Albspirit

Media/News/Publishing

Endri Shabani: Dinjiteti i atyre që mbrojnë shpenzimet ekstravagante të Etildës

Image

Më ka bërë përshtypje mbrojtja që një pjesë e shoqërisë i bën shpenzimeve ekstravagande të ministres. Sipas tyre ministri duhet të qëndrojë në një hotel të shtrenjtë, sepse vetëm kështu mund të përfaqësohet në mënyrë “dinjitoze”.

Sipas kësaj mendësie dinjiteti caktohet nga sasia e parave (tona) që politikanët shpenzojnë dhe jo nga mënyra se si sillen apo nga vlerat që përfaqësojnë.

Sipas kësaj mendësie vrasësit me pagesë, gjobvënësit dhe trafikantët e drogës apo të vajzave, që me paratë e krimit ia dalin të udhëtojnë first-class dhe bëjnë pushimet nëpër ishuj ekzotikë jetojnë me dinjitet.

Ndërsa prindërit që punojnë ndershmërisht për të mbajtur familjen, por që nuk ia dalin dot të dërgojnë fëmijët me pushime, nuk jetojnë me dinjitet.

Sipas kësaj mendësie, një politikan i korruptuar që ka varfëruar një komb të tërë, duke iu vjedhur paratë e ilaçeve, shkollave, spitaleve apo rrugëve dhe që me paratë e vjedhura ka ndërtuar vila majë kodrave jeton me dinjitet.

Ndërsa një student që krahas shkollës i duhet të rropatet në punë të ndershme (duke bërë edhe nga dy punë), por që e di farë mire se do t’i duhen edhe dy jetë për të blerë një shtëpi, nuk jeton me dinjitet.

Dua t’i kujtoj këtyre “dinjitarëve” se që në origjinën e saj, fjala “dinjitet”, është përdorur për të vlerësuar sjelljen e individëve në shoqëri, përmbajtjen e karakterit të tyre dhe vlerat njerëzore që ata përfaqësojnë.

Dinjiteti i njeriut përcaktohet jo nga paratë që dikush ka në xhep, por nga vlerat e karakterit të tij. Madje në shumë raste paratë dhe jeta luksoze janë provë materiale e mungesës së dinjitetit.

George Washingtoni përshembull konsiderohet si një prej politikanëve më “dinjitozë” në histori, pikërisht sepse vendoste gjithmonë interesin publik përpara komoditetit personal.

Kështuqë, kur të shikoni një ministër të një vendi të varfër që bën jetë luksi me paratë e popullit, quajeni tangërllëk, arrogancë, papërgjegjshmëri dhe gjithçka tjetër, por ju lutem mos e quani sjellje “dinjitoze”.

Please follow and like us: