Albspirit

Media/News/Publishing

Politikat e jashtme dhe të sigurisë amerikane nuk bëhen nga individë

Ruben Avxhiu

Nuk e mohoj që nuk më erdhi mirë kur Ambasadori John Bolton u caktua Këshilltar Kombëtar i Sigurisë së Preisdentit Donald Trump.
Arsyeja ishte e thjeshtë, në 2008, ai u bë pjesë e përpjekjes së fundit në debatet e brendshme amerikane për të ndaluar pavarësinë e Kosovës.
Nuk e di se nga buronte kundërshtimi i tij. Disa imagjinojnë lidhje të thella serbe. Disa nisen nga mosnjohja e mirë e realitetit në Ballkan që e ka bërë si shumë të tjerë përpara tij ta përngjasojnë me konflikte të tjera. (Dihet antipatia e tij për palestinezët.) Po këto krahasime janë shumë pavend. Kosova është vërtet një rast unik i kuptuar ashtu si nga e drejta kombëtare ashtu edhe politikisht nga mbështetësit e pavarësisë së saj në botë. Asnjë precedent ligjor që buron prej kësaj pavarësie nuk do të pranohet. Nëse një vend tjetër do që të shpallë pavarësinë ai do të duhet të gjejë një tjetër argument ligjor. Jo Kosovën.
Shumë më tepër se këto më lart, apo të tjera, kundërshtimi nga Ambasadori Bolton ndaj pavarësisë së Kosovës mund të ketë qenë thjesht një reagim personal. I caktuar në krye të misionit Amerikan në OKB dhe pastaj i larguar mbase si kompromis i Presidentit George W Bush me aleatë politikë në SHBA dhe në Europë, Boltonit i mbetën dy gjëra që nuk i shqiteshin dot: Titulli “Ambasador” edhe pa qenë më i tillë, një traditë amerikane të cilën e përqafoi me kënaqësi si dhe dëshira për “hakmarrje” ndaj politikës së jashtme të ish-bosit të tij Bushit të Ri dhe sidomos kundërshtares së tij në Administratë, Sekretares së Shtetit Condoleezza Rice.
Bolton e kritikoi Bushin dhe Rice për çdo gjë në atë periudhë, për zhvillimet në Gjeorgji, në Izrael e Lindjen e Mesme, po edhe për Kosovën.
A kishte kjo rëndësi dhjetë vjet më vonë, kur u caktua nga Trump si këshilltar për politikat e sigurisë amerikane në botë? Kam bërë një shkrim në atë kohë dhe i qendroj edhe sot. Fakti që Bolton nuk e ka përmendur më Kosovën gjatë një dekade ishte më së paku shenjë se tema nuk kishte rëndësi për të. Kosova është në fund të fundit, një aspekt i parëndësishëm i angazhimit global amerikan. SHBA ndodhet aty edhe sepse për fatin tonë, gjysma e dytë e viteve 1990 i gjeti amerikanët kryesisht me duar të lira, me mundësi për të kryer ndërhyrje ushtarake kryesisht për arsye morale, më shumë sesa për interesa gjeostrategjike. Bolton nuk e ka vrarë shumë mendjen për Kosovën dhe shanset janë që Kosova të mos ketë qenë në listën e interesave të tij pasi është caktuar Këshilltar.
E megjithatë, ka dy elemente këtu. E para, sado pak rëndësi ka Kosova për të, apo edhe sikur të ketë ndryshuar mendjen për pavarësinë e Kosovës, më mirë një zyrtar i lartë amerikan që ka mbështetur pavarësinë e Kosovës sesa dikush që ka folur kundër saj. Në këtë post, je në të gjitha tavolinat kryesore kur merren vendimet e sigurisë amerikane. SHBA është në fund të fundit në Ballkan garantuesja kryesore e sigurisë.
Nga ana tjetër, deklarata e atëhershme e Boltonit ka fituar jo pak zemra dhe iluzione mes serbëve dhe nuk është çudi që në vite, një miqësi e lidhje të jetë kultivuar. Apo le të themi serbët janë shumë më të frymëzuar për të joshur një diplomat si Bolton për shkak të mirënjohjes reale që ushqejnë për përpjekjen e tij në atë kohë.
Pa pritur asnjë zhvillim negativ nga Bolton, përsëri më mirë dikush tjetër, në atë post, që nuk mbart me vete dyshime e përplasje nga e kaluara. Aq më tepër në një administratë si kjo e Presidentit Trump që ka prirjen për të parë çdo gjë përpara tij si gabim.
Po gëzimi për largimin e John Boltonit i ngjan për nga absurditetit alarmit për emërimin e tij. Atij i është veshur plani për marrëveshje me Serbinë me shkëmbim territoresh, presioni për heqjen e taksës nga Kosova, madje deri edhe qendrimi në pushtet i Presidentit Thaçi e kryeministrit Rama.
Këto janë përshkrime që në mos janë naive dhe thjeshtëzuese, vuajnë ose nga interesa të ngushta partiake, personale, klanore, etj.
Ndoshta është momenti për të përsëritur edhe një herë që politika e jashtme amerikane dhe ajo e sigurisë nuk është punë individësh. Këto tre vjet kanë qenë të mbushur me shembuj se si as vetë Presidenti i SHBA-së nuk mund të ndryshojë kursin e politikës amerikane pa një betejë të pandalshme me vetë njerëzit që i shërbejnë. Kjo për arsyen madhore se këto politika dalin në rrugë institucionale të krijuara për të detyruar vendime kolektive dhe jo personale.
Kur nuk je në gjendje të shohësh mekanizmat veprues është normale e njerëzore të përdorësh individë për të fajësuar apo për t’u ngritur statuja. Është pak e vështirë në botën e opinionit shqiptar të mos jesh ose ne piedestal ose në “koshin e plehrave të historisë”.
Është edhe më lehtë për të bërë shkrime të bujshme, deklarata me vlera politike, sidomos në prag zgjedhjesh, për të kritikuar e denoncuar kundërshtarë politikë, për të përsëritur klishe politike e patriotike etj etj.
Kjo kuptohet, është në natyrën njerëzore. Ajo që ka rëndësi është që ata të cilat marrin vendime me rëndësi kombëtare, ata që drejtojnë shtetin si në Tiranë ashtu në Prishtinë, zyrtarët e diplomatët, gazetarët seriozë e kushdo që ka interes në ndjekjen afatgjatë të zhvillimeve kryesore të mos hutohet nga ikja e ardhja e individëve.
Bolton iku tani, por Matthew Palmer ka mbetur. Apo si e pashë diku “dhëndrri i Serbisë”. Ishte tipike e serbëve në vitet 1990 që zbulonin vazhdimisht armiq që po ua bënin të keqen. Vetëm të ikte ky apo ai dhe gjithshka ndryshonte.
Sigurisht Palmer ka një bashkëshorte serbe dhe normale që disa shqiptarë do të dyshojnë të paanësia e tij. Edhe për të do të kisha preferuar të ishte dikush tjetër. Thjesht për siguri. Po është gabim të paragjykohen qendrimet e një diplomati amerikan për shkak të kujt është martuar me të. Ashtu si është gabim ta kuptosh politikën e jashtme amerikane si prodhim të Boltonit apo të Palmerit. Kjo është tipike në Shqipëri për shembull, në bindjen që nuk vdes, se problemi është me ambasadorin amerikan dhe se zgjidhja kërkohet te përpjekjet qesharake për ta anashkaluar duke e çuar vetë mesazhin në Washington.
Kjo është normale. Shqiptarët nuk janë as të parët e as të fundit që ia lënë një individi meritën apo fajin e politikës amerikane. Vetë media amerikane ishte e mbushur me alarmizma dhe Bolton do të shkakonte një luftë me Iranin dhe tani po kruajnë kokën se pse lufta me Iranin u bë më e mundshme tani që Bolton iku.
Ka një shpjegim të thjeshtë në këto keqkuptime. Nuk janë individët si Bolton që me prirjet e tyre individuale sjellin konflikt fjala vjen me Iranin, po afrimi i konfliktit me Iranin, sjell në sipërfaqe figura që janë më të prirura ndaj asaj politike. Nuk ishte Bolton që solli ashpërsimin me Iranin, po vija e re konfontuese më Iranin hapi derën që Bolton të ngjitet në postin e Këshilltarit.
Në mënyrë të ngjashme, nuk është Palmer, një diplomat me një grua serbe që po sjell një plan marrëveshjeje që nuk është favorizues për Kosovën, po është një linjë e re e politikës amerikane që ndihmon që Palmer për shkak të njohjes së rajonit, meritave në diplomaci etj, po edhe kuptimit shumë më të mirë të botës serbe caktohet për ta zbatuar.
Nga këndvështrimi amerikan, ka mundësi që një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duket shumë më e vështirë për t’u pranuar nga Serbia, jo nga Kosova. Edhe sikur kjo e fundit të humbasë territorin për të cilin në fund të fundit ka nevojën e amerikanëve që ta mbrojë. Serbia do të duhet të njohë Kosovën, duke mbyllur konfliktin. Një çmim që ndoshta ia vlen tre rajonet me shumicë serbe, po që ndoshta nuk ia vlen në kuptimin e pasojave që mund të ketë në rajon e botë.
Në vend që të merren me individë duke sakrifikuar arsyen në altarin e paranojave, shqiptarët duhet të përgatiten të bëjnë analiza institucionale dhe të llogarisin ndikimet individuale si diçka reale, por duke kuptuar natyrën e kufizuar që kanë.

Please follow and like us: