Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Lufta e re ose lufta kaotike

Image result for turqia ne siri

1) Ky është një term që po i dedikohet sot luftës në Siri. Ose më saktë invazionit të befasishëm të ushtrisë turke në veriun e Sirisë së shkatërruar nga lufta civile. Një ndërhyrje ushtarake që përpos viktimave në njërin vend është kthyer në një rit ushtarak triumfi deri tek ekipi i futbollit të Turqisë. Njëmbëdhjetë djem që pas një goli nderojnë ushtarakisht para botës a njerëzimit. Ndërkohë në Sirinë e shkatërruar viktimat nuk njohin moshë a gjini. Dhe pamjet e masakrave mizerjes etj., janë bërë virale në internet. Ndërkohë pikëpyetjet janë nga e gjithë bota, çfarë bëhet me kurdët a sirianët? Përse u tërhoq Amerika? Si dhe çfarë kërkon Turqia? Po ne shqiptarët përse bëhemi palë? Përse nuk e lexojmë konfliktin në interesin tonë kombëtar?
2) Aty nga viti 2012 shteti i Bashar al Asadi-t ose Siria, po kërcënohej nga një shtet paralel, ai ISIS-it. Një seri lëvizjesh që tronditën sistemet e njëshave me të ashtuquajturën pranvera arabe. Kryesisht në veri të vendit ku dominohej nga popullata kurde. Thuajse pa mbrojtjen e qeverisë, kurdët e Sirisë krijuan strukturat e para ushtarake. Flitej se i përkisnin partisë popullore të kurdëve apo Oçalanit. Të cilët arritën të bëjnë aleancë me qeverinë amerikane atë kohë kur president ishte Barack Obama. Amerika u kërkoi të ndërronin emrin për shkak se Turqia i njihte si terroristë dhe për më tepër mban të ngujuar në burgun e ishullit Imral liderin e tyre Abdullah Oçalanin. Kësisoj këto struktura kurde me emrin njësitë për mbrojtjen popullore u shëndërruan në milicia kurde. Kjo dëshmonte në të njëjtën kohë fundosjen e Sirisë në një luftë civile. Frontet ishin mes ISIS-it (shtetit islamik), ushtrisë së Bashar al Asadit, dhe milicisë kurde. Një luftë që vazhdon edhe sot ku skemat tashmë janë botërore, një Siri e shkatërruar me kampe refugjatësh në ishujt e Greqisë, Turqisë dhe maunet plot në tregun e zi europian.
3) Amerika nuk është tërhequr plotësisht. Por është një detyrim elektoral i presidentit aktual në lidhje me luftrat apo popujt që sipas tij nuk dinë gjë tjetër veç të bëjnë luftra. Luftrat e pafundme në konceptin Trump, adaptohen tek ne në atë shprehjen po këta nuk deinë gjë tjetër veç të hanë kokat me njëri-tjetrin. Trump para pak ditësh pati një bisedë të gjatë me presidentin e Turqisë, Erdogan. Fill pas kësaj bisede urdhëroi edhe tërheqjen e trupave amerikane të cilat ia lanë kompetencat milicisë kurde në ruajtjen e rendit, territorit dhe kampeve ku mbaheshin robërit e shtetit islamik, ISIS. Mirëpo Erdogani duket se kishte mëndje tjetër, kjo shpjegohet nga indinjata e Trumpit i cili ka vënë në lëvizje grupet e punës për planifikimin e sanksioneve karshi Turqisë.
4) Çfarë kërkon Erdogani të demonstrojë…
Eshtë pa asnjë diskutim ëndrra Kurdistan që ai do të vrasi. Janë një etni prej afro 35 milion. Një truall i copëtuar në katër shtete, Turqi, Irak, Iran, Siri. Po t’i shtosh edhe etnitë rreth vendeve më përtej Turqisë, Sirisë, Iranit e Irakut, diasporën ku grupimin më të madh e ka në Gjermani etj., kap shifrat e 40 milion banorëve. Nga ana tjetër kurdët kanë sot arritje dhe në vende si Irani apo Iraku janë kthyer në faktorë të rëndësishëm ekonomik. Irbili përshembull është një motor ekonomik në Irakun verior. Në vitin 2017 mbajtën një referendum popullor për shkëputjen nga Iraku. Mendoni sikur një referendum i tillë të mbahet në Turqi, ku sipas censusit të vitit 2006, jetojnë plot 12 milonë kurdë. Erdoganit që rri në pushtet me votat rurale, që burgos a dëbon mendimin ndryshe, kur vret e pret kundërshtarin turk nuk ka pse i dhimbset demokracia, të drejtat dhe lirët e individit sidomos kur bëhet fjala për kurdë e armenë. Por edhe me gjerë, për më tepër ku shumë analistë e konsiderojnë si një sulltan të kohëve moderne.
Referendumi i kurdëve në Irak, shtatorin e 2017-ës dëshmoi një gjë, prespektivën e një shteti të ri, Kurdistanit. Shtetin e mohuar shekujsh.
5) Kur kurdët e Irbilit mbajtën një referendum në shtatorin e 2017-ës, për të drejtën e tyre autoktone, Erdogani ironizoi se nuk bëhet një shtet fët e fët, me këtë rast përmendi edhe Kosovën, shtetin e dytë të shqiptarëve. Madje solli si argument mosnjohjet nga shumë shtete të rajonit e më gjerë, ku pa dyshim Serbia, Palestina dhe Izraeli. Nga ana tjetër shqiptarët sot krejt angllish me historitë a mizoritë e sundimit 500 vjeçar i japin botës së lindjes një vëmendje të theksuar dhe futen në ca konflikte palësh mes Erdoganit, Mahmud Abasit apo Netanjahut. Ca nga praktikimi së prapthi i islamizmit, ca nga injoranca dhe ca nga prirja anarshiste karshi njeri tjetrit e sigurisht vendit të lodhur luftrash ku për pasojë jetojnë sot të ndarë në pesë shtete. Megjithëse janë po aq armenë, po aq kurdë, po aq çifutë, nderojnë luftën e klasave të Erdoganit, u dhimbset Abasi që nuk njeh Kosovën, vriten për Netanjahun, madje i çojnë ushtarë shtetit islamik të ISIS-it duke u bërë pjesë e konflikte orientale dhe duke ia bërë në kokë vendit të tyre. Ndaj sot nuk është e rastësishme që nga një përllogaritje e përciptë paratë e taksave të shqiptarëve investohen në 78% në blerjen e telenovelave turke, pjesa tjetër për spektakle mondane pasarelash dhe ca thërrime në krijimtarinë autoktone. Kjo nuk ka asnjë domethënie tjetër që unifikimi kombëtar nuk ka për të ndodhur sa kohë që duam më shumë Erdoganin, Mahmud Abasin, Netanjahun, apo shtetin islamik të ISIS-it. Ndaj nëse sot lufta e Sirisë quhet si lufta kautike, Shqipëria po jeton kohën kautike. Dhe kur nuk do veten për së pari, je me plot gojën, plaçkë për të tjerët.

Please follow and like us: