Agim Shehu: SHËNIME MËRGIMI
Ka kohë që jam mbyllur te vetja për një qëllim, të botoj një libër me krijimet më të zgjedhura të shkruara në mërgim, “SHKRIME TË MËRGIMIT”. Kam shumë të tilla sigurisht, por zgjodha më të rëndësishmet, më të pëlqyerat e më të kohës. Kalova nëpër duar shkrime e dokumente të shumta, dhe e plotsova librin me rreth 500 faqe, siç i thashë dhe botuesit tim dashamirës. Kam punuar ngadalë për dinjitetin e një vepre të tillë nëse ia arrij, e mbi të gjitha, dhe shëndetin e kam të kursyer…
Në mes të punës, pa pritur më përpiu një lodhje me temperaturë të lartë. Më merr spitali qëndror e më thotë se po gjurmojnë, nga kanë hyrë dy mikrobe në gjak…Më pas, thonë se hyri dhe një i tretë e kjo e vështirëson rrezikun, kë të luftosh më parë…Unë jam mësuar me gjëndje të tilla e nuk çava kokë. Vazhdova me kureshtje leximin e librit të shkrimtarit Avdulla Kënaçi – AUTOKRITIKA. Më pëlqeu gjer në mahnitje lirika TRANDAFILAT E GOLËMIT. Një tregim intim me bukuri kryevepre që më sillnin afër nëpër reshta një valle yjesh nga qielli i Golëmit. Një renditje e hollë arti që bashkon dhe harmonizon kohrat si të shkruara mbi petale trandafili…Kishte edhe nusja e dajos sim një trandafil te dera e shtegut që e nuhaste para se të dilte për punë…Unë e nuhasja në kujtesë, dhe e mendoja më rrallë rrezikun e infeksioneve misterioze. Me to merren mjekët e rrallë të Gjenevës. Me fatin e tyre brënda gjakut merreshin trandafilat e dajove të mi larg, dhuruar në libër nga miku im i dashur, Avdullai…
Befas, kur lexova se këto lule Golëmi janë të pavdekshme, më njoftojnë se çuditërisht të tri mikrobet nuk ndihen gjëkund, janë zhdukur si mister, nuk ka asnjë shënjë e rrezik prej tyre…Tani je i lirë…U gëzova sigurisht dhe u habita me këtë lojë natyre brenda shkencës më të lartë mjekësie…Zura të vrisja mendjen – kush janë tjetër në jetën time tri qënie apo organizma bashkë, që donin gjer të të shuajnë…nuk ia arrijnë dot gjer në fund me rrënjë e degë…dhe tërhiqen më në fund në skutat e tyre të fshehura…Bashkësia e tri mikrobeve për çdukjen e njeriut pa i bërë asgjë njeriu – Laver, Ismet dhe Fitim…Qenë të harruar në jetën time. Kisha vetëm çudinë që ende më trokiste në mendje nganjëherë, – pse ta bënin tërë atë ligësi kur me ta nuk kisha asnjë lidhje!…U kërkova ta zgjidhim të drejtën në drejtësi, nëse kanë gjurmë dhe nga e kaluara…Heshtën dhe u fshehën, si tri mikrobet e mjekësisë…
Gjatë punës me gjurmime për librin, ndodhi e çuditëshmja: gjeta një urim mëse të përzemërt nga Laveri që më la të hutuar. Ia shkruante ish nxënësi mësuesit që i donte e kujdesej veçanërisht për golëmasit. Po e lexoj: “I dashur Profesor Agimi! Kënaqësi e jashtëzakonshme prej mesazhit tuaj. Po ju shprehem sinqerisht. Të uroj të gjitha të mirat dhe dëshiroj të të dëgjoj edhe zërin në të ardhmen…Ju përshëndes Laver Stroka”. Dhe përgjigja:
“Përshëndetje të përzemërta, i dashur Laver! Më gjete zemrën me Golëmin në dëborë, veç s’po gjej dot shtëpinë e dajove, ma ke zënë me supet prej pashai. Megjithatë, ti i qesh me vitalitet Kurveleshasi dëborës. Ta kam zili. Të uroj gjithë të mirat, edhe po të mos i pranosh!…Agim Shehu”.
Pas kësaj përzemërsie të dy anëshme, nga lindën menjëherë tërë ajo ulërima sharjesh e njollash që më bënte botërisht (për Ismetin nuk habitem, se e ka zanat shpirti si ish funksionar sigurimi)…Ka hyrë diçka në mes nesh, Laver dhe kjo nënkuptohet. Shite njeriun tuaj siç po ndodh sot gjerësisht gjer në krye lart, e kjo në shërbim të armiqve tanë fqinjë të cilët ju kanë paguar…Ishte rasti që e zura në gojë, pasi ky tani është një fenomen, dhe shqiptari, ashtu si dhe ti e unë, kemi gjëra të tjera shumë më të rëndësishme në shërbim të Shqipërisë së mjerë, sot buzë gremine çdo ditë e më shumë.. Duhet forcuar zëri për padrejtësitë e që janë në të vërtetë dëmtim kombëtar. Krerët tanë në përgjithësi, po e përsëris, janë antikombëtarë dhe hapur apo fshehur, u shërbejnë fqinjëve që na duan të shuar nga bota. Dje na coptuan nga jashtë, sot po na shkatërojnë nga brënda me veglat e tyre. Përse u nda Kurveleshi në katër copa si në shtetin komunist!? As sulltanët nuk e kishin ndarë këtë bashkësi diamanti të historisë shqiptare. Porta e Lartë i dha edhe Autonomi. Nëse Labëria është kurora, Kurveleshi janë diamantët e kurorës…Populli këndon “Kurvelesh e Gegëri/ u mblodhën në Ergjëri…”. Gjer këtu arrin madhështia. Por, për shtetarët tanë, duhej thërmuar ky brilant unik që ushqen te njerzit madhështi e flijim heroizmi për Atdheun…
Na gëzon zemra tek shohim rrugët e shtruara gjer në harqe malesh të thella, janë vëllezërit tanë. Por si nuk e bën këtë për 6-7 km Kolonjë Golëm…e po kaq – Progonat e më tej, dhe më afër! Një rrugë e shtruar si shoqet, Kolonjë-Golëm, po të vrasin mëndjen zyrtarët, e meriton aq shumë ajo krahinë, Atje duhej ngritur me kohë një Përkujtesë Historie. -Monument. Në atë Grykë që quhet Rehove u bë përleshja e parë dhe mundja e ushtrive të sulltanëve. Siç flet dokumenti i kohës, qenë dërguar taksidarët zyrtarë osmanë që kërkonin miratim nga populli kurveleshas nizamë dhe taksa. Meqë rrinin kokëfortë, populli i vrau…Porta e Lartë doemos e xhindosur nisi përgatitjet dhe pas dy vjetësh u derdh për hakmarje. Prita e banorëve u bë te Gryka. I përballuan dhe i shpartalluan. Gjergj Arianiti qe në ballë. Buçiti ngado Europa e lehtësuar nga frika dhe habia. Babinger thotë se Gjergj Arianiti atehere qe më i bujshëm në botë nga Skënderbeu, por caktohet Një si Kryesues…Të çudit shtremberimi historik te filmi i mirë SKËNDERBEU: jepet një Gjergj Arianit shkurtabiq që mezi mbahet shtrembër me bastun, një çurudak në oreks rus…Aq më keq, kur i thotë Skënderbeut para popullit se u gjend vetëm një burrë që u ngrit i pari kundër turqve (aty mohon të vërtetën e tij si i pari…Skënderbeu erdhi nga Turqia pas 15 vjetësh)…Por këto janë gjëra të tjera që sigurisht presin zotin e zgjidhjes së vërtetë pasi janë tepër shumë. Sa më i vërtetë dhe emocionus do dilte një skenë filmi te ajo Grykë natyre, në përleshje me osmanët!…Më pas hordhitë e tyre pushtuan vendin. Malet lart, si Shtëpi e Lirisë, i thirrën kryetrimat e u dhanë një Shpellë për ta bërë qeveri – Kadafiqin! Sa larg është kjo qendër historike, për t’i shtruar udhën e bota ta vizitonin me kureshtje të veçantë si një habi të padëgjuar! Shuteriqin kur e shoqërova në Golëm që t’i shihte me sy, u hutua sidomos për Shpellën-Qeveri e më tregoi se kish lexuar një dokument Europe me firmën zyrtare Kadafiq!
Një qendër studimore e jashtme shprehu gjykimin e studjuar, se vendi më fisnik në Europë, nga lashtësia e kulturuar është në Golëm të Kurveleshit. Ia tregova këtë mikut Ladi Bizhga. Të flasësh për mrekullitë në thellësi të historisë, nuk mund të mos përmendësh fisin Komemaj në Golëm. Është habi, si heshtet për këtë fis. Këtë emërtim brezat e familjes e kanë trashëguar dhe i rrinë besnik për dy mijë vjet. Në shek. 12 historiania Ana Kmnena shkruan studimin për të atin, Aleks Komnena (Komemaj), ku thotë se “im atë shqiptarët i kish thesar floriri në luftime…serbët qenë të pabesë…”. I pari i Komeme të cilit i trashëgohet emri në Golëm, sigurisht ka qënë njeri shumë i shquar. Qendra e familjes meriton një pikë nderimi për këtë fenomen, një Përkujtesë për ta vizituar historikisht si një habi fisnike të historisë. Duhej të vendosnin historianët e kulturëshuarit zyrtarë. Po kujt t’i thuash? Ndjej dhimbje që këtu nuk jam i zanatit, (veç i inatit). Më tej, hyn i mistershmi Varri i Gjergjit (tek i cili afër tij në dajo i bëja prani fëminie. ) Kush të jetë në histori ky Njeri, ka ndonjë gjurmim kureshtjeje nga ata që u takon sidomos! …Përballë në malin karshi gërmadhat e fshatit të vjetër rrinë të heshtura…Histori…kudo histori e madhështi përjetësie. E ajo na vlen aq shumë. Kush ka të kaluarën, ka të ardhmen. Dante shkruan në Komedinë Hyjnore: “Eh, rrënjët e mia…sa lart ngjiteni!” Rrënjët e kaluara të brezave të tu janë të shënjta e jetike për një komb. Ato të shtojnë atdhetarinë e vitalitetin, që të jesh i mënçur e luftëtar ndaj çdo veprimi, aq të përhapura sot, kundër atdheut tënd. I çmuari Laver, me vërshimet e tua për patriotin tënd e e ke të lehtë, gjer mund të më varrosësh si emër në krahinë, megjithatë nuk fiton asgjë nga shuarja ime. Unë së shpejti do iki vetë, dhe s’e kundërshton dot thënien, se “shkrimtari kur vdes, lind”. Me jetën merret dheu, me veprën merret koha. Koha nuk komandohet nga dëshirat…Por. a ke thënë një fjalë a kundërshtim për plagët e vazhdueshme që po merr Atdheu yt! A ka shtet në botë që pushtuesve kriminelë t’u hapë në trojet e tij varreza nderimi?! Që krerët e vëndit firmosin publikisht shitjen e detit tënd, dhe populli bashkë me ty hesht!…Noli porosit me fjalë thirrje-kushtrimi: “Kisha greke është çerdhe shpifjesh e intrigash…Mos qasni priftërinj grekë se po u ngulën, nuk shkulen më, dhe do t’ju bëjnë gjëmën!” Tek ne, ai bëhet “Qytetar Nderi”, i dorëzohet kreu i Kishës sonë në varësi greke, dhe tejhabia, i jepet dhe shtetësi shqiptare, duke shkelur hapur Kushtetutën. Dhe populli hesht, ndahen në partira dhe shajnë kë të mundin…I falen zyrtarisht troje shqiptare Malit të Zi. E keqja më e madhe është se miratohet përjetësisht kufiri i trojeve që na kanë grabitur pushtuesit. Tërë brezat që vijnë nuk kanë të drejtë ta gjykojnë si truall shqiptar duke ia lënë historisë.
Bëhet ndarja administrative, dhe pasi veçohen shqiptarët, bashkohen në një njisi trojet me banorë grekë. U dhurohet zyrtarisht mundësia që të krijojnë krahinë autonome…e më tej, ata e dijnë vetë në bashkëpunim me Athinën për Vorio-Epirin!…Që të veprosh me këto kërkesa, duhet të jesh popullsi etnike. Por kjo paraqitje ka katër kushte: l. Të jesh një popullsi e mbledhur tok. 2. Të flasësh një gjuhë. 3.Të kesh një jetë disi të gjatë në ato troje dhe më e rëndësishmja – 4. Të jesh në trojet e tua brez pas brezi. – U mungon pra, kryesorja, prona.. Befas, kohët e fundit në shkrime e biseda u është ngjitur edhe emërtimi “etnikë” duke bërë një shtrembërim të pabazë antikombëtar e tepër të rrezikshëm. Në këtë gjendje, vete dhe kryeministri e u fal truall shqiptar me tapi greke, duke kryer një akt tradhëtie të zbuluar e të pabesueshëm. Të vërtetën lexojeni te Dokumenti i pakundërshtueshëm: “Kronika e Mitropolisë – Gjinokastër, gjetur nga Pukvili. -Histori e rrëfim. Si erdhën e si u popullua Dropulli: “Populli (vëndas) do t’i dëbonte, por i siguroi përfaqësuesi i tyre se gjynahqarët nuk kanë qëllime të këqia. Kur panë që ushqeheshin dhe me fruta të egra ku t’i gjenin, u dhanë dhe grurë…”. Tani nipat e tyre kërkojnë gjer shkëputje nga ata që i strehuan, me fantazmën e shpifur Vorio-Epir! Dhe shqiptarët heshtin, në vënd që me dokumentet pa fund Epiri është Iliri – Shqipëri, dhe të krijonin botërisht të kundërtën, Lëvizja për Epirin e Jugut gjer në Artë. Për disa veprime që bëri në fillim shteti komunist, Përfaqësuesi amerikan Jakobs më 17 korrik 1945 i shkruan Sekretarit të Shtetit: “…bujqit e çifçinjtë minoritarë i bëri për herë të parë pronarë tokash të cilat ua mori pronarëve shqiptarë. Ky ishte ndoshta një rast unikal në historinë e minoriteteve në Ballkan”. Duke parashikuar sadopak ngjarjet, Jakobs gjykon më tej: “Mendimi im është që antarët e pakënaqur të minoritetit grek të shkojnë në Greqi”. Ky është gjykimi amerikan i kohës. që nuk është keq të rikujtohet dhe nga ti e unë, o Laver…. Për fat të keq shtrembërimin e së vërtetës nuk e kundërshton as Europa zyrtare, sidomos kur të zotët, shteti shqiptar, nuk çan kokën, mjafton që të mos i ndërpriten të mirat që fiton me çdo rrugë.
Ligj i Luftës si fantazmë e pashoqe në Europë u ngrit kur Shqipëria qe e pushtuar si Mbretëri italo-shqiptare. Mirëpo erdhi pushtuesi gjerman, dhe qeveria shqiptare e kohës shpalli zyrtarisht: “Quhet e paqënë e mbetet pa fuqi për çdo efekt dekret-ligja më 9.6.40, botuar në Fletën-Zyrtare nr 93, 10.6.40 me të cilën Shqipëria njihet e hyrë në luftën me ata shtete të cilët Mbretëria e Italisë ka pasë qenë në luftë”. Ka më qartë, mjafton dëshira e mirë dhe çdo gjë është e sqaruar. Mirëpo qeveritë e Athinës kanë synim tjetër, pa pasur as turp as sadopak ndërgjegje. Fytyrën e vërtetë të qëllimit cinik e të paturp e shpreh ish kryeministri Andreas Papandrea: “Heqja e Ligjit të Luftës do kishte pasoja vepruese për çamët myslimanë dhe gjithë atyre që synojnë rivendosje të mundëshme në Greqi. Qeveria jonë nuk ka asnjë gatishmëri që të bëjë tërheqjen më të vogël në këtë çështje”. Edhe më tej kjo rrëmujë politike në vetë krerët e Europës së pari. Nr 5 i Dekretit të NATO-s thotë se kur ndeshen dy shtete, NATO do ndihmojë antarin e saj. Mirëpo në një luftë me Greqinë meqë ajo mban dhe Ligjin e Luftës, e të dy shtetet janë në NATO, me kë do vejë NATO-ja!? E kam bërë këtë pyetje dhe herë tjetër, të merrte edhe shteti ynë një përgjigje, por unë jam i vogël këtu për këto shqetsime të mëdha. Mbase ndërhyn Golëmi me humor…Edhe më tej. Lufta e Dytë botërore njihet si e hapur më shtator 1939, në s’gaboj, kur Polonia sulmohet nga nazizmi. Përse harrohet nga krerët e Europës, se Lufta u hap më 7 prill 1939 kur shteti fashist italian, aleate e parë e Hitlerit, sulmoi Shqipërinë!? A ka diku ndonjë vendim a nen si Traktati i Fshehtë i Londrës që Shqipëria mjaft e ka dhe aq sa ka! A ka dy lloje shtetesh Lidhja e Kombeve e që më e vogla mund të flijohet prapë? Ç’mëndje ka shteti ynë për këto!? Me gjithë rëndësinë dhe seriozitetin, këtu ka vënd dhe për humor, e Golëmi mund ta kryejë këtë humor si rrallë kush. Edhe në shtetin komunist, me sa di, të veçantët golëmas përpara kryenin parrullat e punës, ndërsa pas i thumbonin me humor!
Në Gjinokastër karshi ndodh çudia – shkelin e mospërfillin figurat e mëdha të historisë, Gjin Bue Shpata e kreu i Gjinokasstrës, Gjin Zënëbisha, dhe Gjinokastra e tyre emërtohet e trumbetohet me perrallat greke, ARGJIRO! Dhe shteti hesht. Thuhet, se këngëtari grekoman, një Roland, ka përgatitur këngën meqë ka dhe zë të mirë “Argjiro, të puthsha gjirin, që na sjell Vorio-Epirin…”.
…2500 vjet më parë Herodoti, i mahnitur nga këngët pellazge ilire, shprehet me lirizëm hyjnor :”Kur dëgjon këngët ilire, jo vetëm njeriut i ngjethet mishtë nga bukuria, por dhe gjarpërinjtë heshtin që të dëgjojnë…!” Dëgjoj polifoninë brilante e të pashoqe SINAN LABI nga djemtë Golëmas, dhe Herodoti nga larg u buzëqesh si me dhuratë Zeusi…
(Marrë nga statusi i shkrimtarit Agim Shehu, 31 tetor 2019).