Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Çmimet më të mëdha letrare në Europë, SHBA dhe Azi kanë emrin e Kadaresë

 

Çerçiz Loloçi

 

Poeti dhe studiuesi Sadik Bejko, në një intervistë ekskluzive për “Exlibris”, flet për herë të parë për krijimtarinë e vet, duke u ndalur në përmbledhjen poetike “Këngë të Solomonit” dhe në librin tjetër monografik “Disidentët e rremë”. Po ashtu ai analizon letërsinë shqipe nën diktaturë dhe në ditët e sotme, për majat e saj që na përfaqësojnë në metropolet europiane e botërore, për debatin e munguar kulturor dhe për etapat më të ndritshme të krijimit shqip. Gjithashtu studiuesi Bejko apelon për mbështetje më të madhe shtetërore ndaj gjuhës shqipe, një nga më të vjetra të Europës, që ka tërhequr vëmendjen e linguistëve më të shquar të rajonit e më gjerë. Bejko ndalet edhe në krijimtarinë e Kadaresë, duke e konsideruar atë si pjesë të krijimit botëror.

 

Për një poet dhe studiues ka gjithmonë profile dhe këndvështrime të ndryshme, megjithatë merr rëndësi se si e shikon ai vetveten?

Sadik Bejko: Nuk është keq kur në një moshë të caktuar e ke arritur statusin që njerëzit të të njohin si poet, si studiues. Më shpesh, nga që kam qenë mësimdhënës për mbi tri dekada, më thërrasin dhe “profesor”. Nuk  e kam titullin e profesorit, por mbase për një poet a studiues në moshë duhet të gjesh një mënyrë distancimi se si t’i drejtohesh.

Për hir të profesionit si ligjërues në universitet kam bërë artikuj shkencorë, libra universitarë, monografi, kam mbrojtur gradën shkencore të doktorit në letërsi. Megjithatë për veten mendoj se, nuk jam studiuesi tipik i letërsisë, më tepër një eseist do ta quaja veten.

Sa për poetin…. Në rini e kam qenë i dëshiruar të jem poet. Ishte mosha dhe koha kur shkruhej shumë poezi. Më pas, kam dashur ta lë për fare. Por më mbeti në shpinë dhe e shtyva deri më sot. Kur ta bëjnë të vështirë, apo kur e pësoke prej një pune të tillë, në vend që të ikësh prej saj, kthehesh e i rikthehesh më ngulmueshëm.

Vëllimi juaj i fundit ‘Këngë të Solomonit’ pati një pritje të mire nga lexuesit, madje disa krijime të kësaj përmbledhje u publikuan edhe në anglisht dhe italisht; mendimi juaj?

Sadik Bejko: Libri “Këngë të Solomonit” përmbledh poezi të 10 vjetëshit të fundit. Një moshë thonë kur poezinë e braktisin. Një moshë kur shkruhen kujtime, ese, prozë meditative. Duke qenë se po e botoja në të 75-at e mia, e quajta “Këngë të Solomonit”. Nga tradita e poezisë shqipe poetët tanë, me përjashtim të Fatos Arapit, nuk kanë shkruar poezi të reja rreth kësaj moshe.

E quajta këngë se në traditën botërore, që nga ‘Kënga e këngëve’, të shkruash poezi, do të thotë të këndosh. ‘Komedia Hyjnore’ e Dantes përbëhet nga 100 canto (këngë), ‘Il Canconiere’ e kanë quajtur përmbledhjen me sonete të Petrarkës. De Rada ka shkruar ‘Këngët e Milosaos’, një poet modern Ezra Pound – Cantot e Pizës.

Libri u prit mirë nga lexuesi i poezisë, nga kritika profesioniste po ashtu. Për librin shkruan Prof. Josif Papagjoni, Prof. Ali Aliu, por edhe disa poetë e publicistë. Në Panairin e Librit në Fier libri mori çmimin si libri poetik më i mirë i vitit.

Sigurisht unë kam dhe një lexues më intim, miq e shokë të vjetër, poetë, mësues, pedagogë që në biseda a postë elektronike më përcjellin mendimet e tyre. Në disa rrethana si tek ne, ku mungon kritika, ose, kur për arsye jashtëletrare, mund të kesh mbetur jashtë vëmendjes, një lexues i tillë ‘intim’, nuk të lë kurrë në baltë. Nga ballafaqimi me të verifikon veten, punën tënde.

Disa dashamirës të mi muajt e fundit kanë përkthyer cikle poezish në anglisht, greqisht, italisht dhe i kanë hedhur në internet.

Solomoni antik ka qenë mbret dhe simbol i urtësisë, pra, këngët e mia të ‘urtësisë’, gjetën një lexues (atë lexues që ka poezia) që i mirëpriti.

Ju keni qenë i ndaluar të botonit në diktaturë, por në liri jeni përballur me vështirësi të tjera, së paku, për të botuar; janë disa libra tuaja që presin një botues?

Sadik Bejko: Kam qenë dy vjet ushtar në brigadë pune, gjashtë vjet punëtor nëntoke në minierën e qymyrgurit Memaliaj. Dhjetë vjet nuk kam pasur të drejtë botimi. Por kësaj historie me kohë i kam vënë pikë. Fat i keq për mua. Kaq.

Në diktaturë të gjithë poetët, artistët, shkrimtarët, kush më shumë e kush më pak, e kanë marrë nga një dajak pas koke. Disa e kanë paguar me kokë, me burg a me punë të rëndë që të mbaheshin nën fre të tjerët. Këtë e them se duhet të kishte marrë fund ajo kënga e stërgjatë me fjalët “unë kam vuajtur nga sistemi, ti i ke shërbyer sistemit”. Ky avaz nuk i shërbeu askujt, as atyre që viktimizonin veten, për të goditur të tjerët. Për të goditur më të mirët, se me të tjerët nuk merret njeri. Edhe dosjet nuk u hapën, po u përdorën për t’i bërë pis të gjitha palët. Këto e prishën, e vranë edhe atë pak klimë krijuese që i duhet letërsisë së një kohe për të shkuar përpara.

Të flasim për ‘ndalimet’ në të sotmen.

Një që shkruan poezi duhet të mësohet të jetojë me faktin e trishtuar se të jesh poet, do të thotë të jesh disi i ndaluar. Do të thotë: si poet lexohesh pak, ose dhe aspak. Librat do t’i botosh me paratë e tua. Nobelisti Tomas Eliot në Angli qe punonjës banke. Ngrihej në orën pesë të mëngjezit, punonte mbi poezitë dy-tre orë, pastaj…në bankë. Wollas Stivens në Amerikë gjithë jetën punoi në një agjenci sigurimesh. Poezitë i botoi me paratë e veta. Nuk jetonte në shoqëri poetësh. Sot mbahet poeti më i madh amerikan. Nobelisti grek Odisea Elitis, po ashtu i botonte vetë poezitë e tij dhe me një tirazh që nuk i kalonte 50 kopjet.

Më të shumtët e librave me poezi i kam botuar me paratë e mia. Më mirë që i botova, sesa t’i mbaja në sirtar. Mësova kompiuterin që t’i radhis vetë të gjithë librat e mi.

Çfarë kam në sirtar? Kam ese mbi libra dhe shkrimtarë, ese me trajtime më tej të letërsisë, publicistikë që mund t’i përmblidhja në një-dy libra. Mund të bëja dhe një përzgjedhje të poezive… por edhe po nuk i bëra këto libra, shkrimet tani janë on line, ose janë në gazeta e revista.

Ashtu si mbarë krjiimi botëror, edhe krijimtaria shqipe ka periudhat e saj të ndritshme dhe ato me më pak shkëlqim; si do t’i përcaktonit ju këto periudha për letërsinë shqiptare?

Sadik Bejko: Letërsia shqipe mori krahë në periudhën e Rilindjes kombëtare. Periudha pasuese, ajo e Pavarësisë, siç quhet, për mua ka qenë e jashtëzakonshme. Shpërthimi i energjive të fjetura u dha në të gjitha fushat e krijimit, në teatër, në novelistikë, në roman, në poezi, në fushën e ideve, në folklorisitikë (‘Visaret e Kombit’, ‘Kanuni i Lekë Dukagjinit’) dhe në publicistikë. Në këtë periudhë dhanë frytet e tyre të fundme krijuese, apo arritën pjekurinë disa figura që vinin nga Rilindja, si: Çajupi, Mjeda dhe Asdreni. Këta e pasuruan krijimtarinë, prekën deri nervin e modernitetit. Fishta përfundoi ‘Lahutën e Malcisë’, lëvroi me shumë sukses satirën, dramën, poezinë mistike. Midhat Frashëri shënon fiillimet e prozës së shkurtër (1914). Kjo prozë arriti kulmin me mjeshtra të pashoq si Koliqi dhe Mitrush Kuteli. Fan Noli, lëvrues i poezisë, i prozës poetike dhe historike është një nga kapacitetet e paarritshme edhe sot në fushën e përkthimeve. Faik Konica vazhdoi me esetë dhe publicistikën. Lasgush Poradeci i dha poezisë, fjalës shqipe një luks vështirë të kapërcyeshëm. Lasgushi krijoi frymë (finesë aristokratike, ngrohtësi, ëmbëlsi) të panjohura këto ndonjëherë për ashpësinë e shpirtit të lashtë shqiptar. Migjeni me verbin e vrazhdë të së përditshmes e zbriti nga malet shqiptarin dhe shqiptaren drejt e në llumin e mjerimit më tragjik. Haxhiademi krijoi një korpus tragjedish të stilit neoklasicist. Brezi i më të rinjve erdhi me prirjen majtiste në letërsi. Spasse do të shkruante romanin e parë filozofik “Pse?” Disa nga këto paradigma krijuese erdhën për herë të parë në letërsinë shqipe. Kurrë më pas letërsia jonë nuk pati kaq larmi tematike dhe stilistike, kaq figura krijuesish me profile krejt të pangjasme me njëri-tjetrin, kaq invidualitete të spikatura.

Ka gjithmonë një debat për krijimin letrar nën diktaturë; si do ta vlerësonit ju këtë krijimtari?

Sadik Bejko: Letërsia nën diktaturë fillimisht erdhi si mohim i periudhës pararendëse. Në vitet ’60 të shekullit që shkoi, mund të thuash që letërsia shqipe rilindi edhe një herë, si nga e para. Përtej programeve politike të detyruara dhe që u imponoheshin zyrtarisht shkrimtarëve, talentet i çanë barrierat dhe e afirmuan veten. Gjatë këaj kohe u shkruan cilësisht poezia, tregimi, romani. Do të thosha se proza e gjatë romanore për herë të parë në historinë e letërsisë shqiptare u konsolidua, arriti pjekurinë që kërkon kjo gjini derisa nëpërmjet përkthimeve filloi të konkurojë në tregjet e kulturës në botë.  Shkrimtarë si Petro Marko dhe Jakov Xoxa do të pasohen nga Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Fatos Arapi. Kadareja, Agolli, Arapi ka qenë një treshe individualitetesh që e përshkoi krejt kohën e letrave të një gjysmë shekulli me cilësitë e larta të fjalës së shkruar. Rreth tyre pati dhe shumë shkrimtarë të tjerë. Disa nga këta shkrimtarë e pasuruan talentin e tyre edhe në periudhën e pas ‘90-tës.

Në Kosovë shkrimtarë e poetë të rinj e afirmuan fjalën shqipe në një tjetër klimë politike. Shpejt shkrimtarë si Azem Shkreli, Ali Podrimja, Rrahman Dedaj etj. do ta shohin veten të përkthyer në frëngjisht, gjermanisht, serbokroatisht. Proza u kulmua në cilësi nga Anton Pashku dhe Mehmet Kraja.

Në arbëreshët e Italisë, prapë në një klimë kulturore jashtë çdo marrëdhënieje me dheun e gjuhës që shkruanin, do të shquhen Dushko Vetmo, Vorea Ujko, Luka Perone, G. Skiro di  Maggio…

Në diasporë shkruan e botuan studime, libra artistikë E. Koliqi, Martin Camaj, Arshi Pipa, I. Luzaj etj.

E  para, letërsia shqipe e gjysmës së dytë të shekullit të 20-të do parë në tërë shtratin e vet, në Shqipëri, në Kosovë, në diasporë. Dhe e dyta, do parë në klimën politike dhe ideologjike kur u krijua.

Ishte një periudhë e dominuar nga lufta e ftohtë midis dy blloqeve. Shkrimtarët, piktorët, muzikantët u përdorën, u vunë në shërbim të politikës së brendshme të shteteve ku jetonin, por më të shquarit, u synua të përdoren dhe në plan global në përplasjen mes shteteve dhe mes dy blloqeve, Lindjes dhe Perëndimit. Zbardhja e dokumenteve sekrete të disa kancelerive perëndimore po dëshmojnë që artistët u përdorën nga politika e të dy anëve të ‘Perdes së hekurt’.

Duhet ta kuptojmë këtë situatë të pashoqe në histori, situatë të përvetësimit të talentit artistik në luftën për pushtet. Çdo luftë ka viktimat e saj. Shkrimtarët që ia dolën, që mbijetuan, qoftë dhe me një pjesë të krijimtarisë, apo dhe me vepra të veçanta të tyre, përtej lëshimeve apo kompromiseve që u duhej… që ishin të detyruar t’i bënin, janë pasuri dhe i mbeten përgjithmonë fondit të kulturës sonë.

Po për krijimtarinë letrare të periudhës së demokracisë, ç’mund të thuhet?

Sadik Bejko: Si periudhë është mbi një çerek shekulli. Nuk është pak. Por është periudhë depresioni. Periudha e pas Pavarësisë ishte e shoqëruar me frymën e krijimit të shtetit shqiptar. Besohej se vendi fshihte përbrenda energji magjike. Përparimi, mbrothtësia do të vinin, do të binin nga qielli. Vetëm Migjeni duket se qe esëll. Ai i vërejti lypësit, prostitutat, të degraduarit në dehje e në llum… vërejti se këtu, në këtë vend, po valonin flamujtë e melankolisë.

Fillimet e regjimit komunist kishin me vete propagandën, pompën e një fryme optimizmi.  Zhgënjimi do të vinte më pas. Dhe kjo frymë zhgënjimi më nuk do të ndalej… deri më sot.

Fillimet e erës së demokracisë u shoqëruan me slloganin ‘ky vend nuk bëhet’. Kjo frymë disfatiste u nxit dhe nga krijimet e shkrimtarëve e poetëve. Filluam t’u këndojmë humbjeve, zhgënjimeve si fat historik i shqiptarëve.

Shqipëria në vitet ’30 të shekullit që shkoi, kur shqiptarët ishin mbi 80% analfabetë,  kishte revista që drejtoheshin nga atë Gjergj Fishta, nga atë Zef Valentini, nga E. Koliqi, nga B. Merxhani, Dh. Pasko etj. Këta burra të atëhershëm e lexonin njëri-tjetrin dhe menjëherë i jepnin vendin që i takonte secilit në rendin e vlerave. Në diktaturë kishte kritikë institucionale, gazeta e revista letrare me emër, ku po të botoje, e kishe siguruar vëmendjen e të tjerëve. Nuk ishin të përsosura gjërat, vareshin kryekëput nga politika, por vendosej një rend. Po ta lexonim një libër, pavarësisht qëndrimit zyrtar, e dinim ku e kishte vendin.

Letërsia e krijuar në këto vite mbetet në mëshirën e rrugës. Nuk e lexojnë profesorët e universiteteve tona të shumta. Dhe shkrimtarët rrezik se e lexojnë njëri-tjetrin. Nuk ka as klimën e viteve ‘60 ’70 kur ne ia lexonim në xhep poezitë njëri-tjetrit. As klimën e atyre burrave të viteve ’30 si Koliqi që e zbuloi dhe promovoi menjëherë në revistën e tij një talent si Migjeni.

Sot ka suplemente gazetash, klube e klane sektare që nuk përbëjnë vlerë përtej meskinitetit të vetes.

A ka letërsi? Po. Ka prurje letrare që duhen shënuar si suksese dhe si vazhdimësi e një letërsie me traditë të qëndrueshme. Kjo është njëra anë.

Ana tjetër: ka kaos në botime. Cildo që ka pesë lekë e boton një libër, e paguan dhe një kritik që t’ia promovojë librin. Ka botues spekullantë që u bëjnë marketing librave dhe letrarëve që bien nëpër panaire si gjethet e vjeshtës. Këta shkrimtarë të shquar panairesh, e shumta mund të jenë publicistë me para të madhe nëpër xhepa që u ka shkrepur në kokë që të promovohen edhe si letrarë. Këta me paratë dhe influencat manipulojnë mediat, publikojnë shifra të stërzmadhuara të shitjeve në treg.

Brezi i krijuesve seriozë të këtyre viteve, pas kaq dekadash, me përvojën e hidhur që ka, duhet t’i dalë për zot vetes. Duhet të dijë të vendosë rend në kaosin që ngjan se nuk do të ndalet.

Gjuha shqipe, si një nga më të vjetrat e kontinentit dhe një nga gjuhët më të veçanta, nuk ka më atë vëmendjen e duhur, madje nuk ka edhe përpjekje për të sjellë në shqip disa nga botimet më të rëndësishme të huaja?

Sadik Bejko: Gjuha shqipe është nga pasuritë më të mëdha të kulturës shqiptare. Një vlerë planetare, gjuhë me rëndësi universale, pasuri e gjithë njerëzimit. Të ngjan se po e shtojmë pak më shumë nga ç’është vlerën e gjuhës shqipe. Aspak.

Gjuha shqipe është ndër 6-7 gjuhët më themelore të njerëzimit, të familjes indoeuropiane. Bashkë me greqishten dhe armenishten janë tri degë më vete në pemën e gjuhëve të familjes indoeuropiane.

Shqipja me kohë ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve shkencore në botë.  Kur shteti shqiptar nuk ekzistonte, Gustav Mejeri hartoi fjalorin e parë etimologjik të shqipes (1891). Libri i prof. Rexhep Ismajlit ”Studime për historinë e shqipes në kontekst ballkanik”, Prishtinë, 2015, tërheq vëmendjen edhe për atë që studimet mbi historinë e  gjuhës shqipe luajnë një rol kyç për të përcaktuar formimin, prejardhjen dhe vendin që zënë në histori gjuhët e tjera të Ballkanit. Në Tiranë studimet kanë mbetur në një gropë të zbrazët me largimet nga jeta të brezit të linguistëve të shquar shqiptarë. Sivjet u larguan nga jeta tre albanologë me emër ndërkombëtar, kanadezi Robert Elsie, amerikani profesor emeritus Eric P. Hamp dhe gjermani profesor Wilfried Fiedler. Një etimolog rus Vladimir Orel ka lënë një gramatikë historike dhe një ‘Fjalor etimologjik’ të gjuhës shqipe. Këta janë shkencëtarë të mëdhenj që kanë punuar për guhën tonë pa asnjë vëmëndje nga shteti shqiptar. Të paktën, të përkthehet, të botohet dhe të promovohet krijimtaria e tyre.

Libri “Disidentët e rremë” nuk mori vëmendjen e duhur, a mund të thuhet se e sotmja ka shumë pengje nga e shkuara jonë jo shumë e largët?

Sadik Bejko: Në atë libër kam tërhequr vëmendjen për pompimin si disidentë të disa figurave me prejardhje nga radhët e Sigurimit të shtetit. Me dokumente arkivore rrëzova mitin e rremë të Kasëm Trebeshinës disident, një ish-kapiten dhe themelues i Sigurimit që në vitin 1945, hartues gjoja dhe i një promemorjeje kundër realizmit socialist. Ajo promemorje nuk ekziston në asnjë dokument. Ishte një falsifikim publik që zuri vend në tekstet akademike dhe në ato shkollore. Ata që e kishin shpallur atë promemorje, pas botimit të librit “Disidentët e rremë”, nuk e mbrojtën dot, nuk vërtetuan që ajo ka ekzistuar ndonjëherë.

E kaluara jonë nën diktaturë fsheh shumë pengje. Shumë të zeza që nuk do të zbardhen kurrë. Ata që i bënë ato të zeza, shpejt lanë duart dhe, pa asnjë pendesë, pa asnjë katarsis u kthyen në krye të punëve. Ajo që u quajt Katovica është zbatuar pikë për pikë në të quajturën demokraci. Libri “Disidentët e rremë” nuk mund të pritej mirë në këtë klimë të shumë deformimeve të kobshme të mbuluara përsipër me pak pudër të bardhë. Libri “Disidentët e rremë” zbulonte ca të vërteta të hidhura, si ajo që një vrasës i dy partizanëve në luftë, e shpalte veten hero, disident, shkrimtar i shquar.

Jo vetëm në Shqipëri, në Europë dhe më gjerë, më shumë se 90 përqind e letërsisë është mediokre, konsumiste, që shfaqet aty për aty dhe zhduket pa lënë gjurmë; pse ndodh kjo dukuri?

Sadik Bejko: Kjo dukuri gjithmonë ka ndodhur. Vetëm midis këtyre llozhrave pa fund, lindin ca fare pak vepra që mbeten të pavdekshme. Ai që do të nxjerrë nga nëntoka një grusht flori, për të hapur tunelin, do të lëvizë mjë mal me gurë e baltë. Sot me rritjen e shtypshkronave, me rritjen e numrit të atyre që shkruajnë sa që çdo shtëpi e ka një shkrimtar, kjo dukuri do të jetë e denjë për një situatë të çmendurisë kolektive. Nuk e di se si mund t’i vihet fre.

Ka dy mendime për letërsinë shqipe: e para që e rendit atë me krijimtarinë më të madhe europiane dhe botërore dhe e dyta që e nënvleftëson atë; mendimi juaj?

Sadik Bejko: Letërsia shqipe në gjysmën e dytë të shekullit të njëzet, doli nga provincializmi. Librat e Kadaresë i gjen në libraritë e qyeteteve më të mëdha, i gjen dhe në katedrat e universiteteve kudo në të pesë kontinentet. Si shkrimtar shqiptar, po të ndodhi që të jesh i ftuar në një aktivitet letrar ndërkombëtar pranë ndonjë uniniversiteti si: në Tokio, në Seul a në Buones Aires, menjëherë studentët e atyshëm do të të rrethojnë që të mbash një konferencë, do të të mbulojnë me pyetje për letërsinë e Kadaresë, për letërsinë, për gjuhën shqipe etj. Sot për sot, asnjë nga popujt e Ballkanit, për të mos shkuar më tej, nuk e ka një shkrimtar me kaq emër sa Kadareja. Romanet e tij u rekomandohen për lexim të detyruar studentëve në universitete. Ato hyjnë në fondin e letërsisë më të mirë të kohës sonë. Siç e thashë më lart, letërsia shqipe është përtej provincializmit jo vetëm me Kadarenë. Shumë shkrimtarë e poetë e shohin veten të përkthyer e të afishuar në stendat e panaireve në botë, botohen në antologji, promovohen në revista të rangut ndërkombëtar. Mbase nuk është vendi për mburrje, por as nihilistë për vlerat tona nuk kemi pse të jemi.

Si një nga miqtë më jetëgjatë të Kadaresë dhe si autor i disa eseve rreth tij, ç’mund të thoni për të teksa për vitet 2019-2020 është fitues i dy çmimeve të rëndësishme ndërkombëtare, një në botën aziatike dhe tjetrin të quajtur “Nobeli amerikan?

Sadik Bejko: Për mua nuk përbën çudi marrja e çdo çmimi ndërkombëtar prej Kadaresë. Dhe prapë janë të gëzueshme ditët kur merr lajme të tilla.

Vjet u botuan në SHBA dhe u pritën shumë mirë esetë dhe romanet “Kamarja e tradhtarit” dhe “Muzgu i perëndive të stepës”, romane që tek ne ishin botuar në mesin e viteve ’70. Botimet me sukses në SHBA të romaneve të dyzet vjetëve më parë, vërtetojnë atë që letërsia e tij del e fituar në betejën me kohën.

Ai është shkrimtar me vlera të qendrueshme si rrallë nga ata që kanë zenë vend në historinë e letërsisë. E kam ligjëruar në universitet lëndën e letërsisë botërore dhe e di fort mirë sesa e vështirë është për një shkrimtar të ruajë ritmin e botimeve dhe të jetë përherë në nivelin e tij më të mirë cilësor e tematik. Kadareja me pasurinë dhe gjerësinë e talentit, me disiplinën krijuese ka pasur ndër vite një performancë të përkryer botimesh.

Ky ritëm si i atij lumit që i përcjell pandalur ujërat drejt detit, e ka mbajtur Kadarenë në atë nivel që profesor Xhon Kerri i çmimit Man Booker e quajti titan që mundi titanët. Prej 40 vjetësh është në listën e më të mirëve në kandidatët për Nobelin. Ka korrur çmimet më të mëdha në Europë, tani dhe në Amerikë dhe në Azi.

Ai është një pasuri e gjuhës sonë. Jo vetëm kaq. Koha po provon se vepra e tij më e mirë është pasuri për njerëzimin.

(Botuar nr. 50 të gazetës letrare ‘Exlibris’ me titullin “Sadik Bejko: Letërsia shqipe në gjysmën e dytë të shek.XX doli nga provincializmi).

Please follow and like us: