“Kur lëndohet zemra e Poetit”, personifikimi i hënës dhe i detit
Anila Karapidou, një poete mërgimtare me vlera poetike të krijimtarisë së saj, që kanë të bëjnë pikërisht me ndjesitë e erotikës. Një udhëtim brenda faqeve të librit prekës “Kur lëndohet zemra e poetit”
Miho Gjini
Në hapësirën e Komunitetit Shqiptar në Greqi janë mbi dhjetë mërgimtare që shkruajnë poezi e që kanë botuar nga një-dy a më shumë libra të kësaj gjinie, kushtuar jetës, realitetit aty e ëndërrimeve të tyre, ku bie në sy përballja me këtë realitet, nostalgjia për vendin e tyre, dashuria e malli që i bren përbrenda shpirtit, po edhe një risi në shprehjen e botës së tyre në këtë mjedis, që përfshin”Atdheun e tyre të dytë”, tashmë, kur më se gjysma e shekullit i “zuri” këtu “befasisht”.
Pa përmendur qindra të tjera, vajza e gra, që shkruajnë vjersha nga halli e brenga! Secila prej tyre ka veçoritë e veta në krijimtarinë e tyre, si tematikë, po edhe si frymëzim, si mesazhe që përcjellin, po edhe si trajtë, formë gjuhe e anë stilistikore, për të cilat kanë shkruar e kemi shkruar, hera herës, për të rrëfyer anën kërkuese të tyre, mentalitetin e ri në një shoqëri të dytë, me një frymëmarrje, jo vetëm më të gjerë, po edhe me spikatje kundërgoditëse me anët tabu të realiteteve të mëparshme, këtu e atje. Sidomos në erotikë, e shprehur kjo deri në imtësitë e këtyre marrëdhënieve që lindin kudo që ato ndodhen e që nuk mundet as t’u shmangen atyre, as të kamuflohen e as të kufizohen me tema tabu të jetës së dikurshme. Gjithsesi jeta vazhdon përsëri…
S’ka ndonjë muaj që emisioni për shqiptarët e diasporës kishte ftuar një poete që jeton e punon në Selanik të Greqisë, Zonjën Anila Karapidou dhe nënvizoheshin disa vlera poetike të krijimtarisë së saj, që kanë të bëjnë pikërisht me këto ndjesi të erotikës, shprehur bukur, bile në tone të superlativës, të cilat më shtynë që ta kërkoja e ta blija librin e mërgimtares e ta shfletoja të panjohurën, për këto befasi, të cilat realisht, pse jo, e pasurojnë edhe “trungun e pemës mëmë”, krahas petëve e poeteve të afirmuara tashmë, kur shpesh harrohet që letërsia e arti bëhen (dhe jo keq) edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, ku shtegton jo pak, mëndja e talenti i përmasave jo të vogla, duke kapur afërsisht shifrën e çerekut të Shqipërisë së sotme, vetëm këtu afër, tek fqinjët tanë shekullorë!
Ajo, Anila e Selanikut, e quan librin e vet “Kur lëndohet zemra e poetit” dhe, me të vërtetë, ndjehet ky “lëndim”! Për më tepër si një largim nga trualli mëmë, nga vatra e shtëpisë, nga prindët që i la në vetmin e tyre, nga i dashuri që nuk e gëzoi dot në rininë e saj , si edhe në të gjithë atë rrugëtim të gjatë, derisa do të “trokiste” edhe aty jeta, dashuria njerëzore, erosi! E do të vëmë re se si në 102 poezi të saj është HENA, si “vëzhguese”, nga yllësi e qiellit në “yllësinë e tokës”, si një figurë rrezatuese, si metaforë elegante dhe si personifikim krejt i veçantë në 15 poezitë e saj më të mira, që shpalosin jetën e ëndrrën, vuajtjen, trishtimin, vetminë, brengën , dashuritë e plagët që “hapen e nuk mbyllen”. Mbi Heroin Lirikë ”Hëna lart në qiell vështronte”…dhe, ”mes yjesh hëna seç ndriçoi”…e , mbi natën e pagjumë “bukur Hëna …është ulur”…,”ndrinë pareshtur” e “syrin shkel si çapkëne e vjetër”. E nganjëherë, kur e “Pushtojnë Hënën dhe yjet zjarr”, poetja e sheh “Hënën e plotë, me sy përlotur” e, “bashkë me Hënën dhimbje ndjeva”, -thotë ajo e trishtuar. Po gjendja do të ndryshojë, ashtu si edhe Hëna në Qiell, kur ajo, “Hëna harkuar në qiell, shikon e përmalluar” e, po aty, “Dritë lëshon në zëmrën time”. E pastaj “Qesh Hëna me mua, që të dua shumë”, Ajo,“Hëna fshehur”,”Hëna ziliqare”, “Hëna lozonjare”, apo “Gjysmë Hëna” kur “Zëmra dhëmb”. Dhe përsëri e përsëri, ajo, Hëna “Nis të dalë atje lartë në qiell”, edhe midis reve të zeza! Ky lloj personifikimi i abstraguar që risjell njeriun me hallet e veta, bëhet intim e shpirtëror, në trajtën e një bashkëbisedimi poetik, për të përshkruar botën e saj në evoluim e ndryshim, ashtu sikundër e bënë edhe Hëna në trajtat e veta qiellore.
Metafora
Vargjet
Për të vazhduar më tej, ca më bukur akoma, kur do të shprehet se “bëra dashuri me detin”, duke hedhur në letër këto vargje të stolisura:”Deti i nxehur, i dashur, epshor,/Në krahë më mori, si të dashurën që ndjen,/Dhe unë ndjeva pështjelljen e ngrohtë, /Valën e lartë, të lirë, valët më rrëmbejnë.”. Diku më poshtë, duke e vendosur veten në vendin e piktores që hedhë në telajo një sirenë, tek “theket në diell” buzë detit, ajo magjepset nga “ngjyrat (që) enden përmbi të,/(kur) gjysmën tjetër i’a përkëdhel pa ngut/(e) peneli rrëshqet me ngjyra deti…”. Poezia e saj ecën natyrshëm drejt intimitetit njerëzor:”Ecim buzë detit ngadalë, krahë për krahë të heshtur,/,-shprehet ajo,…Hijet u zgjatën në asfalt,/Si një pikturë e vjetër/ Dhe deti dëgjonte,-vazhdon ajo më poshtë e shikoheshim sesi përflakeshin sytë!”. E shpirti i saj i përhumbur, “para se të shkoj ne qiell, sikur thotë me zërin e ngrohtë:”le të jemi pak të lumtur!” dhe është gati të bërtasë, që të dëgjojnë të gjithë:”Eja të shkojmë buzë detit,/Nën qiellin e hapur, të kapur dorë për dore”, për të qetësuar shpirtin!
Por, si tek të gjithë poetët e botës, ajo, do ta gjejë eliksirin e dashurisë “mes tingujsh, mes zjarrit”, kur “me harkun që dridhet do luaj mbi buzët e tua,/muzikën aq të ëmbël që veç ty të pëlqen,/dhe trupat të tkurren nën zjarr të përvëluar./Aty do të tretem, do të prehem, të dridhem si gjethe…”. Pra, metafora e sublimitetit poetik zbret, tek ajo, nga qielli, në vlagun e tokës, ashtu sikundër do të ndodhte dikur me Danten që e shihte Beatriçen e tij të adhuruar në qiell, më pastaj me Petrarkën që e vendosi Laurën e tij të dashur mbi një piedestal, më afër tokës dhe, më së fundi, me Bokaçion, që do ta shtrinte të dashurën në krevatin e tij mbi tokë! Kështu thotë edhe poetja jonë: më në fund:”Zbres nga qielli ngadalë-ngadalë,/Porsi një nuse hijerëndë,/Tek buzëqesh më vjen një mall,/Errdha…të mbuloj vend.”
Hapi i parë i një poeteje të guximshme
Ajo bëhet kështu më konkrete, më tokësore, më realiste, sepse, thotë ajo, “Njerëzia kanë harruar të jetojnë”dhe do të lumturohet vetëm kur i dashuri do t’i thotë:”Çfarë më bëre e uruar?/Thellë në shpirt më ndez një zjarr…” Dhe, më tej, pa asnjë droje, poetja do të shkruaj këto vargje, ku ka “pikuar” Erosi tokësor:”Dhe buzët mashkullore, filluan të pinin,/Verën e kuqe në gjoksin e saj,/Trupat kërcenin nga vera të dehur,/Të dehur dhe epshi rrinte ndezur, zjarr…
Në këtë vëllim poetik ka edhe shumë vargje të tilla të ndjera, ku “shigjeta e Amurit” zgjon “flakën e dashurisë” dhe ku poetja arrin të shprehë pa droje anën lirike, të zjarrtë , të botës së saj shpirtërore, deri në intimitetet njerëzore, ashtu sikundër ka hedhur në letër, me ngutje e nxitimthi, edhe vjersha anemike, të dobëta, pa frymëzimin e duhur dhe jashtë normave letrare, pa metafora të goditura, tek tuk edhe naivitete fillestare të vjershërimit, apo vargje prozaike qe i kanë shpëtuar asaj “nga duart” , po edhe redaktorit e korrektorit, pa bërë fjalë këtu për figurën e reçenzentit që mungon, që s’duket as këtu e as gjetkë, ndër shumicën e botimeve, si një “hallkë e tepërt”, kur ajo do të ishte në krye, për t’iu bërë barrierë prurjeve të dobëta, “egjërit e barërave të tjera të egra”, në “kopshtin poetik”.
E megjithatë, kemi të bëjmë me “hapin e parë” të poetes mërgimtare Anila Karapidou dhe me botimin e saj të parë, që e vlen të inkurajohet e të përgëzohet , si me një libër të tillë, ashtu edhe me një emision televiziv përgëzues, sidomos në këtë rast, kur talenti nuk mungon, si poete, po edhe si aktore, si edhe kur nisë të këndojë zëmra e saj e lënduar e kur nuk janë të pakta edhe “trëndafilat” që kundërmojnë aromën e mirë.