Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: NËPËR VARGJET QESËNDISËSE TË SHPËTIM EMIRIT

Image may contain: sky, cloud, mountain, house, outdoor, text and nature

Mbresa nga vëllimi satirik “Moj Gjirokastra pa vulë”

Inxhinieri i talentuar i ndërtimit, Shpëtim Alizot Emiri ka marrë përsipër të na habitë në çdo dy-tre vjet me publikimet dhe botimet e tij. Ka që nga viti 2011 që e bën këtë “marifet” në vazhdimësi. Dhuntitë e tij në fushën e letërsisë, personalisht i zbulova në librin e parë e të dytë memorialistik “Njeriu, librari e gazetë fisnike”, kushtuar mikut të rinisë sime të hershme në Gjirokastër, dashamirësit, librarit Alizot Emiri, emblemës së qytetit të gurtë, babai i një vajze dhe tre djemve të shkëlqyer në mësime (Shpëtimi i mesmi). Me shumë siguri hapin tjetër ky autor e hodhi me mbresat nga jeta e tij private “Kujtime me buzë në gaz”. Brenda këtij libri shquhen rrëfenja që pa frikë mund të quhen tregime si ato të shkrimtarit amerikan Mark Twain. Ato kanë subjekt të goditur, gjuhë të rrjedhshme, humor dhe të papritura të këndshme.

Akoma më befasuese është për mua monografia kushtuar mjekut legjendar të Gjirokastrës, Vasil Laboviti i cili jo vetëm me bisturinë e tij ka shpëtuar jetën e qindra pacientëve, por ndryshoi edhe fundin e pashmangshëm tragjik të shumë gjirokastritëve që u vendosën përpara togës së pushkatimit gjatë pushtimit fashist gjerman. (Ngjarje e cila frymëzoi edhe shkrimtarin e madh Ismail Kadare për të shkruar romanin “Darka e gabuar”). Duket sikur këtë monografi të mbështetur në shumë dëshmi dhe dokumente arkivore, Shpëtimi e kishte amanet nga i ati, Alizoti i cili doktor Labovitin e kishte mik të veçantë dhe shumë të besuar. Le të kthehemi tek vëllimi poetik “Moj Gjirokastra pa vulë” i cili u bë shkak për të shkruar këto radhë.

Qysh në titull lexuesi kupton se autori ka një brengë, një pakënaqësi me vargun aq shumë popullor “O Gjirokastra me vulë”. Pse? Vula (kjo UNESCO popullore) Gjirokastrës i është vënë dy shekuj të shkuar e më shumë. Kush ia hoqi “vulën”? Varg pas vargu Shpëtimi na bind se qytetin antik “po e ha babëzia”. Dhe Gjirokastra me nam, nën thundrën e korrupsionit, “është bërë pulë”. Tenderi për një bajpas është një ‘kular’, ‘një tmerr në arkitekturë, një lubi veshur me gurë’. Bajpasi e zhbën Gjirokastrën të cilën autori e quan “Monument të qëndisur/ Mbi faqe mali kumbisur…”.

Shpëtimi edhe si inxhinieri i talentuar ndërtimi bën thirrjen: “Hiqni dorë nga bajpasi/Me ato lekë ndreqni çatitë/ Shtëpitë po ju rrënohen/ Kush s’i sheh, i plaçin sytë…”. Pasi nuk duron dot paditurinë, mashtrimin dhe korrupsionin, në pikën kulmore, i bërë vrer, thërret në ndihmë mallkimet popullore “u plaçin sytë”. Ai ndalet tek “hallet e Kalasë, rrënimin, çarjet e mureve nga pakujdesia, kalldrëmet që po shkatërrohen me gjithë investimet e UNESCO-s, etj. “Kalldrëme të porsabërë/U hyn uji poshtë në rërë/ I vidhis, i shqep pëgërë…”. Nuk është paaftësia e muratorëve, por tenderat, gara për të “ndukur” sa më shumë lekë nga investimet të cilat nuk i mungojnë qytetit-muze. Nga Gjirokastra ‘ndukin’ edhe partitë. Për ilustrim disa vargje:

“Kalanë e ka Bashkia

Muzeumin Qeveria

Lekë duan të dyja

PS-ja dhe LSI-ja..”.

Idetë e këtij libri dhe shqetësimet që ngre për fatin e qytetit muze, autori i ilustron me 24 fotografi tipike të përzgjedhura me kujdes. Inxhinieri Shpëtim Emiri nuk ka harruar as librarinë e munguar pranë Qafës së Pazarit e cila dikur ishte simbol i diturisë së qytetit, sot është kthyer në dyqan perimesh. E dhimbshme të barazosh librin me zarzavatet ku Alizot Emiri ushqeu me dije e kulturë për dekada të tëra mendjet e uritura të rinisë dhe intelektualëve të Jugut. (Personalisht i jam mirënjohës këtij simboli të sqimës dhe kulturës gjirokastrite). Janë gjashtëmbëdhjetë poezi të frymëzuara nga humori brilant i Alizotit, disa prej këtyre motiveve i kam dëgjuar qysh në rini si në rastin kur heq nga muri foton e Hrushovit, udhëheqësit të ish BRSS dhe ai përgjigjet se “e hoqa se më erdhi era leckë e djegur”, apo çfarë ka thenë Lenini për vjedhjen e librit. Sot, Shpëtimi, edhe pse familjarisht jeton në Tiranë së bashku me vëllezërit ku kanë ngritur biznesin, nëpërmjet këtyre vargjeve, merr në mbrojtje vendlindjen e tij, jo vetëm për faktin sepse atij i ka rënë koka aty, por sepse i dhimbset kjo pasuri kultrore e rrrallë kombëtare dhe unikale në botë. Në se do ta pyesni, jam i bindur; ai është gati të ndihmojë e të thotë ‘Po’ edhe për ngritjen më këmbë të viaduktit (ujësjellësit) mbi Kala i cili furnizonte dikur qytetin me ujë të rrjedhshëm prej 12 kilometra larg. Viadukt i vizatuar dy shekuj më parë në gravurë nga piktori-udhëtar Eduard Lire, 1848. I mahnitshëm për nga madhështia dhe arktektura, i ngritur me dy palë arkada përmes të cilave flakëronin herët në mëngjes rrezet e diellit mbi dy lagjet e sipërme të Gjirokasrës. Do t’ia ngrinte akoma më shumë vlerat qytetit-muze sikur të ekzistonte kjo vepër e rrallë. Në vëllim nuk mungojnë as shpotitë dashamirëse për miqtë, të njohurit e shokët. Pasi ka qesëndisur veten e vet, ka të drejtën edhe për ndonjë “pickim” të lehtë. Do të ndalem tek vjershat që kanë në qendër një nga të afërmit e mi, mik i pandarë, doktor Selam Shkurtin i cili më ka njohur e lidhur edhe mua me djemtë e librarit Alizot Emiri, sidomos me më të madhin, arkitekt Ibrahim Emiri, shok klase i Selamit që nga shkolla e mesme në Gjirokastër. Ja çfarë shkruan në shënimin shoqërues autori i këtij vëllimi:

“Në datën 15 mars 2011 doktor Selam Shkurti, shoku e miku ynë, na gëzoi me librin e tij të parë ‘Nga Golëmi pëmbi re’. E paragjykova nivelin e librit para se të lexoja fabulat. Më pas u befasova. E mora në telefon, i kërkova të falur. Këtë ndjesë timen pata dëshirë ta shkruaj, befas në vargje, në dialektin e Golëmit, gjuhë e njohur dhe e dashur për mua, në respekt të asaj treve aq të dëgjuar si burim i pashtershëm humori të hollë… Pra, kjo “Përshënetje…” është vetëm vargëzimi i parë, por mbi të gjitha është e shkruar në gjuhë ‘të huaj’… Vjersha miqësore për doktor Selamin është ndër më të gjatat. Po shkëpus dy strofa: “Selam të krrefsha binanë/Ç’pate që rrëmeve penën/Shkrove, na bëre hatanë/Si shkrimtar zure bedenën/Sa doktorë kemi hasur/Me stetoskopin në vesh/Vetëm ti na ke gajasur/ Na shkoi goja vesh më vesh…”.

Jo më kot doktor Selami i zgjoi nga gjumi Shpëtimit damarin poetik satirik. Ai midis golëmasve është si në limer të vet, brenda humorit që e ka dhunti të trashëguar nga Zotja. Golëmi është treva që nxit e frymëzon hidh e prit romuze, aq më tepër që Shpëtimi, duke punuar edhe me bashkëfshatarë tanët të tjerë, e ka përvetësuar për mrekulli dialektin dhe i pëlqen ta praktikojë edhe në poezi. Gjë që e ka bërë me shumë sukses si dhe në vjershën tjetër “Golëmasi në Kuvajt”. Në formë kartolinash miqësore ka edhe poezi për shokë e miq të tjerë si fabulistët Ferit Lamaj e Kastriot Balili, doktor Izet Çulli (shkrimtar për fëmijë), Neim Çerenishtin, emigrant në Kanada, M. D. Fier, etj.

Bie në sy cikli poetik kushtuar shkrimtarit të madh Dritëro Agolli që nis nga takimi i parë me të e gjer në përcjelljen në banesën e fundit. Ai e nderon Dritëroin si mik të babit të tij që nga shkolla e mesme pedagogjike e Gjirokastrës, por edhe si poet kombëtar. Gjithë emocionet e varrimit, nëpërmjet digresionesh janë të lidhura me veprat letrare të poetit të shquar (Balta e Devollit) e gjer protestat e tij sociale. Në çdo varg është i kursyer, i llogaritur si një matematicien skurpuloz, i kujdesshëm të mos lëndojë asnjeri, por vetëm të gëzojë e frymëzojë përmes fabulës dhe vargut shpotitës. Nga brendia e gjithë vëllimit kupton se Shpëtim Emiri nuk shkruan për t’u dukur, as të garojë me të tjerë të kësaj fushe, por të çlirojë ndjenjat e veta, të thumbojë veset, të verë në majë të sfurkut veprimet dhe zakonet e mbrapshta, të goditë hipokritët dhe matrapazët me elegance dhe buzë në gaz, edhe pse e di që “sot nuk lexohet as Shekspiri, jo më Shpëtim Emiri”.

Në ciklin “Erotike” ai na sjell situata komike, “Rrethrrotullimi”, që prjetojnë të dashuruarit, madje edhe ministrat që “bëjnë kërkime shkencore nëpër resorte duke marrë me vete dashnoret”. Nuk mungojnë poezitë satirike as për sarahoshët e as për moshën e tretë, pensionistët “Vler’ e pensionit thërrime/ Si të dënuar për krime…”. Dua të ndalem pak më gjatë tek temat sociale të cilat janë më të theksuara në ciklet “Diktatura”, “Demokracia”, “Prona dhe pronari”, “Shtetformimi” dhe “Rruga drejt BE-së”.Kupton që autori e ka ëndërruar dhe e dashuron me shpirt sistemin demokratik në të cilën aderon Shqipëria, por mënyra se si shtrembërohet në praktikë, e indinjon, e revolton. Rrjedhimisht nuk i kursen thumbat dhe sarkazmën. Problemi i pazgjidhur i pronave në demokraci për tridhjetë vjet e ka telendisur e rraskapitur pronarin e vërtetë dhe e ka detyruar të eci me kokën ulur. “Të mbivendosurit, hipsit, i njihet/ Atij nën vete, te zotit, i hiqet…” janë dy nga vargjet më të koditur në poezin satirike “Ligji i pronave”. Ai nuk e fsheh indinjatën për qeveritarë të pangopur dhe tregon gurin kilometrik “Kur kjo shtresë politike të jetë fshirë/ Dhe tjetër farë si kjo të mos ketë mbirë…”.

Të tërheq vëmendjen poezia “Plasën prap piramidat”, ku ai paralajmëron se kreditë bankare ku shteti na dalka garant, janë bomba me sahat, një lloj tjetër piramide ku presupozohet të përsëritet skenari grek, mirëpo ai nuk beson se shtetit shqiptar do t’i vijë në ndihmë bota ashtu si Greqisë. Thekson: “Ne s’na merr kush me të mirë/ Do hamë shkelma në fytyrë…”. Ky vëllim gati po bën një vit që ka dalë në qarkullim, shteti shqiptar dështoi me negociatat, është interesant parashkimi i autorit se “dera e BE-së mbyllur me dyzetë dryna”, doli, “tridhjetë vjet rekomandime/U mërzit dhe gjyshja ime…”. BE-ja na vuri në gojë biberonin pa qumësht, ashtu si gënjehet fëmija, shkruan ai…Lufta për çeljen e negociatave u quajt “luftë për jetë a vdekje”, sipas Kryeministrit. Ato nuk u çelën, por asnjë nuk e vrau veten e mbyll ciklin autori i mbushur me mllef e sarkazëm.

Shpëtim Emiri e ka vargun të thjeshtë, të drejtpërdrejtë. Vlera e tyre qëndron tek mendimi, llogjika, racionaliteti dhe mesazhi shoqëror që percjell. Shpesh përdor fjalor popullor me ngjyrime nëndialektore gjirokastrite si fjala vjen: kumbis, adet, babëzi, behot, cime, shkretuar, zhur, sykarroqe, binadalë, thuthuq, zengjin, koqe, kartë, dert, veresie, taban, kallamboqe, jezit, sheleg, etj. Përdorimi i tyre me vend shton emocionin, thekson ngjyrimin dhe zbukuron të qeshurën. Ju do më pyesni mua se çfarë do të na shërbejë të ardhmen Shptimi? Unë ju them me bindje: është i paparashikueshëm, këtë jo vetëm unë nuk e di, por as vëllai më i madh, Ibrahimi.

Please follow and like us: