Çerçiz LOLOÇI: 100 autorë shqiptarë, në një antologji rumanisht
“Un alfabet al poeziei albaneze” Botoi “Privirea” (Vështrimi) / 101 autorë, 181 faqe, / shoqëruar me bio-bibliografinë e autorëve / ISBN: 973-85900-2-7 / Bukuresht 2003 |
|
- Antologjia hapet me disa nga kryeveprat e Anonimëve, si Rozafati, Kostandini dhe Jurendina, Kënga e Urës së Qabesë, Vajtimi i Ajkunës, Skënderbeu dhe Ballabani, Balada e Pal Golemit dhe pasohet nga krijime të poetëve Dritëro Agolli, Mimoza Ahmeti, Fran Altimari, Fatos Arapi, Lindita Arapi, Asdreni, Alban Bala, Eqrem Basha, Natasha Bega, Sadik Bejko, Mario Belici, Vinçenc Belmonte, Jorgo Bllaci, Shaip Beqiri, Xhavit Beqiri, Valdet Berisha, Agnes Gonxhe Bojaxhi, Martin Camaj, Beqë Cufaj, Andon Zako Çajupi, Alket Çani, Basri Çapriqi, Anton Çefa, Gentian Çoçoli, Rrahman Dedaj, Jeronim de Rada, Shefqet Dibrani, Xhuzepe Skiro di Maxhio, Xhuzepe Skiro di Modika, Gjergj Fishta, Naim Frashëri, Xhozafar Frasino, Adem Gajtani, Mirko Gashi, Zef del Gaudio, Sabit Gecaj, Virion Graçi, Enver Gjerqeku, Ndoc Gjetja, Sabri Hamiti, Ervin Hatibi, Flurans Ilia, Adem Istrefi, Gustin Jordani, Ismail Kadare, Karmell Kandreva, Faik Konica, Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli, Bardhyll Londo, Luljeta Lleshanaku, Gjekë Marinaj, Ervin Marko, Jamarbër Marko, Petro Marko, Esat Mekuli, Din Mehmeti, Elidor Mëhilli, Migjeni, Ndre Mjeda, Beqir Musliu, Pietro Napoletano, Fan Noli, Rrahman Paçarrizi, Ndoc papleka, Gert Pashaj, Lluka Perone, Arshi Pipa, Ali Podrimja, Dhimitër Pojanaku, Lasgush Poradeci, Domeniko Randeli, Frederik Reshpja, Bujar Salihu, Zef Serembe, Vehbi Skënderi, Enxa Skutari, Xhevahir Spahiu, Ilirjana Stringa, Ragip Sylaj, Azem Shkreli, Edi Shukriu, Pano Taçi, Kasem Trebeshina, Agron Tufa, Vorea Ujko, Olimbi Velaj, Ana Ventre, Dushko Vetmo, Agim Vinca, Kate Xukaro, Bilal Xhaferri, Endri Xhafo, Trifon Xhagjika, Mustafë Xhemaili, Rudian Zekthi, Moikom Zeqo, Preç Zogaj, Zef Zorba, Visar Zhiti.
- Në parathënien njohëse, drejtuar lexuesit të huaj, – e ku trajtohen mjaft çështje të shpirtërimit shqiptar, që njihet aq përciptas e jo rrallë shtrembër në këtë anë të kontinentit, – hartuesi thekson se “Poezia mbetet po ai teren rrëshqitës, plot humor të zi dhe shndërrime të paparashikueshme. Sot je një askush – nesër një grusht guriçkash të perëndishme, fjalë-perla të mbjella si duhet në murin që na ndan nga harresa, të dëbojnë nga hija e kujtesës dhe të hipin në një fron që s’e ke ëndërruar kurrë, apo që vetëm e ke ëndërruar. Një ditë tjetër, një tjetër si ti, mbase pak më i dashur për muzat dhe engjëjt, dërgohet të të dërgojë sërish në hije. Sic transit… Me gjithë vështirësitë mëkatare të periudhës së tranzicionit, me pamundësitë dhe kaosin e krijuar nga ‘decentralizimi i frymëzimit’, janë të paktën të admirueshme pasioni dhe përkushtimi me të cilat shkruajnë sot ata dhjetra mijëra të rinj a të moshuar shqiptarë, duke mbartur secili në fshehtësinë e të qënit ende një i panjohur, kurorën e artë të poezisë së madhe.
- Ata e dijnë se gjuha e tyre amtare nuk para i honeps eksperimentet, por aq më pak i duron poetët e bërë e jo të lindur. Kësisoj, secili përpiqet të jetë i lindur. Emrat e këtyre, ndonëse ende fare pak apo aspak të njohur, janë shumë. Na nevojitet vetëm një durim i shkurtër gjysmëshekullor, ose edhe më pak, që të mund të lexojmë mes reshtave të një antologjie të zverdhur nga befasitë, vargjet e tjetrës (…) Nuk synoja kurrsesi të mblidhja në një atdhe tekstual emra autorësh, por thërrmija nga dhuntitë e sa më shumë poetëve.
- Mbase për këtë arsye zgjodha, në kohë, kriterin alfabetik. Ky kriter m’u duk më zemërgjeri, i mbështetur njëfarësoj edhe nga pikëpamja metafizike – një kriter që i lejon secilit autor ta përshfaqë thelbin e veprës së vet në më të paanshmin kontekst. Dihet se nganjëherë kriteri nuk përdoret veçse për të mbuluar qëllimin kryesor e të fshehtë të hartuesit të antologjisë, lojnat e tij të prira nga nuk-e-di ç’utopi të errëta. Nga ana tjetër, bota e poetëve ballkanas ka një ndjeshmëri të pamëshirshme, çka e shndërron hartimin dhe botimin e një antologjie në një kërkesë-ofertë të hapur të hartuesit për të shtuar ‘hasmët’.
- Dashuria me të cilën i kam përkthyer vargjet e mëposhtëm, duke kapërcyer mbi të gjitha bindjet kritike vetjake dhe koniunkturat e çastit, duke marrë paraprakisht mbi vete hidhërimin e të vërtetës se, kush nuk të është bërë ende hasm pa arsye, ka tërë përjetësinë në dispozicion ta bëjë, ndjej se më çliron nga mëkati i subjektivitetit manipulues. Atje ku mbase e kam tepruar pa e kuptuar, gjendet, në fakt, përmasa tjetër e çdo antologjie poetike: besimi i hartuesit në rrymat dhe stilet që duken të kenë më shumë shanse ngadhnjimi ndaj ‘doganave’ të Kohës. E cila, sikurse Vdekja, nuk para ka humor, sidomos kur vjen fjala për poezinë. (…)
- Mbetem me bindjen dhe ndjesinë se një hartues antologjie, me të përfunduar njërën, bluan në mendje antologjinë pasuese. Ai e drejton mendimin ndaj atyre shërbyesve të jashtëzakonshëm të verbit poetik, që përballojnë me stoicizëm, por edhe me hire të rrallë poetikë, mosnjohjen zyrtare dhe shpërfilljen e lexuesit, i cili duket gjithmonë më pak i mprehtë nga sa duhet. Hartuesi nuk ka ngulmuar të thotë se një Poezi është e vetmja që vlen apo më e denja për vëmendjen e përjetësisë. Ai ka synuar, – gjithnjë, – të thotë se, mes popujsh të tjerë, mes gjuhësh të tjera, të vjetra e të reja, disa njerëz të zgjedhur a më pak të zgjedhur nuk kanë dashur të vdesin me të parën. Më saktë: shumë nuk kanë dashur vetëm të vdesin. Gjer edhe shqiponjat veprojnë nganjëherë kështu.
3o gusht 2003.
Please follow and like us: