GJUHA DUHET RUAJTUR, MBROJTUR, SHKRUAR DHE FOLUR PASTËR SIPAS NORMAVE TË CAKTUARA GJUHËSORE
Sadik Bicaj
Mendimtari dhe poeti i madh rilindës Naim Frashëri, ndër të tjera, ka thënë: “Të mësojmë gjuhën tënë, se të tjerat vënt s’na zënë“.
Dr. sci. Valdet Hysenaj
Kontributit të vazhdueshëm krijues hulumtuesi Sadik Bicaj i shtoi edhe një vepër, duke shënuar, zgjeruar dhe përparuar kështu profilin e tij në kërkimin shkencor.
Mozaiku gjuhësor e letrar “Vështrime gjuhësore e letrare” i studiuesit Bicaj prezanton përmbledhje shkrimesh studimore të kohës, duke ngërthyer në vete përmbajtje të rëndësishme studimore gjuhësore dhe letrare, shkrime të një rëndësie të veçantë për kulturën shqiptare në përgjithësi. Shumica e shkrimeve të trajtuara janë kumtuar në veprimtari të ndryshme shkencore në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri.
Temat gjuhësore të trajtuara në pjesën e parë të këtij libri janë:
– Tekstet mësimore të gjuhës shqipe me gabime të shumta gjuhësore;
– Ndikimi i dialektit gegë në gjuhën standarde;
– Ndikimi i gjuhës turke dhe serbe në ligërimin bisedor të Rrafshit të Dukagjinit;
– Zotërimi i normës letrare në hartimet e nxënësve të shfmu “Bajram Curri” dhe shfmu “Hysni Zajmi” në Vrellë.
Lënda e trajtuar në këtë libër që prej kohësh ka zgjuar interesimin e studiuesve të ndryshëm, në veçanti të linguistëve.
Në shtegtimin e qëmtimit e studimit të ndërlidhjeve gjuhësore autori ka ndjekur disa kritere kërkimi si p.sh. kriterin fonetik, morfologjik, sintaksor, leksikor, frazeologjik etj.
Në këtë dritë autori kap edhe kriteret ekstralingistike si: shtrirja gjeografike e popujve dhe e gjuhëve, shkollat gjuhësore të kohës, themelvënësit e hulumtimeve gjuhësore: Eqren Çabej, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Rexhep Ismaili, Xhevat Lloshi, Isa Bajçinca, Shefkije Islamaj, Qemal Murati, Ragip Mulaku, Hysen Matoshi etj.
Autori qëmton dhe gjurmon rrethanat sociale, politike, arsimore, historike, ekonomike etj., të cilat reflektohen edhe në filologjinë tonë. Po ashtu, hedh dritë të re në shtegtimin historik e burimor të fjalëve dhe përdorimit të tyre, dialekteve, fjalëve të huaja, që bëhën dhe imponohen nga rrethana të ndryshme kohore.
Në këtë pikëpamje autori ka ndjekur edhe studimet dialektore dhe ndikimin e tyre në normën e shqipes.
Gjuhën duhet ruajtur, mbrojtur, shkruar dhe folur pastër sipas normave të caktuara gjuhësore si dhe duhet pasuruar me fjalë të reja. Sot, anekënd trojeve tona etnike, kemi raste kur norma standarde nuk është e njësuar, por paraqitet me variante dytësore. Pra, nga variantet e shumta të gjuhës së folur popullore ose të gjuhës së shkruar mbi baza dialektore.
Bicaj, ndër të tjera jep shpjegime për përdorimin jo të drejtë dhe luhatjet e shumta që shkaktohen nga njohja jo e mjaftueshme e rregullave drejtshkrimore ku qëllim themelor ka përvetësimin dhe standardizimin e gjuhës, duke theksuar se gjuha standarde ka gjetur zbatim të madh në institucionet e ndryshme shtetërore, ekonomike, politike, kulturore, arsimore etj.
Libri trajton një larmi përmbajtjesh, por shkrimet studimore nga fusha e gjuhësisë janë deri diku mbizotëruese, që njëherësh e vlerësoj edhe si punën kryesore të autorit.
I gjithë ky kompleks çështjesh të trajtuara në fondin e studimeve gjuhësore shqiptare paraqet një pasuri të re në fushën e gjuhës, letërisë dhe universalizmit si vlera.
Bicaj trajton ndryshimet dialektore nga standardi në fonologji, në gramatikë dhe në leksik, duke analizuar theksin e Rrafshit të Dukagjinit në raport me statusin shoqëror, duke trajtur po ashtu edhe normimin e gjuhës shqipe.
Libri është realiteti i sotëm i përdorimit të gjuhës shqipe, moszbatimit të normës letrare qoftë edhe në shkollat tona fillore, për çka mendoj se është shqetësues, megjithatë ky libër është udhërrëfyes, lajmës, vrojtues, interpretues i informatave etj. dhe si i tillë në një farë mënyre edhe ka parapërcaktuar gjendjen reale që mban vulën e kohës të cilën po e jetomë edhe autori edhe ne.
Mendoj se Bicaj në njërën anë prezanton probleme mjaft të vështira gjuhësore, kurse në anën tjetër ofron edhe zgjidhjen e tyre, pastaj ngre opinione të ndryshme dhe i shqyrton rrethanat në mënyrë kritike, po ashtu jep edhe përfundime të matura.
Libri mund të jetë jo vetëm shtysë nxitëse e zotërimit dhe përdorimit të përgjithshëm të gjuhës standarde, porse edhe grishje zgjimesh e veprimesh për ta ndriçuar dhe për ta shpënë përpara çështjen e gjuhës, sidomos në institucionet arsimore, detyrë kjo, në rend të parë, në rrafshin kombëtar.
Këtë vepër e kosideroj frymëzim të zgjimit dhe të thellimit të vetëdijes gjuhësore, e konsideroj si një përmbledhje në vete porosish të thella të themelvënësve të kultuturës gjuhësore shiptare.
LËNDË E RËNDËSISHME GJUHËSORE E LETRARE
Krijuesi Sadik Bicaj, me krijimtari poetike e letrare, me gazetari, me shkrime studimore – vlerësuese, me publicistikë, etj.
Pas disa veprave të publikuara deri më tash, krijuesi Bicaj, kësaj radhe para lexuesve del me një përmbledhje shkrimesh analitike e vlerësuese për çështje dhe probleme gjuhësore dhe letrare, të cilën e ka titulluar “Vështrime gjuhësore dhe letrare”
Në pjesën e parë, Vështrime gjuhësore, autori Bicaj iu ka qasur disa temave dhe mikrotemave me karakter gjuhësor, ku në qendër të venerimeve ka gjuhën standarde, si: Gjuha shqipe, standardizimi dhe zhvillimi i saj; Tekstet mësimore të gjuhës shqipe me gabime të shumta gjuhësore; Ndikimi i dialektit gegë në gjuhën standarde; Ndikimi i gjuhës turke dhe serbe në ligjërimin bisedor të Rrafshit të Dukagjinit; Zotërimi i normës letrare në hartimet e nxënësve të shkollës “ Bajram Curri” në Istog dhe shkollës “ HysniZajmi” në Vrellë; Kontributi i Skënder R. Hoxhës në fushën e toponimisë; si dhe një temë interesante që flet për plisin – simbol i hershëm shqiptar të cilën e ka shtjerlluar në shkrimin e tij: Plisi, simbol mijëravjeçar te shqiptarët.
Këto tema hedhin dritë në shumë çështje fonetike, morfologjike e sintaksore, ku autori zë ngoje përdorimin e trajtave dialektore, përdorimin e zanores –ë, shenjat e pikësimit, ndarjen (gabimisht) të fjalëve në rrokje në fund të rreshtit, etj.
Ndërkaq, në pjesën e dytë të këtij libri, Vështrime letrare, janë radhitur disa shkrime vlerësuese të cilat ky autor i ka shkruar, kohë pas kohe, për vepra të autorëve të ndryshëm, në veçanti për vepra të shkrimtarëve për fëmijë, apo edhe të ndonjë publicistisi: Figura e Skënderbeut në letërsinë shqipe; Poezia e Migjenit; Rifat Kukaj: “Droja”; Rexhep Hoxha:“Verorja”; Petro Marko: “Shpella e piratëve”; Jusuf Gërvalla, një zë i veçantë në letërsinë shqipe; Hysen Graiçevci:“Shpresë e përlotur”; Vjollca Ajasllari – Koni:“Ti, qindvjetësh”; Figuracioni stilistik në vëllimet poetike “Shpresë e përlotur” dhe “Ti, qindvjetësh”; Xhevat Syla: “Kush e shkruan poezinë”; Maxhun Osmanaj: “Nga dritarja e klasës”; Bajram Gashi: “Moj Shqipni, mos thuaj mbarova”.
Janë këto disa reçensa e analiza veprash që lexuesve dhe studiuesve ua ofrojnë mendimet për tematikat e këtyre veprave, gjuhën dhe stilin që kanë përdorur autorët e tyre, figurat dhe figuracionet, tipizimin e personazheve të tyre. Pra, janë një begati letrare që që na prezanton ky libër.
Do thënë se Sadik Bicaj, në shkrimet e të dy pjesëve të këtij libri, ka përdorur gjuhë të kuptueshme dhe me porosi të qarta. Gjithashtu, shihet se gjatë kësaj pune me përkushtim, autori ka pasur nëpër duar literaturë të mjaftueshme të cilës edhe iu ka referuar.
Shkrimtari Skënder R. Hoxha: Kush është Sadik Bicaj?
Sadik Bicaj u lind në Vrellë të Istogut, më 21.10.1958.Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Pejë, SHLP në Gjakovë, ndërsa Fakultetin Filologjik, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Universitetin e Prishtinës në Prishtinë. Përveç poezisë merret edhe me gjuhësi, kritikë letrare dhe publicistikë. Para lufte ka bashkëpunuar me të gjitha revistat dhe gazetat që dilnin në gjuhën shqipe në Kosovë, ndërsa, krahas punës në arsim, ka qenë edhe korrespondent i rregullt i gazetës “Rilindja”, “Koha ditore” dhe revistës arsimore “Shkëndija”. Sadik Bicaj është anëtar i Shoqatës së Gjuhës Shqipe të Kosovës, bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologji të Prishtinës dhe kryetar i Klubit letrar “Podguri” në Istog, si pjesëmarrës i shumë simpoziumeve shkencore nga fusha e gjuhësisë dhe e letërsisë të organizuara në Kosovë dhe në Shqipëri. Një kohë të gjatë punoi në shkollën fillore “FazliGraiçevci” të Hades, komuna e Obiliqit, në gjimnazin “Haxhi Zeka” në Istog, ndërsa tash e disa vjet është drejtor në shkollën fillore e të mesme të ulët “HysniZajmi” në Vrellë.
Ka botuar këta libra:
- “Plaga e kurbetit” (dramë, 1992)
- “Zëri i pikëllimit” (poezi, 1994)
- “Artikuj gjuhësorë praktikë” (artikuj gjuhësorë, 1996)
- “Historiku i shkollave fillore shqipe të komunës së Istogut” (1997)
- “Vështrime letrare” ( ndihmës për lekturë shkollore, 2000)
- “Rrugët drejt lirisë” (ditar nga lufta, 2002)
- “SylëVrella, mjek i njohur popullor” (monografi, 2006)
- “Teste nga Gjuha Shqipe dhe Letërsia” (2008)
- “Fadil Ferati, veprimtar i denjë i lirisë dhe pavarësisë” (monografi, 2014),etj
Ky është libri i tij i dhjetë.
Jeton dhe vepron në vendlindje.