Çerçiz Loloçi: Kontraversi Handke dhe minikontraversi Qose
Çerçiz Loloçi
Në botën e sotme me zhvillim të paparashikueshëm dhe me shumllojshmëri idesh, bindjesh, përkatësish dhe gjithfarë rrymash të kahershme dhe të reja, është vështirë, në mos e pamundur, që të ketë njëjshmëri pikëpamjesh e megjithatë në rastin e laurimit me Nobel në Letërsi të autorit kontravers Peter Handke, pati një mendim gjithshqiptar që e dënoi këtë akt. U protestua në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut në nivelet më elitare, u bë e njëjta gjë në kryeqendrën serbe, në Kroaci e Bosnje-Hercegovinë, ndërsa pati pakënaqësi edhe në shtete të tjera perëndimore ku jetojnë dhe punojnë bashkëkombasit tanë.
Për fat të keq edhe politika e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare si dhe ajo botërore u mor me këtë çështje, por më pak se meraku i laurimit të Handkes, ajo e përdori për qëllimet e veta, siç ngjet edhe për raste të tjera të ngjashme kur rreshtimi politik majtas, djathtas apo në qendër merret me probleme që nuk janë të sferës së saj.
Përpos mendimit denoncues të viseve shqiptare, gazetat, televizionet dhe agjecitë më të rëndësishme europiane, amerikane, aziatike, PEN-qendrat, akademi dhe institucione patën gjithashtu të njëjtin qëndrim; dikush për rreshtimin e autorit pro Millosheviçit, (që shkaktoi mijëra të vrarë e të masakruar dhunshëm në republikat e ish Jugosllavisë, në vetë shtetin serb, por sidomos në Bosnje dhe Kosovë) dhe të tjerë që e konsideronin vlerësim të padrejtë nga Akademia e Suedisë sepse Peter Handke ishte një krijues i zakonshëm, madje shumë më poshtë në vlera estetike se shkrimtarët bashkëkohorë në Beograd.
Por nuk është i këtij mendimi Rexhep Qosja, me bindje të majta që kur militonte hershëm në Partinë Komuniste të Jugosllavisë dhe një farë idhulli i së majtës në Shqipëri e Kosovë, që për t’u dukur i veçantë del kundër rrymës dhe kinse zbulon vlerat letrare të shkrimtarit austriak. Pra dy kontraversë që bëhen bashkë, por me një ndryshim të madh, ndërsa Handke njihet ndëkombëtarisht, ky i viseve shqipfolëse njihet katundarisht.
Një tekst tmerrësisht i gjatë, pa përmbajtje, i tjerrur dhe i stërvargur, që nuk vlen as për të vënë në gjumë ndonjë vogëlush sanguin, ka për firmë emrin e profesor Qoses, që e ka humbur orientimin më keq se Shaban Qosja i Elbasanit të viteve të dikurshme. Vetë ky artikull aq i stërgjatë, me një mllef të nënkuptuar antishqiptar dhe antiperëndimor, në mënyrën më domethënëse rrëzon autorin e tyre që duket se është në një mision të pandërprerë, të kundërshtimit të gjithkujt dhe gjithçkaje, i palodhshëm për të goditur simbole, personalitete dhe institucione, që janë frymëzues edhe për popujt e Europës.
Me inat fshtaresk, si edhe herë të tjera, edhe në ditët e mbrame të jetës së tij, profesori përbalt akademikët e Kosovës, të Shqipërisë dhe çuditësht ka një heshtje skuthore për t’i thënë publikisht se çfarë përfaqëson ky njeri që ngazëllehet pafund nga ndodhitë e zeza që na turpërojnë si komb e na shfaqin si provincialë.
Populli ynë e ka një shprehje të bukur për një të shkarë që hedh një gur në pus dhe mblidhen 10-15 të ditur për ta nxjerrë në sipërfaqe, si rasti i Agim Vincës, por ende nuk ka një shpjegim kur dy të çmendur hedhin njëri pas tjetrit të njëjtin ashkël në gropën nëntokësore të ujit, çka mund të jetë një fushë hulumtuese e studiuesve të rinj.
Mendoj se ka një nder që mund t’i bëhet si Agim Vincës ashtu edhe Rexhep Qoses, mosbotimi i artikujve që nuk thonë asgjë, por që kapërdridhen fjalëve, do t’i shpëtonte sadopak ata nga murrana e zezë që kanë hedhur ndër vite.
Hivzi Islami: 55 pyetje për ‘atin’ Rexhep Qosja
Peter Handke, në vitin 2006, në funeralin e kriminelit Sllobodan Milosheviq, i akuzuar si një kriminel lufte për krimet masive.
https://orf.at/stories/3143504/?fbclid=IwAR0NhobttQUzPTkWfreOrUQVYNVEnQx5IAuRVf2ys1fvigFhuRsZtCuet30