëse, pra “maskën” e tragjedisë antike dhe konceptin trihapsinor të botës tjetër sipas vizionit katolik mesjetar. Për të mos heshtur për temat që e fusin poetikën kadareane në ujërat e realizmit magjik ballkanik, ku bie në sy motivi i kthimit nga bota tjetër (revenant) dhe funksioni prej ndërmjetësi me botën e përtejme që i jepet “fantazmës”, metaforë që pasqyron historinë dhe që Kadare e përdor në mënyrën e bashkëbiseduesve të tij të mëdhenj për t’u përballuar me të shkuarën duke i dhënë asaj “rol të rëndësishëm për çuarjen e kumteve nga njëra botë në tjetrën”.

Shekspir

E ç’mund të thuhet për rëndësinë që Kadare i jep cilësisë që bashkon këta të mëdhenj të letërsisë kur krijojnë personazhe që i marrin nga realiteti dhe i plazmojnë në përputhje me parimin sipas të cilit është në tagrin hyjnor të shkrimtarëve të jenë njëkohësisht krijues dhe të krijuar, ta shohin veten si personazhe mes personazheve, fantazma mes fantazmave, duke u shndërruar edhe ata vetë në gjysmë të vdekur a gjysmë të gjallë! Ç’mund të thuhet për kërkimin e pareshtur të temave rituale antropologjike, si gjakmarrja, besa dhe mikpritja, të sanksionuara në Kanunin e Maleve, që Kadare e interpreton si pjesë e një trashëgimie më të vjetër dhe më të gjerë ballkanike që rrjedh nga bota klasike greke e Orestit dhe që u shtri në mbarë Europën, deri në viset e ftohta të Jutlandit të Hamletit!

Lista e temave të zhvendosura apo thjesht të “rigjetura” nga Kadareja mund të zgjatet edhe më tej, duke përfshirë aty atë të “dyzimit”, që u shfaq te Hamleti në të njëjtën mënyrë si shpikja shekspiriane e “metateatrit” e cila, nga ana e saj, e shtyu autorin tonë të eksperimentonte arkitektura narrative që nuk u përmbaheshin rregullave të realizmit socialist, pa lënë mënjanë reflektimet e thukëta mbi vlerën e gjuhës poetike, duke filluar me italishten e Dantes e cila, mutatis mutandis, ka të njëjtën rëndësi që i jepet shqipes së sotme letrare, e cila pikërisht me veprën e Kadaresë ka arritur majat më të larta të shprehjes artistike. Një temë tjetër e rëndësishme e marrë nga leximi kritik i të mëdhenjve të letërsisë është çështja e ndërlikuar e raportit mes kohës dhe hapësirës, çështje që gjen trajtim të gjerë në veprën narrative të Kadaresë, por që shkrimtari shqiptar nuk ngurron ta trajtojë me ton analitik duke ndërfutur në esenë kushtuar Hamletit një analizë të skicuar paraprakisht te Ftesë në studio për vargjet e Iliadës që rrëfejnë duelin e pavdekshëm mes Hektorit dhe Akilit rrëzë mureve të Trojës: një analizë që duket se zbaton metodën që përdor Zherar Zhënet për veprën e Prustit, të cilin jo më kot Kadare e mban si shkrimtari që ka pështjelluar në mënyrë të ndërgjegjshme rrjedhën kohore të rrëfimit.

7.

Bazuar në gjithë ç’thamë më sipër, është e pamundur të mos ndikohemi nga forca përfshirëse që frymëzon leximi i këtyre eseve, një lexim që mund ta quajmë “autorial” nëse do të mbërrinim ta ndanim nga leximet e tjera, më të thjeshta dhe të zakonshme, më të cilat tashmë jemi mësuar prej konsumit gjithnjë e më të dobët dhe banal të letërsisë së madhe. Në fakt, nëse ia dalim t’i shpëtojmë këtij kurthi, ndoshta edhe ne mund të marrim pjesë në dialogun e heshtur që zhvillohet mes mendjeve të ndritura të letërsisë qysh prej kohëve homerike. E atëherë ndoshta edhe ne si lexues të zakonshëm do të mund të largojmë dyshimet dhe të davaritim mjegullat mistike që fshehin misteret e letërsisë; më në fund edhe ne do të thërrasim të gëzuar: “Unë jam i lumtur, unë kuptoj…”./exlibris/

Hora e Arbëreshëvet, tetor 2017

Përktheu nga italishtja:
Prof. Dr. Blerina Suta

Please follow and like us: