Bundestagu: S’ka negociata, pa reformë zgjedhore dhe dënime zyrtarësh të korruptuar
Gjermania nuk është akoma gati për të dhënë një dritë jeshile për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. “Shekulli’ kontakton me burime të brendshme të deputetëve gjermanë që konfirmojnë se para se të hapen kapitujt e parë të bisedimeve, Shqipëria duhet të përmbushë një seri të tërë kushtesh
Erjon Dervishi
Hapja e plotë e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian nuk pritet të ndodhë as për këtë vit. Gjermania është vendi që ka kërkuar një shtyrje për këto negociata, por një shtyrje me të tjera kushte ndaj Shqipërisë. Bundestagu, në fund të muajit shtator do të diskutojë çështjen e Shqipërisë, në të cilën do të merren në shqyrtim të gjitha kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian. Gazeta “Shekulli”, në bazë të informacioneve të siguruara nga deputetë të grupimit të CDU/CSU në Bundestag, bëjnë me dije se në dokumentin që pritet të publikohet nga ana e Bundestagut në bashkëpunim me Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të po këtij institucioni, bënë më dije se Maqedonia e Veriut pritet të marrë një sinjal pozitiv për hapjen e negociatave, kurse Shqipëria, me gjithë vullnetin e mirë që ka treguar për ecurinë e reformave do t’i kërkohen kushte të qarta, ku më kryesorja është përfundimi i reformës zgjedhore.
Prononcimi i disa deputetëve të Bundestagut
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është tepër e interesuar për aderimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Madje me iniciativën e vetë Merkel, u krijua edhe Procesi i Berlinit, një iniciativë që ka për synim përshpejtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Por ecuria negative e reformave në Shqipëri e ka nxitur Berlinin që të kërkojë edhe disa kushte shtesë për Shqipërinë, ku më kryesorja është përmbushja e kritereve për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në prononcimin e deputetëve të Bundestagut gjerman vihet në dukej se: “Në negociatat e pranimit në Bashkimin Evropian, do të ketë një sinjal të qartë, pozitiv nga Berlini për Maqedoninë e Veriut në fund të shtatorit. Do të ketë kushte të qarta për Shqipërinë, të cilat së pari duhet të përmbushen. Rama ende nuk ka dhënë ndonjë rezultat, ai ka dështuar absolutisht me qeverinë e tij. Por gjithashtu do të ketë një mesazh të qartë për popullin shqiptar se ne duam që Shqipëria të bëhet anëtare e saj, kështu që ne gjithashtu duam të bisedojmë me popullin shqiptar, por vetëm nëse plotësohen kushtet.
Formulimet nga aplikimi i fraksioneve të qeverisë gjermane mund të shërbejnë si një draft për vendimin e samitit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, i cili gjithashtu mund të miratohet nga kundërshtarët e pranimit. Në parim, Bashkimi Evropian do të deklarojë gatishmërinë e saj për të negociuar pranimin me Shqipërinë. Në fund të fundit, megjithatë, këto negociata nuk do të fillonin për vitet që vijnë. Ne e shohim këtë në shembullin e Turqisë. Në Shqipëri, ky rezultat shumë i keq mund të korrigjohet vetëm nga ecuria e situatës në Shqipëri. Pranimi në Bashkimin Evropian nuk do të ndodhë kaq shpejt. Qeveria Rama ka dështuar. Ndryshimet që tani janë të nevojshme në Shqipëri duhet të zbatohen me konsensus social në vitin 2019, në interes të Shqipërisë”./shekulli/