Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik BEJKO: VETMIA DHE VDEKJA NË VEPRËN E MARTIN CAMAJT

Image result for sadik bejko

 

Gjithmonë kam menduar se në fillim ndodh pranimi logjik i një shkrimtari. Në leximin e parë ai troket fort, pastaj e lexojmë prapë dhe shkallë-shkallë ai hyn tek ne, zë vend në njohjen tonë si artist me rëndësi. Në rastin e Camajt njohja tek ne erdhi me vonesë dhe si e flakur midis nesh, si e hedhur midis sheshit, prej gazetave, prej politikës, të cilat sikur të thoshin: ja, shiheni çfarë poeti, çfarë poezie…! Ju që vini nga shkollimi komunist, nga Realizmi Socialist, nuk e kapni dot artin e Camajt. Por, pavarësisht këtyre, që me leximet e para pas vitit 1990 arti i Martin Camajt u mirëprit. Por pranimi logjik nuk mjafton. Mund ta pranosh një autor dhe, pas një leximi, e hedh atë në një kënd, nuk komunikon më me të. Pranimi i vërtetë vjen me kohë, do kohën e vet, vjen atëherë kur një autor e kemi përvetësuar edhe emocionalisht. Mund t’i mbajmë a mos t’i mbajmë përmendësh vargjet, por jemi mbushur plot me përfytyrimet e poezisë së tij, me ndjeshmëritë që burojnë prej shtresimeve të tekstit të tij; tani këto pasuri janë tonat; kur të na “duhen”, u kthehemi, na vijnë vetiu ndër mend, ose marrim librin dhe i rizbulojmë.

44 poezi dhe 7 proza poetike

Libri i parë që kam nga Camaj është “Gedichte”, (Poezi), një përmbledhje me 44 poezi dhe 7 proza poetike me përkthim në gjermanisht, botuar në Mynih, 1991. Shtatë prozat poetike të këtij libri janë marrë me po atë renditje nga libri “Njeriu më vete e me të tjerë”, 1981. Duhen thënë dy fjalë për këtë libër. Është një përzgjedhje bërë me dijeni të autorit në fund të jetës së tij. Toni mbizotërues i këtij libri është trishtimi. Aty gjejmë Martin Camajn intim, të mërguar, “larg nga ata që flasin si unë” dhe njëherësh të rikthyer me mjetet e poezisë në vendlindjen e munguar. Dy temat kryesore të këtij libri, ajo e vetmisë dhe e vdekjes janë vënë në sfondin e Dukagjinit, në erën mitike të Veriut, të Veriut si klimë, si simbolikë, si sfond malesh, si vend i durimit stoik, si qëndresë në mungesat më elementare jetike dhe si tërheqje urtake në vete. Ky mërgim prej mërgimit, a shtegtim prej mërgimit, kjo vendosje në mal, në primitivitet, është e sajuar artistikisht, e ëndërruar, e ndërtuar si ngrehinë virtuale, si ajër për t’u mbrojtur e për t’u arratisur nga shpërbërja. Autori thellë-thellë të jep përshtypjen se është nisur në udhën që të çon larg nga bota e të gjallëve. Si tek njeriu në jerm, njeriu me frymëmarrjen e rënduar të fundjetës, kjo poezi flet me të vdekurit, me atin, me nënën, të cilët nuk janë më (kur është botuar ky libër), pastaj kujton të vëllanë… lë dhe amanetet e fundit. “Larg atyre që flasin si unë”, nga Lulja, e dashura, kërkon një “shtyllë guri” ku të mbahet larg nga vdekja që lajmërohet që në vargun e parë të kësaj poezie. Tezes, gruas, i lë një amanet: meqë ai do të vdesë “mes njerwzve gjithmonë të nginjun”,… “ndër drekët e mija qitni vetëm kafe të idhta”. Kjo kontraston me drekët për vdekjen e atit ku “… prenë dy qe/me ngimun të unshmit e thneglat e lamit/me grimca buke”.

“Mosha e qenit ose ditëlindja”

Te “Mosha e qenit ose ditëlindja” festa kthehet në drekë, edhe pse “kremtuen gjithnatën i ri e i vjetër”. Në mëngjesin që vjen, qentë nuk presin mbas dere si ushqim eshtrat e mbetura nga festa, por atë njeriun… kremtuesin e ditëlindjes. Ka kaq trishtim në këtë poezi për ditëlindjen, sa nuk ia gjen shoqen në gjithë letrat shqipe. Trishtimi, zvjerdhja, shënohen që në titullin e poezisë: mosha e qenit… Sipas mendësive fshatare, me ngrysjen e moteve, kur të lënë forcat, dhe, për pasojë, shtohen qarjet nga jeta, ke hyrë në moshën e qenit. “Kremtuen… kohën që vdiq e vrame në mue”… “E thanë: askush s’do të lypi gjak për të”. Lypet gjak për kohën? Mos ka ndonjë gjak të pamarrë M. Camaj? Atëherë, pse përmendet gjaku që nuk mund të merret? Pse festa kthehet në drekë mortore? Askush nuk i lyp gjak fatit të keq. Camaj e ka paramenduar: ata që e vuajtën luftën e ftohtë do të shkojnë gjakhupës. Nuk do të ketë as të penduar, as përgjegjës për ata që vuajtën nën “murlanin e kuq”, siç e cilëson komunizmin te poezia “Dy brezni”. Te poezia “Ime amë” flet shqemëza që dridhet e thatë në shkamb, mbi Dri, e rrahun nga fryma e tërbueme në Shëndre: “je barrë e vrame/në parzmin tim!/Kaloje lumin para sosjes/të dimnit”. Nëna e autorit ka vdekur. Si në një haluçinacion te shkëmbi mbi Drin është nëna e shndërruar në një shqemëz. Je pjellë e fatit të keq. Eja, kapërceje fatin e keq. Barrë e vrame. Autori, arti i tij, mbetën të përjashtuar, të akulluar në dimër. Vetëm vdekja do t’i çmagjepsë largësitë, do t’ia fashisë e t’ia paqëtojë makthet, do ta pjekë me nënën, me mjediset e me këdo tjetër nga të tijtë.

“Tingujt e parë”

Në “Tingujt e parë”, poezi që hap librin, i ati i thotë të birit “Mos u tremb”, ndërsa dëgjohen shungullimat ngjethëse të ortiqeve. Kjo poezi shënon mjedisin e zanafillës së heroit lirik të librit, sfondin e krejt librit: ujq me veshët çyrekë përpjetë, ortiqe, qiell me re, lumenj të turbullt me gur e lëndë, njerëz në shtigjet e ngushta të malit, njerëz në uri dhe etje. Në poezinë “Dy brezni”, i ati portretizohet si burrë fort i ashpër me bijtë, me fjalën si “ulurimë ujku t’unshëm/ndër karma, vetëm”. Megjithatë gdhendet dhe si burrë i frytshëm, “… pamje trishtë/dru ullini pa fletë/me kokrra të zeza në çdo degë”. I vëllai i Martinit, malwsori kambë-zdathë i diktaturës shqiptare, kur “i fryn zjarrmit…,të gjitha shkëndijat i bahen/djelm”. Ai gati e ka zili vëllanë e vet kambë-zdathë, ngaqë vetë nuk pati fëmijë. E, pra, për të, për një baba pa djalë, askush nuk do të marrë gjak. “Personazhet” e tjerë të librit janë dallëndyshja, korbi, dreri, gjarpri. Më tepër simbole…Edhe hijet, syrretnit, gruaja në mëngji, jugorja në Veri, janë njerëz në vetmi, të kapur pisk në rrethana tragjike. “Hija e lisit” vjen si poezi e një niveli të lartë të shkrimit. Kjo poezi sikur mbyllet, nuk lë çelësa jashtë, as shtigje të fshehura për t’i hapur. Eshtrat e të vdekurit si gur, hija e lisit gjithësunduese si mëndafshi i hollë e i zi në faltore, hija që zgjatet nga mali në mal, nga agu në muzg, hija në shkëmbin e malit si gjarpër nëpër rremb. Imazhi më i bukur i poezisë, mbase i gjithë librit është ky: “Gjingallat mbi dega gjimojnë/njiheri në vapë sikur vajtore/me fytyra t’gërvishtuna n’gjamë”. Një tempull i përzishëm, me njerëzit si cokla, pa jetë. Me gjamën e gjinkallave, me gjarprin në rremb, me zi, ligësi dhe frikë. Tabllo e totalitarizmave të shekullit njëzet, totalitarizma që pollën njerëz kufoma…, kampe të vdekjes…

“Drekë malsore”

Poezia “Drekë malsore” ka një monumentalitet tragjik. Shkrimi i përmbahet parimit që Camaj shpreh te poezia “Trajta”: ‘Pendël e lehtë në dukje/por e randë hekur në peshë/tingull ose ngjyrë/e kthjellët deri në dritë’. Përsëritet tri herë vargu: “Sot âsht marrë një gjak”. Tema është dreka malësore e mortit. Në malësi jeta dhe vdekja i takojnë bashkësisë. Dreka, përcjellja e të vdekurit si situatë, e merr të gjithë rëndesën. Vajtimi bëhet kolektivisht: gjama e burrave… Ushqimi për të gjithë shtrohet e hahet kolektivisht. Dreka e mortit si zakon pajton bashkësinë, sjell harmoni. I vdekuri mbyllet shpejt në tokë. Jeta e bashkësisë me drekën e mortit nis nga e para. Ky fillim e do një fli: gjakun e kaut. Paqja shtrihet në harmoninë e elementeve të mjedisit, tokë e qiell. Nata vjen me tokë të re, hanë të re. Me këtë pajtim njerëzor e gati kozmik edhe ujqit urtësohen lëpijnë nga gjaku i flisë mortore. “Dreka malësore” sjell cilësi e mendim poetik të shënuar. Një nga kryeveprat e autorit.

Mes Shëngjergjave”

Duke iu përmbajtur tonit tronditës, me ngjyrim mortor, lënies së amaneteve si tema kryesore e librit, po veçoj poezinë “Mes Shëngjergjave”: “Nëpër palcin e eshtrave/ndiej frymën e vdekjes. “Ajri digjet… më dhambin vetëm s’yt:/do të shohin dhambët e amshimit/tue u mbyllë përpara”. Me këto tri vargje M. Camaj na thotë se poezia, krijimtaria e tij do t’i dorëzohen amshimit. Ai ka qenë i ndërgjegjshëm për peshën e artit të vet. Tej çdo modestie, te proza poetike “Gjarpijtë” ai thotë që: “…Zemra m’a ndien se nuk do të jem një zog që rrah flatrat vetë.

Please follow and like us: