Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Isuf Musliu: SHKALLA E PËRVETËSIMIT TË NORMËS SË GJUHËS LETRARE TE SHQIPTARËT E DIASPORËS NË ZVICËR (III)

 

 

PJESA E TRETË


Meqenëse shqiptarët që sot jetojnë, punojnë e veprojnë në Zvicër, pjesa dërrmuese e të cilëve shkuan atje për të gjetur punë pas Konsultës Gjuhësore të Prishtinës (1968) dhe pas Kongresit të Drejtshkrimit në Tiranë (1972), ose edhe ata që ishin edhe më herët në Zvicër, përqafuan vendimet e këtyre dy ngjarjeve të rëndësishme historike në fushën e kulturës gjuhësore. Mirëpo, përkundër dëshirës dhe vullnetit për të zotëruar e përvetësuar në shkallë të gjerë normën e gjuhës letrare shqipfolësit e diasporës së Zvicrës u ballafaquan me të njëjtat probleme me të cilat u ballafaquan edhe shqipfolësit e trevave të veçanta të të folmeve dialektore në Kosovë. Ndonëse, në Kosovë ka kushte më të mira e mundësi më të gjera për një shkallë më të lartë të kultivimit të kulturës gjuhësore, sepse këtu është ndërtuar një rrjet i dendur i arsimit, duke filluar që nga shkollat fillore e deri në universitet, institucione të larta shkencore deri në Akademinë e Shkencave e Arteve të Kosovës, mjetet e informimit gojor (radiotelevizioni) e shkrimor (shtypi e revistat e ndryshme), si dhe organet administrative nga bashkësitë lokale e dert te gjyqet e organet më të larta shtetërore siç është Kuvendi i Kosovës, ku kultivohet kultura gjuhësore.

Këto kushte e mundësi nuk i kanë shqiptarët e diasporës në Zvicër. Madje, këtu në Zvicër ndeshim edhe ndërndikime ndërdialektore në mënyrë të ndërsjellë, që në një mënyrë e vështirëson dhe e komplikon çështjen e përvetësimit normal të gjuhës së njësuar letrare.

Mirëpo falë traditës së hershme të gjuhës së shkruar, aktivitetit të palodhshëm e të pandërprerë të shoqërisë shqiptare, brenda atdheut dhe jashtë tij, shqipja letrare u përpunua e gjithnjë, u thellua e u pasurua si gjuhë e kulturës, e shkencës dhe e artit. Si gjuhë e shkruar ajo ishte afruar mjaft, ndaj procesi i njësimit të një gjuhe letrare kombëtare qe një zhvillim i natyrshëm dhe i mirëpritur. Madje, ky njësim u bë një nevojë imperative dhe e domosdoshme e çerekshekullit XX.

“Këtë më së miri e dëshmon fakti se një njësim i këtillë u mirëprit, duke u përqafuar nga të gjitha institucionet shkollore, informative dhe administrative. Që nga viti. 1968, kur u mor vendimi në Konsultën Gjuhësore, të mbajtur më 22 dhe 23 prill, që shqiptarët, të cilët jetojnë në Jugosllavi tani e tutje do të përdorin gjuhën e njësuar të vendit të tyre amë”[1], Rezultatet në përvetësimin e gjuhës së njësuar si normë e gjuhës së shkruar janë evidente. Këto rezultate ndeshen në çdo hap: në shkollë, në procesin mësimor, në administratë, në revista, në shtypin tonë të përditshëm, në teatër, në radio e në televizion. Madje, jo vetëm në trojet autoktone shqiptare, por edhe në diasporë, e cila me solidarizimin e saj në këtë fushë i jep krah dhe forcë morale dhe realizim konkret zbatimit dhe përqafimit të gjuhës së njësuar letrare si një identitet gjuhësor e kombëtar unik në kultivimin e kulturës sonë gjuhësore. Sepse siç thoshte Profesor Eqrem ÇABEJ: “Gjuha pasqyron një kombësi, ajo është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj”[2]. Gjuha “përparon, ndryshon dhe zhvillohet pa pushim, duke u pasuruar, duke u përpunuar e përtëritur me fjalë e kuptime të reja”[3] shpreh realitetin jetësor e kulturor të një shoqërie të caktuar. Mirëpo, përveç sukseseve në zbatimin e plotë të gjuhës letrare na dalin edhe probleme sado të vogla e të imta qofshin ato, të cilave nëse nuk u kushtohet kujdes që nga shfaqja e tyre embrionale ato ntrashen dhe sa më vonë që t’i lëmë aq më vështirë do të evitohen. Prandaj këtij problemi aktual duhet t’i kushtojmë kujdes që nga puna me nxënësit e klasës së parë të shkollës fillore, e madje edhe të parashkollorëve. Sepse “Të gjithë ata që shqipen e quajnë gjuhë të tyre të nënës, të mos heqin dorë nga mbrojtja e saj”[4].

Ky mision shumë i rëndësishëm, në radhë të parë i takon mësuesit e pastaj edhe pjesëtarëve të tjerë të shoqërisë shqiptare me ndikim të ndjeshëm në kultivimin e kulturës gjuhësore dhe zbatimin e normës të gjuhës së njësuar letrare.

Si duhet shikuar e si duhet qasur e trajtuar ky problem gjuhësor?

Problemi në fjalë, që e shtruam si çështje për trajtim, sipas mendimit tonë është problem i mpleksur e i ndërthurur, duke qenë i shoqëruar me një mori faktorësh, që ndikojnë dhe ushtrojnë ndikim te nxënësi fillestar dhe te përdorimi i gjuhës së tij. Ai, përveç ndikimit të drejtpërdrejtë të gjuhës së familjes së tij, të ngarkuar me trajta dialektore të së folmes dialektore prej nga e tërheq zanafillën familja e tij, do të bierë në kontakt të parë me gjuhën e mësuesit dhe edukuesit të vet, të cilën ai do ta marrë si model të gjuhës së shkollës në kundërvënie të së folmes popullore të familjes. Prandaj, mësuesi duhet t’i njoh e t’i luftojë me ngulm provincializmat, nga të cilat lëngon ligjërimi i drejtë letrar i nxënësve të tij. Mësuesi për t’i evituar lokalizmat dhe provincializmat, do të thotë trajtat dialektore, këtu në Zvicër, meqenëse nxënësit shqiptarë janë me origjinë nga treva të ndryshme shqipfolëse të Kosovës apo edhe të viseve të tjera shqiptare, duhet t’i njohë të folmet lokale të fshatrave apo të trevave të ndryshme. Ai duhet të ruhet edhe vetë nga ndikimet e fuqishme të këtyre të folmeve dialektore, ndaj vijimisht, me ngulm e me përkushtim duhet të përpiqet t’i evitojë këto dialektizma, duke pasur gjithnjë si synim parësor përvetësimin e normave të gjuhës letrare, shprehi e dashuri që duhet ta bartë tek nxënësit e vet.

Kjo çështje e zbatimit të normës letrare është sa e gjerë aq edhe komplekse, ndaj ne e shohim të arsyeshme që në fillim ta zbërthejmë në katër çështje të dorës së parë, të cilat edhe mësuesi në kantone të ndryshme të Zvicrës, ku mësimi zhvillohet në gjuhën amtare shqipe, duhet t’i ketë parasysh gjatë procesit mësimor me nxënës shqiptarë në shkollat fillore e të mesme:

Nxënësi dhe e folmja dialektore; Mësuesi dhe e folmja dialektore; Përpjekja e mësuesit në evitimin e dialektizmave dhe përvetësimi i gjuhës së njësuar letrare.

Duke menduar se me këtë përpjekje tonën do t’u ndihmojmë sadopak mësuesve dhe nxënësve tanë që jetojnë e punojnë në diasporën e Zvicrës, do të përpiqemi t’i trajtojmë veç e veç këto katër çështje mjaft të rëndësishme për mbarëvajtjen e mësimit në shkollë dhe për avancimin e kultivimin e kulturës gjuhësore të standardit letrar te nxënësit, mësuesit e me gjerë te inteligjenca shqiptare në diasporën e Zvicrës. Kjo, pastaj do të shërbej si bazë mbështetëse edhe për gjuhën e shkrimit në mjetet e informimit: në gazeta, revista e botime të ndryshme dhe në mjetet gojore: radio e televizion, në tubime letrare e konferenca administrative e politike te shqiptarët mërgimtarë e familjarët e tyre. Me një fjalë do të bëhet gjedhe e variantit letrar.

Mirëpo, kjo nuk varet vetëm nga mësuesi, por edhe nga dashuria e çdo shqiptari për ta mësuar gjuhën e nënës sa më pastër, sa më të bukur e sa më të ëmbël, sepse gjuha është pjesë e atdheut, është vetë identiteti kombëtar i atdheut.

 

Nxënësi dhe e folmja dialektore
Siç e dimë, shqipja pos dy kryedialekteve të mëdha, degëzohet edhe në nëndialekte dhe në të folme krahinore më të kufizuar, të cilat ndikojnë në gjuhën e njësuar letrare kombëtare në dy drejtime:

  1. Në pasurimin e gjuhës letrare me fjalë të rralla e të reja popullore, por të pranuara me kritere të caktuara të strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore të gjuhës letrare kombëtare, do të thotë i shtrohen një përpunimi final, duke i dhënë në këtë mënyrë një fizionomi të një gjuhe të lëvruar të kulturës, artit dhe shkencës.

Shih në punimin e M. Halimit: “Të aktivizojmë leksikun e gurrës popullore”[5].

Një rrugë të tillë duhet ndjekur gjithmonë, sepse gjuha popullore e freskon dhe e njomëson me lëng të ri e dinamizëm gjuhësor gjuhën e shkrimit[6]. Gjuha i takon masës, e jo individit. Ajo nuk paraqet një akt individual, por një akt shoqëror e kombëtar.

Gjuha mësohet nëpërmjet shkrimit, por edhe nëpërmjet dëgjimit, e pastaj fiksohet edhe me shkrim.

Prandaj në sistemin gjuhë krijuese merr pjesë mbarë shoqëria shqiptare brenda trojeve autoktone, por edhe në diasporë. Sepse ekzistenca e çdo gjuhe është e lidhur me ekzistencën e një shoqërie të caktuar kombëtare. Në botë nuk ekzistojnë gjuhë pa ekzistuar gjuhë e kombe. Prandaj, atje ku jetojnë pjesëtarë të përkatësisë kombëtare shqiptare, flitet edhe shqipja, kultivohet e pasurohet kultura gjuhësore shqiptare, siç ndodh edhe me diasporën shqiptare të Zvicrës.

Me këtë vumë në pah se gjuha e shkrimit, gjuha e kulturës, e shkencës dhe e artit nuk mund të qëndrojë e shkëputur nga gjuha popullore, pra edhe nga të folmet dialektore të mërgimtarëve të Zvicrës, të cilët gjithashtu, në radhë të parë e flasin gjuhën e vendlindjes së tyre. Pra, edhe e folmja e tyre merr pjesë në pasurimin e gjuhës letrare, sadoqë ajo është e ndikuar nga të folmet dialektore e ndërdialektore në truallin e ri, ku ata jetojnë e punojnë, duke krijuar një kulturë gjuhësore me tipare të fizionomisë letrare, ata bartin me vete edhe elemente dialektore e ndikime ndërdialektore me dialekte të tjera në kontakt.

  1. Ndikimi gojor i të folmeve dialektore, – që ndërlidhet me individin në mënyrë auditive, duke filluar që nga familja e ngushtë, farefisi i gjerë (lidhjet martesore e miqësore), nga vendbanimi i ngushtë (fshati) dhe nga vendbanimi më i gjerë (krahina) është i pranishëm në shkallë të theksuar, jo vetëm te fëmijët e vegjël (parashkollorë) dhe te nxënësit, por edhe tek intelektualët, mësuesit, nëpunësit e punëtorët e profileve të ndryshme te shqiptarëve të diasporës së Zvicrës. Fëmija mëson të flasë jo nëpërmjet shkrimit, por me anë të rrugëve auditive (të dëgjimit). Ai mëson të flasë në rrethin familjar, e dihet se pjesën dërrmuese të familjeve tona shqiptare në Zvicër e përbën struktura fshatare ose e paarsimuar ose me një arsim të ulët, që kryesisht në gjirin familjar përdorë të folmen dialektore të vendlindjes së vet. Ndaj është krejt e natyrshme që fëmija i tyre, nxënësi i nesërm i nënshtrohet një ndikimi të fuqishëm të gjuhës së familjarëve si në vendlindje ashtu edhe këtu në Zvicër. Që në hapin e parë të ligjërimit të tij, nxënësi ballafaqohet me trajta dialektore, duke mos u përputhur me sistemin e gjithëmbarshëm fonetik, morfologjik e leksikor të shqipes kombëtare.

Të folmet dialektore dallohen dukshëm ndërmjet tyre, jo vetëm në fushën e leksikut e të morfologjisë, por edhe në aspektin e shqiptimit të tingujve e të intonacionit horizontal e vertikal të fjalëve të theksuara, duke krijuar në këtë mënyrë disharmoni muzikore në ritmin e fjalës apo të fjalisë. Do të thotë të folmet dialektore në marrëdhëniet e tyre ndërdialektore këtu në Zvicër, dallohen edhe nga ritmi i tyre e tempoja e fjalisë, nga njëra anë, por edhe nga gjuha e njësuar letrare, të cilën mërgimtarët për respekt, dashuri e nostalgji ndaj saj, përpiqen ta përvetësojnë në shkallë të gjerë, nga ana tjetër.

Kështu fëmija deri në moshën shtatëvjeçare, kur bëhet nxënës i klasës së parë të shkollës fillore, ai pothuaj krijon sistemin e tij gjuhësor nën ndikimin e rrethit familjar. Ky ligjërim i tij ka ngjyrim të së folmes, dialektore provinciale. Të gjithë folësit e një treve dialektore flasin një të folme të përbashkët. Kjo e folme bëhet normë e tyre individuale, familjare e provinciale, sepse çdo pjesëtar që përpiqet të flasë ndryshe, në një të folme tjetër bie menjëherë në sy nga mjedisi, të cilit i përket, ndaj zgjon kërshëri, habi e momente qesharake për pjesëtarët e tjerë të kësaj treve gjuhësore, nuk dëshiron të dalë nga individualiteti dhe nga individualizmi provincial, por ndjek të njëjtën rrugë të të gjithë bashkëvendësve të vet.

Për të qenë më të qartë për këtë që thamë deri më tani, po sjellim shembuj konkretë të të folmeve dialektore të Kosovës, të cilat reflektohen edhe te shqipfolësit e diasporës së Zvicrës, varësisht nga zanafilla e tyre se cilës së folme dialektore i takojnë. Çfarë të folme dialektore flasin prindërit, atë të folme e flasin e nxënësit fillestarë, prandaj mësuesi ka punë të shumëfishtë që ta mbjellë te nxënësit e vet variantin e gjuhës së njësuar letrare kombëtare.

Shqipfolësit e Moravës së Poshtme dhe të Moravës së Epërme përdorin në të folmen e tyre shkrirjen e dj = xh dhe tj = ç

Trajtat: xhalë, xhath, xhë, parxhë, me xhegë, xhegs (mbiemër), Xheksinë (si top.); açe, çetër, parçetrixhë, pi açehit etj. Për këtë të folme janë norma, që u përmbahen të gjithë shqipfolësit e kësaj treve, e në qoftë se ndonjëri nga shqipfolësit e këtyre trevave përdor trajtat e drejta letrare: djalë, djath, dje, pardje, me djegë, djegs, tjetër, partjetridje, prej atjehit, etj, të cilat janë në përdorim edhe në të folmet tjera, menjëherë tërheq vërejtjen e vendësve, duke shkaktuar një habi, një të folur jonormal për ambientin, ku gjendet shqipfolësi, i cili me të folmen e tij dallohet nga e folmja e folësve dialektorë, ndaj ai ngurron të përdor forma të tjera, përveç atyre trajtave që janë në përdorim në trevën e tij.

Përdorimi i emrave në trajtat dialektore, të cilët në trajtën e shquar në vend të mbaresës – u – marrin mbaresën – r, duke ndërfutë edhe një v antihiatizuese si për shembull: ka-kavi, vlla-vi, shka-vi, va-vi, (va-vau ose vaja), dhe-dhevi, sbi-shivi, i ri-i rivi, i zi-i zivi, si mbiemra dhe aoristi i vetës së dytë: pae, rae, thae, dhae, lae, etj, që në trevat e tjera i ndeshim në një è të hapët, si: pè, thè, dhè, lè, etj.

Po kështu në këtë të folme një mori kryesisht emra me origjinë orientale, i ndeshim të shqiptohen me një a të gjatë, si: dynja;, hata:, hala:, çira:, fukara:, mera:, mana:, temena:, riza:, rixha:, xheza:, etj. Që ky fenomen fonetik shtrihet edhe në Karadak, në Podrime e arrin deri në Lumë dhe te shqiptarët e Maqedonisë perëndimore. Këtë fenomen e bartin me vete edhe shqiptarët e Maqedonisë perëndimore. Këtë fenomen e bartin me vete edhe shqiptarët e diasporës së Zvicrës, të cilët e heqin zanafillën e tyre nga ky areal dialektor. Mirëpo, nëse shqipfolësit mërgimtarë në Zvicër e heqin zanafillën e tyre nga gallapi, Llapi, Rrafshi i Kosovës, Shala e Bajgorës, Drenica e Rrafshi i Dukagjinit atëherë ndeshim trajtat me një e të hapur fundore: dyjè, kalè, halè, hatè, çirè, fukarè, merè, manè, temenè, rizè, rixhè, xhezè, etj: (shih te Halil Kajtazi)[7].

Ndërkaq, në të folmen e Tërnocit folja me ndejtë në aorist përdoret: rrijta, rrijte, rrijti, kurse në të folmet e Moravës folja e parregullt me ndejt-rrij ose me ra – me pa-shoh, etj: në kohën e pakryer (imperfetin) i ndeshim në trajtën: nejsha (nejshna), rasha e rajsha, pasha e pajsha etj. Ndërkaq, në Gjakovë, në Pejë e në rrethinë ndeshim trajtat provinciale të foljes me dhenë: ma ka japë, ja kam japë dhe në aorist: ja japa, ja jepe, ja jepi, etj.

Kurse në të folmet e Drenicës, të folmet e muhaxhirëve të Kosovës: ja dha, nuk ja dha, ta dha, nuk ta dha, ose në vend: ia jap, nuk ta jap etj.

Ndërkaq, në të folmen e Llapit e Gallapit konsonantet sh, zh, z në pozicionin parashtesor i ndeshim të shqiptohen si: ç, xh, x; me çkrue, me çkoç, me çprish; me xhba, me xhvosh, me xhderdh; me xgat, me xbardh, me xgidh (xgodha)”[8], etj.

Dallime të mëdha ndeshim edhe në artikulimin e zanores o, e cila në Gallap, Llap e Drenicë shqiptohet me prirje drejt e-je, që mund ta shënojmë me një o, si: löp, möll, shköll, boll, flök, bör, mötër, vötër, me körr, etj. Ndërsa o-ja në të folmen e Karadakut dëgjohet si o-me prirje drejt ë-së, nazale, si dr:ni, d:ni, përxh:st, etj që e ndeshim edhe në të folmen e Rrethit të Bjeshkës e të Kabashit të Prizrenit dhe në të folmen e Tetovës dhe të Lumës.

Ndërsa në të folmen e Tërnocit e të Preshevës y-ja shqiptohet si i: fiti, sini, ymiti, (fyti, syni, ymyti, tlyni), dukuri të cilën e ndeshim edhe në të folmen e Tetovës, si: çip (qyp), çirik (çyryk), dizen (dyzen), mizhde (myzhde), misafir (mysafir), mishteri, shiqir[9], etj.

Kështu fëmija duke u rritur në këtë ambient të ngarkuar me provincializmin, i përvetëson këto trajta dialektore, të cilat pastaj i bart në shkollë si nxënës. Këto forma duhet evituar, por si e në ç’mënyrë?

“Variantin e shqiptuar të gjuhës letrare nxënësi e gjen te fjala e mësuesit, te gjuha e radios, teatrit dhe kinemasë edhe në bisedën e përditshme gjatë jetës e punës në shoqëri e familje”[10].

Në përvetësimin e shqiptimit të drejtë të fjalëve, model ideal për nxënësin është mësuesi. Prandaj, mësuesi duhet të ruhet shumë nga ndikimet provinciale e dialektore, që ushtron në të, rrethi ku jeton, punon e vepron, madje jo vetëm në vendlindje e në atdhe, por kudo që e ushtron profesionin e mësuesit si arsimues vendlindje e në atdhe, por kudo që e ushtron profesionin e mësuesisë si arsimues dhe edukues i brezave të rinj, pra edhe në kantonet e diasporës së Zvicrës, ku mësuesit shqiptarë ligjërojnë në gjuhën e standardizuar letrare kombëtare. Punë kjo, me të cilën ata i bëjnë një shërbim të mirë avancimit, përsosjes dhe përkryerjes së kultivimit të kulturës gjuhësore edhe në diasporë ashtu siç i kontribuuan dikur shoqëritë e kolonive shqiptare shqipes së shkruar letrare anembanë rruzullit tokësor, ku gjendeshin ato, ashtu edhe diasporat e sotme me veprimtarinë e dendur arsimore – kulturore i ndihmojnë shumë çështjes së zbatimit të normës letrare.
Mësuesi dhe e folmja dialektore
Mësuesi duhet ta njohë dhe ta flasë mirë gjuhën e njësuar letrare. Ai duhet të ketë kulturë të përgjithshme gjuhësore, duke zotëruar kulturën gjuhësore të të shkruarit dhe të te folurit, ai ngrihet mbi të folmen dialektore[11].

Gjuha letrare mbështetet në ligjërim, në të folur, e pastaj ajo fiksohet edhe me shkrim. Duke qenë gjuhë e shkruar, gjuha letrare arrin të kualifikohet si gjuhë standarde për mbarë shoqërinë tonë kombëtare shqiptare. Gjuha letrare ka marrë për bazë elementet kryesore të dy kryedialekteve të shqipes, elemente këto, që organikisht mund t’i pranojnë të gjithë pjesëtarët e trevave të caktuara gjuhësore, gjuha letrare si gjuhë standarde kombëtare është më e afërt, sepse e folmja e tyre dialektore qëndron më afër gjuhës së shkruar, ndërsa për një pjesë tjetër, gjuha letrare qëndron më larg, prandaj ata duhet ta mësojnë gjuhën letrare kombëtare për hir të njësimit të saj, duke respektuar moton e Konsultës Gjuhësore (1968): NJË KOMB NJË GJUHË.

Gjuha nuk mësohet si të gjitha lëndët e tjera mësimore, por në këtë rast për të mësuar mirë gjuhën e njësuar, duhet futur brenda në gjuhë, në strukturën e saj fonetike e morfologjike, jo vetëm duke zotëruar kulturën e shkrimit, por edhe kulturën e ligjërimit të përditshëm bisedor e ligjërimor.

Mësuesi, përveç leximit të teksteve, të veprave të revistave e të shtypit të përditshëm, para nxënësve duhet të flasë në gjuhën e njësuar kombëtare. Nëpërmjet intonacionit, mësuesi formulon fjalinë dhe në të fut frymën e personalitetit të tij, sepse po nuk pat ndjenja afektive në fjali, ajo nuk kuptohet në shkallën maksimale. Gjatë ligjërimit në gjuhën letrare, nuk është e mjaftueshme që mësuesi t’i respektojë vetëm rregullat drejtshkrimore, por duhet pasur parasysh edhe vlerat fonologjike e drejtshqiptimore të fjalëve. Çdo fjalë ka ritmin e vet, intonacionin horizontal dhe vertikal, nga njëra anë, dhe çdo tingull ka mënyrën e vet të veçantë të artikulimit dhe të shqiptimit, zanoret kanë kuantitetin – gjatësinë dhe shkurtësinë e tyre, ndeshemi me theksin e rrokjes, të fjalës dhe të fjalisë, nga ana tjetër.

Të gjitha këto komponente mësuesi duhet t’i ketë parasysh, si ai në Kosovë, si në Zvicër, ku ligjëron në gjuhën e standardizuar letrare, sepse ai duhet ta ketë të qartë se nxënësit e mësojnë gjuhën më lehtë e më drejtë nëpërmjet ligjërimit sesa nëpërmjet shkrimit. Të shkruarit e gjuhës është rezultat i të folurit, ndaj më parë duhet mësuar të flasim pastaj ta shkruajmë gjuhën drejt e pa gabime. Pra, mësuesi duhet të ruhet nga trajtat dialektore, sepse “si në të gjitha gjuhët e tjera, edhe në gjuhën shqipe sot dialektet janë mbeturina të etapave të mëparshme të zhvillimit historik, nëpër të cilat ka kaluar populli ynë gjatë shekujve”[12].

Nga kjo që u tha më lart del se do të vijë koha e tretjes dhe e zhdukjes së dialekteve. Dialektet u formuan para lindjes së kombit, duke banuar popullsia në vise dhe në krahina të izoluara nga komunikacioni e marrëdhëniet e përbashkëta tregtare, ekonomike dhe politike. Mirëpo, sot “e rëndësishme është se tashti dialektet vihen në raporte varësie ndaj gjuhës letrare, që është forma më e lartë e gjuhës së përbashkët kombëtare”[13].

Gjuha letrare kombëtare përfaqëson një sistem të veçantë, që dallohet cilësorisht prej dialekteve, ajo nuk përputhet plotësisht as me atë dialekt, që përbën bazën dialektore të saj, por megjithatë, nuk duhet menduar se është krejt e ndryshme prej dialekteve, sepse edhe ajo mbështetet mbi strukturën e përbashkët të gjuhës së popullit, të formuar gjatë shekujve.

Duhet pasur në shqyrtim faktin se “Gjuha e sotme letrare shqipe nuk është një amalgamë heterodialekto i bazuar në fonetikën dhe gramatikën, ku janë njësuar elemente strukturave të dy dialekteve mbi një bazë leksikore të përgjithshme”[14].

Prandaj, përdorimi i trajtave lokale, ndikimi i formave dialektore te mësuesi paraqet një neglizhence intelektuale në fushën e kultivimit të kulturës gjuhësore. “Përdorimi i dialektit nga ana e mësuesit në shkollë do të ishte anakronizëm, sepse në ketë mënyrë gjuha dialektore e mësuesit do të binte në kontradiktë me gjuhën letrare të tekstit e të librit dhe nxënësi do të ndodhej kështu përpara një situate që do të çorodiste. Nxënësi duhet të gjejë te mësuesi modelin e përdorimit të gjuhës letrare në shkrim e në e në të folur”[15].

Këtë rol shumë të rëndësishëm e vendimtare duhet ta luaj shkolla – shpirti i së cilës është jo vetëm mësuesi i gjuhës, por i tërë kolektivi pedagogjik. Sepse gjuha letrare nuk është vetëm pronë e detyrë e arsimtarit të lëndës së gjuhës, por e të gjithë arsimtarëve, e të gjithë intelektualëve, shkrimtarëve e gazetarëve, etj.

Përkundër këtyre momenteve qenësore në përvetësimin e gjuhës letrare, mësuesit tanë nëpër shkolla tetëvjeçare janë të ndikuar nga të folmet dialektore, duke qenë shumë neglizhentë në përpjekjet e vazhdueshme për evitimin e tyre. Një numër i konsiderueshëm në shkolla, përdorin dy variante gjuhësore.

  1. Variantin e gjuhës së shkruar në tekstet shkollore. Këtë e përdorin kur kanë të bëjnë me leximin e teksteve në fjalë dhe 2. Variantin e gjuhës letrare të ngarkuar me lokalizma, provincializma e trajta dialektore. Ky variant kaotik përdoret gjatë shpjegimit të mësimit, komentimit të ndonjë cope leximi; ritregimit e bisedimit gojor.

Këto dy variante, që bien ndesh me unitetin e gjuhës së tekstit të shkruar dhe të ligjërimit gojor nga ana e mësuesit, krijojnë divergjenca gjuhësore te nxënësi. Nxënësi në këtë rast, gjendet para një dileme: është e drejtë trajta e shkruar në tekst, apo trajta e shqiptuar nga ana e mësuesit? Meqenëse nxënësit kanë mësuar të flasin prej prindërve të tyre nëpërmjet dëgjimit, e jo nëpërmjet shkrimit, edhe në këtë rast ndikimi i ligjërimit bisedor të mësuesit, te nxënësit është më i madh sesa ndikimi i teksteve. Në tekste kemi të bëjmë me simbole tingujsh, fjalësh e fjalish, ku mungon intonacioni horizontal e vertikal, ndërsa në ligjërimin e mësuesit, nxënësi dëgjon dhe shijon, jo vetëm kuptimin e afektin, gjendjen shpirtërore të njeriut që flet para tyre, do të thotë ky ligjërim është në kontakt të vazhdueshëm të shumë faktorëve nëpërmjet të cilëve realizohet të folurit autentik.

Jo vetëm te mësuesit, por edhe te mbarë intelektualët ndeshim ndikimet dialektore më të shpeshta në tri fusha të ligjërimit: në fushën e fonetikës (drejtshqiptimit), të morfologjisë dhe të leksikut.

  1. Në fushën e fonetikës – ndeshim ndryshime fonologjike dhe fonetike dialektore. Për shembull një pjesë e intelektualëve të Moravës së Poshtme, qoftë ai edhe mësues në Kosovë, por edhe këtu në Zvicër, nëse e heqin zanafillën e vet nga kjo trevë dialektore tek ai do të ndeshim shqiptimin e një u-je të shkurtër te fjalët: i shkurt, pushim i shkurt, dru t’shkurta, në vend të i shkurtër. Me o të shkurtër disa fjalë në disa treva të Kosovës (Llap, gallap, etj): i vogël, t’vogël, në vend të shqiptimit me një o: të gjatë: i vogël dhe të apo i egër, t’egër, t’egjër me një e të shkurtër në vend të e-së gjysmë të gjatë: i egër, të egër; të egjër. Përdorimi i disa mbiemrave participorë në trajta lokale: i pjekum, i pasum, i dashum, i terum etj, ku u-ja gjithashtu është e shkurtër në vend të trajtave: pjekur(n), i pasur(n), i dashur(n), i tretur(n).

Një è të hapur e ndeshim në një numër fshatrash (Përlepnicë, Dajkoc, Muçivërc, Roganë, Hodanoc, Koretin, Topanicë) të Moravës së Poshtme: me mjèll, me zgèdh, thèrra, kèrri, zhgèdha, etj, që ka një shqiptim shumë të shëmtuar e të larguar nga gjuha letrare[16], dukuri të cilën e ndeshim edhe në të folmen e Kaçanikut[17].

Kështu pra ndikimet të të folmeve dialektore te mësuesit e Moravës së Poshtme dhe të Moravës së Epërme mund të jenë edhe në ligjërimet e tyre: xha:l, xhat(xha:th), xhe, parxhe; çetër, açe, pi açehit, açehja, por edhe çier (tjerr) dhe mushçerrë (për mushtjerrë).

Ndërkaq, në fshatrat e Gallapit ndeshim në shqiptimin e një o-je të shtypur me prirje drejt ë-së, si: shköll, möll, lyp, flök, tök, töpi, etj, dukuri kjo që shtrihet edhe në Llap e Drenicë.

Ndërsa në Llap e në Drenicë ndeshim në një i të alternuar në e, i e, si: m’u shtre (shtrirë), pite e shtreme, në vend të: m’u shtri, pite e shtrirë (e shtrime). Edhe këto trajta largohen bukur shumë nga gjuha e njësuar letrare. Kjo dukuri është një relikt i hershëm gjuhësor, kur i-ja shqiptohej si e që ndeshim edhe te Formula e Pagëzimit – sperti shperti (për shpirti) apo Balldreni[18], (nga ballë+Drini), fshat në afërsi të Lezhës, që sipas E. Çabejt në veri, nuk përmban kuptimin e elementit ballë “mal”, po në pajtim me pozitat e atij vendi, do të thotë përballë Drini[19] apo buzë Drinit, në breg të Drinit, siç e ndeshim Bregbunë e bregbunas.

Në fshatrat e Karadakut ndeshim shqiptimin e një y-je, me prirje drejt ë-së si: sini, dröni, gjasa, atöne, ktöne, e shtöne, e pshtöni, froni (era, rröma; e myti rröma), që e ndeshim në fshatrat: Dunav, Stançiq, shurdhan, Stubëll e Epërme[20]. Dukuri e cila shtrihet në krahinën e Lumës[21], në Gegërinë e mesme, Malësinë e Krujës, në Mat, Dibër, Bulqizë, në krahinën e Mirditës e të Grykës së Madhe të Dibrës[22].

Në këtë trevë nuk shqiptohet gjithashtu grupi konsonantik fsh, por f-ja nistore bie krejtësisht, si: rrăfshinë, me rrăfshitë, koshë[23], për rrafsh, rrafshinë, me rrafshue, kofshë. Këtë dukuri e ndeshim edhe në mënyrën dëshirore: kosha, koshi, koshim, koshi, koshin për: qofsha, qofsh, qoftë, qofshim, qofshit, qofshin. Si duket ky fenomen ka një shtrirje të gjerë gjeografike, duke filluar që nga fshatrat e Karadakut të Bujanocit e Gjilanit kalon nëpër Kaçanik e nëpërmjet fshatrave malore të Ferizajt vazhdon deri në Rrethin e Bjeshkës[24], e arrin deri në Nikaj Mertur[25], e shtrihet edhe në Theth, Kastrat, Pukë, ndërpritet te krahinat Krasniqe, Gash, Bytyç e Tropojë[26] e deri tek e folmja e Ragamit[27].

Ndërkaq, në fshatrat e Preshevës e të Bujanocit nuk ekziston fare y-ja në e sistemin zanor, por është depalatizuar në i, si: u kthin, qish, gjinah, shiqir, kri, sit, di, t’misin[28], etj.

Në fshatrat e Moravës së Epërme diftongun ie nuk e ndeshim të shqiptohet në fjalët: me repë, me rredhë, dhetë, në vend të: rjepë, rrjedhë, dhjetë: Këtu diftongu ie është reduktuar në e, dukuri të cilën e ndeshirn në disa fshatra të Karadakut të Gjilanit dhe të Karadakut të Shkupit, por që ka shtrirje më të gjerë, duke përfshirë gjithkund togun iee, si: beshkë, veshtë, po be borë, me mellë, me melë, me pellë, vet, etj; në vend të: bjeshkë, vjeshtë, po bje borë, me mjellë, me mjelë, me pjellë, vjet (vit)[29], etj.

Në mbarë kosovarishten ndeshim kthimin e guturaleve palatale apo afrikate q me ç dhe gj me xh[30].

Në të folmet dialektore ndeshim fjalë, ku u-ja e patheksuar bie krejtësisht për shembull: vetlla, petlla, lepri, hekri, poplli, kumlla, nersjetlla, sumlla etj. Mësuesi nuk duhet t’i përqafojë këto trajta, por duhet të ketë kujdes, sepse fjala është gjymtuar për një rrokje, t’i shqiptojë besnikërisht, duke respektuar parimin fonetik dhe drejtshkrimor, pra: vetulla, petulla, lepuri, populli, kumbulla, ndërsjetulla, sumbulla, etj.

 

  1. Ndikimet morfologjike

 

Ndër tipare të të folmeve shqipe të Kosovës nga sistemi foljor hyn përdorimi i mbaresës – ke në vetën e tretë të së pakryerës (imperfektit) në mënyrën dëftore si: lypke, dilke, shkojke, punojke[31], etj. Përdorimi i foljes me pasë dhe me qenë në vetën e parë shumës kena (kemi + na) dhe jena (jemi +n), në vend të trajtave të drejta kemi dhe jemi. Përdorimi i disa foljeve të parregullta në trajta të padrejta, për shembull: me ardhë, me ra, me ndejtë në disa treva gjuhësore (shih, Morava e Epërme, Morava e Poshtme, e ndonjë tjetër – Karadaku), në të pakryerën (në imperfekt) përdoren në këtë fizionomi: ardhshna, ardhshe, ardhke; ardhshmi, ardhshi, ardhshin, rashna, rashe, rashke (rajke); rashmi, rashi, rashin; nejshna, nejsha, nejke, nejshmi, nejshni, nejshin; në vend të trajtave të drejta në gjuhën e njësuar letrare: vija, vije, vinte; vinim; vinit; vinin; vinin; bija; bije; binte; binim; binit; binin; dhe rrija; rrije; rrinte; rrinim; rrinit; rrinim. Pra, siç shihet nga shembujt e mësipërm këtu nuk kemi ndryshime parciale, por kemi ndryshime rrënjësore, sepse folja me ardhë shprehet në zgjedhimin e dëftores së imperfektit me foljen vij, ndërsa folja me ra me foljen bie dhe folja me ndejtë me foljen rrij. Kështu në fshatin Tërrnoc të Bujanocit e ndeshim foljen e parregullt me ndejtë në të kryerën e thjeshtë (aorist) në formën: rrijta, rrijte, rrjti, rrijtëm, rrijtët, rrijtën, në vent të: ndejta, ndejte, ndejti, ndejtëm, ndejtët, ndejtën.

Përdorimi i përemrave dëftorë: ktina, atina, ksajna, asajna, në vent: përdorimi i përemrave pronorë: i joni, i joti, i juvi në vent të: yni, yti, i juaji, jonë per tonë,; shpisë jonë, babes jonë. (Prizren, Deçan) në vend të: shtëpisë tonë, babës tonë, etj.

Pothuaj në mbarë Kosovën, me përjashtim të Moravës së Poshtme e ndonjë treve tjetër, ndeshim mbiemrat participorë që përfundojnë me konsonanten n në vend të m-së, që duhej përdorur në dialektin gegë ose në r, që tani duhet përdorur në gjuhën e njësuar: e shkruNE, e punuNE, e LëshuNE, e rrxuNE, e livruNE, e lyNE, e ngjyNE, e thyNE, e nxiNE, etj dh i nxiNË, i shtriNË, i mërdhiNË, i punuN, etj.

Po kështu në të gjitha të folmet e Kosovës ndeshim disa emra që u mungon trajta e pashquar, por kanë vetëm trajtën e shquar, si: shati, bari; kali; guri; deti; helli; fieri; shtiri, etj; që si duket kanë ndjekur rrugën e analogjisë së foljeve; repi, kepi, mjeli, mjelli, vjedhi, hjeki, etj; që përdoren në të folmet popullore në vetën e parë të së tashmes (prezentit).

Këta emra në të folmet e Kosovës i ndeshim në këtë fizionomi: ni shati, n’bari, n’kali, n’guri, n’deti, n’helli, n’firi, n’shtiri, etj. Mirëpo, në këtë mes bëjnë përjashtim disa fshatra të Podgurit të Pejës (Radafc), ku përballë trajtës së shquar, ndeshim edhe trajtën e pashquar: lopa han bar, unë prashiti me shat, bjere ni kalë dru[32], etj.

Të gjitha këto të folme dialektore ndikojnë vazhdimisht te mësuesi, sepse ai gjendet i rrethuar nga pjesëtarët e paarsimuar të të folmeve dialektore.

Mësuesi nuk duhet t’i përdorë këto trajta dialektore, por duhet të luftojë me ngulm që t’i çrrënjos në të folurit e tij personal, e pastaj t’i luftojë këto trajta dialektore edhe te nxënësit e tij me qëllim evitimi.

E folmja dialektore nuk duhet të ndikojë te mësuesi, por mësuesi duhet të ndikojë me gjuhën e vet të njësuar letrare te nxënësit e te rrethi ku ai jeton, vepron e punon.

Pra, mësuesi duhet të ngrihet e të dominojë mbi të folmen lokale. Duke u ngritur kështu mbi të folmen dialektore, mësuesi me kultivimin e vazhdueshëm të kulturës gjuhësore të variantit letrar ndikon edhe te nxënësit e vet.

Prandaj, në këtë gjendje para mësuesit shtrohet si detyrë parësore që të luftojë më tepër se kurdoherë, me vullnet e përkushtim të veçantë, për zhveshjen e gjuhës së vet personale nga trajtat e çoroditura lokale, e pastaj t’i luftojë ato edhe në gjuhën dhe fjalorin e nxënësve të tij, duke ngulitur te nxënësit normën e gjuhës së përbashkët letrare.

 

Përpjekjet e mësuesit në evitimin e trajtave dialektore në ligjërimin e nxënësve

 

Meqenëse gjuha letrare konsiderohet njëkohësisht edhe gjuhë standarde kombëtare e shtetërore, masa e përgjithshme intelektuale në komunikimin e tyre qoftë në të folur, qoftë në të shkruar duhet të përdorë në të gjitha fushat e aktivitetit jetësor gjuhën e standardizuar letrare, pra kjo është detyrë dhe obligim edhe i mësuesit, i cili në procesin e tij mësimor te nxënësit e vet duhet të ndikojë në evitimin e trajtave dialektore të tyre. Këto ata i bartin nga familjet e tyre dhe nga trevat e tyre të lindjes apo të prindërve të tyre.

Gjatë evoluimit të gjuhës së njësuar letrare gjithmonë merret për bazë një dialekt, i cili është i përshtatshëm i afërt dhe i kutueshëm për të gjithë pjesëtarët e një kombi, apo i cili është më i përpunuar, më i afirmuar dhe në të cilin janë shkruar vepra dhe dokumente në gjuhën shqipe. Ndërsa, pjesëtarët e dialekteve të tjera duhet të bëjnë përpjekje, jo vetëm ta mësojnë këtë gjuhë, duke iu afruar gjuhës letrare, por edhe ta duan dhe ta ruajnë gjuhën tonë të bukur. (Gjovalin Shkurtaj)

“Të gjithë ata që shqipen e quajnë gjuhë të tyre të nënës, të mos heqin dorë nga mbrojtja e saj…” (Sh. Demiraj).

Gjuha është mjeti kryesor i kumtimit dhe i të kuptuarit të ndërsjellë midis njerëzve të gjallë, prandaj çdo përparim i shoqërisë njerëzore, çdo shpikje, zbulim apo krijim i mendjes dhe i dorës së njeriut, nuk mund të mos pasqyrohet edhe në gjuhën apo në të folurit. Pra, kur thuhet se gjuha është një organizëm i gjallë, kemi parasysh se ajo nuk qëndron gjithmonë e njëjtë dhe e pandryshuar, por “ajo përparon dhe zhvillohet pa pushim, duke u pasuruar, duke u përpunuar e përtëritur me fjalë e kuptime të reja, me togfjalësha të rinj, me mënyra të thëni ose terma të përshtatshëm që t’u përgjigjen sa më mirë nevojave të reja kumtuese e shprehëse të shoqërisë përkatëse”[33].

Prandaj, mund të themi se gjuha është vetëm një mjet i shoqërisë njerëzore, një mjet për të kumtuar e për të transmetuar përvojën dhe të arriturat e saj nga një brez tek brezi tjetër, nga një vend ekonomiko – shoqëror tek tjetri si një mjet komunikimi i stabilizuar. Kultura gjuhësore është pjesë përbërëse e ngritjes së kulturës dhe civilizimit të një populli, prandaj: “kultura e gjuhë është e domosdoshme për çdo shkrimtar, për çdo gazetar, për çdo intelektual, për çdo njeri. Ai që nderon gjuhën, nderon atdheun. Përpikëria, qartësia, thjeshtësia dhe koloriti i gjuhës janë aq të nevojshme për çdo shkrimtar, sa gjithë veglat e punës për punëtorin”[34].

Njeriu dallohet nga të gjitha krijesat e gjalla të natyrës me dhuntinë e të folurit të logjikshëm, duke qenë i vetëdijshëm për atë se çka thotë vetë, por që njëkohësisht që ta kuptojnë edhe të tjerët se çfarë efekti bëjnë fjalët dhe mendimi i tij në botën shpirtërore të të tjerëve, prandaj: “Të folurit e bukur është dhunti e dhuntisë, është dëshmi e ngritjes shpirtërore, morale, logjike, sociale dhe e përparimit të përgjithshëm kulturor të çdo njeriu. Prandaj, pasuria apo varfëria gjuhësore është shprehje jo vetëm e prirjeve dhe e shkathtësive të njeriut, por në radhë të parë e kulturës së tij shpirtërore”[35].

Gjatë evoluimit të gjuhës së njësuar letrare gjithmonë në mbështetje të toskërishtes dhe gegërishtes, ajo ka ecur përpara.

Duke i gërshetuar këto dy dialekte në mënyrë të natyrshme të njësimit të plotë, gjuha e njësuar letrare është ngritur mbi trajtat dialektore, duke u bërë një gjuhë standarde e kombit.

Pjesëtarët e të folmeve lokale e provinciale duhet të mësojnë këto gjuhë, duke iu larguar së folmes së tyre lokale, ato i afrohen gjuhës së njësuar letrare[36]. Mirëpo me këtë rast na dalin këto probleme thelbësore:

  1. Krijimi i sistemit të të folmeve dialektore, ndikon dukshëm në përqafimin e shpejtë të gjuhës së njësuar letrare,
  2. Ndikimi i vazhdueshëm mjedisor
  3. Identifikimi me të folmen e mjedist dhe
  4. Përpjekja për t’u larguar nga e folmja lokale dhe për t’iu afruar gjuhës së njësuar letrare.

Këto katër çështje që shtruam këtu, kërkojnë shqyrtim të veçantë secila prej tyre. Pra, do të ndalemi veç e veç në secilën prej tyre:

  1. Pjesëtarët analfabetë të një të folmeje dialektore kanë krijuar një sistem gramatikor të normave të ligjërimit, të cilat ata i kanë trashëguar brez pas brezi, duke i përmbajtur edhe tani në mënyrën më autentike gjatë ligjërimit bisedor të tyre në jetën c përditshme. Ndërsa, fëmijët, nxënës të klasave të para të shkollës fillore deri në moshën shtatëvjeçare gjenden nën ndikimin e drejtpërdrejtë të prindërve të tyre. Ata tani kanë filluar të krijojnë sistemin e ligjërimit të tyre të ndikuar nga sistemi i së folmes lokale dhe dialektore. Në këtë drejtim, nxënësi formon mënyrën e vet të ligjërimit nën ndikimin e drejtpërdrejtë të së folmes lokale, tani atij i duhet të bëjë përpjekje maksimale që të dalë nga organiteti individual i së folmes lokale, e të përqafojë organitetin e gjuhës së njësuar letrare kombëtare.

Kjo pengesë ekziston për ta tejkaluar. Çdo pengesë mund të tejkalohet, të mbizotërohet nëse tek individi i caktuar, në këtë rast shqipfolësi, ekziston dëshira e vullnet, synimi e qëllimi dhe puna me përpjekje e përkushtim maksimal.

Pra, duhet ta duam gjuhën letrare, ndaj duke e dashur më lehtë do ta mësojmë dhe më lehtë do t’i përballojmë e tejkalojmë edhe vështirësitë e pengesat që na dalin përpara në përvetësimin e kulturës gjuhësore të variantit të letrarishtes së standardizuar.

  1. Ndikimi i vazhdueshëm i mjedisit

 

Dashtë e padashtë, në mënyrë instinktive fëmija edhe pasi të shkojë në shkollë identifikohet me të folmen e mjedisit dhe të familjes së vet.

Ndërkaq, fëmija duke qenë i prirur nga e folmja dialektore e familjes, në shkollë do të ballafaqohet me gjuhën e mësuesit e të teksteve shkollore pra në gjuhën e njësuar letrare. Ndikimi i gjuhës së mjedisit, i familjes dhe të së folmes dialektore, për një kohë të gjatë mbetet dominant në ligjërimin e përditshëm të nxënësve fillestarë edhe në shkollat shqipe në truallin e Zvicrës, ku mësuesi shqiptar ligjëron në gjuhën e njësuar letrare, e në tekste të shkruara në letrarishte, por megjithatë me ato probleme që ballafaqohen nxënësit në vendlindje, ballafaqohen edhe nxënësit shqiptarë këtu në Zvicër.

Madje, këtu paraqitet edhe problemi i bilinguizmit e trilinguizmit, për të cilin do të bëjmë fjalë më vonë.

  1. Identifikimi me të folmen e mjedisit

 

Nxënësi identifikohet me të folmen e mjedisit. E folmja dialektore e rrethit ka normat dhe rregullat e veta dialektore. Nxënësi i përvetëson këto norma dialektore. Pra, nxënësi në këtë rast identifikohet me rrethin, të cilit i përket. Ai është socializuar (shoqërorizuar) në të folur me ambientin përkatës. Duke u socializuar dhe nderuar në një shkallë bukur të lartë shoqërinë (nderimi i cili mund të jetë edhe hipokrizi gjuhësore), ai nguron dhe turpërohet të flasë ndryshe nga mjedisi, pra të flasë në gjuhën letrare, sepse i duket se me këtë rasë, po thyen e po i shkel normat e kulturës së të folmes dialektore të mjedisit përkatës.

Për të folur në gjuhën e njësuar letrare, nxënësit i duhet të dalë nga ndikimet lokale, ta lëshojë e ta braktis të folmen dialektore të mjedisit, të dalë nga organiteti i vet gjuhësor e të flasë në gjuhën e njësuar, të flasë ashtu siç nuk ka folur kurrë ndonjëherë më parë, e kjo punë nuk është as e lehtë as e thjeshtë. Kjo ndërmarrje e ky hap i guximshëm për nxënësin në fillim paraqet një pengesë serioze në kulturën e tij gjuhësore. Mjeku i kësaj plage është mësuesi, i cili ka për detyrë t’i shërojë plagët e ligjërimit të nxënësit, duke e këshilluar, duke i bërë vërejtje të vazhdueshme, nga njëra anë, por edhe duke e mësuar me shembuj konkretë, nga ana tjetër, ai e orienton dhe udhëzon nxënësin e vet, në brendinë për gjuhën letrare si gjuhë të nënës.

  1. Përpjekja për t’u larguar nga e folmja dialektore

 

Nxënësi në familje, siç zumë ngoje edhe më parë, ka formuar organitetin e vet, duke pasur parasysh edhe ndikimin e mjedisit. Ky respekt i tij ndaj të folmes së familjes dhe të së folmes së mjedisit është kreativ, sepse ai mbështetet në komponente absolute dhe relative.

komponente absolute të kulturës së ligjërimit, bëjnë pjesë: intensiteti i zërit, që ka për qëllim imponimin e dëshirës së vet personale bashkëbiseduesve të tjerë. Këtë dukuri negative nxënësi e bartë nga familja e tij në shkollë. Do të thotë e folmja, dëshira dhe mendimi i tij i duket varianti më i mirë dhe më i pëlqyeshëm, ndaj përpiqet t’ua imponojë edhe të tjerëve.

Përkundër intensitetit ndeshim dukurinë e zërit të ulët, që bashkëbiseduesit e vështirëson përcjelljen e bisedës, dukuri kjo që shkaktohet nga turpi e ngurrimi, nga mungesa e lirisë personale.

Nazaliteti dhe vrazhdësia e zërit – gjithashtu janë të meta që nxënësi i bart nga familja ose lind me to. Të folurit e bukur dhe artistik që bënë pjesë në kultivimin e kulturës gjuhësore, nuk duhet realizuar as me zë të lartë e as me zë shumë të ulët, por me zë të mesëm e spontan, të rëndomtë – normal e të natyrshëm.

Çdo krijesë shoqërore ka organitetin e individualitetin e vet sipas të cilit sillet, punon dhe vepron në shoqëri: ngjyrën e zërit, intensitetin, vrazhdësinë (zëri i ngjirur, nataliteti, etj.)

Ndërkaq në komponentet relative – ndeshim ndikimet e familjes dhe të mjedisit në krijimin e sistemit fonetik e morfologjik, sintaksor e leksikor.

Gjuha e njësuar ka aspiratë të krijojë kulturën e të folurit, të kultivojë kulturën e ligjërimit të drejtë, duke u ngritur mbi trajta dialektore, ka për qëllim t’i ofrojë shqipfolësit në një gjuhë të përbashkët komunikimi. Sikur njerëzit të ndiqnin natë e ditë rrugën e ose të mësonin të folmen e një dialekti të vetëm, nuk do të krijohej kultura gjuhësore e të folurit, pra as gjuha e njësuar kombëtare si gjuhë e kulturës, e artit dhe e shkencës. Mirëpo njerëzit duke ikur nga organiteti i tyre, duke lëshuar të folmen lokale, e duke synuar përvetësimin e gjuhës së njësuar nga njëra anë, dhe duke u kthyer në organitetin e tyre të vërtetë, duke e mësuar gjuhën e njësuar letrare kombëtare, në këtë mënyrë ligjërimi, ndërtohet kultura e të folurit në gjuhën e kulturës kombëtare, nga ana tjetër.

Nxënësi i fillores në ditët e para, gjendet në udhëkryqin e dy të folmeve: të së folmes së mjedisit dhe të folmes së mësuesit të vet e të teksteve në gjuhë të njësuar. Këtë ndërthurje e mpleksje duhet ta ndajë sëpata, duke i bërë vërejtje secilit nxënës veç e veç sipas gabimeve të tyre në gjuhë, ai ndikon që ata mos t’i përsërisin më gabimet e bëra në të folur apo në të shkruar. Prandaj, mësuesi nuk duhet t’i korrigjojë të gjithë nxënësit njësoj, sepse të gjithë nxënësit nuk gabojnë njësoj, por ata duhet të korrigjohen sipas gabimeve të tyre. Mësuesi duhet të bëjë përpjekje të vazhdueshme për të evituar mbeturinat e së folmes lokale në të gjitha aspektet: në komponentet absolute (nazalitetin, intensitetin e zërit) dhe komponentet relative (ndikimet fonetike e morfologjike, sintaksore e leksikore).

Këto të dytat mënjanohen më lehtë, prandaj në këtë drejtim duhet përpjekur më tepër.

Mësuesi duhet t’i kushtojë kujdes gjuhës së nxënësve në tri aspekte: në (në të folur), në lexim dhe në shkrim.
Vërejtje në ligjërim
Gjatë të folurit, gjatë ritregimit ose shpjegimit të një cope të leximit ose të një njësie tjetër mësimore, nxënësi në ligjërimin e tij përdor plot lokalizma e trajta dialektore të së folmes së vet popullore. Në këtë rast mësuesi duhet të jetë vigjilent, ta dëgjojë me vëmendje kureshtare e me kujdes të veçantë, duke bërë vërejtje përmirësuese drejtpërdrejt e aty për aty me shembuj konkretë. Gabimet që bën nxënësi mund të jenë të fushave fonetike, morfologjike e leksikore.

  1. a) Ndër gabimet fonetike, varësisht nga prejardhja e nxënësve, mund të paraqiten në të folmen e tyre trajtat: xhali (djali), xhath e xha:th (djath), xhe (dje), xhegë (djegë), çetër (tjetër), açe (atje); kavi (kau), vllavi (vllai), shivi (shiu), i rivi (i riu), i zivi (i ziu), që i dëgjon mësuesi te nxënësit e

Anamoravës; apo rrash (rrafsh), rrashtinë (rrafshinë), koshë (kofshë), dukuri të cilën e ndeshim te nxënësit e Karadakut. Po në këtë të folme ndeshim disa emra me mbaresën – miki, zogi, bregi, në vend të: miku, zogu, bregu.

Ndërkaq, trajtat: me çkrue, me çkri, me çkoç, me çplue, me çpejt, etj., i ndeshim te nxënësit e Gallapit, të Llapit, të Drenicës, e disa vise tjera.

Ndërsa togjet konsonantike mb, nd pothuaj nuk ruhen në mbarë kosovarishten dhe të folmet verilindore të dialektit gegë, por gjithnjë dëgjojmë: mas (mbas / pas), me metë (me mbetë), përmi (përmbi); ven, men, menim (vend, mend, mendim) etj. A dish, a vish, ku po shkojsh, shka po bojsh, dukuri të cilën mësuesi ka rast ta dëgjojë në trevën e Prizrenit.

Nën ndikimin e së folmes dialektore të familjes në ligjërimin e nxënësit të Opojës do të ndeshim mosshqiptimin. e një u-je në rrokjen e parë të fjalës. Do të thotë zanorja u e patheksuar bie në trup të fjalës si: me pnue (për të punuar), me pshue (për të pushuar), me kllue (për të kulluar) etj. Po kështu zanorja u në raste të shpeshta në të folmen e zënë ngoje ka kaluar në o të patheksuar: esoll (esull), petoll (petull), vetoll (vetull), mjegoll (mjegull), grumoll (grumbull); e kam pi ni troh uj esoll; e ka kap plumi n’vetoll[37]etj.

Ndërkaq, në të gjitha të folmet e Kosovës u – ja e patheksuar nuk shqiptohet te këto fjalë: vetlla, petlla kumlla, flutra, lepri, hekri[38]“, etj. Në vend të trajtave të drejta: vetulla, petulla, kumbulla, flutura, lepuri hekuri.

Gjithashtu ndeshim në raste të shpeshta të fjalëve të përdorura në trajta metatetike, për shembull: uha, hulatë; kerlanë, urtllu, ferk, frabikë, pkutë, me nlorë; me shlue, jahat, etj. Në vend të trajtave të drejta: hua, luhatë; krelanë e krylamë, rrotullue, frik, fabrikë, këputë, me lënurë, me lëshue, hajat.

  1. b) Gabimet morfologjike – Janë gjithashtu të nduarnduarta në ligjërimin e nxënësve në shumë pjesë të ligjëratës. Ato ndeshim në përdorimin e emrit, mbiemrit, përemrit, numëronit e deri te foljet, parafjalët e pasthirrmat.

Emri. Pothuaj në pjesën dërrmuese të të folmeve të Kosovës ndeshim në disa emra të gjymtë, të cilëve u mungon trajta e pashquar, por ata përdoren vetëm në trajtën e shquar, ndaj nuk është çudi që këtë dukuri e ndeshim edhe te një numër i madh nxënësish, jo vetëm fillestarë, por që i përcjell edhe në ciklin e lartë të shkollimit të tyre, siç janë shembujt: ni guri (një gurë), ni kali (një kalë), ni shati (një fshat), n’deti (në det), bari (lopa han bari, në vend të han bar), n’helli (në hell), n’firi (në fier), flejshmi n’firi (flejshim në fier).

Shembujt e përdorimit të trajtave janë të shumtë në numër edhe te përdorimi i drejtë i mbiemrave dhe përemrave, që po t’i radhisim këtu do të na shpienë në gjerësi sipërfaqësore e kohore dhe meqë disa i kemi zënë ngoje me rastin e tipareve dialektore të të folmeve të ndryshme nga njëra anë, ekziston mundësia e përsëritjes së këtyre shembujve, nga ana tjetër. Gabimet, lëshimet e trajta të gabuara ndeshim në përdorimin dhe zgjedhimin e tyre vete e nëpër kohë, madje edhe nëpër mënyra.

Ndeshim edhe në gabime leksikore – Në përdorimin e gabuar të shumë njësive leksikore. Prandaj, mësuesi, duhet t’u bëjë vërejtje nxënësve jo vetëm në ligjërim gjatë tregimit, ritregimit e të shpjegimit të mësimit, por edhe gjatë të lexuarit e të shkruarit të nxënësve në copë leximi apo hartimi, ku shihet niveli i kulturës gjuhësore të nxënësve të tij, nga njëra anë dhe përdorimi i trajtave dialektore nga ndikimi i së folmes dialektore të anëtarëve të familjes së nxënësit, nga ana tjetër më shpesh, e më rrallë edhe nga ndikimet e mësuesit, sepse disa mësues mund të ndikojnë edhe negativisht te përvetësimi i gjuhës letrare te nxënësit e tyre. Prandaj, “Përvetësimi i normës së përbashkët të gjuhës shqipe prej nxënësit është një detyrë e rëndësishme, aktuale dhe e ngutshme; kjo detyrë do të kryhet me punën e madhe e të vazhdueshme që do të bëjë arsimi, institucionet kulturore, radioja, shtypi dhe libri, ndërmjet të cilave barrën kryesore do ta ketë shkolla jonë, e për më tepër mësuesi i gjuhës shqipe”[39].

Tani nxënësi gjithnjë e më shumë ballafaqohet me gjuhën e njësuar të përdorur: në radio e në televizion, në teatër e në kinema, në shkollë e në shtyp, në gjuhën e teksteve shkollore dhe në ligjërimin e mësuesit të klasës dhe të arsimtarit të gjuhës shqipe.

Në radhë të parë, për mësuesin e klasës shtrohet një detyrë e përhershme që të luftojë për zhveshjen e gjuhës së nxënësit nga veçoritë dialektore dhe për të ngulitur tek ai normën e gjuhës së përbashkët letrare.

Arsimtari i gjuhës duhet të jetë i kujdesshëm në kultivimin e gjuhës letrare kombëtare si në shkrim ashtu edhe në të folur.

Përkundër variantit dialektor, nxënësi tek arsimtari i gjuhës shqipe duhet të gjejë modelin ideal të përdorimit të gjuhës letrare si në shkrim ashtu edhe në të folur. Në këtë mision të rëndësishëm të kultivimit të gjuhës letrare te nxënësit e shkollës tetëvjeçare, nuk duhet mbetur e vetmuar puna dhe përpjekjet e arsimtarit të gjuhës, por duhet përcjellë nga përpjekjet e pareshtura të të gjithë arsimtarëve të lëndëve të tjera e nga tërë kolektivi i shkollës[40].

Arsimtari i gjuhës shqipe duhet t’i shtrojë vetes një obligim më përgjegjës, duke qenë këmbëngulës në kërkesat që shtron ai ndaj nxënësve dhe të jetë sa më objektiv në vlerësimin kritik të përgjigjeve dhe detyrave të tyre, sepse “një notë e merituar e edukon nxënësin dhe e nxit atë të përpiqet për të mësuar sa më mirë, kurse një e pamerituar është shumë e dëmshme, sepse e çmobilizon atë dhe e bën të kënaqet me sa më pak”[41].

Mësuesi duhet t’i ketë të qarta rrugët nëpërmjet të cilave ndryshimet dialektore që vihen në bazë të gjuhës letrare.

Prandaj, për të fiksuar normat e drejta të gjuhës, duhen luftuar: lokalizmat, provincializmat, arkaizmat dhe barbarizmat, që hasen jo vetëm në gjuhën e folur krahinore, por edhe në atë të shkuarën. “Prandaj, çdo mësues në mënyrë të posaçme mësuesi i gjuhës, duhet të jetë një nxënës i mirë i përhershëm: ai duhet ta zgjerojë gjithnjë e më shumë kulturën e tij speciale dhe të përgjithshme”[42].

Sa i përket ngulitjes së normës së folur, në radhë të parë, i duhet kushtuar kujdes të duhur: leximit ekspresiv, recitimit e deklamimit, sepse pa këto komponente është e kotë të vazhdohet rruga e mëtejme.

Gjatë përvojës është vërtetuar se një recitim i bukur ose një lexim ekspresiv, ngjall më shumë emocione, duke e bërë shumë më të afërt nxënësin me idetë e copës së leximit sesa një shpjegim i gjymtë nga goja e mësuesit.

Ndaj mësuesi duhet të ketë të qartë se ligjërimi i tij, duhet përshkuar nga karakteri emotiv.

Në përvetësimin dhe ngulitjen e normës së gjuhës së njësuar letrare kombëtare rol të rëndësishëm luajnë të gjithë faktorët shoqërorë objektivë e subjektivë, ndërsa në shkollat tetëvjeçare roli vendimtar i përket mësuesit dhe autorëve, që kanë hartuar tekstet shkollore.

“Njësimi i gjuhës shqipe, i alfabetit dhe i drejtshkrimit të saj; pastaj edhe i hallkave të tjera të sistemit gjuhësor të shqipes, ka qenë një dëshirë e kahershme e shqiptarëve brenda trojeve kompakte ballkanike e në diasporë, qysh nga Gjon Buzuku (1555) e Lekë Matrenga (1592) e deri në ditët tona. Shprehje e qartë e kësaj vetësije gjithëshqiptare janë dhe vargjet e Ndre Mjedës, i cili ashtu si pararendësit e tij rilindës, shprehej me aq mllef”[43].
“Kjoft mallkue kush qet ngatrrime,

Ndër kta vllazën shoq me shoq,
Kush e ndan me fjalë e shkrime,
Çka natyra vetë përpoq”.

Kështu pra, edhe shqiptarët e Zvicrës u larguan nga vendlindja me dashurinë e çdo gjëje ndaj saj, pra edhe për gjuhën dhe kulturën gjuhësore. Ata janë një plis dheu i Kosovës dhe kudo që të shkojnë nëpër botë bartin atdheun e tyre me vete, dashurinë e nostalgjinë për vendlindjen, për trevën e atdheun, për doket e zakonet, për traditën e lashtë kombëtare, për historinë, për kulturën e letërsinë dhe për gjuhën e tyre amtare të dashur e të shtrenjtë, që kudo që të gjenden ajo paraqet identitetin e tyre kombëtar.

Shih për këtë arsye ata, duke qenë të lidhur për atdheun e tyre si fëmija për kërthinin e nënës, e duan, e ruajnë dhe e kultivojnë me respekt e veçanti gjuhën e bukur amtare, shqipen letrare, duke e përdorur atë në komunikimet e tyre gojore në shkollë, në klube, në shoqata, në administratë e në krijimtari poetike e prozodike. Me një fjalë gjuha letrare me shqiptarët e Zvicrës fiton edhe një krah dhe një shtyllë të fortë, që e pasuron dhe e kultivon kulturën tonë gjuhësore në variantin e gjuhës letrare kombëtare. (Vazhdon)

 

(Pjesë e tretë punimit të Magjistraturës të botuar nga Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare”, Tiranë, 2007)

 

[1] Mehmet Halimi, Përvetësimi i normës së gjuhës letrare, çështje të Normës Letrare (përmbledhje punimesh) Prishtinë, 1980, fq. 121.

[2] E. ÇABEJ, Për pastërtinë e gjuhës shqipe, në “Gjuha jonë”, 1, 1981, fq. 36-47.

[3] Gjovalin Shkurtaj, Ta duam dhe ta ruajmë gjuhën tonë të bukur, Tiranë, 1998, fq. 12.

[4] Shaban Demiraj (shih te M. Halimi: Çështje fjalëformimi në gjuhën shqipe, Prishtinë, 1996, fq. 3).

[5] M. Halimi, Çështje fjalëformimi në gjuhën shqipe, fq. 265-280.

[6] M. Halimi, Çështje të normës letrare, fq. 122.

[7] Halil Kajtazi, Nga lirika popullore e Drenicës, Prishtinë, 1971, fq. 125.

[8] M. Halimi, Skicë e së folmes së fshatrave Mramuer dhe Marec, Kërkime Dialektologjike, Prishtinë, fq. 385.

[9] Fadil Sylejmani, E folmja e Malësisë së Sharrit të Tetovës, Tetovë, 2006, fq. 113.

[10] Jorgji Gjinari, Probleme të mësimit të gjuhës shqipe për mënjanimin e veçorive dialektore të gjuhës së nxënësit “Arsimi Popullor”, Instituti i studimeve pedagogjike, maj-prill, 1970, fq. 201.

[11] M. Halimi, Mësuesi dhe e folmja lokale, në vëll. Çështje të normës letrare. Prishtinë, fq. 125.

[12] Jorgji Gjinari, Gjuha letrare dhe mësuesi, “Mësuesi”, Tiranë, 1970.

[13] Jorgji Gjinari, po aty.

[14] Naim Plaku, Konkluzionet për ngritjen e normës së folur dhe të shkruar në shkollën tetëvjeçare, Buletin i seksionit të Arsimit dhe i kulturës pedagogjik, Peshkopi, 1972, fq. 39-50.

[15] Jorgji Gjinari, Dialektet, gjuha letrare dhe mësuesi, rev. “Mësuesi” nëntor, 1970.

[16] M. Halimi, Vëzhgime mbi të folmen e Moravës së Poshtme, GJASSHF, II- 1972, Prishtinë, 1974, fq.109-145.

[17] Fadil Raka, E folmja e qytezës së Kaçanikut, SGJ (Dialektologji) i, Prishtinë, 1978, fq. 512.

[18] Regjistri i Kadastrit të Shkodrës, fq. 101.

[19] E. Çabej, Studime gjuhësore, Prishtinë, 1976, fq. 53.

[20] M. E folmja e Karadakut, fq. 75 (dorëshkrim).

[21] Shefqet Hoxha, E folmja e Lumës. Konferenca e dytë Alban. (Tiranë 12-18 janar 1968), fq. 63.

[22] Bahri Beci, E folmja e Grykës së Madhe të Dibrës, studime filologjike, nr.3, 1972, fq. 90.

[23] M. Halimi, E folmja e Karadakut, fq. 167 (dorëshkrim).

[24] M. Halimi, E folmja e Kabashit të Prizrenit, KD, fq. 314.

[25] Emil Lafe, E folmja e Nikaj – Merturit, SF, nr. 1964, fq. 316.

[26] Jorgji Gjinari, Vërejtje mbi të folmen e krahinave Krasniqe Gash e Bytyç të rrethit të Tropojës, BUSHT, nr. 4, 1963, fq.179.

[27] Xheladin Gosturani, E folmja e Ragamit, DSH, VI, Tiranë, 1990, fq. 242.

[28] Idriz Ajeti, Rreth disa veçorive të të folmeve të shqiptarëve të Preshevës dhe të Bujanocit, Gjurmime albanologjike, nr.2,1969, fq. 36-61.

[29] M. Halimi, Skicë e së folmes së fshatrave Mjak dhe Tanishec, GJASSH, nr. III – 1973, Prishtinë, 1975, fq. 65.

[30] Idriz Ajeti, Rreth disa tipareve gjuhësore të ligjërimeve shqiptare të Kosovës, Gjurmime albanologjike, nr.1, 1969, fq. 156-163.

[31] Idriz Ajeti, punim i cituar, fq. 156-163.

[32] Mehmet Halimi; T’i evitojmë provincializmat, Rilindja, 1 dhe 3 prill, 1972.

[33] Gjovalin Shkurtaj, Ta duam ta ruajmë gjuhën tonë të bukur; Tiranë, 1998, fq. 13.

[34] Dritëro Agolli, në “Gjuha jonë”, nr. 1, 1986, fq, 8.

[35] Gjoralin Shkurtaj, Ta duam dhe ta ruajmë gjuhën tonë të bukur, Tiranë, 1998, fq. 11.

[36] M. Halimi, Përpjekjet e mësuesit në evitimin e lokalizmave në ligjërimin e nxënësve, çështjeve të normës letrare, Prishtinë, 1980, fq. 131.

[37] Naser Pajaziti, E folmja e Opojës, Prishtinë, 2005, fq. 51.

[38] M. Halimi, Përpjekjet e mësuesit në evitimin e lokalizmave në ligjërimin e nxënësve. Çështje të normës letrare, Prishtinë, fq. 133.

[39] Jorgji Gjinari, Probleme të mësimit të gjuhës shqipe për mësimin e veçorive dialektore të gjuhës së nxënësit, Arësimi popullor, Instituti i studimeve Pedagogjike, mars – prill 1970, nr. 100, fq. 106.

[40] M. Halimi, Përvetësimi i gjuhës së njësuar letrare, në Çështje të normës letrare, fq. 140.

[41] Shaban Demiraj, rev. “Mësuesi”, 9 tetor 1964.

[42] Shaban Demiraj, po aty.

[43] Gjovalin Shkurtaj, Mbrojtja e gjuhës është detyrë dhe peng nderi për çdo shqiptar, bot. edhe veprën: Ta duam dhe ta ruajmë gjuhën tonë të bukur, Tiranë, 1998, fq. 19.

Please follow and like us: