Ku qëndron forca e vërtetë e krijimtarisë?!
Nga Kozeta Zavalani
Fillimi i një eseje
Krijimtaria si shprehje e jetës për ne krijuesit, na jep kuptimin e vërtetë të ekzistencës si qenie njerëzore. Jo se jeta jonë varet nga letërsia apo poezia. Çdokush nga ne mund të mbijetojë në jetën tonë materialiste; madje pa ndërtuar ndonjë marrëdhënie me letërsinë në tërësi apo poezinë në veçanti. Sidoqoftë, letërsia nuk mund të mbijetojë kurrë, pa vendosur lidhje të drejtpërdrejtë me jetën në tërësi. Prandaj, kuptojmë se letërsia varet nga jeta jonë, që është plot dhimbje e dëshpërim, gjithashtu plot shpresë dhe mundësi të pafundme.
Krijimtaria kërkon dhembshuri njerëzore, sepse pa të krijimtaria bëhet thjesht një ngatërrim i fjalëve të vdekura, të pavlefshme, si një entitet i pajetë. Kush do të donte të lexonte atë krijimtari, e cila është thjesht një formim fjalësh dhe tingujsh pa ndonjë shpirt të vërtetë? Krijimtaria është një nga mediumet e fuqishme për të komunikuar me lexuesit, me njerëzit dhe kohën, natyrën dhe shpirtin. Format mund të ndryshojnë, por thelbi mbetet i njëjtë dhe i fuqishëm nëse krijuesi mund të shprehë talentin e tij ose saj me dinjitet dhe elegancë të duhur. Pra, duke e mbajtur veten të izoluar nga vuajtjet njerëzore, nga tragjeditë e ngjarjeve politike; edhe nëse përpiqemi të jemi krijues në fushën letrare, e gjithë krijimtaria jonë do të jetë e pajetë pa ndonjë shpirt të vërtetë brenda. Kjo është përgjegjësia e krijuesit të vërtetë ku, lexuesi mund të gjejë një shpirt të vërtetë, i cili mund të komunikojë me kohën dhe vuajtjet e tij.
Mjerisht, shumica e krijimeve letrare nuk përmbajnë këtë kriter. Sepse jemi shumë të zënë me interesat tona vetjake, për zhvillimin materialist të jetës sonë personale. Ne na pëlqen të botojmë libra që të mbajnë emrat tanë, shpesh për famë letrare, qëllime personale e arritje individuale. Pra, shumica e krijimtarisë sonë fatkeqsisht ka humbur shpirtin e vërtetë njerëzor, ndaj nuk mbetet më komunikues në thelbin e vërtetë…
Ne duhet të mbajmë në mendje të gjitha këto fakte të vërteta dhe thelbësore, para se të fillojmë të shkruajmë. Unë mendoj se, do të na ndihmonte qartë të përqëndrohemi në aftësitë tona dhe ta zhvillojmë krijimtarinë në mënyrë të vërtetë. Nëse mund ta arrijmë këtë, unë besoj se krijimtaria jonë do të jetë në gjendje të komunikojë me audiencën spontanisht dhe thellë. Për më tepër, a e dimë vërtet kur shfaqet momenti unik poetik? Besoj se përgjigjet me siguri do të ishin të ndryshme. Momenti është në të vërtetë manifestimi i hapësirës kohore të menjëhershme. Prandaj mendoj se këto momente unike poetike shfaqin në mendjen krijuese, ndjeshmëritë e të cilës janë tepër të thella dhe i japin lexuesit një energji të madhe. Unë besoj se ky është themeli i epërsisë së krijimtarisë së atyre, që kanë ndjeshmëri oqeanike të mendjeve poetike. Dhe pa këtë ndjeshmëri, nuk mendoj se mrekullia poetike është e mundur në kuptimin e saj të vërtetë. Krijime të tilla na befasojnë e mbeten në korsinë e kujtesës, sepse fuqia e krijimtarisë qëndron në dimensionet e saj të ndryshme ndërmjet kohës dhe hapësirës që sigurisht, nuk do të avullonin në ajër, por janë bekime të vërteta për studiuesit e letërsisë.
Ne jemi dëshmitarë të zhvillimit të shpejtë të mediave si bartës të teknologjisë së informimit, por natyra e marrëdhënieve midis njerëzve si receptorë dhe procesorë të informacionit dhe vetë informacionit, qofshin të zakonshme ose artistike, mbetet në thelb e njëjtë. Një vepër letrare nuk është një produkt i fundëm, por një proces krijues i përhershëm i kodimit dhe dekodimit të realitetit, proces i cili ndodh në vetëdijen tonë. Fillon me shkrimtarin, i cili kodon ndjenjën e vet të realitetit të krijuar nga personaliteti, arsimimi dhe mjedisi i tij. Veçoritë e gjuhës së tij amtare luajnë një rol të rëndësishëm në këtë process, shfaqen si një realitet i ri imagjinar, i cili vështirë se mund të jetë identik me atë të shkrimtarit. Sa më me aftësi dhe bindje shkrimtari përpunon ndjenjën e tij të realitetit, aq më e lartë do të jetë probabiliteti që lexuesi ta përjetojë atë në një mënyrë të ngjashme. Kjo nënkupton që njerëzit që vijnë nga komunitete të ndryshme gjuhësore, kanë qasje të ndryshme në të njëjtat kontekste verbale, në përdorim letrar, që pa dyshim, është një detyrë e vështirë, duke marrë parasysh të gjitha proceset mendore të përfshira në këtë dizajnim kompleks.
Në takimin me produktin përfundimtar të procesit krijues ndikon intuita artistike, e cila është rezultat i viteve të angazhimit me letërsinë, kulturën dhe kompleksitetin e qytetërimit të krijuesit. Ajo fillon si një amalgam i ndjenjave dhe nxitjeve që duhen kapur, strukturuar, organizuar dhe përfundimisht materializuar me fjalë dhe përshkrime. Sa më transparente të jetë strukturimi i lëndës së parë, aq më i lehtë do të jetë për t’u kuptuar. Kur autori vë mish e gjak në eshtrat e punës së tij, aq më shumë e bën këtë punë të domosdoshme dhe të qëndrueshme, në kultivimin përmes mençurisë së kohës dhe hapësirës së krijuesit.
Krijimtaria e mirë është si një aureolë dashurie që magjeps shpirtrat e ndjeshëm me bukurinë e mistershme dhe shfaqjen e rrallë të ngjarjeve e personazheve. Ajo hap një horizont të gjerë të mendimeve personale, që njëherësh e preokupojnë subjektin brenda në shpirt, ku bota e mendimit udhëton nëpër oazën e jetës, duke shijuar momente të ndryshme të saj. Mundësia për t’u shprehur bukur dhe përpjekja njerëzore krijuese për ta bërë këtë, është ajo që i jep vlerë pafund dhe e bën atë sa të natyrshme aq edhe të suksesshme. Unë theksoj se krijimtaria është mburoja ime kundër shëmtisë së kësaj bote. Ajo transformon të gjitha këndet e pjerrëta dhe filtron të gjitha pasojat e zilisë, urrejtjes e mërzisë; nëpërmjet dashurisë që ujit ndjenjat për misionin e shenjtë të jetës në shumë situata të padëshiruara.
Ndaj krijimtaria flet, ulëret, lutet, bind, argumenton, diskuton – në sinkronizëm të përsosur si një pasqyrim i asaj që dëshiron t’i përcjellë botës! Dhe ne dallojmë zërin e saj të butë, të sigurt, të zjarrtë, të dashur, të pasionuar, të irrituar, të zemëruar dhe kështu me radhë, pasi eksplorojmë strukturat e ndryshme për të krijuar jo vetëm identitetin, por gjithashtu, duke realizuar potencialin e plotë. Kështu, duke u nisur nga përvojat dhe rrethanat e jetës, me shqetësim dhe ndjeshmëri ne fluturojmë me krahët tona, nëpërmjet krijimtarisë, që është vend i utopisë, me vlerat më të mira dhe më të bukura humanistike, që na ballafaqojnë me botën tonë të çuditshme dhe shpesh të padrejtë…