Batalioni i vullnetarëve çamë në luftën italo–greke
Nga Veli Haklaj
- Hyrje
Objekt i këtij punimi që do të publikohet për lexuesin e gazetës “Mapo” është agresioni i Italisë fashiste kundër Greqisë dhe veprimet e formacioneve me ushtarë e civilë shqiptarë në territoret greke të pushtuara. Lufta me Greqinë i solli dëme të mëdha Shqipërisë. Ajo do të çonte në humbje jetë njerëzish nga radhët e ushtarakëve e të civilëve shqiptarë, si dhe shkatërrimin e një pjesë të mirë të territorit të Shqipërisë së Jugut. Pjesë e punimit do tëjetë dhe një letër e kuestorit, major Skënder Çami, drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Zef Kadarja, ku shpalosen të dhëna me interes për veprimet e batalionit të dytë të vullnetarëve çamë, në agresionin kundër Greqisë. Majori i KK.MM, Skënder Çami, 41 vjeç, nga Konispoli, me detyrë kuestor në Korçë, u vra me pesë plumba, më 4 mars 1942, në orën 19.30. Në informacionin e prefektit të Korçës, Hysni Peja, për autoritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme theksohet se kuestori Skënder Çami u vra nga njerëz të panjohur, 50 metra larg shtëpisë. Vrasja rezultonte për arsye politike. Skënder Çami kishte qenë qarkkomandant në shumë prefektura dhe mbahej si një ndër njerëzit më të aftë të armës së xhandarmërisë. Sipas historianit Kastriot Dervishi, “shpjegimi i kësaj vrasjeje ishte i qartë: për t’i mbyllur gojën. Skënder Çami ishte një person që kishte shërbyer edhe në Korçë e Gjirokastër, duke qenë për pasojë njohës i mirë i problemeve dhe të dhënave të imta të banorëve të kësaj zone”. Për vrasjen e tij u përfol emri i Ramiz Aranitasit, nga Ballshi, i cili, duke qenë pjesëtar i forcave komuniste që drejtoheshin nga Xhelal Staravecka, u vra më 22 qershor 1943 për gjakmarrje nga xhandari Ali Kajmaku, që ishte pjesëtar i asaj çete.
- Agresioni i Italisë fashiste ndaj Greqisë
Me gjithë deklaratat e Musolinit se Italia nuk kishte ndërmend të sulmonte Greqinë dhe Jugosllavinë, qeveria italiane, fill pas pushtimit të Shqipërisë, intensifikoi përgatitjet ushtarake, shoqëruar me një rritje në mënyrë të dukshme të numrit të ushtarëve italianë në Shqipëri. Agresionit kundër Greqisë i parapriu një propagandë e shfrenuar demagogjike, duke hedhur në qarkullim dhe tezën se me këtë rast do të realizohej bashkimi i Çamërisë me Shqipërinë, si një hap drejt krijimit të Shqipërisë etnike. Nënshkrimi i “Paktit të çeliktë” (22 maj 1939) nuk shënoi, ashtu siç pritej, fillimin e një periudhe mirëkuptimi dhe mirëbesimi të ndërsjellë ndërmjet dy regjimeve totalitare, Rajhut III të Hitlerit dhe Italisë fashiste të Musolinit. Sipas historianit RobertoBatalia, vendosja e lidhjeve më të drejtpërdrejta në fushën politiko-ushtarake e bënte të pashmangshme përplasjen e interesave themelore të imperializmit gjerman e italian, ashpërsonte luftën midis dy sistemeve autarkike, ngaqë secili prej tyre kërkonte për vete lirinë e plotë të veprimit. Nga fillimi i gushtit 1940, Konti Çiano vendosi të bënte luftën e vet, të sulmonte Greqinë. Por më 17 gusht Ribentropi, në emër të Hitlerit, i kërkoi Çianos dhe Musolinit që të hiqnin dorë nga çdo aksion në Gadishullin Ballkanik, pasi “Hitleri synonte të vepronte në këtë zonë vetëm në mënyrë paqësore”. Të njëjtin paralajmërim i përsëriti Hitleri Musolinit në takimin që patën në Brenero më 4 tetor 1940. Çështja e Greqisë doli përsëri në skenë, më 12 tetor 1940, kur Duçja mori vesh lajmin se Hitleri kishte pushuar puset naftënxjerrëse të Rumanisë. Në prani tëÇianos ai u shpreh me këto fjalë: “Hitleri gjithmonë më vë përpara faktit të kryer. Kësaj radhe do t’ia shpërblej me të njëjtën monedhë. Ka për ta mësuar nga gazetat që kam pushtuar Greqinë, kështu do të rivendoset ekuilibri i vërtetë”. Ndërsa Çiano mendonte se ky operacion ishte i nevojshëm dhe i lehtë, gjenerali Armelini, duke bërë bilancin ushtarak të forcave,shpresonte se Duçja, që e kishte ndërruar mendjen disa herë, do ta ndryshonte përsëri. Shpresa e tij nuk u realizua dhe Duçja, në vend që të tërhiqej nga plani, thirri më 15 tetor më pallatin Venecia shkëlqësitë Çiano, Badolja, Sodu, Jakomoni dhe Viskonti Praska. Në takim nuk morën pjesë shefat e shtabeve të përgjithshme të të tri armëve, për të parandaluar çfarëdolloj kundërshtimi të tyre. Ndërhyrja e Çianos në këtë mbledhje kishte vetëm një qëllim: t’i sigurojë pjesëmarrësit se “Greqia nuk do të kundërshtojë” dhe se “ajo do të shembet që me goditjen e parë”. Idetë e Çianos përforcoheshin nga Jakomoni, i besuar i tij. Kurse gjenerali Viskonti Praska, përgjegjësi i drejtpërdrejtë i operacionit, edhe ato pak divizione që zotëroheshin në Shqipëri i konsideronte të tepërta. Historiani Roberto Batalia nënvizon se, “me sa duket, ai (gjenerali Praska) i trembej shtimit të numrit të divizioneve, ngaqë kështu komanda e operacionit mund t’i ikte nga duart dhe do t’i kalonte ndonjë gjenerali tjetër në shkallë më të lartë”. Më 28 tetor 1940, pas një ultimatumi që qeveria italiane i drejtoi Athinës, Italia nisi sulmin kundër Greqisë. Tri divizione: “Ferrara”, “Çentaura” dhe “Siena” marshuan përgjatë bregdetit me synim për t’u zgajtur drejt pllajës së Janinës, duke kapërcyer Kalamasin. Divizioni “Xhulia”, në të majtë të tyre, drejtohej për nga qafa e Mexovos, me synimin për t’i prerë rrugët e furnizimit armikut ndërmjet sektorit epiriot dhe atij maqedonas. Akoma më në veri, divizionet “Parma” dhe “Piemonte” qëndronin në mbrojtje të pllajës së Korçës. Pas disa sukseseve të para, ushtria italiane u detyrua të tërhiqej nga pozicionet, duke lëshuar më 22 nëntor Korçën dhe në fillim të dhjetorit edhe Gjirokastrën. Historiani Batalia do theksonte se “kjo s’ishte luftë, por një masakër e frikshme, në të cilën njerëzit vdisnin më shumë nga furtunat e dëborës, sesa nga zjarri i armikut”. Ndërkohë në Romë, më 24 dhjetor 1940, i dëshpëruar për disfatat në Greqi, por dhe për goditjet po aq të rënda që kishte marrë në Taranto pas shkatërrimit pothuajse të plotë të flotës dhe nga sulmi anglez në Libi, në prani të Çianos, Duçja do komentonte: “Kjo borë dhe ky i ftohtë bëjnë shumë mirë. Kështu do të vdesin të gjithë barktharët e gjysmakët dhe do të përmirësohet disi kjo racë mediokre italiane”.
- Veprimet e batalionit të vullnetarëve çamë në luftën italo–greke
Grupi i autorëve të Historia e popullit shqiptar, IV, thekson se “ndryshe nga qeveria e Shefqet Vërlacit, e cila, duke mos qenë në gjendje t’i bënte ballë trysnisë së Romës zyrtare, e mbështeti dhe iu bashku agresionit të fashistëve italianë, populli shqiptar dhe forcat përparimtare në vend u pozicionuan prerazi kundër tij dhe pro luftës së drejtë të popullit grek”. Përpjekjet e pushtuesit fashist italian për të bërë një mobilizim ushtarak, apo “mobilizim civil” dështuan. Ndërkohë ushtarët shqiptarë të batalioneve “Tomori” dhe “Taraboshi”, që u çuan me forcë në frontin grek, nuk pranuan të luftonin dhe dezertuan nga fronti. Një pjesë e tyre u bashkuan me forcat greke dhe luftoi së bashku me ta kundër agresorëve fashistë italianë. Kurse pjesën tjetër italianët e çarmatosën, e arrestuan dhe e mbyllën në kampin e përqendrimit në Shijak, ku shumica arriti të dezertojë. Batalionin e dytë të vullnetarëve çamë që veproi në zonën e operacionit në Çamëri e drejtonte major Skënder Çami. I akuzuar nga një person civil, se nuk kishte luftuar mirë me batalionin çam në Çamëri, nga Shkodra, më 29 gusht 1941, Skënder Çami i drejtoi një raport sqarues Drejtorisë Qendrore të Policisë, në Tiranë. Në letrën shoqëruese për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, zotin Zef Kadarja, ai do theksonte se “informatës nuk i jap rëndësi pse kompetentët nuk do ta kenë besuar mbasi veprat emia gjatë atyne dy muajve dihen publikisht e nëse ndokush ose disa do të donin me fsheh realitetin, të tjerët kishin me tregue të vërtetën”. Nisur nga të dhënat autentike që paraqiten, në vijim po japim raportin të plotë. Përgjithësisht, kemi ruajtur gjuhën e dokumentit.
Rezervat personal
Mbi veprimet e kuestor Skënder Çamit gjatë kohës si komandant i batalionit II të vullnetarëve çamë e mbi një informatëf allso dhënë kundër tij.
Drejtorisë Qëndrore të Policisë në Tiranë.
Disa ditë më parë kam marë vesh se një njeri civil, emnin e të cilit akoma nuk e di mirë, ka dhënë një informatë ndofta në Lugotenenza, se gjoja unë nuk kam luftuar mirë gjatë kohës time si komandant i batalionit II të vullnetarëve çamë në Çamëri. Për të zbuluar të vërtetën mbi këtë informatë, plotësisht gënjeshtër, e për me vue në dijeni eprorët e mij mbi gjithë veprimet e bâmuna me batalionin e dytë të vullnetarëve çamë, marr lejen me u parashtrue se:
Më datë 23 tetor [1940], me urdhër verbal dhënë nga Insp. Generale të Lugotenencës Comm. Melloni jam nisur për Delvinë si komandant i batalionit të dytë të vullnetarëve çamë. Kur kam mbërritur në Delvinë, kam gjetur të përgatitur ushtarakisht nja 100 njerëz e brenda 2 – 3 ditë të qëndrimit tim në Delvinë numri mrrijti deri në 130 vullnetarë, të gjithë çamër e banues si emigranta në rrethet Delvinë, Porto Edda (Sarandë) e Konispol. Me këta njerëz kam filluar veprimet e ngarkueme sipas urdhërave të dhanuna nga komanda e regjimentit të tretë tëgranatierave dhe, vetëm kur u thyen stacionet greke dhe kaluam në katundet shqiptare të Çamërisë, kemi vazhduar regjistrimet tue shtue forcën e batalionit të dytë deri në 300 vetë. Me këtë fuqi janë kryer këto veprime:
Ky batalion i dytë, tue qenë avanguarda ishte fuqia e parë që bëri atak kundër grekëve, i cili theu qëndresat armike në qafën e Likojanit, Sajada e Lopes dhe ka arritur rregullisht objektivin e caktuar në Smartë të Filatit, afër lumit Kalama. Nga katundi Lopes u lajmërue komanda e regjimentit mbi mbërritjen në këtë objektiv dhe mbasandej filloj veprimi i regjimentit tëgranatjerëve dhe i kavalerisë.
Mbas disa ditë qëndrimi në Smartë, batalioni i dytë, tue qenë gjithnjë avanguardë ishte i pari që kapërceu lumin e Kalamajt dhe mrrijti plotësisht objektivin e dytë në katundin Shules Kastri, tue thye plotësisht të gjithë kundërshtimet armike e tue e shtrëngue nga ky veprim me lirue fuqitë kundërshtare pozicionet e tyne të tjera në Varfani ku aherë filluan dhe forcat tona të krahut të majtë me kalue lumin Kalama nëVorselë.
Të nesërmen morëm urdhër me përparue gjithnjë avanguarda dhe okupuam qytetin Gumenicë e Grikohor me rregull, disiplinë e pa prekur asgjë në qytet e po atë natë mbërrijtëm objektivin e tretë në katundin Nista, tue ecur kështu pa pushuar afro 60 km.
Nga Nista, simbas urdhënit të marrun, tue përshkrue katundet Skopioni e Kuç mrrijtëm tjetrin objektiv në katundin Arpica.
Kudo që shkonim, pritjet ishin me të vërtetë entuziaste. Gjithë populli vinte me u takuetue u salutue në mënyrë romake, tue thirrun e tue brohoritë për Mbretin, Duçen, Shqipnin e Italinë Fashiste. Në shumë katunde valonin flamurët italianë e shqiptarë, që prej kohe i kishin përgatitur e mbajtur fshehtazi.
Nga Arpica dërguam një plotone në katundin Agji e një plotone në Margëlliç, njerëz të kërkuar nga këto katunde për me u mbrojtë nga çdo eventualitet të komitave greke e për me bâ patrullime përpara linjës së pozicionimeve tona. Këto plotone kanë qenë pritur kudo me entuziazëm nga gjithë popullata. Nga çdo anë na vinin ftesa për me dërgue fuqina për me okupue e me sigurue katundet e veçanërisht qytetarët e Pargës, që kishin përgatitur flamurët për me na pritë me demonstracione e me simpathi.
Deri këtu çdo gjâ shkoj mirë, megjithëse kishim konstatue se shumë vullnetarë e sidomos midis atyne të Delvinës, Porta Edda e Konsipolit, që ishin njerëz vetëm për numër e jo për me luftue, pse shumë prej këtyne nuk dinin me përdorë armët, të tjerë trembeshin me avancue, të tjerë zbraznin armët pa dobi mbrapa krahëve të shokëve të tyne tue vënë në rrezik jetën e këtyne, të tjerë largoheshin nga pozicioni i caktuar etj., ku kemi patur shumë preokupime të këtilla për mos me ngjamun aksidente midis vullnetarëve.
Në kohë që në Arpicë pritnim urdhën me avancue, mbërriti urdhëri i ritrates (tërheqjes) tue u tërheqë prapë në Grikohor. Pas një nate qëndrimi në Grikohor, të nesërmen mbërritëm në katundin Finiq, afër qytetit të Filatit, me qëllim për me shkue në pozicionet e Mikros, aftro 60 km nga Filati. Në Finiq fillon bashkimi me neve edhe i batalionit të parë të vullnetarëve çamë i komanduem nga major Aziz Çami, i cili deri atëherë ka qenë mbështetje e regjimentit të kavalerisë, në tjetër sektor e jo me neve. Simbas nevojës së shfaqur, urdhëni për me shkue në Mikro u anullua dhe u dha urdhër për me u kthye prapë nëGrikohor në pozicionet e mëparshme përkrah regjimentit tëgranatjerëve që ishte pengue në luftë. Për këtë arsye, tue u nisur afër orës 14.00 mbërritëm të dy batalionet në Gumenicë, por, mbasi batalioni i dytë i granatjerave ndodhej i kërcënuem nga fuqitë kundërshtare, u pa nevoja të vazhdohet marshimi dhe prandaj po atë natë mbërritëm në vijën e parë të luftimit, tue bâ kështu një marshim të shpejtë afro 65 km. Atë natë qëndruam të gjithënë pozicione mbi kodrinat e këtyne maleve, sadoqë shumica e njerëzve të batalionit të dytë vullnetarë kanë qenë të lodhur nga marshime të shpeshta e të gjata, të sëmurë, pa batanie, pa çadra, pa matare ujë bile dhe pa bukë. Në këto kondicione të vështira mbetëm gjithë ditën në zjarr tue pengue çdo përparim të kundërshtarëve, tue shpëtue forcat gati tërrethueme e tue mos lânë shteg armikut me okupue pozicione me rëndësi ushtarake. Por, për fat të keq, në këtë kohë që vullnetarët shfaqën dëshirë me sulmue kundërshtarin mbërriti prapë urdhëri për tërheqje. Atëherë me keqardhje, si për situatën e krijuar ashtu edhe për gjendjen e mjerueme të familjeve shqiptare të shpërndarë nëpër katunde pa asnjë mbrojtje e në tmerr të komitave greke, vullnetarët filluen me u shkurajue, por me fjalë të mira bindëse u bâ e mundur me vazhdue në shërbim e simbas urdhërave të marru na tue funksionue prapë shpinroje jemi tërheqë tue bâ të mundur që kjo tërheqje të bëhet në rregull, sado që kjo ishte një shërbim për me u krye nga ushtarakë të stërvitur mirë për këtë detyrë delikate dhe nevojiteshin mjete të tjera.
Në mbrâmje të kësaj dite u dha urdhër që të kapërcehej Kalamaj gjithë po në tërheqje e vullnetarët të zinin vend në katundet Smarte e Lopës. Pak mâ vonë ky urdhër u anullua dhe vullnetarëve u qe ngarkue përsëri detyra e shpinrojes (retroguardia), ku tue mbetur gjithë natën në buzë të lumit Kalamaj, të lodhur e të demoralizuem nga gjendja e familjeve të tyre, kemi sigurue kalimin e regjimenteve dhe të transportit plotësisht.
Në mëngjes, në vend që të shkonim në Lopës e Smarte na qe komanduar me marrë prapë pozicione tue sigurue me patrulla buzën e lumit Kalama, në drejtim të katundit Skupica e të detit. Por, mbasi kondicionet e vullnetarëve nuk lejonin për me krye këtë shërbim, pse ishin të lodhur, të zhveshur e sëmurë, si edhe vendi në atë pjesë ka qenë kënetë e nuk munda me u sigurue ndryshe, përveç forcave ushtarake të stërvitura mirë e të armatosura me armë automatike e të rënda, zotni gjenerali komandant i divizionit “Siena”, pranoj propozimin dhe urdhëroj që vullnetarët të mbeteshin në Lopës me detyrë që, në rast të ndonjë goditje kundërshtare në Kalama, të merrnin pjesë menjëherë në luftë.
Me tërheqjen e parë nga Nista në Finiq morali i vullnetarëve dhe mendimi për familjet e tyne nuk ishte kaq i rëndë, pse mendohej se kundërshtari nuk do të mundej me përparue me shkel vendet e tyne dhe ishte akoma e mundur me i mbajtë në grusht këta njerëz, por, me tërheqjen tjetër të përsëritur nga Salica në Lopës e kur filloj përsëri në Çamëri avancimi grek, këta kanë qenë demoralizuar krejt dhe kërkojnë me u lirue nga shërbimi për me qenë në ndihmën e familjeve të tyne në kohën e tërheqjes e për me qendrue pranë tyre, bile disa qenë largue pa autorizim për me sigurue e transportue familjet e tyre në të tjera vise.
Simbas autorizimit të marrun nga Komanda e Divizionit, i nënshkruari bashkë me komandantin e batalionit të parë të vullnetarëve çamë u prezantuam në komandën eprore në Gjirokastër për me shpjegue gjendjen mbi të cilën ndodheshin vullnetarët, ku morëm dispozicione që, nëse do të kishte vullnetarë që për arsye familjare nën armikun ose të tjera arsye të rënda do të donin me lënë shërbimin, mundeshin me u lirue dhe atyre që do të mbeteshin me u shtue moralin e tyne.
Me kthimin nga komanda eprore, kur mbërritëm në katundin Vagalat takuam disa vullnetarë të dy batalioneve që me oficerët e Salmerit vinin gjatë rrugës mbasi kishin abondonuar vendin e qëndrimit në Lopës. Simbas shpjegimeve të oficerave, këta kishin marrë urdhën nga oficeri Kolegamontit major Peskosolido me u ritrue (tërheqë) mbas lumit Pavlo e mbi linjën ku do të kishin zënë pozicion granatjerët. Pjesa tjetër që mungonte na njoftuan se kanë qenë autorizue prej majorit në fjalë me shkue në katundet e tyre, për me sigurue familjet, e shumë të tjerë kishin marrë direksione të ndryshme me qëllim për me shkue në shtëpitë e veta; por megjithë këtë kemi mundur me gjetë mënyrë me i rregullue e me i bindë që të mbeteshin me neve e të mos demoralizohen. Në apelin e mëngjesit, nga batalioni i dytë pamë që mungonin afro 100 vetë, por gjatë asaj dite me kërkesat e bâmuna me anën e patrullave tona u kthye një pjesë e tyne [dhe] e riorganizuam batalionin. Njëkohësisht mbi këtë situatë të vullnetarëve kemi paraqitur një raport të gjatë e të shpjegushëm komandës së grupit të vullnetarëve tëformueme atëherë. Këtu e lumin Pavlo kemi qëndruar 4 – 5 ditë dhe fuqia vazhdonte në shërbim kundër infiltracioneve kundërshtare si nëSmineci, Murri, Ftele, Sorone etj. e pastaj, tue qenë prapë shpinroje, kaluam, lumin e Bistricës dhe mbërritëm në Delvinë. Prej këndej morëm udhën me shkue në luftime të Muzinës, por mbas një dite qëndrimi atje, simbas urdhërit të dhanun, filluam prapë shërbimin e shpinrojes deri në katundin Tatzat. Kur mbërritëm në zonën e pasme të operacionit në Kreshpan, batalionet në fjalë, më datën 25 të muajit dhjetor, janë suprimue dhe unë jam lënë i lirë për me rimarrë aktivitetin tim normal.
Pra detyra ime që kam kryer gjatë këtyre muajve është kjo që u parashtroj shkurtazi dhe besoj se nuk kam lënë gjë mangut për me u akuzue ndokush me gjithë vështirësitë që takoja nga vullnetarët e pastërvitur në jetën ushtarake, të padisiplinuar e pa asnjë oficer e nënoficer efektiv.
Gjithashtu, kur më është ngarkuar detyra e komandantit të vullnetarëve çamë, kam marrë parasysh çdo sakrificë dhe kundrejt plumbave të armikut drejtova sinqerisht kraharorin tim e më kurajo e nuk jam fshehur nëpër fera pse jam oficer prej 19 vjetësh dhe kuptoja mirë të luftoja për me lirue atdheun tim, Çamërinë, dhe nuk jam njeri me shumë faqe. Bashkëpunimi ynë me oficerët e trupave italiane ka qenë vëllazëror dhe kjo provohet edhe me njëelogio të komandës eprore komunikuar nga komandanti i haggruppamentit, zotni kolonel z. Andreini, n. 00126/3, datë 11 nëntor 1940 XIX, i cili jam i sigurtë se nuk do të mungojë me shfaq akoma dhe sot të vërtetën mbi veprimet e batalionit të dytë të vullnetarëve çamë.
Nuk e di se cili është personi që don me lujtë me fatin tim, por supozoj mbi një njeri i cili e di se e ka për zakon që punët e mira që bëjnë të tjerët me thënë se i ka bërë vetë. Me thënë se gjoja ai i mblodhi vullnetarët dhe ai i ka çamërit në dorë, kurse në realitet kish përmbledhur nja 25 – 30 vetë, me reklamue në fletore Koriere delle Sera, datë 21, që ai ka qenë komandant i bandave megjithëse e vërteta qe e kundërt, pse nuk ka komandue as bandë e as batalione, por vetëm figuron si kapo i kompanisë së tretë, për emër e jo për punë, mbasi asnjëherë nuk ka qëndrue në krye të kompanisë. Gjithashtu, në kohë luftimesh, si për shembull në Shules Kastri ka lânë kompaninë vetëm, është fshehur 30 minuta larg pozicionit mbrapa lumit dhe në Muzinë u bë gjoja i sëmurë pa qenë i sëmurë. Në Arpica, kur pa që batalioni ishte deri diku në rrezik, iku një ditë më parë nga Arpica, por kur batalioni ndodhej në fushime ose në ndonjë katund atëherë vinte atje dhe reklamonte trimërinë falso.
Me këtë parashtresë nuk kam për qëllim me bâ hakmarrje por desha me parashtrue atë që âsht e vërtetë pse kam qenë korrekt në detyrën time e besnik. Informatori ka gabuar tue bâ akuzë fallso dhe për ato u lutem nëse do të jetë e mundur me u bërë hetimet e duhura dhe atëherë do të shihet e vërteta dhe vlefta e informatorit.
Me nderime,
Kuestor Skënder Çami
(firma)
8. 1941 –XIX