RILINDJA SI DËSHTIM I PARALAJMËRUAR I NJË NGJIZJEJE JASHTË MITRE
Nga Dr. Astrit Gjunkshi
Shqipëria jonë e ka provuar se mund të lindë njerëz të zotë, burra dhe gra. Ka dëshmuar në histori se mund të rilindë edhe vetë pas periudhash të gjata shterpësie. Mjafton të kujtojmë rilindjen pas pesë shekujsh të sundimit otoman, me shpalljen e Pavarësisë më 1912 dhe krijimin e shtetit të parë shqiptar. Ose, kujtojmë rrëzimin e diktaturës dhe vendosjen e demokracisë në vitin 1992. Edhe pse ajo rilindje e Shqipërisë rezultoi në zhvillime të rëndësishme në forcimin e institucioneve, të ekonomisë, të lirive e të drejtave të njeriut, të rritjes së peshës në arenën dhe institucionet ndërkombëtare, etj, fatkeqësisht, ato mbetën krijesa problematike, si fëmijë të zhvilluar dobët në një familje.
Shkaku duhet kërkuar në performancën e dobët të klasës politike shqiptare në periudhën e tranzicionit, pavarësisht rotacioneve politike midis së djathtës dhe të majtës. Në vitin 2013, ishte PS që erdhi në pushtet me premtimin për Rilindje. Duke shpallur Rilindjen, ajo u zotua të eleminonte gabimet e PD-së, duke garantuar ndërtimin e një Shqipërie që do të njihte progres të shpejtë në të gjithë drejtimet, si në zhvillimin ekonomik, në rritjen e punësimit, në funksionimin eficient të institucioneve, në zhdukjen e korrupsionit, në mbështetjen e shtresave në nevojë, në forcimin e shtetit ligjor etj. Të gjitha këto zotime i kishte parashikuar në një program të detajuar. Produkti më i madh i premtuar nga Rilindja ishte marrja e ftesës për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Është fakt se, Rilindja, arriti disa rezultate në rilindjen e infrastrukturës së qendrave urbane, në reformën fiskale, në promovimin e turizmit për të huajt, etj. Por, përgjithësisht, krijesat e Rilindjes mbetën problematike. Nuk u frenua emigracioni, përkundrazi njohu rritje; punësimi nuk pati ndonjë “bum”; kanabisi mbuloi vendin pavarësisht se u quajt i trashëguar; krimi nuk njohu ulje të ndjeshme, madje u rrit në periudha të caktuara; ekonomia njohu paksa rritje në shifra, por nuk u përkthye në rritjen reale të mirëqenies; institucionet nuk u forcuan dhe korrupsioni mbeti problematik, madje njohu rritjen e faturës për zyrtarët e lartë në sajë të promovimit të projekteve të realizuara si PPP; vazhduan padrejtësitë për njeriun e thjeshtë, të cilët shpresojnë më shumë te emisionet investigative se sa te qeverisja; balancimi i pushteteve rezultoi në një dështim, që solli deri në mbetjen e shtetit pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatën e Lartë, etj.
Disa problematika, qeveria përpiqet t’i justifikojë me mosbashkëpunimin e opozitës, e cila ka natyrisht kusuret e veta. Ajo që bie në sy më shumë se çdo gjë tjetër janë energjitë e shumta që ajo përdor për forcimin e propagandës për arritjet e Rilindjes dhe për të mbuluar ato probleme që rreshtuam më sipër. Si justifikim kryesor përdoret gjithashtu fakti se reforma në drejtësi, që është në progres, do të rrëzojë gjyqësorin e kalbur që PS trashëgoi dhe që ka qenë pengesa kryesore në suksesin e qeverisjes. Ajo që mungon është mungesa e reflektimit për shkaqet e vërteta që pengojnë.
Vetëm dje, për herë të parë në gjashtë vite qeverisje, kryeministri socialist u detyrua të reflektojë para grupit parlamentar të partisë së tij, duke u thënë pak a shumë se “me zullumet që bëni, po vazhduam kështu, do të humbasim zgjedhjet e ardhëshme,” si dhe kërcënoi se jo pak prej tyre nuk do të kandidohen më për deputetë! Në një farë mënyre, kryeministri deklaroi kështu dështimin e Rilindjes së premtuar nga PS.
Me “zullume”, kryesocialisti ka parasysh korrupsionin e madh që fillon nga pushtetarët më të lartë, shoqëruar nga indiferenca e tyre për hallet e popullit dhe padrejtësitë, etja për t’u pasuruar, ndërhyrjet për të fuqizuar klanin e tyre, dhe deri bashkëpunimin me krimin.
Në fakt, kryeministri duhet t’i priste këto zullume. Ishte ai që hartoi listat me kandidaturat që i sollën këta persona në karriget e deputetit. Ai i njihte lidhjet e tyre me korrupsionin dhe deri inkriminimin e tyre, por i përzgjodhi ata si njerëz të fortë që janë në gjendje të kontribuojnë me para personalisht, apo përmes detyrimit të bizneseve; si njerëz të fortë që dijnë të sigurojnë vota, mjaft herë duke i manipuluar apo vjedhur- siç treguan dosjet me regjistrimet për manipulimin e zgjedhjeve të para dy vjetëve; që ngrejnë kartonin jeshil për të miratuar ligjet që propozon qeveria, pavarësisht sa të drejta e të dobishme janë ato për vendin e shoqërinë, etj.
Kuptohet që, deputetë apo zyrtarë të lartë të këtij brumi nuk mund t’i hynin në zemër popullit dhe shoqëria i pa ata si mish të huaj. I shihni veshjet firmato dhe kurimin e zonjave e zotërinjve të mazhorancës që shfaqen në media, ashtu si dhe ato të mazhirancës së djeshme vite më parë ? Përpiquni të gjeni lukun e tyre në ndonjë foto të para gjashtë viteve dhe do të shihni se sa shumë i janë përkushtuar vetes. A mendoni se populli, shoqëria mund t’i gëlltisë bëmat e tyre ? Me njerëz të tillë, përfshirë edhe ndonjë «senator të papërlyer e model» të saj, Rilindja nuk do të mund të lidhej me shpirtin e një populli që, në mjaft familje, është në kufijtë e mbijetesës, dhe shumica nuk shikon ndonjë dritë në fund të tunelit të stanjacionit social.
Prandaj, Rilindja nuk bëri dot që Shqipëria të lindë një krijesë të shëndetëshme. Ajo ka arritur cakun që, pas lindjes së krijesave të dobëta në këta 28 vjet, të arrijë tani në kufijtë e shterpësisë. Rilindja e menduar rezultoi si një ngjizje artificiale, si ngjizjet jashtë mitre, në tubat e fallopit, të cilat dështojnë. Nuk mund të rezultonte në një ngjizje normale në mitrën e kësaj shoqërie me aspirata e cilësi të larta, krejt të ndryshme nga ata politikanë që pretenduan se do të ishin baballarët më të mirë të këtij vendi !
Dhe, është e njohur se, ngjizjet jashtë mitre duhen operuar, në mënyrë që të shpëtojë shoqëria. Të shpresojmë se reforma në drejtësi do të jetë bisturia e sigurt për të kryer këtë operacion, dhe aleatët tanë amerikanë e evropianë do të jenë kirurgët e sigurt e të kualifikuar. Ndërkaq, pasi të marrë veten nga ky operacion, ajo që duhet bërë që Shqipëria të ketë një Rilindje të Vërtetë është që, me ndihmën edhe të aleatëve tanë strategjik, të ndërrohen baballarët e kombit, të zëvendësohen elitat e provuara e të konsumuara deri tani me elita të reja, me njerëz me integritet e profesionalizëm, pavërësisht nga mosha e tyre.
Tiranë, më 10 Shtator 2019
Autori është Doktor i Shkencave për Siguri Globale, mban Master i Shkencave për sigurinë nga Universiteti Cranfield i Britanisë së Madhe, diplomë universitare dhe pasuniversitare në matematikë, është autor librash, shkrimtar, publicist dhe përkthyes. Ka shërbyer si diplomat-Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO.