Albspirit

Media/News/Publishing

Dashamir Uruçi: KOSOVA ËSHTË GUR THEMELI NË MARRËDHËNIET E SHQIPËRISË ME FQINJËT…!

 

Image result for rama, vucic, zaev

Pa filluar ende mirë, “MINISHENGENIT FANTASTIK” i doli boja.

Në pragun e mosfillimit të negociatave me Europën e Bashkuar nga sirtari i politikës e diplomacisë shqiptare, “doli zholi”, një marrëveshje tre palëshe në mes të Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut, një lloj minishengeni ballkanik. Ai do të ishte modeli i bashkëpunimit në rajon që do të tërhiqte në një fazë të dytë edhe Kroacinë, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën e të tjerë.

Në dukje të parë asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur. Është lidhur një marrëveshje në mes tre shteteve të pavarura që synon forcimin e lidhjeve e të bashkëpunimit në fushën ekonomike, veçanërisht duke krijuar të gjitha lehtësitë në qarkullimin e njerëzve, mallrave e kulturave. Ky minishengen do të funksiononte duke patur parasysh vlerat e përfitimet e mëdha që solli MEGASHENGENI për vendet e Europës Komunitare.

Natyrshëm mund të them se nuk mund të ketë në këtë rast, analogji.

Ky përfundim i imi është i lidhur me dilemën se a mund të jetë e suksesshme dhe e dobishme për shqiptarët në rajon, një marrëveshje që lë jashtë saj REPUBLIKËN E KOSOVËS, një marrëveshje me dy shtete ku të drejtat dhe liritë e shqiptarëve janë nëpërkëmbur në qindra vjet e paturpësisht vazhdojnë të shkelen edhe sot, në muajin e mjaltit të MINISHENGENIT Ballkanik.

Në këtë situatë, shtrohet me të drejtë pyetja se a duhen kushtëzuar më këto vende, marrëveshjet e të gjitha llojeve, me qëndrimin që shtetet e tyre mbajnë ndaj Kosovës, ndaj popullit shqiptar në Maqedoni si dhe ndaj minoritetit shqiptar në Republikën e Serbisë.

A duhen nënshkruar marrëveshje të tilla me vendet e rajonit, pa marrë mendimin e Republikës së Kosovës e pa konsideruar interesat e saj strategjike, pa konsideruar interesat e shqiptarëve në rajon, të drejtat e tyre dhe liritë themelore?

Nuk janë mbushur ende 24 orë nga intervista e një bisnesmeni nga Medvegja e Kosovës Lindore, një shqiptari të mirë, patriot e të kulturuar. Para një audience të lartë, ai solli shumë informacione për gjendjen e shqiptarëve në Serbi, veçmas në Kosovën Lindore e në vendlindjen e tij, MEDVEGJË.

Me një elokuencë për t’u admiruar, me një shqipe standarte, më njohuri të thella për fatin e shqiptarëve në Ballkan, me dhimbjen e një atdhetari, ai solli para opinionit publik gjendjen e shqiptarëve nën Serbi, qëndrimin e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare si dhe rrugët ku duhet të ecim për të ndalur hemoragjinë e shqiptarëve në Kosovën Lindore si dhe projektet që nevojiten për zhvillimin e saj në të ardhmen.

Në intervistën e tij mësuam edhe gjëra për të cilat politika shqiptare nuk është angazhuar duke i lënë bashkëkombasit tanë në mëshirën e fatit e në mes të katër rrugëve.

Patrioti e bisnesmeni Muharrem Salihu deklaroi se MEDVEGJA po zbrazet intensivisht, po zbrazet në sytë e të gjithëve me metoda nga më vulgaret.

Shqiptarët po i largojnë nga vendlindja e tyre nga një zonë shumë e begatë ku kohëve të fundit janë zbuluar rreth 500 milionë ton rezerva bakri e ari, me fitime të mëdha për ekonominë e Serbisë.

Pasivizimi i adresave është çelësi me të cilin serbët po i dëbojnë shqiptarët nga shtëpite e tyre në Medvegjë e në zonat përreth e sëmundja po prek edhe Bujanocin e nesër mund të prekë edhe Preshevën.

Heshtje gjithandej, heshtje në Tiranë, heshtje në Prishtinë, heshtje në Shkup… gjithandej një heshtje vrastare.

Heshtëm për demarkacionin me Maqedoninë, pranuam demarkacionin me Malin e Zi, heshtëm për dëbimin e shqiptarëve nga veriu i Kosovës e Mitrovica e veriut; e trajtuam si plaçkë tregu, territorin e Republikës së Kosovës dhe prapë heshtëm.

Heshtëm edhe kur Gruevski me Aliun e Ahmetit i përgjysmuan shqiptarët në Maqedoni nga 45 në 20 përqind të popullsisë në këtë republikë, heshtëm edhe kur Akademia e Shkencave e Maqedonisë i cilësonte shqiptarët si njerëz të egër që kishin zbritur nga malet e vetëm bishti i mungonte nga pas.

Heshtëm dhe vazhdojmë të heshtim për shumçka anipse po preken interesa vitale të kombit që do t’i kushtojnë të ardhmes tonë të përbashkët e brezave që do të vijnë.

Ka ardhur koha që marrëveshjet e Shqipërisë me fqinjët të kushtëzohen me qëndrimin që këto shtete mbajnë ndaj shqiptarëve në vendet e tyre e veçanarisht me qëndrimin që ata do të mbajnë ndaj Republikës motër të Kosovës.

Jam i sigurtë se minishengeni i famshëm ishte një show në pragun e mosfillimit të negociatave me Europën e Bashkuar.

Ai nuk do të sjellë asgjë të rëndësishme sa i përket përfitimeve të shqiptarëve në rajon edhe sikur të sjellë, ai duhej kushtëzuar me të drejtat kombëtare e njerëzore të shqiptarëve në Serbi e Maqedoni e veçanërisht ai duhej kushtëzuar me ndryshimin e qëndrimeve që Serbia mban ndaj KOSOVËS SOVRANE E TË PAVARUR.

Shqiptarët në gadishullin e Ilirëve duhet të punojnë së bashku dhe jo të ndarë.

E ardhmja e tyre, herët a vonë do të jetë nën një shtet të përbashkët, në vendbanimet ku të parët tanë jetuan e derdhën gjakun për liri.

 

 

Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile-USHC

Nëntor 2019

Please follow and like us: