Shaban Murati: Një problem serioz diplomatik midis Shqipërisë dhe Republikës Çeke
Kriteri kombëtar është nga kriteret bazë të diplomacisë së një shteti në ndërtimin e marrëdhënieve me shtetet e tjera. Pjesë e çështjes sonë kombëtare dhe e kriterit kombëtar është dhe duhet të jetë Kosova, interesi jetik i së cilës është interes jetik i kombit shqiptar. Kjo do të thotë që Shqipëria ka detyrimin ta mbrojë Kosovën edhe përballë shteteve jomiqësore, por dhe përballë shteteve aleate. Ndaj kur kryeministri i Republikës Çeke, Andrej Babis, sipas Radio Pragës, pas takimit me presidentin e vendit, Milos Zeman, në 17 shtator njoftoi se dëgjoi argumentet e presidentit çek për çështjen e revokimit të njohjes së shtetit Kosovës dhe bëri të ditur se kjo çështje do të shtrohet në një nga takimet e rregullta të zyrtarëve më të lartë të shtetit, që mbahen për të koordinuar çështjet e politikës së jashtme, sensorët tanë shtetërorë duhet të ishin ngritur në këmbë. Kemi një shkallëzim të qëndrimit jo miqësor të udhëheqësve të Republikës Çeke ndaj Kosovës, qëndrim i cili shpërtheu në 11 shtator gjatë vizitës së presidentit çek në Beograd, ku ai deklaroi në konferencë shtypi se do t’u kërkojë autoriteve ekzekutive të vendit të vet tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Fakti që kryeministri çek, i cili në datën 12 shtator deklaroi se nuk sheh asnjë arsye të revokohet njohja e Kosovës, tani gjykon se duhet ta diskutojë në një mbledhje të zyrtarëve më të lartë të vendit të vet çështjen e revokimit të njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës, duhet të shërbejë si një alarm i madh për qeverinë dhe shtetin e Shqipërisë. Kushdo e kupton se ka lindur një problem serioz diplomatik midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Çeke. Republika Çeke është anëtare e NATO-s dhe e BE. Është një shtet aleat i Shqipërisë në Aleancën Atlantike, ku anëtarësimi i detyron të dy shtetet, që të luftojnë për njeri-tjetrin, nëse sulmohen nga një shtet i tretë. Tani udhëheqës të këtij shteti aleat dalin dhe sfidojnë në mënyrë direkte interesin jetik edhe të Shqipërisë, edhe të Kosovës, pra të kombit shqiptar, duke shtruar në tryezën çeke të koordinimit të politikës së jashtme çështjen e revokimit të njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës.
Çfarë bie në sy në këtë kundërvënie absurde të presidentit çek apo të ministrit çek të mbrojtjes ndaj njohjes së Kosovës. Është një kundërshtim i hapur ndaj politikës atlantike të ndjekur ndaj Kosovës dhe një sfidë ndaj veprës historike humanitare të NATO-s për çlirimin dhe shpëtimin e Kosovës nga agresioni kriminal serb dhe nga gjenocidi serb në vitin 1999. Republika Çeke është vlerësuar për pjesëmarrjen e saj në aksionin e përbashkët të 19 shteteve demokratike të NATO-s në inkursionet ajrore kundër objekteve ushtarake serbe në vitin 1999. Kryeministri i Republikës Çeke, që dha votën për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Serbi dhe që firmosi pjesëmarrjen e Republikës Çeke në aksionin e përbashkët të NATO-s, ishte pikërisht Milos Zeman, i cili tani si president i vendit bën deklarata adoleshente në Beograd se ai dashuron Serbinë, por nuk e do Kosovën, dhe do të kërkojë revokimin çek të njohjes.
Vënia në diskutim e njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës nga presidenti apo nga forume zyrtare çeke, po ndodh në një kohë kur para katër javësh qeveritë e pesë shteteve kryesore të NATO-s, të SHBA, Gjermanisë,Francës, Britanisë së Madhe dhe të Italisë, në letrën e përbashkët drejtuar në 13 gusht qeverive të Serbisë dhe të Kosovës, vendosin si një kusht të rifillimit të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës ndërprerjen e fushatës ndërkombëtare të Serbisë për tërheqjen e njohjeve nga shtetet, që e kanë njohur Kosovën. Dhe kur Perëndimi zyrtar i vendos Serbisë këtë kusht, presidenti kontrovers i Republikës Çeke, Milos Zeman, shkon në Beograd dhe kërkon të kundërtën, duke inkurajuar Serbinë që të vazhdojë fushatën idiote juridiko-diplomatike të tërheqjes së njohjeve.
Kemi sinjalin e një situate alarmuese, kur një shtet anëtar i NATO-s si Republika Çeke i bashkohet interesave koloniale të Serbisë dhe jo qëndrimit strategjik të pesë shteteve kryesore më të fuqishme demokratike të NATO-s. Provokacioni antishqiptar dhe antiatlantik i presidentit çek bëhet në një moment delikat diplomatik, kur faktori perëndimor, SHBA dhe BE, kanë marrë një angazhim të ri për arritjen e marrëveshjes përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, të bazuar në njohjen reciproke midis tyre. Dalja e presidentit çek me kërkesën për revokim të njohjes së Kosovës dhe për shtrimine kësaj çështjeje në forumet më të larta të pushtetit në Pragë, janë jo vetëm ecje kundër rrymës atlantike dhe europiane, por edhe kalim në anën tjetër të barrikadës diplomatike e gjeopolitike me Rusinë.
Përballë këtyre zhvillimeve të reja negative për Kosovën, për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar, është e papranueshme heshtja dhe mosreagimi i Tiranës zyrtare. Shqipëria ka detyrën kushtetuese dhe kombëtare ta mbrojë Kosovën në arenën ndërkombëtare çdo ditë. Duhet mbrojtur nga Serbia dhe nga Rusia, por duhet mbrojtur edhe nga filorusët dhe filoserbët, që gjëllojnë në udhëheqjet e disa vendeve ish-komuniste dhe që përpiqen të sabotojnë shtetësinë e Kosovës dhe përpjekjet e Perëndimit dhe të NATO-s për zgjerimin e njohjeve të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare si OKB.
Shqipëria duhet të ndërmerrte përçapje intensive diplomatike pranë shtetit çek aleat në NATO, duke i bërë të qartë se qëndrime të tilla antishqiptare cenojnë rëndë marrëdhëniet midis dy shteteve tona si dhe kohezionin atlantik. Unë nuk mund të kuptoj se si mund të ulesh dhe të flasësh në NATO për bashkëpunimin ushtarak me ministrin çek të mbrojtjes, që është bashkuar me presidentin kundër njohjes së Kosovës, dhe të mos e paralajmërosh se nuk mund të ketë bashkëpunim aleatësh, kur goditet shtylla kurrizore e çështjes kombëtare shqiptare. Shqipëria duhet të ndërmarrë përçapjet e saj diplomatike pranë pesë shteteve të mëdha perëndimore për të aktivizuar veprimin e tyre diplomatik në drejtim të Pragës, sepse qëndrimet e presidentit çek i kundërvihen qëndrimeve të pesë shteteve kryesore të NATO-s për shtetin e pavarur të Kosovës.
Shqipëria duhet ta ngrejë fuqishëm zërin e saj kundër fushatës së Serbisë dhe të Rusisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Është e papranueshme që Shqipëria nuk është ngritur asnjëherë me deklarata zyrtare qysh kur Serbia nisi fushatën e saj ndërkombëtare për revokimin e njohjeve të Kosovës. A nuk mund të konsiderohet e turpshme që ndaj disa mikroshteteve në Afrikë apo në Paqësor, që kanë ndërmarrë aktin absurd të tërheqjes së njohjes së Kosovës, ka protestuar Franca dhe Britania e Madhe, kurse Shqipëria nuk ka thënë gjysmë fjale? Qeveria e Shqipërisë jo vetëm, nuk lëvizi vetë, por as nuk shprehu mirënjohje dhe vlerësim ndaj Francës dhe Britanisë së Madhe, që dërguan nota proteste në adresë të atyre shteteve, që tërhoqën njohjet e Kosovës. Lidhur me këtë në librin tim “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës” kam shkruar: “Nuk kemi dëgjuar deri tani ta shprehin këtë vlerësim zyrtarisht, por është ende koha për ta bërë këtë. Shqipëria duhet ta kishte ndjekur menjëherë shembullin francez dhe do të duhej të kishte afishuar të njëjtin qëndrim lidhur me diversionin diplomatik rus dhe serb për të nxitur disa shtete që të tërheqin njohjen e Kosovës”. (Tiranë 2018, fq.298).
A e dini se Shqipëria nuk ka bërë një protestë në Beograd dhe as e ka denoncuar publikisht fushatën e Serbisë për revokimin e njohjeve të Kosovës? Kaq mjerane është treguar Shqipëria, sa që edhe kur kryeministrja serbe demonstroi një pacipëri diplomatike duke i kërkuar me letër Shqipërisë tërheqjen e njohjes së Kosovës, Tirana zyrtare gëlltiti gjuhën e vet brenda.
Deri tani tërheqjet e njohjeve të Kosovës kanë qenë nga disa shtete periferike të gjeografisë botërore nën presionin rus dhe serb. Por tani po del një shtet anëtari NATO-s, ku është anëtare edhe Shqipëria, që planifikon të diskutojë revokimin e njohjes së Kosovës.
Duket se qarqet zyrtare shqiptare ende nuk kanë mësuar se çështja kombëtare është pjesë e funksionit, e misionit dhe e strategjisë së diplomacisë dhe të shtetit. Kosova dhe mbrojtja e interesave të saj si shtet i pavarur, përballë shteteve jomiqësore apo shteteve aleate, është detyrë primare e diplomacisë, e qeverisë dhe e shtetit shqiptar. Ndaj nuk mund të mos lindë shqetësimi rrëqethës: A do të zgjohet Tirana të mbrojë Kosovën?/gazeta dita/