Albspirit

Media/News/Publishing

Letra e panjohur e Fikelmonës për vdekjen e Pushkinit

Përktheu Spiro V. Mëhilli

Në vitin 1829 në Shën-Petërburg u prezantua Doria Fedorovna Fikelmon (1804-1863), vajza e vogël e Elisaveta Mihaillovna Hitrovës, vajzës së Mihail I. Kutozovit, nga martesa e parë e saj me fligeladjutantin, kontin Fedor Ivanoviç Tizengauzenomi. Doria ishte martuar në vitin 1821 me gjeneralin austriak Karl-Ljudvig Fikelmon. Kur i shoqi në vitin 1829 mori postin e të dërguarit të Austrisë në Rusi, ajo u vendos me nënën e saj në Petërburg. Në shtëpinë e saj, (tani Dvorcovaja Poberezhnaja Dom nr.4), ajo hapi një nga sallonet më interesante dhe më të shkëlqyera të kryeqytetit, ku midis shumë intelektualëve të kohës aty shkonin Pushkini me të shoqen, Zhorzh Dantesi etj. Pas vdekjes së Pushkinit ajo shkroi letrën e mëposhtme duke sqaruar gjithçka mbi vdekjen e poetit më të madh që ka nxjerrë Rusia. 

Sikundër dihet Aleksandër Sergejeviç Pushkini rreth orës 4-5 të mëngjesit më 27 janar (8 shkurt) të vitit 1837 shkoi në duel përballë aventurierit Zhorzh Dantes për të vdekur në shtëpinë e tij në orën 2 e 25 minuta të datës 29 janar (10) shkurt. Mbi vdekjen e tij u shkruajt shumë por përzgjodhëm letrën që zonja Fikelmona shkroi në ditarin e saj po më 29 janar të vitit 1837:

“Sot Rusia humbi poetin e saj të shtrenjtë dhe të dashurin e zjarrtë, Pushkinin, atë talent të mrekullueshëm plot bukuri dhe fuqi. Dhe çfarë katastrofe të trishtë dhe torturuese shkaktoi kjo lule e mrekullueshme dhe e shkëlqyer, e cila ishte e destinuar për gjithmonë e më tepër t’i ndriçonte të gjitha anët dhe që me sa dukej kishte para akoma dhe shumë vite.

Aleksandër Pushkini, në kundërshtim me të gjitha këshillat e miqve të tij, u martua pesë vjet më parë, duke marrë për grua Natali Gonçarovën, shumë të re, pa pasuri, por me një bukuri të çuditshme. Me një pamje poetike, por me një karakter dhe një mendje të zakonshme, ajo që në fillim zuri vend në shoqëri, vend i cili, për hir të së vërtetës duhej t’i përkiste asaj për shkak të një bukurie rrezëllitëse, që nuk mund t’i rezistoje. Shumë adhurues përkuleshin para këmbëve të saj, por ajo donte vetëm burrin e saj dhe dukej e lumtur në jetën e saj familjare.

Ajo argëtohej me gjithë shpirt dhe pa asnjë koketëri, përderisa një francez, baroni Zhorzh Hekkeren Dantes, oficer i kalorësisë, djalë i birësuar i Hekkerenit, ministrit holandez, nuk kishte filluar t’i vardisej asaj. Ai e dashuronte atë që prej një viti, gjë që mund t’i lejohej çdo djali të ri, shumë i mahnitur nga bukuria e saj, duke e mbajtur veten të përmbajtur dhe duke mos shkuar tek ata në shtëpi. Por duke e parë atë vazhdimisht shpesh dhe në një rreth të ngushtë miqësor, ai filloi në mënyrë më të hapur që t’ia shfaqte dashurinë e tij.

Një nga motrat e zonjës Pushkina (Ekaterina Nikollajevna Gonçarova), që u njoh me Dantesin pati fatkeqësinë të dashurohej me atë, dhe e entuziazmuar në dashurinë e saj, nuk mendoi mbi atë, që mundet pikërisht nga kjo gjë të ndodhte edhe dashurimi i motrës së saj, Natalisë, me Dantesin dhe të shkaktonte atë fatkeqësi fatale që ndodhi më pas. Kjo e re u mundua që t’i shpeshtonte mundësitë e takimit me Dantesin. Më në fund, të gjithë ne e shikonim sesi lindi dhe u rrit ky kërcënim vdekjeprurës. Kjo apo ajo sqimë e zonjës Pushkina ishte e çmuar dhe e ngacmuar, ose Dantesi në të vërtetë preku dhe trazoi zemrën e saj dhe më së fundi ajo nuk mundej dot më tepër që ta shtynte ose ta ndalonte shfaqjen e kësaj dashurie të harbuar.

Së shpejti, Dantesi, duke harruar çdo delikatesë të një njeriu të arsyeshëm, duke thyer të gjitha sjelljet mondane, zbuloi në sytë e të gjithë shoqërisë shfaqjen e admirimit, më se të palejueshme në raport me një grua të martuar. Ajo zbehej dhe dridhej nga shikimet e tij, gjë kjo, që ishte më se e dukshme, saqë ajo me të vërtetë e humbi mundësinë që ta frenonte këtë njeri dhe ai vendoste që ta çonte atë deri në atë pikë, saqë ajo të skuqej. Pushkini atëherë bëri një gabim të madh, duke e lejuar gruan e tij të re dhe shumë të bukur që të shkonte kudo pa atë.

Besimi i tij tek ajo ishte i pakufishëm, për më tepër që ajo i dha atij llogari për gjithçka dhe nga ana tjetër i dërgoi fjalë Dantesit, që ishte një pakujdesi e madhe dhe e tmerrshme. Lumturia familjare tashmë filloi të thyhej, kur një dorë e poshtër i dërgoi të shoqit letra anonime ofenduese dhe të tmerrshme, në të cilat përcillnin deri në takimin e tij të gjitha zërat revoltues dhe emrat e gruas së tij e të Dantesit që përmendeshin me një ironi sa më helmuese dhe të ashpër që mundeshin.

Pushkini, i goditur në zemër, kuptoi, që ai personalisht nuk ishte i bindur që nuk ishte e vërtetë në pafajësinë e gruas së tij, që ajo ishte fajtore në sytë e shoqërisë, dhe sidomos të asaj shoqërie, në të cilën ishte e shtrenjtë dhe me vlerë emri i tij. Bota mbarë pa gjithçka dhe mund ta mendonte, që sjellja e vetë Dantesit ishte një tregues më se i qartë për pafajësinë e zonjës Pushkina, por disa dhjetra zotërinj të tjerë të shoqërisë petërburgase, pothuajse më të rëndësishëm në sytë e tij, ata ishin shokët e tij, bashkëpunëtorët e tij dhe më në fund, lexuesit e tij, që e konsideronin atë fajtor dhe hodhën gurë mbi të.

Ai i shkroi Dantesit, duke kërkuar nga ai sqarime me rastin e sjelljes së tij ofenduese. E vetmja përgjigje, të cilën ai mori përmblidhet në atë që ai kishte gabuar, ashtu si dhe të tjerët, dhe se i gjithë synimi i Dantesit ishte drejtuar tek vajza Gonçarova, kunata e Pushkinit. Vetë Hekkereni shkoi dhe i kërkoi dorën asaj për djalin e tij të adaptuar.

Kështu që e reja menjëherë e pranoi propozimin e tij. Pushkini nuk kishte se ç’të thoshte më tepër, por ai pozitivisht i tha se asnjëherë nuk do ta priste në shtëpi burrin e kunatës së tij. Shoqëria me habi dhe me mosbesim mori vesh për këtë martesë të papritur, dhe menjëherë filluan të viheshin baste se do të ishte e vështirë që ai të tërhiqej dhe se kjo nuk do të ishte asgjë tjetër veçse një dredhi. Ndërkohë Pushkini u tregua shumë i kënaqur dhe i gëzuar.

Ai e çonte kudo gruan e tij: në ballo, në teatër, në Pallat dhe tani e varfra grua ishte në një gjendje të shtirur, duke mos mundur dot që të bisedonte me kunatin e ardhshëm, si edhe duke mos guxuar që t’i hidhte sytë nga ai. Nën vëzhgimin e të gjithë shoqërisë, ajo vazhdimisht dridhej, duke mos dashur të besonte që Dantesi nuk preferonte që t’ia çonte asaj të motrën për vizitë. Ajo, nga naiviteti ose nga nxitimi, me thjeshtësinë e saj të çuditshme debatoi me të shoqin mbi mundësinë e këtij ndryshimi në zemër, dashurinë e të cilit ajo e çmonte shumë, që ka mundësi, vetëm nga ajo sqimë.

Pushkini nuk donte as që të merrte pjesë në dasmën e kunatës së tij dhe as të mos i shikonte ata pas dasmës, por miqtë e shumtë, shumë të arsyeshëm, shpresonin që t’i çonin ata në pajtim, ose në fund të fundit tek afrimi dhe pothuaj çdo ditë t’i lidhnin ata së bashku. Shumë shpejt Dantesi, edhe pse i martuar, filloi përsëri takimet e mëparshme dhe së fundi, në një ballo ai e kompromentoi të shoqen e Pushkinit me shikimet e tij dhe aludimet, që i çuditën të gjithë dhe vendimi fatal i Pushkinit u mor përfundimisht që nga ai moment.

Filxhani u tejmbush dhe tashmë nuk kishte më asnjë mjet që ta ndalonte fatkeqësinë. Ditën tjetër ai i shkoi Hekkerenit baba, duke e fajësuar atë për bashkëfajësi dhe e fyeu atë me shprehje shumë ofenduese. Atij iu përgjigj Dantesi, duke e marrë mbi vete sfidën për babain e tij birësues. Këtë donte dhe Pushkini. Në disa orë u vendos gjithçka: zoti d’Arshnak nga ambasada franceze u bë sekundanti i Dantesit, kurse shoku i hershëm i shkollës i Pushkinit nga familja Danzas, u bë sekundanti i tij. Ata të katër shkuan në ishull dhe atje midis borës së trashë, në ora pesë të pasditës u bë dueli i tmerrshëm.

Dantesi qëlloi i pari, Pushkini, i plagosur për vdekje, u rrëzua, por megjithëatë gjeti forca që të çohej dhe pas disa sekondash të qëllonte. Ai e plagosi Dantesin në dorë, pa sesi ai u lëkund, dhe pyeti: “A vdiq ai?”- “Jo”, iu përgjigjën atij. –“Atëherë, unë duhet ta qëlloj atë përsëri”. Ata e transportuan në shtëpi, ku ai u çua, duke e ndjerë veten disi të fuqishëm, kërkoi gruan, e cila shkoi tek dera, duke e lënë atë vetëm për një kohë. Dërguan për të thirrur doktorët. Kur ata ekzaminuan plagën, ai kërkoi ta dinte nëse ishte ajo vdekjeprurëse apo jo; atij iu përgjigjën që kishte shumë pak shpresa për ta shpëtuar.

Atëherë ai dërgoi të thërrisnin shokët e tij më të afërt: Zhukovskin, Vjazemskin, Turgenievin dhe disa të tjerë; i shkroi imperatorit letër, në të cilën i besoi atij të shoqen dhe fëmijët; pas kësaj kërkoi të shikonte gruan e tij të pafat, e cila nuk donte as t’i besonte brengës dhe mos ta kuptonte atë. Ai i përsëriti asaj mijëra herë dhe gjithmonë me një dhembshuri në rritje, se e konsideronte atë të pastër dhe të pafajshme dhe se duhej të hakmerrej për nderin e saj të poshtëruar, por që ai vetë asnjëherë nuk kish dyshuar as në dashurinë e saj dhe as në virtytin e saj.

Kur erdhi prifti, ai u rrëfye dhe plotësoi gjithçka që duhej. Perandori zemërgjerë dhe fisnik në detyra që kërkonin përzemërsi, i shkroi atij rreshtat e çmuar të mëposhtme: “Unë ty të fal; nëse neve nuk do të na jepet më mundësia të shihemi në këtë tokë, më ngushëllo mua, vdis si i krishterë dhe plotëso detyrën tënde. Përsa i përket gruas tënde dhe fëmijëve, ji i qetë; ata do të sigurohen”.

Pushkini, të cilin aq shpesh e fajësonin për liberalizëm dhe revolucion, e puthi atë letër të imperatorit dhe vazhdoi t’i thoshte atij, që ai vdes fatkeqësisht, ashtu sikundër donte të jetonte, që të ishte poeti dhe historiani i tij. Agonia vazhdoi 36 orë. Në rrjedhën e këtyre orëve të tmerrshme, ai nuk e humbi ndërgjegjen për asnjë çast. Mendja e tij mbeti e kthjellët, e qartë, e qetë. Ai foli mbi duelin vetëm që të merrte nga sekundanti i tij premtimin që të mos hakmerrej, dhe e porositi atë që t’u transmetonte kunetërve të tij që nuk ishin të pranishëm, që të ndalonin grindjet me Dantesin.

Gjithçka që ai i tha gruas së tij ishte ledhatuese, e butë dhe qetësuese dhe nuk mori asgjë nga duart e asnjë njeriu tjetër, përveçse nga duart e saj. Atyre që u drejtuan nga librat e tij, ai u tha: “Lamtumirë, miq!” dhe në fund, ai, teksa dukej sikur po flinte, tha fjalët: “Gjithçka mori fund”. Zhukovski, i cili e donte atë, si baba, gjithë ato orë qëndroi pranë tij, na tregon që në ato çaste të fundit, fytyra e Pushkinit sikur ndriti nga një dritë e re, dhe në shprehjen serioze, trupi i tij ishte me një fjalë të vetme:

çudi, me një fjalë ai pa diçka madhështore, të papritur dhe të mrekullueshme. Ky mendim poetik denjësisht i pastër, i padjallëzuar dhe thellësisht i besueshëm doli nga shpirti i qartë i Zhukovskit. Gruan e pafat, me vështirësi të madhe e shpëtuan nga marrëzia, në të cilën ajo, me sa duket, iu dha në mënyrë të papërmbajtur dëshpërimit të thellë dhe të ngrysur. Imperatori ishte i madhërishëm me ato që ai bëri për atë familje fatkeqe”.

Please follow and like us: