Fiqiri SEJDIJAJ: Shaban Sinani hap dosjen e Ismail Kadaresë
Një muaj më parë, dhjetor 2003, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare i dhuroi Arkivit Qendror të Shtetit edhe dy dorëshkrime të tjera: ato të romanit “Hija“ dhe “Vajza e Agamemnonit“. Ky gjest i shkrimtarit më të madh shqiptar, kaloi gati pa u vënë re, përveçse në mjedise të ngushta shokësh dhe miq të tij. Kadareja këtë gjest bujar e kishte nisur një vit më parë me dorëshkrimin e romanit “Qyteti pa reklama“, i cili u vlerësua mjaft nga arkivistët e AQSH, e në mënyrë të veçantë nga drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, prof. dr. Shaban Sinani, i cili krijoi fondin nominal “Ismail Kadare“.
Pikërisht atëherë lindi ideja e tij që, duke ‘gërmuar’ në mijëra dokumentet e Arkivit, për një vit të tërë, të zbuloj dosjen ‘Ismail Kadare’. Ndoshta as vetë Kadaresë në kohën që shkruante romanin e tij të famshëm “Dosja H“ nuk i shkonte në mendje se disa dekada më vonë do të shkruhej një tjetër libër me plagjaturë titullin e tij: “Dosja K“. Një dosje e hulumtuar nga Shaban Sinani ku nuk flitet më për ‘eksploratorë’ të huaj të viseve, zakoneve dhe rapsodive të çuditshme deri në magji, por për vetë atë, Kadarenë. Bëhet fjalë për zbardhjen e dhjetëra dokumenteve, dikur ‘tepër sekret’ me vulën e frikshme, e ‘rezervuar’ apo ‘rezervat’, të cilat nuk bëjnë fjalë për Homerin e lashtësisë, as për jetën normale të Ismail Kadaresë, as për veprën e tij, por për survejimin e tij sistematik nga Sigurimi i Shtetit, kolegët, miqtë…
Në një intervistë ekskluzive për mediat Shaban Sinani rrëfen për gjithë peripecitë e tij gjatë krijimit të kësaj ‘dosjeje’. Përse këto dokumente publikohen kaq vonë për shkrimtarin më të madh dhe të përfolur shqiptar? Kush është në të vërtetë fondi “Të tjerët për Ismail Kadare” dhe përse për dhjetëra vite ai është mbajtur nën logo ‘sekret’? A kanë ndryshime romanet e botuara me dorëshkrimet e dorëzuara nga ana e Kadaresë në Arkivin Qendror të Shtetit?… Për këto çështje dhe shumë enigma të tjera flet në intervistën e mëposhtme profesor Shaban Sinani.
Pse gjithë kjo vonesë kaq e madhe për një shkrimtar të mirënjohur, që ka më shumë se një gjysmë shekulli krijimtari?
Kjo ka ndodhur pothuajse me të gjithë shkrimtarët e periudhës së pasluftës. Ata nuk kanë dorëshkrime në arkivat shtetërorë, përveç rasteve kur i kanë ruajtur vetë dhe i kanë dhuruar. Mungesa e fondeve personale të shkrimtarëve dhe studiuesve të periudhës së pasluftës në AQSH është një prej shqetësimeve të diplomatikës shqiptare. Brezi i shkrimtarëve të letërsisë bashkëkohore ka shumë pak dokumente në arkiva, përveç asaj pjese të pakët të saj, që është cilësuar si “letërsi problematike“, dhe që ka qarkulluar nëpër zyra si shtojcë e praktikave administrative, siç është dhe poezia “Në mesditë Byroja Politike u mblodh“. Janë së paku dy arsye që e shpjegojnë këtë gjendje.
Së pari, në periudhën e shtetit ideokratik kishin rëndësi dorëshkrimet dhe dokumentet e njerëzve të politikës, sipas shkallës së emërtesës. Si rregull të gjithë këta kanë fonde personale në arkiva. Ndërsa njerëzit e kulturës, duke qenë dytësorë krahasimisht me të parët, ishin edhe jashtë vëmendjes së arkivave. Së dyti, sikurse dihet, gjatë viteve 1990, kur institucionet e shtetit e shuan papritmas gati në tërësi veprimtarinë e tyre, arkivat e institucioneve të krijimtarisë: të shtëpive botuese, të redaksive të revistave e gazetave, të shoqatave të shkrimtarëve e artistëve, të teatrove dhe estradave, të shtëpive të kulturës dhe krijimtarisë, përsëri mbetën dytësorë.
Një pjesë e madhe e këtyre arkivave fatkeqësisht janë zhdukur pa ndonjë gjurmë. Kjo ndodhi edhe për faktin se ligji nuk i detyronte këto institucione të dorëzonin dorëshkrimet në arkiva dhe po ashtu nuk i bënte përgjegjës arkivat për fatin e dorëshkrimeve në ruajtje të tyre. Ndërkaq, sikurse dihet mirë, të gjithë ata që dëshironin të botonin një vepër, qoftë edhe një artikull, ishin të paralajmëruar se “dorëshkrimet nuk kthehen“.
Çfarë përmban aktualisht “Fondi Ismail Kadare”?
Fondi i Ismail Kadaresë është themeluar falë një mirëkuptimi të ndërsjellë, që pati si përfundim nismën e shkrimtarit për t’u dhuruar arkivave disa dorëshkrime. Kjo nisi me romanin “Qyteti pa reklama”, e para vepër në prozë e shkruar nga Kadare (në fillim të viteve 1960) dhe u vijua me dorëshkrimet e romaneve “Vajza e Agamemnonit“ dhe “Hija“. Këto dy të fundit kanë qenë depozituar prej autorit në “Banque de Cite” të Parisit, në mesin e viteve 1980, duke qenë se jo vetëm që përmbajtja e tyre nuk shihej me ndonjë shpresë botimi, por, veç kësaj, mund të përdorej kundër shkrimtarit për qëllime politike.
Kadare ka pohuar disa herë se këto dy romane nuk i kishte përfytyruar kurrë si vepra të botuara në Shqipëri, në të njëjtat kushte politike kur u shkruan. Por kohërat ndryshuan dhe veprat u botuan. Tani dorëshkrimet marrin një rëndësi të veçantë për studime tekstologjike të krahasuara. Libri nuk e zëvendëson kurrë dorëshkrimin. Në dorëshkrim është sizmologjia shpirt ërore e autorit. Shkrimi lejon lexime të tjera të veprës, në radhë të parë lexime psikokritike dhe psikoemocionale.
A mund ta shpjegoni më gjerësisht nga buron kjo rëndësi?
Dhurimi i këtyre dorëshkrimeve është një pasurim cilësor i arkivave shqiptare. Por më e rëndësishmja është se këto dorëshkrime mund të bëhen pikënisje për të rivlerësuar zhvillimin e letërsisë në periudhën bashkëkohore. Në mënyrë të veçantë studiuesit e tekstologjisë mund të nxjerrin përfundime për atë që mund të quhet “letërsi përmbi dy kohëra“, letërsinë e shkruar në kushtet e kontrollit ideologjik dhe të botuar në kushtet e shoqërisë së hapur. Shpesh ndodh që ky krahasim kuptohet në një mënyrë shumë të varfër: ç’fjalë ka prekur apo zëvendësuar autori mbas ndryshimit të kohërave. Në rastin e I. Kadaresë, një studiues i letërsisë shqipe ka arritur t’i japë “kuptim politik subversiv“ edhe zëvendësimit të togfjalëshit “pleqtë e Lapardhasë“ me “pleqtë e Korçës“ në një ribotim të romanit “Dasma“!
Sido që edhe krahasime të tilla nuk janë të tepërta, do të ishte fyese nëse kjo do të reduktohej vetëm në aspektin formal: çfarë ka prekur e çfarë nuk ka prekur në tekst autori. Me këtë nuk dua të shmang vëmendjen e studiuesve nga kjo mundësi krahasimi. Thjesht, dëshiroj t’i siguroj se, me privilegjin e lexuesit, që i ka pasur në dorë edhe dorëshkrimin, edhe botimin, në tre librat e Kadaresë thuajse nuk ka qoftë edhe ndryshime formale. Mbetet të studiohen disa gjëra më të thella: cili ka qenë përfytyrimi i shkrimtarit në kushtet e shoqërisë së mbyllur dhe ç’horizont pritjeje kanë veprat e tij tashmë në një shoqëri të hapur. Thelbësore në një krahasim të tillë, që tashmë është krejtësisht i mundshëm, është gjithashtu raporti i lirisë së kohës me lirinë që i ka njohur vetes shkrimtari, si një çështje jo vetëm e letërsisë, por e disa raporteve më të mëdha e më të rëndësishme.
A ka qenë teknikisht i vështirë të bëhet krahasimi midis dorëshkrimeve dhe botimeve?
Për romanin ”Qyteti pa reklama” nuk ka qenë aspak i vështirë. Për romanin “Vajza e Agamemnonit” është dashur të bëhet një punë më e kujdesshme, sepse teksti ka mjaft shtojca në anën verso të fletës. Nganjëherë gjenden dy a më shumë shtojca, pa pasur shenjën e vendit të ndërfutjes. Shumë i vështirë është krahasimi i tekstit të romanit “Hija” me dorëshkrimin. Kjo sepse vetë autori e ka ngatërruar qëllimisht qysh në procesin e të shkruarit tekstin, me qëllim që, në çdo rast, romani të mos kishte vijueshmëri logjike dhe, si të thuash, të mos deshifrohej përmbajtja. Këtë autori e ka bërë duke i numërtuar faqet e dorëshkrimit në një mënyrë gati kriptologjike, aq sa gati nuk kuptohet nga duhet të fillojë leximi.
Ç’i mungon tashmë fondit arkivor të Ismail Kadaresë, në konceptin e dokumentalistikës?
Fondi i Ismail Kadaresë u krijua, por ky fond, i vështruar me koncepte arkivistike, ka probleme. Këto janë probleme të krijuara prej kohërave dhe ne do të na duhet të punojmë për t’i zgjidhur, me qëllim që të bëjmë të mundur të ndriçojmë sa kemi në dorë rrugën e vështirë të zhvillimit të letërsisë dhe të lirisë krijuese në periudhën ideokratike. Një fond personal, sipas koncepteve arkivistike, ka nënndarjet e veta, prej të cilave nga më kryesoret janë: krijimtaria, veprimtaria zyrtare-publike, letërkëmbimi, të dhënat biobiliografike.
Tani për tani krijimtaria e Kadaresë përfaqësohet me tre romanet, poezinë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, një fragment relativisht të gjatë që duhej t’i shtohej romanit “Dimri i madh”, por më pas, po ato zyra që ia kishin kërkuar një gjë të tillë, gjykojnë se “nuk i shton gjë veprës”, madje “është skematike e ndoshta tallëse”, dhe ndonjë krijim tjetër më pak i rëndësishëm. Nga veprimtaria zyrtare-publike gjenden diskutime p a ndonjë vlerë në Kuvendin Popullor, si dhe disa autokritika të shkrimtarit, të cilat të lejojnë të kuptosh se në ç’largësi gjendeshin autori dhe rreziku. Letërkëmbimi është edhe më i kufizuar. Interesante është një letër origjinale e Kadaresë drejtuar një figure të rëndësishme politike të periudhës komuniste në favor të familjes së Lasgush Poradecit.
Ndër rubrikat që përmban një fond personal është edhe nënndarja që quhet “të tjerët për fondkrijuesin”. Pikërisht te kjo nënndarje del një nga problemet thelbësore strukturore të fondit të Ismail Kadaresë. Nëse krijimtaria e tij filloi të ruhet në arkiva vetëm para një viti, nënndarjes “të tjerët për fondkrijuesin” i takojnë dhjetëra e dhjetëra dokumente, për të mos thënë qindra, të shpërndarë në fonde e koleksione dokumentesh nga më të ndryshmet.
Për më shumë se 30 vjet me radhë, siç del nga burimet, krijimtaria e Ismail Kadaresë është mbuluar me vëzhgim tërësor nga drejtime e pikëvështrime nga më të pabesueshmet: që prej redaksive të gazetave, revistave e të shtëpive botuese, deri te zyrat partiake e shtetërore që funksiononin për të zbatuar politikën zyrtare në art, kulturë e letërsi; që prej vullnetarëve të devotshëm e vigjilentë, që i fillojnë shkrimet e ankimet e tyre me emrin e shtetit dhe i mbyllin me “përshëndetje revolucionare”, deri te pëshpërimat e sistemuara në relacione e raporte zyrtare nga institucionet e ngarkuara me këto detyra; që prej udhëheqësve të lartë partiakë e shtetërorë, deri te figura protagoniste të mërgatës politike “armiqësore” shqiptare në Evropë. Zor se mund të gjendet një mbulim më tërësor se letërsia e I.Kadaresë, për të cilën shkruajnë me të njëjtën vigjilencë të ngarkuarit me letërsinë dhe kulturën në zyrat partiake e shtetërore dhe njëherësh, kundërshtarët politikë të sistemit komunist që jetonin në Evropë, disa me emra letrarë e disa të tjerë, si Xh. Staravecka, edhe me emrin e vet.
Pra, ekziston një “Dosje Kadare”, apo “Dosje K.”, siç e keni quajtur ju, në arkivat e Shqipërisë?
Terminologjikisht nuk ekziston ndonjë “Dosje Kadare” në arkiv. Ky është një keqkuptim. Kjo do të thotë se nuk ekziston as ndonjë “Dosje K.”. Këtë titull letrar e kam përdorur në një bisedë me gazetarët, për lehtësi kuptimi, duke iu referuar për analogji romanit “Dosja H” të Kadaresë, ribotuar më vonë me titullin “Një dosje për Homerin”.
Kjo do të thotë se po e krijoni ju një dosje të tillë?
Arkivat nuk krijojnë dosje, arkivat administrojnë ato dokumente që kanë. Ajo që po përpiqemi të bëjmë ne është të lehtësojmë njohjen e historisë së procesit letrar në Shqipërinë e gjysmëshekullit të fundmë. Për këtë një zgjidhje mund të jetë që një kopje e atyre dokumenteve që janë shkruar për veprat e Kadaresë në komunikimin administrativ, pa prekur topografinë burimore të origjinaleve, të vendoset në fondin e I.Kadaresë, për lehtësi studimi, në nënndarjen “të tjerët për fondkrijuesin”. Kjo është më e pakta që mund të bëhet. Por mendoj se është një përgjegjësi e arkivave jo vetëm ndaj shkrimtarit, por ndaj zhvillimeve të historisë së letërsisë dhe të kulturës kombëtare zbardhja e burimeve që kanë mbetur në formën e kritikës administrative-zyrtare të pabotuara ndonjëherë, duke filluar prej ankimit të parë, që i takon vitit kur u botua poema “Princesha Argjiro”, deri në fund të viteve 1990, madje edhe pak më vonë.
Ju mendoni se pas botimit të “Dosjes K.” vepra e I. Kadaresë do të ketë një vlerësim tjetër në sytë e studiuesve dhe të lexuesve? Pse vendosët të merrni përsipër botimin e këtyre burimeve?
Përgatitja e një libri me burime për kritikat e rezervuara ndaj veprës së I. Kadaresë nuk bëhet “për t’i bërë nder” krijimtarisë së një shkrimtari, qoftë edhe parësor, si I. Kadare. Kjo bëhet si një detyrim ndaj historisë së letërsisë dhe kulturës bashkëkohore shqiptare. Eshtë shumë dëshpëruese që “Dosja K.” të kuptohet si njëfarë “dëmshpërblimi demokratik” për autorin. Në konceptin tonë burimologjia i paraprin historisë, duke përfshirë edhe historinë e letërsisë dhe të kulturës. Veç kësaj, nëse duam të respektojmë kodet evropiane të sjelljes me subjektet e dhunës, duke përfshirë subjektet e dhunës së fjalës (“heat speach”), duhet të njohim detyrimin për t’i vënë ata në dijeni të burimeve. Në ligjin e ri për arkivat, që sapo është miratuar, është sanksionuar, si në të gjitha vendet e qytetëruara të botës, e drejta e individit, qoftë ky një qytetar i thjeshtë i vendit, qoftë një shkrimtar dhe personalitet i botës së vlerave kombëtare, si I. Kadare, për t’u njohur me çfarë është shkruar në fshehtësi rreth tyre.
A ka pengesa ligjore dhe të tjera për këtë botim?
Pengesa ligjore ka pak. Kufizimi i vetëm është ai i 25-vjetëshit të maturimit të dokumenteve. Kjo do të thotë se dokumentet e shkruara deri në vitin 1980 mund të botohen. Por ligji përmban dhe të drejtën e përjashtimit nga ky afat, kur qëllimi i botimit është promovues dhe me karakter emancipues për mendimin shqiptar, sidomos nëse burimet nuk kanë efekte në politikën e ditës. Ekzistojnë disa pengesa të tjera, më shumë të karakterit etik, të cilat gjithashtu janë të kapërcyeshme. Në rastet kur do të gjykohet se është shpejt të identifikohen autorët, mund të jetë e mjaftueshme të identifikohen zyrat apo institucionet. Në aspektin moral gjithë shqetësimi është që polemika të mos personalizohet.
Në këtë rast nuk mund të bëhet fjalë për emancipim mendimi, por për të kundërtën. Përmenda aspektim moral, sepse pikërisht ky e ndërlikon çështjen. Shkrimet për veprën e I. Kadaresë janë shkrime specialistësh. Nëse në këto shkrime një vepër është kërkuar të ndalohet sepse “deheroizon ngjarjen apo personalitetin”, nuk mund të thuash se në pikëpamjen intelektuale autori ka gabuar. Por gjithnjë mbetet pyetja se ç’kuptim kishin termat “letërsi dekadente“, “ndikim psiko-frojdist”, “vepër armiqësore”, “deformim i historisë dhe i realitetit”, “roman surrealist”, “libër movist” etj. në kontekstin politik të kohës kur janë shkruar librat e Kadaresë.
Ju mendoni se ky libër do të ndërlikonte marrëdhëniet e I. Kadaresë me shkrimtarët-kolegë?
Unë nuk e mendoj aspak një gjë të tillë, sepse I. Kadare, me të drejtën e ligjshme që sapo e përmenda, pra, me të drejtën e të dëmtuarit, është njohur me një pjesë të këtyre dokumenteve dhe më pas, i lënduar prej përmbajtjes së tyre, humbi interesin për të vazhduar më tej. Dhe, sikurse e dini, në asnjë rast Kadare nuk ka folur për njerëz dhe emra të përveçëm, por për nevojën që letërsia shqipe bashkëkohore të njihet me fatin e vështirë të zhvillimit të saj në periudhën e pasluftës. Gjithashtu mendoj se edhe njerëzit e letrave nuk kanë pse t’i shmangen këtij ballafaqimi, pa të cilin letërsia shqipe nuk do të mund të kuptonte vetveten.
A mund të përmendni disa nga shkrimtarët që kanë dhënë vlerësime zyrtare të pabotuara për veprën e I. Kadaresë?
Mendoj se kjo është gjëja e fundme që ka rëndësi në gjithë këtë proces. Në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve në fund të viteve 1970 për “largim nga temat e mëdha“ dhe “trajtim subjektivist të historisë“ janë bërë diskutime më të ashpra se ato që mund të gjenden në ndonjë diskutim të tij të pabotuar, si, bie fjala, rasti i ndalimit të poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”.
——————————————————————————-
Historia e Kadaresë me Arkivin e Shtetit…
Në vitin 1990 kur iku nga Shqipëria, të vetmen gjë që i kërkoi Presidentit të Republikës të asaj kohe, ishte kujdesi ndaj arkivit të tij personal. Dhe vërtet, arkivi i shkrimtarit tonë të madh u mor në ruajtje. Ai nuk u hap asnjëherë. Në vitin 1992, në prezencë të një ekipi televiziv francez, shkrimtari ynë e tërhoqi arkivin e tij, ashtu të paprekur. Historia e poezisë “Pashallarët e kuq” për të cilën u bë aq zhurmë vitin e kaluar, si dhe gjetja e saj në fondin e ish arkivit të PPSH-së, krijuan një klimë të re midis shkrimtarit dhe stafit drejtues të AQSH-së. Korrektësia e Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivit të Shtetit e inkurajoi Ismail Kadarenë të vendosë kontakte institucionale me këtë arkiv.
Pas këtij komunikimi shkrimtari dha pëlqimin e tij që poezia origjinale me shkrim dore “Pashallarët e kuq” të nxirej nga arkivi e të botohej në shtyp, ashtu siç e kish shkruar autori 30 vjet më parë. Java e arkivit të hapur i forcoi edhe më shumë këto marrëdhënie pozi tive. Atë javë shkrimtari ynë i madh vizitoi AQSH-në dhe i dhuroi atij dorëshkrimin e romanit të parë “Qyteti pa reklama” shkruar në Moskë, në vitin 1959. Me dorëzimin e këtij dorëshkrimi u krijua fondi nominal “Ismail Kadare”, i cili shumë shpejt u pasua nga dorëshkrime të tjera. Një muaj më parë, dhjetor 2003, shkrimtari ynë së bashku me bashkëshorten u ndodh përsëri në ambientet e AQSH-së midis miqve e shokëve, ai i dhuroi Arkivit të Shtetit dorëshkrimin e romanit të tij “Vajza e Agamemnonit”.
Gjatë kësaj ceremonie Ismail Kadare deklaroi: “Vendosa t’i jap këto dorëshkrime në radhë të parë si respekt për shtetin shqiptar, si respekt ndaj institucioneve të tij, siç është AQSH. Çdo njeri duhet ta respektojë vendin e tij. Ne të gjithë duhet të respektojmë institucionet e këtij shteti, pavarësisht se disa prej tyre nuk janë seriozë. Dy dorëshkrimet që dorëzova sot, i kisha depozituar në një bankë të Francës, pasi mendoja se nuk do të botoheshin kurrë në Shqipëri. Ç´do të ndodhte me këto vepra nëse unë do të pësoja gjë, psh., do të vdisja? Atëherë ato do të botoheshin jashtë shtetit. Kur regjimi komunist ra, ky kuptim ra gjithashtu. Në këto kushte, këto vepra e humbën të drejtën e botimit atje.
Tani dorëshkrimet origjinale të këtyre veprave që kanë një histori, ja dhurova AQSH-së. Para një viti, këtij arkivi i dhurova dorëshkrimin e romanit tim të parë. Vepra e parë e çdo autori ka kureshtje të madhe. Kur u ktheva nga Moska, botova tridhjetë faqet e para. U ndalua menjëherë. Pas kësaj, mbeti i fshehur në një kënd të shtëpisë. As e kam përmendur ndonjëherë. Nuk e dinte njeri. Përmendja e një vepre të ndaluar ishte me shumë rrezik. I ndjeri Drago Siliqi, që arriti të lexonte një pjesë, më tha: “Bëre marrëzi që botove tridhjetë faqe te “Zëri i Rinisë”. As mos e zër më në gojë. Mos thuaj se e kam roman”. Kur e pyesim z.Ismail Kadare se pse ja dhuroi pikërisht AQSH-së, ai përgjigjet: “Së pari, si shenjë respekti për institucionet e shtetit. Së dyti, sepse jam i qetë.
Këtu ato janë të sigurta, ndryshe nuk do t’i dorëzoja. Çdo shtet serioz nuk mund të kuptohet pa një arkiv serioz. Dhurimi i dy dorëshkrimeve të fundit është edhe një gjest për të treguar se edhe të tjerët duhet të bëjnë një gjë të tillë”. Tani, me dorëzimin e dy dorëshkrimeve të reja, Ismail Kadare mund të gjykohet edhe nga dorëshkrimi. Vite më vonë, pasi të kenë lexuar e rilexuar veprat e Kadaresë nga botimet kompjuterike, studiuesit do të vrapojnë për t’ju referuar dorëshkrimit të drejtpërdrejtë. Në bazë të shkrimit origjinal do të nxjerrin konkluzione të sakta nëse autorit i është dridhur dora nga emocioni apo jo, nëse autori ka qenë i qetë apo nervoz, i vendosur apo i lëkundur. Çfarë ka prishur me shpejtësi, e çfarë ka vënë mbi të. Gjurmët e shkrimit janë si gjurmët e gishtave. Prej tyre përcaktohet karakteri i individit.
Një nga tekstet ku “spiunohej” Kadareja?
Kam disa vjet që merem me një monografi për rrethin dhe qytetin e Gjirokastrës gjatë shekujve, por ca ditë përpara pashë me çudi se poeti i ri Ismail Kadareja, boton një poemë me titullin “Princesha Argjiro”, e cila historikisht nuk ka si të qëndrojë në këmbë, duke qënë krejt e gabuar. Gjirokastra nuk u themelua prej saj dhe as që mori emrin e Argjirosë. Nga burime arkivale, nga historia, nga shkrime që të parët tonë i kanë ruajtur mir’ e bukur, dhe jo nga legjenda, si ajo që paraqitet në tekstin e poetit, del se Gjirokastra është e vitit 568 epoka e re dhe nuk është aspak e vërtetë se mori emrin e Argjiros në shekullin e XV, se në këtë kohë erdhën këtu Turqit, duke lënë mënjanë pastaj se a mund të lejonin Turqit që qyteti të mirrte emrin e një luftëtares që u ngrit kundra tyre.
Poema, e bazuar në histori dhe në shkrime të sigurta, pasi poeti të ishte konsultuar me ata që merren me studime historike, do të kishte dalë pa të meta. Gjithashtu, edhe Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve, po të kishte pyetur, nuk do të lejonte të botohesh një poemë që nuk bazohet në histori. Veç kësaj kam edhe dy fjalë në lidhje me gjeografinë e Shqipërisë, ku përkundrazi Gjirokastra paraqitet e ndërtuar nga Gjin Bue Shpata. Dhe kjo është e gabuar, kështu që duke paraqitur versione të ndryshme dëmtojnë historinë e vendit.
9 janar 2004.