Albspirit

Media/News/Publishing

Bashkim SHEHU: MESDHEU SI REALITET DHE IMAGJINATË

Image result for bashkim shehu
Ese
 
Njësia kulturore mesdhetare pra, është diçka as thjesht objektive, as thjesht subjektive, sepse është diçka që i përket imagjinatës – një bote imagjinare, që natyrisht, nuk është vetëm e imja.
 
 
Do ta filloja me një referencë nga eposi shqiptar, me një shembull që më duket mjaft domethënës, përveçse i stërnjohur këtu, siç është legjenda e Gjergj Elez Alisë. Eshtë rrëfenja e dyluftimit ndërmjet një kreshniku vendas dhe armikut të tij, të emërtuar “Bajlozi Katallan”. Ky është një përbindësh gjigand, i zi dhe me një sy. Këtu shohim substratin arkaik të Odisesë, konkretisht personazhin e Polifemit. Por shohim edhe elementin historik të mitologjizuar, që përbën bërthamën e legjendës: dyndjen dhe inkursionet e katalanëve drejt Ballkanit në mesjetën e vonë. Treguesit janë vetë emërtimi i përbindshit, sistemi feudal perëndimor i taksave, me një enumeracion çuditërisht realist në këtë legjendë, madje edhe ngjyra e zezë e Bajlozit Katallan, siç lyheshin mercenarët almogavares të Roger de Flor-it për të frikësuar kundërshtarët. Porse elementi më i rëndësishëm, që përftohet në mënyrë ndërtekstuale me ngarkesën e një simbolizmi negativ – dhe aty qëndron arsyeja e referencës – është ai i detit.
 
 
DETI SI PËRQASJE ME RREZIKUN
 
Përbindshi, armiku, me tepër se sa vjen nga deti, del prej detit – gati-gati është i njësuar me detin. Më duket i rëndësishëm ky element ngase, ndërtekstualisht, e hasim shpesh në poezinë popullore shqiptare, si një konstante e saj në raport antonimie me malin. Në një varg semiotik gjithësesi të thjeshtuar, siç janë kodifikimet e mitologemave, deti përqaset me rrezikun, që tek e fundit është rreziku nga kontakti me tjetrin, nga kontakti si konflikt, ndërsa mali, në një varg paralel dhe të përkundërt, ka kuptimin e mbrojtjes, të sigurisë së të qënit i vetëmbyllur. Nuk është e rastit që kjo antonimi spikatet sidomos në komentet mbi folklorin gjatë periudhës së një diktature që synonte ta izolonte vendin totalisht. Ndërkaq, më gjerë se sa ky shndërrim i mitologjisë në ideologji totalitare, antonimia e lartpërmndur reflektohet në vetidentifikimin si ballkanas përkundrejt harrimit të përkatësisë në Mesdhe.
 
Referenca tjetër e imja është nga përvoja vetjake. Prej pesë vjetësh jetoj në Barcelonë, pra në skajin tjetër të Mesdheut, ndonëse nuk kam shkuar atje me ato qëllime për të cilat Bajlozi Katallan erdhi në viset shqiptare. Mund të them se aty zbulova komponenten mesdhetare të identitetit tim, identitet i shumëfishtë, kuptohet, sikurse i çdo individi. Dua të theksoj se kjo komponente u bë e dukshme për mua si përbashkësi nëpërmjet kontrastit: komponente e përbashkët me njerëzit e qytetit ku jetoj, në kontrast me aspektet e tjera të identitetit, që i kemi të ndryshme – Shqipëria dhe Spanja (ose Katalunja), Gadishulli Ballkanik dhe Gadishulli Iberik, Europa Lindore dhe Europa Perëndimore etj.
 
Sidoqoftë, nëse po flas për një vetëzbulim të identitetit mesdhetarë në Barcelonë, se kam fjalën te asgjë konkrete, e identifikueshme. Arkitektura? Gastronomia? Stili i të veshurit? Mënyra e jetesës? Asgjë e tillë… ose ndoshta diçka e tillë, po nëpërmjet perceptimit vetiak, si diçka subjektive, si ndjesi e një atmosfere lidhur me këto që përmenda – shprehje e papërcaktueshme natyrisht, ku bën pjesë edhe ndjesia e mënyrës së komunikimit apo e humorit, të gjitha këto nën një prizëm subjektiv.
 
 
IDENTITETI MESDHETAR SI IDENTITET KULTUROR
 
Këtu vijmë tek çështja e identitetit mesdhetar si identitet kulturor. Mendoj se për të, ashtu sikurse për çdo identitet kulturor, nuk mund të flitet në kuptimin e një esence të pranishme në shpirtin e çdo homo mediterraneus, ose të karakteristikave shpirtërore të katalogueshme. Nëse ekziston një katalogim i tillë, atë e gjejmë vetëm në studime të psikologjisë sociale mbi formimin e stereotipeve e të paragjykimeve. Nga ana tjetër, mendoj se ka kuptim të flitet për identitet kulturor mesdhetar për aq sa e pranojmë realitetin e konstruktimeve të tilla socio-historike, një realitet sado jo objektiv sipas konceptit klasik të shkencave natyrore, të huazuar deri vonë edhe nga shkencat humane. Për ta qartësuar këtë ide, le ta përqasim kulturën me arketipin, enën apo strukturën primordiale ku, sipas Jung-ut, derdhen e marrin trajta përvojat e ndryshme jetësore. Kultura nuk ka të bëjë me arketipet psikike e të trashëgueshme të Jung-ut, por mund të themi se ka të bëjë me arketipet e Frederick Jameson-it, forma kulturore sociologjikisht dhe historikisht të kondicionuara. Pra, sociologjikisht – si përftesë ndërpersonale dhe historikisht – si diçka në ndryshim dhe rikrijim të vazhdueshëm. Një parantezë e shkurtër, nuk kam parasysh historinë e parashikueshme në mënyrë logjike siç e postulon filozofia hegeliane, kjo ngrehinë sa madhështore aq edhe e papërdorshme, që më kujton “Qytetin e të pavdekshmëve” të Borges-it.
 
Atëhere, çfarë kuptoj me identitet kulturor mesdhetar?
 
Një nga topikët orientues të kësaj konference është: unitet apo diversitet? Do të përgjigjesha: edhe njëra, edhe tjetra.
 
Diversiteti në Mesdhe është ndoshta karakteristika më e rrokshme. Shkrimtari i shquar Predrag Matvejeviç e përkufizon si një mozaik, pra një diversitet që mund të vështrohet si një e tërë. Le të ndalemi te togfjalëshi “mund të vështrohet”, për të rrokur tërësinë, apo njësinë. Eshtë një togfjalësh që ngërthen perceptimin, subjektivitetin. Ashtu sikurse në sociologji, apo më gjerë në shkencat humane, faktet që në të vërtetë janë akte, nuk mund të merren shkëputurazi nga subjektiviteti – edhe realiteti i Mesdheut nuk mund të merret shkëputurazi nga ligjërimi rreth tij, siç thotë Predrag Matvejeviç në librin e vet “Breviarium i Mesdheut” (libër i përkthyer në të gjitha gjuhët mesdhetare, përveç katalanishtes dhe shqipes, por në shqip është duke u përkthyer, në programin e Shtëpisë së Librit dhe Komunikimit).
 
Njësia kulturore mesdhetare pra, është diçka as thjesht objektive, as thjesht subjektive, sepse është diçka që i përket imagjinatës – një bote imagjinare, që natyrisht, nuk është vetëm e imja. Në kohët e lashta, kur Mesdheu ishte rajoni më i zhvilluar, aty ekzistonte përfytyrimi mitik mbi Atlantidën e zhdukur. Sot, në një kohë që rajoni më i zhvilluar është ai që fillon e shtrihet në të dy brigjet mes të cilëve dikur përfytyrohej Atlantida, kemi një inversion rolesh, ndërsa Mesdheu i antikitetit klasik dhe i Rilindjes Europiane mund të përfytyrohet si një farë Atlantide e zhdukur.
 
Njësinë e Mesdheut do ta personifikoja me anë të dy figurave, nga këto dy epoka që sapo i përmenda. E para është ajo e Uliksit. Sipas hulumtuesve të mëvonshëm, itinerari i tij na shpie pothuajse në të gjitha brigjet dhe koordinatat e Mesdheut. Po më e rëndësishmja është se na shpie mendërisht në themelet homerike të poezisë. Figura tjetër është një piktor i shekullit XVI, Domenikos Teodokopullos, cili nga Greqia shkoi në Venedik dhe mandej në Spanjë, ku e mbiquajtën El Greco. Në të dyja këto rrugëtime shembëllehet simbolikisht ideja se Mesdheu, si në njërën epokë edhe në tjetrën, ishte një orbus, një botë, veçse nga këndvështrimi i sotëm. Dhe, si i tillë, ai ishte djepi i kulturës apo i qytetërimit tonë, i poezisë dhe i filozofisë, i arteve dhe i humanizmit. Tjetër çështje nëse Uliskit iu desh të luftonte me gjithëfarë përbindshash dhe nëse El Greco përfundoi në gjyqin e Inkuizicionit dhe pastaj në çmendinë.
 
 
HOMERI ËSHTË MË AKTUAL SE GAZETAT E DJESHME
 
Po në epokën e sotme? Në epokën e sotme, të ashtuquajtur “post-moderne” (etiketë paksa e vjetëruar kjo tashmë, siç vjetërohen me shpejtësi etiketat në ditët tona), personifikimi është i pamundur. Njeriu konceptohet si një rezultante faktorësh determinues të pakontrollueshëm nga uni i tij, si një paralelogram forcash sociale, ekonomike apo genetike dhe shfaqet si i privuar nga mëvetësia e të menduarit të arsyeshëm dhe e zgjedhjes së lirë të moralshme. Ndërsa Mesdheu, me një mori sistemesh diktatoriale, komuniste apo fashiste, në njëqind vjetët e fundit, me luftra ndëretnike, terrorizëm shtetëror ose joshtetëror, dyndje refugjatësh që mbyten ngushticave të Otrantos apo të Gjibraltarit, në 10 vjetëshin e fundit dhe deri në ditët e fundit, nuk i përngjan aspak përfytyrimit mbi djepin e kulturës.
 
Megjithatë, mendoj se këtij përfytyrimi dhe traditës humaniste që ai përmban, ia vlen t’i rikthehemi. Duke vazhduar të besoj në mënyrë të pandreqshme në idetë e iluminizmit, mbi të cilat ngrihen shoqëritë e botës euroatlantike, të “Atlantidës së re”, mendoj se edukimi me vlerat që lindën në mare nostrum do të ishte i dobishëm, përkundër tmerreve që i jetojmë ose që i mësojmë çdo ditë nga mediat. Siç thoshte Charles Peguy, Homeri është më aktual se gazeta e djeshme. Dhe mund të shtohet se komunikimi, përkundër mbylljes e urrejtjes, do të ndihmonte në promovimin dhe riaktualizimin e atyre vlerave. Madje, nga komunikimi duhet filluar, që Mesdheu sërishmi të jetë mare nostrum.
 
(Ky shkrim është lexuar në konferencën që u mbajt në Shtëpinë e Librit dhe Komunikimit në Tiranë, ku shkrimtari Bashkim Shehu referoi së bashku me Josef Ramonedën dhe Stefanos Pesmazoglou në temën “Në kërkim të dimensionit të humbur: Mesdheu”.)
__________________
Bashkim SHEHU
Shenime bio-bibliografike:
 
Lindur në Tiranë me 1955.
1975-1979: Studime universitare për Gjuhë-Letërsi Shqipe.
1979-1981 dhe 1991-1992: Skenarist ne Kinostudio.
1992-1995: Ka jetuar në Budapest. Paralelisht me krijimtarinë letrare, është marrë me studime në fushën e sociologjisë.
1995-1996: Redaktor i faqeve letrare në “AKS” dhe “MM-2000”.
Qysh nga 1997-a jeton në Barcelonë. Aktualisht punon për Qendren e Kultures Bashkëkohore të Barcelonës.
 
Krijimtaria
 
– “Një kohë tjetër”, tregime, Tiranë, 1977
–  “Vjeshta e ankthit”, roman autobiografik, Paris, 1993 (frëngjisht); Prishtinë-Ljubjanë1994; Tiranë 1994; Prishtinë 1997
– “Hijet”, tregime, Romë, 1993 (italisht)
– “Rrugëtimi i mbramë i Ago Ymerit”, roman, Prishtinë 1995; Paris 1995 (frëngjisht); Tiranë 1996; Barcelonë 2001 (botim paralel, në spanjisht dhe në gjuhën katalane).
– “Idhulli prej tymi”, tregime, Prishtinë 1996
– “Gostia”, roman, Tiranë 1997; Prishtinë 1997
– “Rrëfim ndanë një varri të zbrazët”, roman autogiografik, Prishtinë 1997, Barcelonë 1998 (spanjisht); Tiranë 1998.
– “Edipi mbret dhe Edipi i rremë”, tregime, Paris 1998 (frëngjisht).
– “Letër nga çmendina në vitin 2000”, tregime, Prishtinë 1999.
– “Rrethi”, roman, Preishtinë 2000; Tiranë 2002.
– “Mallkimi, ose mbi mosqenien e autorit”, tregime, Tiranë 2002.
– Së afërmi, priten botime në anglisht, frëngjisht e serbisht, si dhe botimi në shqip i një romani të ri, “Orfeu në Zululandën e Re”.
Please follow and like us: