- Çerçiz LOLOÇI
-
- Doli nga shtypi në Bukuresht vëllimi “Antologji e poezisë rumune”, e sponsorizuar nga Ministria e Kulturës dhe Kulteve e Rumanisë. Kjo antologji, e para në llojin e vet, është përgatitur nga Kopi Kyçyku, i cili ka kryer jo vetëm përzgjedhjen dhe shqipërimin e poezive, por edhe pasthënien.
-
- “Antologji e poezisë rumune” ka 450 faqe dhe përfshin krijimet më të arrira të 185 autorësh rumunë të të gjitha kohërave e vendeve, si dhe disa nga krijimet më në zë të folklorit e të lirikës popullore rumune.
-
- Në parathënien e shkruar nga kritiku dhe studjuesi i letërsisë prof. dr. Viktor Kraçun, ndër të tjera thuhet: “Me sa dimë, ky është një rast pa të dytë në historinë e përhapjes së poezisë rumune në botë.
-
- Është e para herë që tërë poezia, – e cila është ngjitur në majat e universales falë Emineskut, bashkë me një valë autorësh me vlera të mirëfillta… – përfshihet në faqet e të njëjtit vëllim, përkthyer nga një autor i vetëm… E, meqënëse është i pari që pati burrërinë t’i hyjë kësaj pune të mundimshme, le t’i shprehim falenderimet tona, se i meriton plotësisht”.
|
- Duke bërë fjalë për afëritë e ndërkëmbimet shqiptaro-rumune, profesori Kraçun vëren se “nuk është aspak rastësi që, në të njëjtën kohë me këtë antologji, i biri i këtij autori, Ardian-Christian Kuciuk (pseudonimi letrar i Ardian Kyçykut), shkrimtar i shquar njëlloj si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në gjuhën rumune, ka realizuar aktin e anasjelltë, gjithnjë i nisur nga një njohje e thellë e gjuhës dhe e shpirtërimit rumun, duke na dhënë një antologji të poezisë përfaqësimtare shqiptare, të përkthyer në gjuhën rumune”.
-
- Lidhur me shqipërimin e poezisë rumune nga Kopi Kyçyku, autori i parathënies konkludon: “E konsiderojmë këtë akt si një nga bamirësitë që i janë sjellë kulturës rumune e cila u shtohet ngadhnjyese marrëdhënieve ndërmjet popujve tanë që u kanë qëndruar shekujve. Lidhjet shqiptaro-rumune janë tradicionale… Ato janë fuqizuar vazhdimisht, duke shënuar arritje të shkëlqyera, veçanërisht në rrafsh kulturor.
-
- Njëra nga këto arritje ndodhet tani në duart e lexuesve”. Në pasthënie, shqipëruesi i Antologjisë, akademiku Kopi Kyçyku, ndër të tjera e vë theksin në ndikimet e ndërsjella shqiptaro-rumune në rrafshin poetik, – si në krijimtarinë popullore, ashtu edhe në atë të kultivuar, – e në veçanti në frymën dhe në të përbashkëtat e krijimtarisë së dy lirikëve të mëdhenj: poetit kombëtar rumun, Mihai Emineskut dhe Lasgush Poradecit.
|
Please follow and like us: