Thoma Simaku, kompozitori që kthen pikturën e poezinë në muzikë
Kur producenti i BBC-së dëgjoi provat e veprës për orkestër harqesh, titulluar “Ulërima”, bazuar në pikturën legjendare të Edvard Munch, do të thoshte “Mund ta shoh qartë pikturën këtu”. Për veshët e kompozitorit, kjo fjalë do të ishte muzikë për veshët. Kështu e kujton Thoma Simaku premierën e një prej veprave, rreth së cilës ndihet veçanërisht krenar, e cila u performuar Orkestra Koncertore e BBC-së, më 2017-ën. Prej vitit 1991, kur u shpërngul në Britaninë e Madhe për të studiuar dhe ndjekur një karrierë muzikore në perëndim, kompozitori nga Kavaja është nderuar me një sërë çmimesh dhe vlerësimesh dhe ka shkruar muzikë për ansamble dhe instrumentistë solo me famë botërore.
Në dhjetor të 2018-s, kompozitori ishte pjesëmarrës në Festivali Ndërkombëtar Pianodrom, në Tiranë, ku solli versionin e tij të këngës arbëreshe “Moj e bukura More” për piano, violinë dhe violonçel. Si pedagog i Kompozicionit prej më shumë se 20 vitesh, Simaku thotë se u këshillon studentëve “Shkruani muzikën që doni të dëgjoni, jo muzikën që dua unë të dëgjoj, sepse atë mund ta shkruaj vetë”, ashtu si njëherë e një kohë pedagogu i tij në Konservatorin e Tiranës, Tonin Harapi e linte të lirë dhe e inkurajonte të ndiqte interesin e tij në rrugëtimin muzikor.
Çfarë ju frymëzoi të ndiqnit një karrierë në muzikë?
Jam lindur në qytetin e vogël të Kavajës, në bregdetin e Adriatikut. Si fëmijë, ndieja se kishte gjithnjë muzikë rreth meje; kishte plot këngë e valle përreth, veçanërisht dasma, që në Shqipëri i marrim shumë seriozisht. Zgjasnin një javë. Nisnin me mbledhjen e familjarëve të hënave, pastaj muzika nis dhe bëhet më e lartë dhe, si në një kreshendo, arrin klimaksin me muzikantët profesionistë të muzikës popullore të premten dhe të shtunë, ku të gjithë janë të ftuar. Do të kem qenë pesë vjeç kur ungji im (më i vogli i familjes së tim eti) u martua dhe i mbaj mend vallet gjatë gjithë javës. Gjithashtu, si fëmijë, mbaj mend se përdorja lugën dhe pirunin si shkopinj baterie në tryezën e ngrënies dhe ime më mendonte se ishte sinjal që isha i uritur. Këto veti, mesa duket, nuk ikën pa u vënë re; ishte ungji im (ai luante në klarinetë në një bandë të madhe të qytetit dhe, luante muzikë popullore si edhe këndonte vetë), i cili u tha prindërve se duhet të më dërgonin në shkollë muzike dhe kështu ndodhi. U regjistrova në shkollë muzikore në Durrës, kur isha 14 vjeç dhe studiova oboe, fizarmonikë, harmonikë dhe kontrapunkt dhe kompozoja pjesë. Që atëherë muzika u bë mënyrë jetese.
Cilat kanë qenë ndikimet më domethënëse të jetës dhe karrierës suaj muzikore?
Kur isha adoleshent, më pëlqente të shkoja në kinema dhe filmat që pëlqeja, i shihja më shumë se një herë. I mësoja përmendësh batutat dhe dialogët, veçanërisht ato që më bënin të qeshja dhe mund t’i recitoja me zë në shtëpi. Por diçka ka ngecur në kujtesën time; në sallën e madhe të kinemasë ishte portreti i aktorit Aleksandër Moisiu. Portreti i Moisiut dhe fotografitë e tij magnetike në role të ndryshme (mes të tjerash ka interpretuar Hamletin, Edipin dhe Faustin) ishin shumë frymëzuese, dukej sikur më thoshte “Nuk e imagjinon dot sesa e bukur është bota e artit”! Moisiu u vendos në Vjenë në të njëzetat dhe nisi një karrierë ndërkombëtare që e çoi në të gjithë Europën dhe në të dy Amerikat, në gjysmën e parë të shekullit 20. Ai kishte zë veçanërisht muzikor dhe jehues. Më vonë zbulova se Arnold Schoenberg e njihte Moisiun dhe e përmend në letërkëmbimin e tij, ndërsa Alban Berg e pa Moisiun të interpretonte Fedya-n në “Kufoma e gjallë” e Tolstoit” dhe në një letër dërguar së shoqes, në shtator të 1917-ës e përshkruan atë, thjesht “madhështor”.
Pas shkollës së Durrësit, u regjistrova në Konservatorin Shtetëror të Muzikës në Tiranë dhe studiova kompozicion. Në atë vit që hyra unë, kishte vetëm katër vende në Kompozicion. Tonin Harapi, pedagogu im i kompozicionit i cili kishte studiuar në Konservatorin e Moskës, ishte një qenie e mrekullueshme njerëzore me një sens të mprehtë humori. Ai nuk dëshironte që studentët e tij të shkruanin muzikën që kish shkruar ai, kështu më la të lirë të kërkoja interesat e mia – aq të lirë sa mund të ishim në një regjim stalinist, ku Stravinzky, mes të tjerësh, ishte i ndaluar. Por Debussy, Prokofiev dhe disa vepra të Bartok (jo punët e forta të periudhës së mesme) lejoheshin, kështu i dëgjoja dhe ia dola të dëgjoja fshehtas edhe “Firebird”. Ishte një ndjesi e çuditshme magjepsjeje dhe frike, krijuar nga cilësia e gjallë e muzikës së Firebird dhe prej faktit se ishte e ndaluar. Gjithashtu më ka pëlqyer muzika e Feim Ibrahimit, që e ndjeja si rafinimin e mprehtë të muzikës shqiptare të kohës. Më dukej se kisha oreks për tingujt “pikantë” të atyre kohëve.
Erdha në Angli në moshën 33 vjeçare dhe e nisa nga e para – da capo! Gjatë studimeve pasuniversitare për një PhD në Kompozicion në Universitetin e Jorkut, studiova me David Blake që më prezantoi në Shkollën e Dytë Vjeneze dhe e zhyta veten në muzikën, që kish qenë e ndaluar në Shqipëri. Përveç Bartok dhe Stravinzky, Berio, Boulez, Birtwistle, Xenakis, Lutoslawski e me radhë, të gjithë patën ndikimin e tyre gjatë viteve të studimit në Jork . Por me muzikën e Ligeti-it dhe Kurtag-ut, ndjeva se zbulova diçka shumë të veçantë, që ishte më shumë sesa frymëzim për mua.
Cilat kanë qenë sfidat apo frustrimet më të mëdha që keni hasur gjatë karrierës?
Mbërrita në Angli në maj të vitit 1991 dhe anglishtja ime ishte vetëm dy muajshe. Për ta nisur, flisja frëngjisht, por miqtë e mi të mirë në Jorkshirin e Veriut më lanë vetëm dy javë kohë të komunikoja përmes frëngjishtes. “Vetëm anglisht, në rregull”? Dhe unë u thashë … ‘ça va’!
Nuk m’i mbante xhepi leksionet e anglishtes, kështu nisa të lexoja dhe shpika një rregull për veten: nëse do të hasja një fjalë të panjohur (dhe ishin disa) tri herë, do të shihja në fjalor dhe do t’i shkruaja. Përdorja një fjalor anglisht- italisht, që e kisha sjellë nga Shqipëria; ishte më e lehtë për mua t’i mbaja mend fjalët nga italishtja, sepse disa kishin të njëjtën rrënjë. Pas gjashtë muajsh, isha në gjendje të mbaja një seminar në Jork, por më e rëndësishmja “gjuha e re” për mua ishte “tjetra” – gjuha muzikore – që u desh pak më shumë kohë.
Pati shumë sfida gjatë kësaj kohe. Por po përmend njërën: Aplikova të qëndroja në këtë shtet si artist krijues, por që të merrja statusin duhet të prisja të paktën tre vjet dhe gjatë kësaj kohe, im atë vdiq. Kushdo që nuk shkon në funeralin e babait të tij duhet të ketë një arsye shumë të fortë dhe arsyeja ime ishte se…unë nuk e dija se im atë kishte vdekur. Ime ëmë kishte vendosur të mos ma tregonte (dhe i këshilloi të gjithë të afërmit ta respektonin këtë), sepse e dinte se po të largohesha nga vendi, ndërsa aplikimi im po merrej në konsideratë nga Zyra e Punëve të Brendshme, nuk do të isha në gjendje të kthehesha më dhe ajo e dinte sesa shumë do të thoshte për mua studimi në një universitet perëndimor.
Por tani ka kaluar; frustrimi në atë kohë ishte vështirësia të bëja orkestracionet. Koncerti im për Orkestër, që u nderua më çmimin “Lutoslawski” më 2013-ën, zgjedhur mes 160 regjistrimesh anonimë nga 37 vende, ende nuk ka pasur një premierë britanike. Kjo është frustuese, duke qenë se do të më pëlqente të shkruaja më shumë vepra për orkestër, kështu që ndiej se kam shumë për të thënë me tingujt orkestralë. Kohët e fundit kam lexuar romanin e Primo Levit: “Kur, nëse jo tani”?
Cilat janë kënaqësitë e të punuarit me një pjesë të porositura?
Gëzimi i një pune të porositur për një kompozitor është se, jo vetëm që e di paraprakisht se me çfarë do ta nisë jetën kjo pjesë e re, por gjithashtu i njeh muzikantët që do ta luajnë atë. Pjesa e fundit është shkruar për gjashtë muzikantë të Klangforum të Vjenës. Kur dëgjova për herë të parë ansamblin Klangforum të luanin live, në një koncert të dirigjuar nga Bas Wiegers në HCMF, mbeta i mahnitur. Isha shumë i gëzuar kur më kërkuan të shkruaja një vepër të re për ta, duke angazhuar të njëjtët instrumente si “Derive I” e Boulez, që ishte gjithashtu në program. Por më e rëndësishmja është se ideja muzikore për këtë pjesë është shumë e lidhur me kompozicionin e vetë ansamblit – pra me titullin “Shpikjet e Klang”. Struktura e veprës së re u bazua në atë që e quaj “ngjashmëri familjare’ dhe disa ‘aleanca instrumentale’ brenda ansamblit. U ndjeva i papenguar kur kompozoja këtë pjesë dhe shkrova me sfidë për ansamblin si i tërë, duke i dhënë çdo instrumentisti një rol kuptimplotë për të luajtur. Ka goxha nota në të dhe ata i luajtën të gjitha.
Po sfidat dhe kënaqësitë e të punuarit me muzikantë të veçantë cilat janë?
Të dish se për kë po shkruan, është shumë e rëndësishme për mua. Kuarteti i fundit për harqe (No 5), i porositur nga HCMF dhe i performuar fillimisht më 2015-ën u shkrua specifikisht për “Quatuor Diotima”. Duke punuar me ta për dhjetë vjet, nuk mund të mos i spikatësh individët e tyre dhe qasjen e ndjeshme ndaj tingullit, ngjyrës dhe gamës së madhe të shprehjes. U përpoqa të mishëroja cilësitë idiosinkretike të Diotima-s në dy kuartetet e harqeve që shkrova për ta. Dhe jam i kënaqur që, falë një çmimi nga Fondi PRSF i Kompozitorëve më 2018-ën, të dy kuartetet (No 4 & 5) dhe veprat e tjera (kuintet për piano dhe vepra solo të performuara nga Joseph Houston, përfshirë edhe një pjesë të re shkruar për të), do të regjistrohen në fund të këtij viti për një CD të re, me etiketën suedeze BIS Records dhe do të dalë në shitje më 2020-ën.
Për cilat vepra jeni më krenar?
Pyetje e vështirë. Ka një thënie, “të gjithë gishtat e dorës dhembin njëlloj”. Në karrierën e një kompozitori ka, sigurisht, disa vepra, domethënia e të cilave është më e madhe se e të tjerave, në kuptimin e lajmërimit të qasjeve stilistikore dhe idiomatike që kanë një ndikim në veprat e ardhshme dhe në këtë kuptim konsiderohen si gurë kilometrikë në krijimtarinë e një kompozitori. Por gjithnjë ndihem më krenar me veprën më të fundit – dhe janë disa në tre vitet e fundit: “Ulërima” për orkestër harqesh bazuar në pikturën legjendare të Edvard Munch-t, e cila e pati premierën më 2017-ën, performuar nga Orkestra Koncertore e BBC-së. Producenti i BBC-së më tha pasi provave: “Mund ta shoh pikturën këtu” –kjo ishte muzikë për veshët e mi. Vepra të tjera përfshijnë ENgREnage (Ingranazh) për Violinë dhe Piano, shkruar për Peter Sheppard-Skaerved dhe Roderick Chadwick, Klang Inventions (Shpikjet e Klang) shkruar dhe dedikuar Klangforum të Vjenës, “L’image oubliée d’après Debussy”, (Imazh i harruar pas Debussy) për James Willshire në përgjigje të një porosie nga Seria e Muzikës së Vonë në Jork, për të përkujtuar qindvjetorin e vdekjes së Debussy-së dhe “La Leggiadra Luna” (Hëna e Zhdërvjellët) për kor të përzier a capella, që e pati premierën botërore nga Ansambli vokal 24, në Universitetin e Jorkut. Mezi pres të dëgjoj “La Leggiadra Luna” në Festivalin e Shoqatës Ndërkombëtare të Muzikës Bashkëkohore, “Ditët e Muzikës Botërore”, në maj të 2019-ës, ku do të performohet nga ansambli fitues i një çmimi Grammy; Kori Estonez i Filarmonisë së Dhomës. Është sfondi i një poeme të Safos, përkthyer nga greqishtja e vjetër në italishten moderne nga poeti sicilian, fitues i Nobelit, Salvatore Quasimodo.
Siç është rasti me të gjitha vepra e përzgjedhura për Festivalin ISCM gjatë viteve (janë bërë dhjetë), kjo pjesë iu nënshtrua drejtpërdrejt një jurie ndërkombëtare dhe ishte një nga tri veprat përfaqësuese të Britanisë së Madhe në këtë festival prestigjioz në muajin maj.
Jam sigurisht krenar për këtë, sepse përmbledh atë që jam përpjekur të bëj për disa vite, për t’u fokusuar në një idiomë kur aspektet antike dhe moderne të shprehjes, muzikore ose jo, të ndërveprojë dhe të përplotësojë njëra-tjetrën.
Si e karakterizoni gjuhën tuaj kompozicionale?
Një nga ato pyetjet “një milion dollarëshe”. Është e vështirë ta përshkruash me fjalë atë që përshkruhet më së miri me tinguj. Dhe kjo është veçanërisht sfiduesve në klimën muzikore të kohëve tona e karakterizuar nga qasje pluraliste drejt stilit, ku dikush nuk mund të flasë diçka të ngjashme si “lingua Franca”. Thënë këtë, mund të përmend se ka shpesh diçka në veprat e mia, qoftë gjest apo një ide-motiv, që dëgjuesi mund ta mbërthejë. Mund të them gjithashtu se një karakteristikë e rëndësishme e gjuhës sime muzikore është të bërit bashkë elementë nga kultura të pangjashme muzikore. Shpesh, strukturat komplekse akordale apo format shumë shtresore reduktohen në vetëm një notë, që bëhet një lloj “përmbledhje atomistike” me një cilësi magnetike, rreth së cilës elementë të ndryshëm nuancor sillen lirshëm. Ky lloj lineariteti me bazë në zukamë është karakteristike e spikatur e aureolës së lashtë muzikore të Ballkanit dhe prej vitesh jam i interesuar në të dhe në përmbajtjet heterofonike që dalin prej saj. Kjo nisi në fillim të viteve ’80, kur punoja si drejtor muzikor në Sarandë dhe përvoja me muzikantë virtuozë të muzikës folklorike , patën një efekt jetëgjatë në muzikën time. Ishte interesante të lexoje komentet e Ligeti-it në një intervistë me Stefan Niculescu, botuar në revistën rumune “Revista Muzica” më 1993-shin, ku thoshte se “këto lloj zukatjesh, origjina e një tingulli të gjatë e të qëndrueshëm, që mbështet meloditë melismatike mund të gjendet në shkallë të gjerë në jug të Shqipërisë…”.
Si punoni?
Punoj fort mbi çdo vepër (të vogël apo të madhe) dhe në çdo notë.
Kush janë muzikantët tuaj të parapëlqyer?
Kam shkruar një sërë veprash për të ashtuquajturit interpretues “idealë” dhe gjithnjë jam ndier mirë kur e dija se për kë po shkruaja. Kjo është e rëndësishme për mua, sepse performuesi është dëgjuesi im i parë dhe kam qenë me fat që kam pasur mundësi të punoja me muzikantë të mrekullueshëm në këtë vend dhe në kontinent. Në Angli, nisi me Peter Sheppard Skaerved dhe Kuartetin Kreutzer. Rashë në kontakt me Peterin në vitin 2000 dhe i kërkova nëse ishte i interesuar për një vepër të re, premiera e së cilës ishte në Festivalin ISCM të po atij viti dhe ai m’u përgjigj për disa sekonda, duke më thënë “Jam gjithnjë i interesuar për vepra të reja në violinë”.
Që prej asaj kohe, bashkëpunimi ynë u rrit qëndrueshëm dhe kam një sërë veprash për Peterin dhe Kuarteti Kreutzer ka regjistruar dy nga kuartetet e mia për harqe. Së fundi, Peter dhe Roderick Chadwick kanë regjistruar katër vepra të mia për një CD tjetër, bashkë me vepra të shkruara për Christopher Orton dhe Joseph Houston. Të gjithë janë bashkëpunëtorë prej një kohe të gjatë: Chris porositi një pjesë që fitoi çmimin britanik të kompozitorit nga BASCA më 2009-ën, ndërsa Joe ka performuar disa vepra të miat, si premiera botërore “Deux Esquisses”, që e kompozova për debutimin e tij në Wigmore Hall debut. Kjo CD pritet të dalë shumë shpejt.
Po ashtu edhe Quatuor Diotima, të cilin e përmenda më herët. Kam panair me disa nga ansamblet më të mirë në muzikën bashkëkohore si Klangforum i Vjenës, Musikfabrik i Këlnit dheSinfonietta e Kopenhagës dhe disa muzikantë të jashtëzakonshëm solo si Rohan De Saram dhe Neil Heyde në Londër, Lorina Wallaster në Vjenë, Florian Vlashi në Spanjë, Petrit Çeku në Zagreb, Klaidi Sahatçi – Spalë e orkestrës Tonhall në Zyrih dhe shumë të tjera.
Ndërsa disa prej veprave të mia janë më sfiduese se të tjerat, kam shkruar edhe disa pjesë që mund të luhen si nga profesionistët, ashtu edhe nga amatorët – kam madje pjesë të përfshira në ABRSM Syllabus. Kohët e fundit kam bërë disa versione instrumentale (duo dhe trio) të këngës “Moj e Bukura More” dhe më ka gëzuar, ndërsa e bëja. Kjo melodi më se 500 vjeçare e përshtat veten në çdo instrument (pothuajse) në një shumësi kombinimesh. Ka edhe një version vokal performuar nga ansambli vokal 24 në Universitetin e Jorkut. Versioni më i ri (Violinë, Celo dhe Kitarë) do ta ketë premierën shumë shpejt.
Një pjesë e rëndësishme e punës sime është Cikli “Soliloquy” – një seri punës solo për instrumente të ndryshme, ku protagonisti flet në gjuhë të ndryshme si të ishte ose për të përdorur një metaforë nga teatri, një aktor që luan role të ndryshme, ku çdo personazh e përdor në masë të konsiderueshme dialektin e tij. Kam shkruar gjashtë vepra deri tani në këtë seri dhe ka ende të tjera për t’u realizuar. Të kompozoja për Sarah Watts dhe Chris Orton ka qenë përvojë e paharrueshme- të dy më inkurajuan të shtyja kufijtë e klarinetës bas dhe flautit sa më shumë të mundja dhe e bëra. Po punoj aktualisht në një projekt të ri me klarinetistin nga Parisi, Jérôme Comte – anëtar i Ansamblit Intercontemporain. Së fundi jam takuar me Tamara Stefanovich dhe Pierre-Laurent Aimard dhe i kam dëgjuar të luajnë solo dhe bashkë – shpresoj që një ditë të jem në gjendje të punoj me ta.
Përvoja më e paharrueshme koncertore që keni pasur
Ka pasur disa të tilla. Për mua premierat botërore janë të paharrueshme, pasi lajmërojnë lindjen e “një foshnje të re”. Do të përmendja premierën e “Soliloquy I” për Violinë Solo, që është e paharrueshme; u paraqit në Festivalin ISCM në Luksemburg, më 2000. Përpara se të kalonte përballë një jurie ndërkombëtare ia tregova Ferneyhough gjatë një shkolle verore në Universitetin e Shtetit të Kalifornisë dhe ai e pa në disa detaje dhe më inkurajoi ta çoja në festival. Kështu bëra dhe u përzgjodh – Irvine Arditti, mes të tjerëve ishte në juri. Gjatë provave isha me violinisten Vania Lecuit, e pyeta se sa partitura do të përdorte në koncert dhe ajo m’u përgjigj “Nuk e di, por e kam mësuar përmendësh”. U befasova, e dija mirë sfidën që përfaqësonte kjo pjesë për performuesin dhe nuk ishte kurrë qëllimi im të performohej përmendësh, por ja ku ishte. Vania e luajti në Festivalin ISCM dhe ishte suksesi im i parë në nivel ndërkombëtar.
Cilat konsideroni si idetë dhe konceptet më të rëndësishme t’i ndani me muzikantët e rinj?
Të jesh kompozitor në kohët tona moderne, ku gjithçka duket se udhëhiqet nga një kulturë e të bërit të gjërave shpejt, për t’u bërë i pasur dhe i famshëm sa më shpejt të jetë e mundur, nuk është gjë e lehtë. Puna jonë matet me minuta dhe ne shpenzojmë orë e orë të tëra për të kompozuar një minutë muzikë, por e bëj sepse nuk bëj dot pa muzikë. Jam ende optimist, për mua gota ka qenë gjithnjë gjysmë e mbushur. Bindja ime është se kur vjen puna te krijimtaria, dikush duhet të paktën të provojë të flasë me zërin e tij, sado i vogël të duket. Kam 20 vjet që jam mësim kompozicion dhe shpesh u them studentëve të mi: “Shkruani muzikën që doni të dëgjoni, jo muzikën që dua unë të dëgjoj, sepse atë mund ta shkruaj vetë”./gazeta si/