Saga e vilave të Bllokut në Pogradec/Pse u trishtua Shtrausi në Pogradec dhe refuzimi nga Enver Hoxha (6)
Bardhyl Berberi
Ish-kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Pogradecit Belul Lufo tregon eskluzivisht për herë të parë mbi vizitën e Shtrausit në Pogradec dhe refuzimi që i bëri Enveri takimit me Shtrausin…
Rrallë herë mund të flasi për të kaluarën e tij si kryetar komiteti dhe më pas si sekretar i parë i komitetit të Partisë së rrethit dhe për tre legjislatura si deputet i Mokrës në Kuvendin e Shqipërisë. Por befasish, ish kryetari i Komitetit Ekzekutiv Belul Lufo, duke pirë kafen e mëngjesit nisi të tregojë një brengë nga koha e diktaturës dhe konkretisht mbi vizitën e papritur të kryeministrit të Bavarisë Franz Josef Shtrausit atë ditë të nxehtë të verës të vitit 1984 kur ai erdhi me avionin e tij çarter enkas në Pogradec që të takonte Enver Hoxhën, i cili ndodhej me pushime në rezidencën e tij në këtë qytet.
Ndonëse kanë kaluar 35 vjet Belul Lufo ish kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Pogradecit asokohe, vizitën e Shtrausit e ruan të freskët që nga momenti i zbritjes së tij me avionin e tij çarter. Ai shoqërohej nga Ministri i Jashtëm i asaj kohe Reis Malile dhe persona të tjerë zyrtarë të dorës së dytë. Avioni çarter zbriti në stadiumin e qytetit të Pogradecit rreth orës 10 të mëngjesit dhe pas një pushimi të shkurtër tek hotel Turizmi ‘Enkelana’ mësuam se Shtrausi kishte ardhur në Pogradec për të takuar Enver Hoxhën i cil ishte me pushime në Pogradec.
Pas pak vjen aty Sulo Gradeci dhe i thamë që të komunikonte me Enver Hoxhën për një takim të shkurtër privat me kryeministrin e Bavarisë Shtraus, pasi kjo kërkesë ishte drejtpërdrejt nga zyrtari gjerman. Por shumë shpejt vjen përgjigjia nga Enveri, nëpërmjet Sulo Gradecit, se “ky takim nuk ishte i planifikuar dhe ishte jashtë protokollit, kështu që Enver Hoxha nuk mund ta priste kryeministrin e Bavarisë Shtraus”.
Sapo iu komunikua lajmi që ishte e pamundur të takonte Enver Hoxhën ai nuk e bëri veten, por e pamë që nuk i ardhi mirë dhe na propozoi ne të shëtisnim nëpër qytetin e Pogradecit dhe siç tha ai “desh ta njohi këtë perlë e cila që nga avioni e kishte mahnitur nga kaltërsia e liqenit dhe brigjet e tij”.
Së bashku me Ministrin e Jashtëm të asaj kohe Reis Malile dhe disa zyrtarë të tjerë dolëm në shëtitoren buzë liqenit duke ecur në drejtim të qendrës së qytetit.
Shtrausi u mrekulluar nga bukuritë e liqenit dhe klithi:
– Oh, këtu është një mrekulli.
Krijoi vërtet një atmosferë të këndshme. Duket se gradualisht shija e keqe që i la mos takimi me Enver Hoxhën po i fashitej gradualisht.
Ne, thotë Belul Lufo, kishim porositur disa shishe verë, raki perle muskat dhe llokumet e famshme me arra që prodhonte atëhere Ndërmarrja Ushqimore e qytetit. I pëlqeu në veçanti vera “Gemc” që filloi ta pinte si ujë dhe rakia perlë dhe muskat i dhamë nga ajo që konsumonte Enveri. Pas 2 orësh qëndrimi në Pogradec, Shtrausi dhe grupi i Ministrisë së Jashtme që e shoqëronte me avionin e tij u nis për në Gjirokastër.
Sapo shkuam në zyrë njoftohem se sëbashku me sekretarin e parë të komitetit të Partisë të asaj kohe Myfit Troqen do të shkonim në vilat se na kërkonte shoku Enver Hoxha.
Sapo shkuam në rezidencën e tij buzë liqenit, Enveri ishte duke pushuar poshtë mështeknës, një vend shumë i preferuar për të. Pasi i raportuam, siç ishte bërë zakon sa herë na thërriste mbi realizimin e planit në ndërmarrjet ekonomike dhe në kooperativat bujqësore për masat që kishim marrë ne për fushatën e korrje-shirjeve, menjëherë biseda shkoi tek Shtrausi.
– Hë, shtoi Enveri, sot kishit një mysafir gjerman në qytet, pa na thoni ku shkoi Shtrausi gjatë kohës që qëndroi në Pogradec?
Ndërkohë sekretari i parë i komitetit të partisë Myfit Troqia i thotë:
– Shoku Enver, Beluli e shoqëroi atë dhe mund të na thotë më hollësisht. Befas, Enveri u kthye drejt nga unë dhe më thotë:
– Ore Belul, kush të tha që të shoqëroje kryeministrin bavarez?
Unë ngela, thotë Beluli, vetëm mbaj mend që i thashë se ai shoqërohej nga Ministri i Jashtëm, shoku Enver.
Ai e tundi kokën dhe fatmirësisht e kaloi bisedën tek problemet e tjera.
– Kështu ë, vazhdoi Enveri, nuk na i japin reparacionet e luftës? (Bëhej fjale dëmet e shkaktuara nga Lufta e Dytë Botërore që shteti ynë i kërkoi Gjermanisë shumën 1 miliard dollarë).
– E kështu, vazhdoi Enveri që ishte informuar nga takimi në Tiranë i Shtrausit deri në detaje, duan të na japin ndihma dhe kredi vetëm 20 milionë dojcmarka e t`i shlyejmë për 40 vjet… që ne të shkelim kushtetutën ku thuhet se Shqipëria socialiste nuk pranon kredi dhe ndihma nga jashtë.
Ndërkohë hidhet Nexhmija, e cila ishte në takim dhe thotë:
– Shoku Enver, dëmet e luftës nuk na i japin dot se i ka ndaluar konferenca e Londrës e vitit 1953 midis ShBA, Francës dhe Anglisë që ishin në atë kohë tutorë të Gjermanisë Perëndimore.
– E di, e di, ia preu Enveri ftohtë… -E s`ka rëndësi, theksoi më pas ftohtë, Enveri një vizitë private ishte kjo.
Ndërkohë që thekson Belul Lufo ishte koha që ishim prishur marredhëniet me Kinën dhe Enveri ishte i sëmurë, kjo ishte vera e fundit që ai erdhi të pushonte në Pogradec, pasi vera tjetër e vitit 1985 nuk do ta gjente pasi vdiq në prill të 1985.
Po qëndroja si mbi gjemba, thotë Belul Lufo, pasi kisha frikë se mos hapej përsëri ajo biseda që e kisha shoqëruar Shtrausin pa lejë. Por të them të drejtën Shtrausi, megjithë ambientin e ngrohtë që ne i krijuam herë pas herë i trishtuar tundte kokën dhe pëshpëriste ‘hë, nuk është planifikuar takimi…’.
Kjo ishte historia e vizitës disa orësh e Shtrausit në Pogradec.
Kush ishte Franc Josef Shtraus?
I lindur më 6 shtator 1915. Në vitin 1949 zgjidhet deputet i Bashkimit Kristian Social Demokrat. Në vitet 1953-1955 emërohet Ministër i Punëve Sociale. Në vitin 1955 është Ministër i Energjitikës. Ne vitet 1956 -1962, Ministër i Mbrojtjes. Në vitin 1962 zgjidhet Kryetar i Bashkimit Kristian Demokrat. Nga viti 1966 -1978 zgjidhet Ministër i Thesarit , Në vitin 1978 – 1988 bëhet kryeministër i Bavarisë deri sa vdes më 3 tetor 1988 pas një ataku në zemër.
Në vijim: Takimi i pogradecarit me Enver Hoxhën, i cili merrte rrogën më të madhe se vetë ai.