Albspirit

Media/News/Publishing

Saga e vilave të Bllokut në Pogradec: Rrëfime nga dëshmitare pranë Enver Hoxhës (2)

Image may contain: 1 person, suit

Bardhyl Berberi

 

Rrëfime nga dëshmitare pranë Enver Hoxhës nga rezidenca e Bllokut në Pogradec

 

Një letër e Nexhmije Hoxhës pas 34 vjetësh që ajo e ka shkruar

 

 

Por Bane Barjami, thotë, se në dy vitet e fundit para se të vdiste Enveri në vilën e Pogradecit, ditën që largohej për në Tiranë, ne nuk e rregullonim krevatin ku flinte Enveri, e linim ashtu siç ishte ngritur nga gjumi, madje edhe filxhanin e kafesë nuk e lanim deri verën tjetër kur ai vinte përsëri kështu ishte dhënë porosia nga Sulua

Por, kujton Bania, në fund të gushtit të vitit 1984 sikur e ndjeu që nuk do të vinte më dot në Pogradec. Para se t`i hipte makinës u rrotullua anembanë vilës, më pas thirri drejtorin e vilave të asaj kohe Piro Mitllarin dhe sëbashku me Nexhmijen i tha Sulo Gradecit të na bënte një fotografi. Bëmë këtë fotografi në oborr pra vilës. Ne i dhuruam karafilat që i donte aq shumë, ndërkohë Enveri hipi në veturë shumë i malluar dhe i përlotur, sikur e ndjeu se verën tjetër nuk do të vinte…Dhe nuk erdhi më, në prill të 1985 Enveri vdiq dhe po atë natë erdhi na mori një makinë dhe shërbyem në vilën në Tiranë, gjatë atyre ditëve të varrimit të Enverit. Por karafilat erdhi i mori Nexhmija atë verë, për t’ia çuar tek varri…Ja shikoje Nexhmijen me motrën e Enverit që erdhën morën karafilat për Enverin, pasi ia kishte lënë amanet që karafilat e Pogradecit i donte tek varri. Por më 24 gusht 1985 Nexhmije Hoxha iu dërgon Banes dhe Zikes një letër dhe fotot që ato kishin bërë me Enverin dhe Nexhmijen.

Pas shumë vitesh po e botojmë këtë letër të plotë:

Fotografia e Alb-Spirit.com

Fotografia e Alb-Spirit.com

Të dashura shoqe Bane e Zike,

 

Mora dy buketat tuaja me karafila që më dërguat në fillim të Korrikut. Kujdesi dhe dashuria juaj më prekën thellë. Këto ishin dy buketat që na dhuronit çdo vit kur vinim për pushime në Pogradecin tuaj të bukur e në shtëpinë që ju e mbanit aq pastër. Çdo gjë ishte e freskët, edhe klima, edhe shtëpia, edhe ju vetë, me fytyra të shëndetshme dhe grykëse të bardha si zemra juaj.

Enveri, i lodhur nga puna e sëmundja, ëndërronte sa të vinte koha që të vinim në Pogradec: “Atje, thoshte, do të pushoj mirë dhe do ta marr veten”.

Por ja që nuk mundi që të vijë. Dy buketat e karafilave që më dërguat ia çova atje lart, në Kodër ku prehet bashkë me shokët e luftës dhe i thashë “ti dërgojnë nga Pogradeci, Bania me Ziken”.

Unë jam në Durrës, me fëmijët. Nesër, pasnesër do të kthehem në Tiranë dhe mendja më shkoj prapë tek dy buketat me karafila, me të cilat na përcillnit dhe u kujtova juve,prandaj po e shkruaj; si shoqeve e motrave të mia po u shkruaj se kam mall për Pogradecin për shtëpinë e Partisë ku banonim dhe kalonim pothuajse dy muaj, ku kemi shumë kujtime të pashlyeshme nga liqeni i bukur, freskia e parkut, mështeknat ku rrinim, nga Driloni, nga pogradecarët, pushimtarët, pionerët etj që na prisnin dhe na respektonin aq shumë…

Mua nuk më bën zemra të vij në Pogradec pa Atë, por me mendje kam qenë atje, për ditë e për natë…

Siç e dini sivjet po bën një verë shumë e nxetë që unë duke kaluar pushimet në Pogradec e kasha harruar sa e bezdisshme është vapa, prandaj aq më shumë kam kujtuar Pogradecin dhe kam menduar me vete sa bukur i kalonim ditët atje tek ju.

Po të bëntë pak më vapë, uleshim në breg të liqenit dhe shëtisnim po aty,nën hijen e plepave ose shkonim në Drilon, sidomos kur na tërhiqnin fëmijët, se donin të zinin peshq, të vozitnin me varka, të hanin si në piknik dhe gjyshi nuk ia u prishte.

Kurse po të bënte pak më freskët ose të kishte pak erë, i lagoheshim liqenit dhe rrinim tek “Mështekna jonë”; shëtitjen e bënim nga ana tjetër e rrugës, në mes të pishave, plepave dhe luleve të fidanishtes së qytetit, nga shihnim fushat e bukura të Buçimasit, kodrat me pemë e gështenjat dhe rrugët që të çojnë në Korçë…

Ju e dini se sa i donte lulet Enveri dhe ju bashkë me shokët e shoqet e ngarkuar kujdeseshit që ne të gjenim Pogradecin dhe shtëpinë “baçe me lule“ siç thotë populli. Ngado që ktheje kokën lule, lule. Mbi të gjitha Atij i pëlqenin karafilat të kuq flakë dhe ngjyra-ngjyra, këto i gjenim në sheshet e pushimit, anës shkallëve, në dhomën e bukës, të ndenjes, tek oxhaku e kudo. Mua më mbeteshin në sy dhe më merrte zilia për mëllagat tuaja shumëngjyrëshe e sidomos ato kacavjerrëse, në ballkone, dritare, etje., ku ne kemi bërë fotografi aq të bukura.

Ju shoqe që shërbeni në ato vilat e pushimit të shokëve, keni merita të veçanta për kujdesin që tregoni për lulet. Me të drejtë Ai thoshte: “Kur Pogradeci me atë dimër të ashpër, ka gjithë këto lule, pse Tirana është kaq e varfër në lule”?

Duke ditur këtë dëshirë shokët e shoqet e komunalit të Tiranës, janë përpjekur që të bëjnë diçka më shumë e më mire, por Pogradecin nuk e arrijnë.

Të gjitha këto klima, lulet, kënaqësia e njerëzve që pushonin e ndihmonin të çlodhej, të çlodhej, por pa hequr dorë nga puna, të largohej nga mbledhjet e lodhshme, por jo nga problemet e Partisë dhe të vendit  të brendshme dhe të jashtme.

Mjekëve që shqetësoheshin kur e shihnin se si pushon u thoshte: “Me trup ika nga Tirana, por trutë nuk i mbyll dot në kasafortë…mjafton që unë shëtis, rri më shumë në ajër të pastër…”.

Siç e dini edhe ju aty vinin shokë drejtues të partisë e të pushtetit të Pogradecit të Korçës, i pyeste, i raportonin, u ngrinte probleme e u hapte prespektiva të reja. Aty ai ka punuar për disa nga librat e kujtimeve, të shënimeve politike dhe analizave shkencore si “Imperializmi dhe Revolucioni”, etj.

Ditari i Tij edhe në kohën e pushimeve është i mbushur plot me refleksione politike, ideologjike, ekonomiko-shoqërore, ditari i tij është plot me përshtypjet e tij për Pogradecin, që më vonë në të ardhmen do t’ia dërgoj Komitetit të Partisë dhe Muzeut të rrethit që të njohë populli i Pogradecit se çfarë mendonte e ndiente Ai për qytetin tuaj e njerëzit e saj.

U zgjata shumë, siç duket nga malli. Po e mbyll letrën me të falat e mia, të Haxhos dhe Sanos si dhe të fëmijëve tanë, të cilët bashkë me familjet e të vegjëlit e tyre ruajnë kujtimet më të mira nga Pogradeci dhe ambientet ku banonim e shëtisnim e loznim. Shumë të fala familjeve tuaja si dhe shoqeve të vilave të tjera.

Ju përqafoj me mall, Nexhmije Hoxha.

Durrës, 24 gusht 1985.

 

 

Por kjo zonë e Bllokut mbeti për gati 30 vjet e bllokuar dhe nuk shkeli këmbë njeriu deri në vitin 1994 kur ai u ça dhe pogradecarët shkelën në pjesën më të bukur të qytetit, që iu ishte mohuar për tre dekada.

 

 

Vijon pjesa e tretë: Si ruhej Enver Hoxha në Pogradec?

 

 

 

 

Please follow and like us: