Albspirit

Media/News/Publishing

Sonila Meço: Kumti që vjen nga përtej Atlantikut mbetet përcaktues

Flet gazetarja dhe prezantuesja Sonila Meço

Kriza ka hyrë në sezonin e ri dhe tashmë shpresat janë së mund të ketë lëvizje në planin ndërkombëtar. Çfarë prisni në këtë drejtim? A do marrin rolin e protagonistit ndërkombëtarët, të cilët deri më tani kanë deklaruar se gjërat duhet të zgjidhen nga vetë shqiptarët?

Më ngjan ky momentum si Koncertet e Vjenës. Periodike, me të njëjtin repertor, ndryshon dirigjenti dhe instrumentistët, por simfonitë po ato. E njerëzit sërish e presin sikur të jetë për herë të parë, të sigurt se pa atë koncert nuk do mund të nisë viti, çuditërisht me kërshëri për diçka që e dinë paraprakisht se ç’do ofrojë. Dua të them, kjo ripërsëritje me përpikmëri e krizave, në një qerthull ciklik, duhej t’i kish lodhur me kohë ndërkombëtarët për të mos i rënë më së njëjtës simfoni: stabilokracisë. Për sa kohë kjo filozofi të mbizotërojë në qendrat e rëndësishme vendimarrëse ndërkombëtare, çdo ndërhyrje do të sillte një rezultat të pritshëm, zhbllokim drejt një bllokimi të ri edhe me të ndërlikuar. Nëse nuk ndryshon kursi ndërkombëtar e gjeopolitik i qasjes ndaj Ballkanit Perëndimor, për të mos synuar stabilitetin me çdo kusht e demokraci me kushte, do ndryshojnë emrat e paketave, nga MC Allister tek një tjetër MC. Raporti i OSBE-ODIHR-it mbi votimet e 30 qershorit dëshmoi një demokraci të ngulfatur deri në zgjedhje jo demokratike, ku heshtja e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Shqipëri i jep frymë tezës se stabilokracia po prevalon ende në qasjen ndaj Shqipërisë.

Lëvizjet kryesore këto ditë janë bërë në Berlin të Gjermanisë. A do jetë Gjermania vendi që do marrë rolin e negociatorit, ndërkohë që opozita pretendon se ndërhyrjet gjermane janë refuzuar nga mazhoranca në fillim të verës?

Sipas opozitës dy ndërhyrje gjermane janë refuzuar, por nuk kemi asnjë informacion shtesë se çfarë përmbanin ato, cilët kanë qenë propozuesit dhe pse u refuzuan. Nuk dimë sa formula të tilla mund të jenë ofruar gjatë kësaj kohe, por duhet të kujtojmë se zhvillimet në Shqipëri përkojnë me një situatë konfuze për vetë Brukselin me zgjedhjet dhe emërimet e reja në krye të institucioneve të tij, apo në situata jo fort të mira për liderët e vendeve përcaktuese për fatin e gjeopolitikës në rajon. Kryeministri në takimin që zhvilloi me kancelaren Merkel bëri një postim mbi inkurajimin e Gjermanisë për avancimin e axhendës integruese të Shqipërisë dhe kancelarja publikoi një foto me kryeministrin piktor që i dhuroi një album. Për sa na takon, më relevant ngjan deklarimi për median shtetërore gjermane e deputetit kristiandemokrat Kirchbaum se vendet vlerësohen mbi bazën e përparimit që bëjnë vetë, pra parimit të meritës. Nëse presim që Gjermania të bëjë ndërhyrje energjike për të negociuar mes palëve, atëherë më shumë sesa çlirimi prej zgjidhjes së një ngërçi, duhet të na shqetësojë zhbërja e shansit për të vijuar me negociatat e mëdha, ato të integrimit. Merita jonë do të qe minimale.

Në diplomaci flitet për shkopin dhe karrotën. A do shërbejë vendimi për nisjen e negociatave që vendi ynë të marrë një “PO’ me kushte? Mediat gjermane thonë se kushti mund të lidhet me zgjedhjet e 30 qershorit dhe ato të vitit 2017. Çfarë mund të ndodhë konkretisht? A do të thotë kjo se kushti nënkupton zgjedhje të reja lokale dhe të përgjithshme? A do të imponojë zgjidhje të krizës hapja e negociatave?

Sapo më erdhi në duar letra që Ministri gjerman për Europën i ka dërguar Bundestagut gjerman, që kushtëzon votën pro për çeljen e negociatave me disa kushte, përfshi Reformën Zgjedhore për garantimin e zgjedhjeve të lira. Kushtet shtesë duhet të plotësohen para çeljes së negociatave. Mes tyre, procedimi i gjyqtarëve të shkarkuar, funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, SPAK, BKH, rezultate në goditjen e krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit. E dimë se takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të jetë në tetor të këtij viti. Mendojmë se për një muaj do mund të adresojmë këto kushte, që jo vetëm refuzuam që t’i plotësonim në kohë, por u bë çmos të përkeqësoheshin, që me zgjedhjet jo demokratike, oferta me kandidatë e fitues me të shkuar kriminale në 30 qershor, mos hetimi i përgjimeve mbi blerjen e votës, vonesat në ngritjen e institucioneve të drejtësisë, mosndëshkim i asnjë zyrtari të lartë të përfshirë në korrupsion, kur koncesionet po rrëzohen nga presidenti se cënojnë hapur interesin publik e financiar të vendit, ku krimi i organizuar rezulton të ketë hyrë deri në vendimmarrjet e pushtetit e si të mos mjaftojë EUROSTAT na rendit si vendin më të varfër në Europë bazuar në të ardhurat për frymë? Pra, nëse kushtet janë këto, i bie që shkopi të jetë aq i rëndë sa karrota edhe nëse na e japin do na mbetet në fyt. E kam thënë dhe e them, nuk është basti i shqiptarëve një Po e kushtëzuar negociatash, por një vend funksional, ku luftohet krimi i organizuar e korrupsioni, që nuk mbush radhët me azilantë të vet nëpër kufijtë europianë e ku liria e barazia përballë ligjit janë të garantuara prej Kushtetutës e jo dellit të mëngjesit të liderit.

Amerikanët nga ana e tyre kanë insistuar vazhdimisht se çështjet duhet të zgjidhen brenda institucioneve. Shpresa e tyre mbetet tek reforma në drejtësi, që do të qartësojë edhe situatën politike. A ka një dallim mes BE dhe SHBA në këtë drejtim dhe sa realiste janë pritshmëritë që kriza të marrë zgjidhje prej reformës në drejtësi?

SHBA-të janë partneri kryesor strategjik dhe sado afria gjeografike me Europën dikton marëdhënie më të ngushta, çfarë kumti vjen nga përtej Atlantikut mbetet përcaktues për fatet e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Ndryshimet e shpeshta në drejtimin e administratës amerikane të politikës së jashtme dhe mungesa e një ambasadori amerikan në vend për një kohë të gjatë i kanë lënë mundësinë aktorëve të tjerë me interesa të drejtpërdrejtë të krijojnë konfuzion mbi qëndrimin ndërkombëtar ndaj Shqipërisë. Për këtë nuk gjykoj se ka dallim në rezultante mes pritshmërive amerikane e europiane në raport me Shqipërinë, por trafik influencash diktuar nga prioritete të tjera të politikave të jashtme. Gjermania sapo na dëshmoi se nuk pret një, por disa kushte të tjera përpos reformës në drejtësi për të vijuar me proceset integruese, të cilat në thelb kërkojnë funksionimin normal të shtetit, thënë ndryshe zgjidhje e krizave ciklike. Nuk mendoj se ky parlament mund të jetë tempulli i demokracisë nga ku do të prodhohet reforma zgjedhore, ajo në drejtësi a të përmbushen kritere të tjera të hyrjes në normalitet të vendit. E pamundur. Për mua zgjedhjet janë e vetmja mundësi për të prodhuar një parlament të ri, për një ndryshim pushteti, ku përgjegjësit e krizave ciklike të përballen me verdiktin e lirë të shqiptarëve. Nëse ofrohen formula që lënë jashtë zgjedhjet si mekanizëm drejt zgjidhjes, atëherë le të presim me “kërshëri” si njerëzimi Koncertin e Vjenës, për diçka që fare mirë e dimë, një tjetër krizë të madhe. Me një ndryshim thelbësor, nuk do kenë mbetur më shqiptarë mjaftueshëm në këtë vend./mapo.al/

Please follow and like us: