Bujar Luca: Për artistin e heshtur Agim Mujo!
Bujar Luca
Agim Mujo është padrejtësisht një figurë e panjohur në kulturën shqiptare, por kjo duhet të ndryshojë.
Krejtësisht i injoruar nga turma, por tejet i vlerësuar prej miqve të tij, Agimi preferonte qetësinë që i krijon artistit, vetmia.
Njohës i muzikës klasike dhe kitarist i orëve të lira, skulptor dhe piktor, i dashuruar pas mendimeve filozofike, esoterismit, etimologjisë, astrologjisë, i penetruar nga besimi në fenë katolike, ai ishte i pashtershëm në diskutime, orator i shkëlqyer kur kishte pranë tij një bashkëbisedues të cilin e vlerësonte.
Agimi e vuante tej mase mungesën e lirisë krijuese gjatë viteve të diktaturës dhe shpresonte me gjithë shpirt t’i shpëtonte një ditë. Ja arriti kur u hapën ambasadat duke mos ngurruar një çast të linte pas vehtes çka e kish bërë të vuante.
Në fillim të viteve ‘80 Agimi i hyri pikturës. Idetë e tij mbi pikturën të reflektuara në tabllotë që realizonte ishin në avangardë, në raport me çfarë krijohej rreth e rrotul në Shqipëri. Ai renditej pranë një numri shumë të kufizuar artistësh që guxonin të punonin vepra të cilat e dinin që më parë që ishin të pa ekspozueshme. Më pas, gjatë gati 30 vjetëve që ai jetoi në Itali, piktura u bë për të dashuria më e madhe e jetës së tij. Ai arriti të bëjë një sintezë të thellë nëpërmjet kultures së tij, që pasurohej çdo ditë në Kryeqytetin e përjetshëm të Italisë. Arriti të krijojë një stil personal ku vlerat artistike të një niveli të lartë janë të pamohueshme.
Akuarelet dhe pastelet, portretet, janë të realizuara me një mjeshtëri dhe intensitet emocional, me një vizion që ruan një unitet që e dallon mes artistëve të tjerë. Piktura e tij e lehtë, e gëzuar, transparente, plot finesë, imateriale, na vendos përballë një botë të re që na fton bujarisht.
Jam i bindur që kësaj kërkese që do bëj me këtë letër do t’i bashkohen shumë artdashës, gazetarë të kulturës që kërkojnë më thellë se sipërfaqja, si ata që e njohin Agimin, veprën e tij, ashtu dhe ata që do ta zbulojnë e pa dyshim do t’u pëlqejë, për të kërkuar të gjithë njëzëri pranë institucioneve përkatëse atë që Agim Mujo meriton:
– Të zgjidhen disa vepra të Agim Mujos dhe të organizohet në Tiranë një ekspozitë e denjë mbi veprën e tij; kjo gjë do të bëjë të mundur po ashtu që disa vepra të Agimit të hyjnë në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve (e cila nuk ka asnjë vepër të Agim Mujos në fondin e saj), ku të dëshmohen vlerat e këtij artisti pa bujë që diti të vetndërtohet.
Vepra e tij do të jetë në këtë mënyrë një dëshmi e rëndësishme ndaj ndalesave absurde të regjimit diktatorial.
Bashkëngjitur disa akuarele të Agim Mujos.