ALIÇKAJ, SHKRIMTARI QË SHKRUAN PA MANIERIZMA STILIZUESE
Çerçiz LOLOÇI
Nuk ndodh shpesh që një autori shqiptar që me librin e tij të parë ti bëhet një pritje kaq pozitive siç ka ndodhur me tregimtarin shqiptar Ylljet Aliçkaj. Kështu libri i tij i parë botohet në Francë, Itali, bëhet film franko-shqiptar, filmi përzgjidhet në konkurimin zyrtar të festivalit të Kanës, Maj 2001 dhe nderohet me çmim. Vetë Aliçkaj ka marrë ndërkohë tri çmime ndërkombëtare në fushën e letërsisë (Francë e Itali), siguron si përkthyes ambasadorin francez në Tiranë, shkruajnë për të gazetat më të mëdha evropiane…
Dhe ja ç’shkruajnë:
Në shkrimin e saj me titull NOVELA TË ZYMTA QË VINË NGA TIRANA e përditshmja franceze “Le Monde” me autor Jean Soublin, ndër të tjera shkruan:
Absurd që të çon tinëzisht drejt poshtërsisë, braktisjes, mohimit… Si përgjatë makthit të partisë unike ashtu edhe nën anarkinë liberale që e zëvendesoi atë, ngelet e njejta shpërbërje morale që i zhvlerëson personazhet e trembur të këtyre historive plot ritëm…
Kurse në të përditshmen më të madhe zvicerane (romane) Le Temps, kritiku Pierre Hazan shkruan për librin e Aliçkës:
“…Trembëdhjetë tregime nga ku kupton se ideologjia s’është veç një guaskë boshe.
Po a e ka vallë parasysh Perëndimi rrugën e mundimshme të rilindjes së një shoqërie që ka kaluar perversitete të tilla”?
Shkrimtari i shquar italian Giuseppe Pontiggia, në gazetën italiane ‘Il Sole 24 Ore’ në shkrimin e tij për Aliçkën, ndër të tjera shkruan: … nga rrjedhshmërinë e rrëfimit, nga përzgjedhja e fjalëve, Aliçka është një mirazh i realizuar, një talent letrar… Më mirë të zbulosh me vonesë një prirje reale se sa të kultivosh një jetë të tërë një prirje imagjinare.
Aliçkaj ka botuar tashmë dy libra me tregime në shqip «Tregime» 1997 dhe «Kompromisi», 2000 (ONUFRI), një libër në Francë «Les slogans de pierre» (CLIMATS) 1999, një tjetër del në dhjetor po në Francë dhe në prill të vitit 2001 del në Itali, (italisht) një tjetër vëllim me tregime nga shtëpia botuese ‘GUARALDI’.
Njëkohësisht ai boton në revistat franceze «Agone editeur», «Diagonale Est-West» dhe atë italiane «Mobydick».
Libri i tij po përkthehet në Poloni (Dorota Horodyska) dhe në Angli (Marc Court).
Ndërkohë Aliçka ka marrë tri çmime letrare ndërkombëtare:
- Çmimi i parë në konkursin TERAMO, Itali, 1999.
- Çmimi i dytë në konkursin ‘Arts et Lettres de France’, Bordo 2000.
- Tetor 1999, Akademia Ndërkombëtare e Lutecit, me qendër në Paris e vlerëson Aliçkën me Medaljen e bronxit, seksioni i letërsisë.
Janë këto arritje që ndoshta kanë nxitur dhe producentin francez, Paskal Judelewicz të shoqërisë filmike «Les filmes de Tournelles» që, në bashkëpunim me palën shqiptare, të realizojë filmin franko-shqiptar «Parrullat me gure» me skenar të Ylljet Aliçkës, film që u përzgjodh në konkurimin final të festivalit të Kanës, të vitit 2001.
Një analizë ndoshta më të thellë të veprës së Aliçkës do e gjenim më mirë në parathënien e botimit në frëngjisht të ambasadorit francez në Tiranë, z. Patrick Chrismant:
…Një zë i ri po ngrihet nga kjo fuçi baruti e Evropës që ngelet edhe sot e kësaj dite gadishulli i Ballkanit, një zë i cili ngjitet nga vetë thellësitë e njërit prej vendeve më tërheqës dhe njëkohësisht më të trazuar të atyre anëve, një zë që na vjen nga Shqipëria, zëri i Ylljet Aliçkës.
Shqipëria komuniste dhe ajo postkomuniste e përshkruar në 13 novelat e Ylljet Aliçkës, është një konstatim akuzë për nga vetë paraqitja, një tabllo krupndjellëse me gjakftohtësine në dukje, një panoramë hera-herës jashtë arsyes për nga vetë vërtetësia e vëzhgimeve personale të cilat, ndonëse në numër te kufizuar për çdo tregim, i japin pikërisht lirinë e plotë lexuesit të rrokë përmasat e intensitetit të asaj drame njerëzore, ku çdo shqiptar ka qenë, me hir a me pahir, protagonist për rreth gjysëm shekulli.
Pas këtyre ngjarjeve të hidhura të njëpasnjëshme, nuk duhet të habitemi pse ky yll që po ngjitet në qiejt e letërsisë shqiptare, të krijon para së gjithash përshtypjen se rreket të hedhë një dritë përgjithësisht të ftohtë mbi tabllonë e frikshme dhe nakatosëse të ekzistencës
Po t’u shkojë gjërave më thellë, lexuesi do të kuptojë megjithatë se do të gabohej thuajse tërësisht po të kufizohej vetëm tek ai vështrim i parë e i paplotë: si shumë moralistë të tjerë, Ylljet Aliçka ndëshkon sepse dashuron, përqesh për të fshehur turpin tallet edhe me vetë vdekjen zbulon madje thellësitë e shpirtit të tij të ndjeshëm tek i shpëton një gjest prekës nga dhembshuria, një shprehje thuajse e pakapshme mëshire, një rrëfim i shkulur me dhunë nga ndërgjegjia e çapërluar, për më tepër në emër të moralit dhe të interesave të larta të një shoqërie që i kishte vënë detyrë vetes të krijonte njeriun e ri.
Të mos harrojmë megjithatë se Ylljet Aliçka shkruan në një kohë kur ëndrrat jane shembur: ëndrra e një shoqërie të drejtë dhe pa klasa, ëndrra e çuarjes marramendasi drejt një sistemi ekonomik të urryer për një gjysëm-shekulli, ëndrra e integrimit të përshpejtuar në gjirin e bashkësisë politike dhe ushtarake euro-atlantike.
S’na mbetet veçse ta admirojmë edhe më shumë Ylljet Aliçkën i cili, edhe pas kaq traumave, ngelet shembull gjakftohtësie, humori e kurajo duke mos rrëshkitur në sharje, jeremiada apo pompozitet.
Dhe së fundi, do të na duhet mbi të gjitha ta falenderojmë Ylljet Aliçkën që, nëpërmjet vlerave të pashoqe të dëshmisë së tij, na ndihmon për ta kuptuar më mirë atdheun e tij që s’ndodhet veçse ca pak dhjetra kilometra larg nga brigjet jugore të Italisë, por që, edhe pse një vend evropian, ngelet akoma nga shumë këndvështrime kaq i ndryshëm nga të tjerët, një vend heroik dhe i martirizuar, një vend i zymtuar dhe i përbuzur, i denjë prapëseprapë për t’u kuptuar më mirë që të mund të bëhet siç duhet të jetë në të vërtetë: një nga më tërheqësit dhe që e meriton ta duash.
“Le Monde”, 19 nëntor 2002
Jean Soublin: NOVELA TE ZYMTA QE VINE NGA TIRANA
Absurd që të çon tinëzisht drejt poshtërsisë, braktisjes, mohimit.
Një intelektuali nga Tirana, Y. Aliçkës, i botohen në Francë novelat e tij. Pesimizmi është fryma mbizotëruese në këto tregime, thua se shoqërisë shqiptare, edhe pas shembjes së tiranisë, nuk i ka mbetur asnjë arsye për të shpresuar nga njerëzit e poshtëruar prej terrorit të tejzgjatur. Si përgjatë makthit të partisë unike ashtu edhe nën anarkinë liberale që e zëvendësoi atë, ngelet e njëjta shpërbërje morale që i zhvlerëson personazhet e trembur të këtyre historive plot ritëm. Origjinaliteti i tyre vjen nga toni i thjeshtë, në dukje i shkujdesur, por thellë-thellë tepër i vëmendshëm. Është toni i një rrëfimi miqësor nën një mjedis mbytës, i një naiviteti të sipërfaqshëm, herë burrëror, herë fëminor, e më tej, kur ia vë veshin nga afër, ndjen fjalë, të ngelen gjykime të njëvlefshme me vite të tëra riedukimi…
Kjo mënyrë tej mase e efektshme dëshmon për një shkrimtar autentik, vëzhgues e gjykues të epokës së tij. Dhe armiku është përherë po ai: Absurdi me të gjithe format e tij që të çon tinëzisht drejt poshtërsisë, braktisjes, mohimit. Për Aliçkën, gjërat janë po ato. Vigjilenca e proletariatit dhe plotfuqishmëria e dollarit japin të njëjtat rezultate. Ankthi është po ai, si nën buzëqeshjen e shndritshme të pionerit leninist ashtu edhe në humorin e honxhobonxhos pijanik të ditëve tona.
19.06.2003.