Poetesha Lindita Arapi në një rrëfim për veten dhe letërsinë
Çerçiz LOLOÇI
Ju keni botuar në një moshë relativish të re; vëllimi i parë poetik “Kufomë lulesh” u botua një vit më pas në italisht; çfarë kujton nga ky debutim?
Kujtoj se ishte një fillim. Në atë kohë botimi i një libri ishte një eveniment shpirtëror më shumë për autorin dhe më duket sikur poezia në fillimin e viteve 90-të nuk ishte degraduar akoma aq. Aha, këta që shohin ëndrra në diell, ëndrrimtarët…
Tri vjet më pas, në vitin 1995 ka ardhur vëllimi i dytë poetik “Ndodhi në shpirt” ku ndjeheni më e sigurt në krijimtarinë tuaj dhe që vërehet dukshëm një shkallë më e lartë estetike?
Poezia është një derdhje e shkurtër, në kuptimin komod të zhanrit. Libri i dytë më duket hermetik dhe që luan më shumë me rafinimin e sensit. Synimi im ishte të komunikoja atë që ndodh brenda shpirtit njerëzor, oshilacionet në vazhdimësinë e çrregullsinë e tyre.
Si t’i besoni një triniteti, në 1998 keni publikuar vëllimin e tretë poetik “Melodi të heshtjes” ku gëlojnë tema të reja dhe të vjetra dhe që shumë nga poezitë tuaja janë tashmë edhe në disa periodikë dhe botime të huaja…
Unë kam kohë që pas botimit të librit të tretë poetik nuk kam pasur ndërmend të botoj një të katërt poetik. A mund t’i besoj në këtë rast këtij triniteti si prekje e fundit? Nuk e di! Fakt është që pas botimit të librit të tretë nuk kam pasur ndërmend të botoj një libër të paktën. Të paktën kështu mendoj sot. Sigurisht ai që shkruan është edhe individ social. Faktorë të ndryshëm privat, si jeta ime aktualisht në vend të huaj, apo lindja e vajzës sime para një viti, e më parë përkushtimi ndaj studimeve në universitetin e Vjenës mendoj se kanë ndikuar në marrëdhënien time me poezinë.
Nga vëllimi i parë e deri te i fundit në mendjen e çdo krijuesi që veçohet nga të tjerët rri pezull pyetja: përse shkruaj. Përse shkruan Lindita Arapi?
Unë jam larguar tashmë nga mendimet e mia plot pasion për poezinë, (dikur ndoshta kur botoja librin e parë). Tshmë mendoj se poezia sigurisht është produkt i shpirtëror, por që duhet të kthehet produkt që më ndihmon edhe mua të jetoj. Pa e zbritur poezinë nga froni i saj bekuar, dua të theksoj se poezia është margjinalizuar, sot në kohën e lulëzimit të blitz-mediave. Sot ose duhet të jesh shumë i çmendur të krenohesh se po shkruan poezi ose duhet të jesh autor i klasit të Günter Grass, ose të jesh shumë i pasur dhe të krenohesh se ke edhe një pasion e je njeri i finesave.
Tri vëllimet poetike kanë patur edhe një pritje dashamirëse nga kritika; nuk mungojnë superlativa nga studiues të huaj, por ka edhe vërejtje. Megjithatë do deshëm të dinin cilat janë raportet tuaja me kritikën?
Kritika është gjithsesi subjektive. Nëse dikush nuk e pëlqen një tekst ka arsyet e tij profesionale për këtë. Unë nuk kam probleme me këtë çështje. Edhe një antikritikë është në thelb kritikë dhe zgjon vëmendjen e lexuesit.
E ballafaquar herët, qysh në vëllimin e parë, me artin e sotshëm perëndimor, ju megjithatë jeni anashkaluar nga konkurrimet letrare brenda vendit…
As unë vetë nuk kam konkuruar këto vite. Një çmim nuk është gjithçka në fund të fundit.
Kush është Lindita Arapi
Datëlindja: 30.06.1972 Lushnje; e martuar, një vajzë.
Vendbanimi: Gjermani/Austri, Birklinstr.4, D- 50354 Hürth.
Studime
1990-1994: Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin e Tiranës. Diplomuar me Medaljen e artë nga Ministria e Arsimit.
1996-1998: Studime të Gjermanistikës, Pedagogjisë dhe Anglisht në Universitetin e Këlnit në Gjermani.
1998-2001: Studimet e Doktoratës në Fakultetin e shkencave filologjike dhe kulturës në Universitetin e Vjenës, Austri.
Korrik 2001: Përfundimi i Doktoratës, gjermanisht në Universitetin e VjenësTema e Disertacionit: Shqiptarizimi i Shqipërisë në botën gjermanike. Mbi rekonstruimin e imazhit mbi Shqipërinë. Përshkrime, Paragjykime. Si e kanë parë të huajt Shqipërinë në shekullin e 19-të dhe 20-të.
Projekte
1996-8/1996: “Writers in Residence” në Qendrën Ndërkombëtare të Artistëve “Hajnrih Bël” në Këln, Gjermani.
1996-12/1996: “Writers in Residence”. Ftesë nga International Art Link në New York dhe International Writing Programm e Universitetit të Iowa City, SHBA.
1998-1999: Herder-Price- Fellowship nga Universiteti i Vjenës. Rekomanduar nga shkrimtari Ismail Kadare, i nderuar me çmimin “Herder”/1998
2000: Milena Jesenska Fellowship për gazetarë nga “Institute for Human Sciences” ne Vjenë dhe “European Culture Foundation” në Amsterdam.
Projekt: Mbi shanset e tolerancës etnike në Kosovë. Vëzhgime nga punimi u botuan në 21. Tetor 2000 në gazetën austriake “Der Standard”.
2000-2001: Bursë studimore nga Shkëmbimi Akademik Austriak i Universitetit të Vjenës
Përvojë profesionale
1993-1994: Përvojë gazetarie shtypi në gazetën “Aleanca”.
1995-1996: Bashkëpunim me Departamentin social-kulturor të Televizionit Shqiptar. Drejtuese e emisionit kulturor “Emocionet e fjalës”.
1995: Bashkëpunëtore e emisionit shqip të Sverige Radio, radios suedeze.
1997: Redaktore në redaksinë shqipe të Radios Deutsche Welle në Gjermani.
1999-10/1999: E ngarkuar e seksionit të radios Deutsche Welle për personat e humbur gjatë luftës në Kosovë. Drejtuese e grupit të posaçëm redaktorial për emisionet e të humburve të radios shqipe, konceptim emisionesh, drejtuese emisionesh “live”. Bashkëpunim me redaksinë gjermane të Radios Deutsche Welle.
1999-2001: Korrespondente e Radios Deutsche Welle për Austrinë.
2001: Redaktore e jashtme ne radion Deutsche Welle, bashkëpunime në gjermanisht me redaksinë gjermane të Deutsche Welle (kronika, reportazhe).
2002-2003: Bashkëpunëtore e revistës “Balkan“, Vjenë.
Botime
1993-1998: Botime letrare nga shtëpitë botuese “Zëri i Rinisë“, „Onufri“, „Dukagjini“. Pjesëmarrje në antologji letrare në Gjermani, Amerikë, Kanada, Maqedoni, Botim poetik në Itali nga CICAL.
Ftesa
1996-2001: Ftesa nga qendra të ndryshme letrare, kulturore, politike në Gjermani, Austri, Amerikë ne Mbrëmje Letrare Kulturore, Konferenca apo Prezantime për Shqipërinë. Ndër to: Fondacioni Hajnrih Bël, Universiteti i Vjenës, Shoqata Gjermani-Shqipëri, Shoqata Austri-Shqipëri.
Prill 2003: E ftuar e Javes Evropiane ne qytetin e Hamburgut. Lexim dhe mbremje per Shqiperine ne Institutin Goethe, Hamburg.
Prill 2003: Referat mbi historine e imazhit te shqiptareve ne boten gjemanofolese ne Shoqaten e Evropes Juglindore te Universitetit te Hamburgut.
Gjuhë të huaja: gjermanisht, anglisht dhe italisht.
Anëtarësi: Anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve te Shqipërisë, Anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve te Landit Nordrhein Westfalen në Gjermani.
27 dhjetor 2003.