Albspirit

Media/News/Publishing

Vladimir Orel: Mësimdhënia e Gjuhës Shqipe në Moskën e viteve 1970

Fotografia e Cerciz Loloci

Në 1976, kur mbas shumë sprovash e pa asnjë shpresë për të gjetur një punë profesionale, u lejova të regjistrohem në një kurs pasuniversitar në Institutin e Studimeve Sllave e Ballkanike, zor se dija gjë për Shqipërinë e gjuhën shqipe. Sidoqoftë, qysh ditën e parë të studimit, mësuesi im, Prof. Leonid Gindin, një ekspert i njohur i gjuhëve të vjetra ballkanike e të Azisë së Vogël, i dobët, i zbehtë dhe i keqhequr, rreth të pesëdhjetave, i tha shoqes sime së kursit, Irina Kaluzhkajës dhe mua se detyra e jonë e parë ishte që të mësonim gjuhën shqipe.

“Shqip? Po pse”? thirrëm të dy njëzëri. “E si”?

Mendimi e mërzitja se do të studionim një gjuhë të panjohur e të largët, të një vendi diku në një cep të Europës, na e bënte punën Irinës dhe mua krejtësisht  jo interesante.

Pyetja e parë, “Pse?” gjeti një përgjegje të menjëhershme e logjike. Prof. Gindin na shpjegoi se shqipja, me gjithë rëndësinë e saj të madhe për studimet e vjetra e moderne ballkanike, ishte lënë krejtësisht mbas dore prej studiuesve perëndimorë si edhe prej atyre rusë. Mendimi i profesorit tim ishte se futja e materialit gjuhësor shqiptar në kornizën e analizës gjuhësore do të revolucionarizonte krejt fushën e studimeve ballkanike. Vendi i shqipes, me ato tiparet e veta arkaike brenda familjes indoeuropiane, zona ku flitet shqipja, fjalori i pazakonshëm i saj, të gjitha këto e bënin analizimin e kësaj gjuhe thelbësor për planet e kërkimeve gjuhësore të profesorit Gindin.

Kurse pyetjes së dytë “Si”, ishte shumë më e vështirë për t’i dhënë një përgjigje. Në vitet ’70 kur të dy këto vende totalitare, si Bashkimi Sovjetik ashtu edhe Shqipëria, ishin armiq për vdekje, të gjitha linjat e komunikimit mes Moskës e Tiranës ishin ndërprerë, duke përfshirë edhe shkëmbimin e librave. Ndërsa në Leningrad mësimdhënia e shqipes ndiqte traditën universitare, në Moskë ajo nuk u studionte aspak dhe të gjithë librat, tekstet e revistat në shqip e prej Shqipërisë ishte shumë vështirë për t’i gjetur. Te Biblioteka e Letërsive të Huaja, një nga më të mirat në Rusi, në rreshtin e librave në shqip, i cili ishte i përbërë kryesisht prej librave që vinin prej bibliotekave gjermane, të grabitura sistematikisht mbas Luftës së Dytë Botërore, mund të gjeje një fjalor të vogël me një tabelë gramatikore, të botuar në fillim të viteve ’50 si edhe pak numra të revistës “Studime filologjike”, shumica e të cilëve ishin të ruajtura në një zonë të veçantë, meqë përmbanin fjalimet e Enver Hoxhës. Eshtë për të mos besuar por krejtësish e vërtetë që autoritetet ruse kishin frikë se mos fjalimet e kota të Enver Hoxhës mund të tërhiqnin qytetarët e paqendrueshëm rusë drejt herezisë maoceduniane.

Në Moskë nuk kishte albanologë. Ata pak studiues që thoshin se ishin ekspertë në atë fushë si Prof. Shirokov në Universitet e Prof. Neroznak në Akademinë e Shkencave, ishin sharlatanë të paguar mirë e me vende pune të siguruara, të cilët shfaqnin injorancën e tyre në çdo mënyrë të mundshme për njeriun. Mbaj mend se kam pasur një dosje të veçantë se si këta njerëz citonin artikullin e famshëm të Holger Pedersenit në vëllimin e XXXVI-të të Kuhns Zeitschrift-it (në të cilin Pederseni përcaktonte reflekset e ndryshme të qiellzoreve e të labiovelareve në shqip, citimet e burimeve nuk ishin kurrë të drejta. Viti ose numri i vëllimit, ose të dy, gabonin pambarimisht, fakt i cili të shtynte të mendoje vetëm për një gjë: studiuesit nuk e kishin parë kurrë burimin shkencor të cilin  pretendonin se kishin përdorur. Për fat të keq lista e citimeve të këqija e të mbrapshta përfshinte edhe një numër të madh studiuesish profesionistë…

Për të mësuar shqipen e folur ne, Irinës dhe mua, Akademia e Shkencave më në fund arriti të gjejë (dhe ta marrë në punë) të vetmen instruktore të mundshme, Roza Koçin, një zojë e hijshme, rreth të pesëdhjetave, e cila kishte qenë bashkautore e fjalorit të vogël rusisht-shqip, të cilin e përmenda ma sipër, një person i këndshëm e një mësuese për të ardhur keq. Sidoqoftë ajo nuk mund të fajësohet për dobësinë e vet pedagogjike. Në fund të fundit asaj i nevojitej për të krijuar vetë kursin dhe që tekstet e mësimit i shkruante me dorë në dy kopje.

Mbas pak kohe mora vesh se si Roza, e cila ishte me origjinë hebreje ruse e jetonte në Moskë me vajzën e vet tashmë adoleshente, ishte përpjekur mjaft për të siguruar këte punë të pazakontë. Rreth vitit 1950 ajo ishte martuar me një shqiptar i cili kishte ardhur për studime në Bashkimin Sovjetik dhe kishte shkuar bashkë me të në Tiranë. Mbas keqësimit të marrëdhënieve shqiptaro-ruse, atë dhe vajzën e saj të vogël i kishin hypur në trenin për Moskë dhe i kishin larguar nga Shqipëria. Kur e pyetnim se si kishte rrjedhur jeta e të shoqit më pas, ajo mbetej e heshtur. “E kanë pushkatuar? E kanë futur në burg? E kanë ngritur në pozitë? Ndoshta. Nuk e di. Nuk kam për ta marrë vesh kurrë”.

Kërkimet e Irinës do përqëndroheshin në problemin e fjalëve të përbashkëta shqiptaro-rumune. E kam pasur gjithmonë zili atë mundësi për të rishikuar e  ripunuar gjithë atë material që ishte grumbullue metodikisht, por ishte krejtësisht i keqparaqitur. M’u dukte fare e qartë se një pjesë e madhe e këtyre fjalëve të përbashkëta mund të shpjegoheshin herë mbas here si disa shtresa huazimesh të shqipes (edhe të protoshqipes) të futura prej kësaj gjuhe në rumanisht e në romancën e hershme lindore. Teza të tjera (si psh ai i interpretimit të këtyre fjalëve të përbashkëta si një substrat indoeuropian në të dyja gjuhët ose si huazime që shqipja i kishte marrë prej gjuhës romance) ishin krejt të zakonshme, por në të njëjtën kohë krejt të pambrojtshme. Irinës iu deshën 25 vjet për të shkruar dhe mbrojtur tezat e veta. Kurse puna ime premtonte shumë më pak. Mua më duhej për të hetuar në mënyrë kritike hipotezat e pranisë së elementeve të një substrakti ballkanik në gjuhët sllave. Në fillim u duk se nuk kishte as edhe një, e në mënyrë që teza ime të mos ishte krejtësisht negative dhe për ta bërë atë më të pranueshme për kolegët e mi më të mëdhej, m’u desh për të gjetur një pikëvështrim pak a shumë të paqortueshëme e disi interesant. Zgjidhja që gjeta ishte duke kërkuar elemente leksikore të hershme të (proto)shqipes në gjuhët sllave dhe besoj se mbërrita të zbuloj rreth dymbëdhetë, shumica e të cilëve në gjuhët sllave kishin hyrë përmes romancës lindore.

Mbrojta e diplomës sime në 1980 u kthye në një ngjarje të dhimbshme. Një ndër kundërshtarët zyrtarë të mi, Prof. Beletskij prej Kievit e vlerësoi lart (madje shumë lart) punën time, kurse kundërshtari tjetër, anëtarja e Akademisë Agnia Desnickaja, ‘koka’ e shkollës së Leningradit për albanologji, nuk po e vlerësonte fort, po përdori këtu thënien e famshme të Mbretëreshës Viktoria. Me sa dukej ideja e një shkolle tjetër në Moskë po vepronte si një ngacmues i fuqishëm. Megjithë rregullat e asaj kohe, ajo nuk më dërgoi vërejtjet e diplomës sime qysh më përpara e unë e dëgjova atë për herë të parë vetëm kur bëra mbrojtjen e tezës. Ishin dymbëdhetë faqe të një kritike të zemëruar, me sarkazëm, përçmuese e pak bindëse. Goditja ishte tepër e rëndë, por nga ana tjetër më ndihmoi. I papunë e pakurrgjë tjetër, unë u zemërova e duke harruar mirësjelljen dhashë një përgjigje po aq sarkastike e të ashpër. Për kohën ishte një gjë aq e pazakontë sa komisioni votoi unanimisht për tezën time doktorale. Kjo ngjarje më ndihmoi për të gjetur një punë të vogël, një vit më vonë, si kërkues i ri pranë Institutit të Studimeve Sllave. Ideja e një personi me universitet e të papunësuar ishte e tepërt edhe për vetë ‘dinosaurët’ rusë të kohës. Për çudi muri ishte çarë jo prej personave me të cilët unë kisha të përbashkëta idetë politike, me liberalët anti-sovjetikë, shumica e të cilëve në atë kohë punonin në institut, por prej kundërshtarëve të mi politikë e “asnjëanësve”, prej akedemikëve të cilët bashkëpunonin me regjimin ose të paktën nuk ishin të përfshirë në ballafaqimin e ideve prej Prof. Samuil Bernsteinit e Dr. Mihail Kuzminit, i fundit anëtar partie.

Nga fundi i viteve ’70 Irina dhe unë nisëm të botojmë disa prej rezultateve më të hershme të kërkimeve tona. Qysh në 1976 ëndrra ime ishte për të hartuar një fjalor të ri etimologjik të shqipes e një gramatikë historike (të dy u mbaruan e u botuan në vitet ’90 në Hollandë). Sprovat e para, fillimisht të kryera prej të dyve së bashku e më vonë vetëm prej meje, u përqendruan në dy pika mbërritje: etimologji të reja të shqipes e në të njëjtën kohë kundrime mbi fonologjinë historike të shqipes. Disa prej tyre sot më duken të parakohshme, në mënyrë të veçantë studimi ynë i hershëm mbi sonorantet rroksore si edhe studimi im mbi substratin indoeuropian në fjalorin e gjuhës shqipe. Sidoqoftë, kjo i dha rrugë një serie të gjatë studimesh etimologjike, të cilën e vazhdova në vitet ’80 si edhe i hapi shtegun kërkimeve më serioze në akcentologjinë e në konsonantizmin e shqipes. Brenda gjysmës së parë të viteve 1980 kisha punuar aq prej gramatikës historike së shqipes sa mjaftonte për të mbajtur një seminar me paasuniversitarë.

Nganjëherë përpjekja për të botuar në Rusi rezultatet e kërkimeve të mia krijonte edhe situata absurde. Kështu për shembull, në 1976 vendosa për t’i dhënë për publikim një prej artikujve të mi revistës së përvitshme e tepër zëmadhe “Etimologija”, e cila drejtohej nga një nga më të mëdhejtë gjuhtarë në historinë e Rusisë, nga antari i Akademisë Oleg Trubaçev. Ishte një gjuhëtar i famshëm, po aq sa edhe antisemit. Sikur t’ia dërgoja unë artikullin tim do të ndodhte refuzim i menjëhershëm e për fat të keq edhe profesori e mbikëqyrsi im, Leonid Gindin ishte hebre si unë. Atëherë Gindini vendosi t’i kërkojë një personi të tretë, një kolegu të vet me origjinë ‘ariane’ të panjollë, duke i dërguar studimet e mia botuesit e duke më paraqitur si një dishepull të tij. Kjo manovër shkoi mirë dhe studimi im u botua në 1978. Disa vjet më vonë, në 1997, kur u takova me Trubaçevin e moshuar e shëndetlig në Moskë, i kujtova këte episod. Kohët kanë ndryshuar, njerëzit kanë ndryshuar, miqtë e vjetër bëhen armiq e armiqtë bëhen miq e ne e ndjemë veten mirë në atë masë sa për ta kaluar me të qeshur këte episod sa të trishtueshëm aq edhe qesharak.

Në 1995 shkova në Shqipëri. Ishte e çuditshme edhe groteske për të parë për herë të parë njerëzit, gjuhën e të cilëve unë e kisha studiuar për disa dekada. Dikur vetëm një “konstrukt teoritik”, një pjesë e “trashigimisë historike”, kjo gjuhë tepër e gjallë dhe e vërtetë tash shungullonte e pëshpëritej rreth e rrotull meje. Më në fund munda të shikoj popullin, krenarinë kombëtare të të cilit, dhimbjen, dashuninë për jetën e zemrën këngëtare unë i kisha ushqyer për vite me rradhë, pa i njohur aspak njerëzit e tij.

Vladimir Orel është doktoruar në vitin 1981 në gjuhësi pranë Akademisë Ruse të Shkencave. Për disa kohë ka qenë pedagog i lëndëve gjuhësore pranë Universitetit Bar-Ilan (Izrael). Ndër botimet e tij më të randësishme, janë: Hamito-Semitic Etymological Dictionary (Brill, 1995); The Language of Phrygians (Caravan Books, 1998); Albanian Etymological Dictionary, Brill, Leiden (xlii, 670 faqe); A Concise Historical Grammar of the Albanian Language, Brill, Leiden 2000 (xxii, 332 faqe). 

Please follow and like us: